DRITA E VËRTETË QË SHNDRIT ÇDO NJERI, ERDHI NË BOTË! – Homeli nga Dom Dritan Ndoci

Categories HomeliPosted on

DITA E KRISHTLINDJES

Is 52, 7-10; Ps 98 (97); Heb 1, 1-6; Gjn 1, 1-18

Ja ku arritëm në ditën e Krishtlindjes! Është tipike e kësaj të kremteje që të sjellë në mbarë botën shumë hare, shumë drita e shumë ngjyra. Në fakt, sa herë që lind një fëmijë, sjellë shumë hare në familjen e tij, sjellë jetë, energji e falënderime. Po ashtu edhe lindja e Jezusit, Foshnjes Hyjnore, i sjellë botës të njëjtat emocione.

Krishtlindja është festa që në shkallë botërore ka shënuar ndryshim të vërtetë kulturor. Patjetër që për ne të krishterët e kremtja më kryesore është ajo e Pashkëve, por e kremtja e Krishtlindjes, në fakt, duket sikur ka hyrë më fort në vetëdijen kolektive e në festimet familjare.

Në mënyrë të veçantë sot gëzojnë fëmijët. Kudo, në të gjitha famullitë, janë pikërisht fëmijët ata që angazhohen më së shumti për ta pritur sa më mirë këtë festë: disa duke përgatitur Betlehemin dhe duke zbukuruar shtëpitë e tyre, disa duke mësuar poezi të reja që do t’i recitojnë para besimtarëve, disa duke mësuar këngë të reja e disa të tjerë duke përgatitur dramatizime të ndryshme, pikërisht për të paraqitur lindjen e Jezusit dhe mesazhin që kjo lindje na sjellë.

Sidomos fëmijët i gëzohen dhuratave që marrin në këtë ditë e, bashkë me dhuratat, marrin edhe shumë dashuri nga prindërit e të afërmit e tyre.

Është, pra, festa që sjellë vërtet shumë hare e lumturi në çdo familje, në çdo famulli, në çdo fshat e qytet.

Megjithatë duhet bërë shumë kujdes që të mos e ndajmë harenë e kësaj dite nga vetë Jezusi. Që do të thotë: të dijmë ta kemi mirë në mendje e në zemër domethënien e vërtetë të gjithë këtij gëzimi që sjellë Krishtlindja. Shkaku i gjithë këtij gëzimi është vetë Jezusi, Biri i Hyjit që bëhet njeri: «E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne», thotë Shën Gjoni sot në Ungjillin e tij.

Është interesante të vëmë re se sot pjesët e Shkrimit Shenjt nuk na përshkruajnë se si ndodhi lindja e Jezusit, por duan të na shpjegojnë domethënien e saj. Ishin sidomos leximet e Meshës së Natës ato që u përpoqën të na e përshkruanin këtë ngjarje, por sot Shkrimi Shenjt dëshiron të na ndihmojë të kuptojmë domethënien e këtij misteri. Duket sikur Kisha e di rrezikun që na kanoset që t’i largohemi domethënies së Lindjes së Jezusit.

Dhuratat që sot shkëmbejmë me njëri-tjetrin, në fakt, duhet të jenë vetëm shenjë vetëdijeje se kemi qenë ne ata të cilëve Hyji u ka bërë Dhuratën më të madhe që mund t’u bënte. Thotë Letra e drejtuar Hebrenjve: «Hyji, herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit». Kjo është vetëdija e madhe që duhet të na shoqërojë sot e gjithnjë: Hyji është bërë njeri.

Në leximin e parë flitet për një rrethanë hareje shumë të madhe. Mbase bëhet fjalë për fundin e mërgimit të Izraelit në Babiloninë e largët, mërgim i cili zgjati rreth pesëdhjetë vjet dhe qe shumë i mundimshëm. Lajmëtarit që sjellë «lajmin e mirë të paqes», pra që lajmëron fundit e kësaj skllavërie, profeti i thur lavde me disa rreshta shumë poetikë, aq sa deri edhe këmbët e lajmëtarit i duken të bukura: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjellë lajmin e mirë të paqes, që sjellë lajm të mirë, që shpallë shëlbimin, që i thotë Sionit: “Zoti yt mbretëron”!» E më poshtë: «Dëgjo! Rojet me të madhe gërthasin… Gëzohuni e galdoni së bashku!» Shkaku është fakti që Zotin e ndiejnë edhe një herë pranë tyre: «Sepse Zoti e shpërvoli krahun e vet të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë».

Galdimi i autorit të shenjtë të këtyre rreshtave e thamë se mund të këtë pasur disa arsye konkrete, por fjalët e tija, njëkohësisht, shprehnin edhe bindjen e Izraelit se Zoti nuk do t’i braktiste: «Zoti po e ngushëllon popullin e vet».

Këto fjalë të profetit Isai në lidhje me ngushëllimin që Zoti i bën popullit të vet, do të plotësoheshin tërësisht vetëm në Jezusin. Në Jezusin, Hyji nuk do të çojë thjesht një ngushëllim, por vetë Hyji do të ishte ngushëllimi: «Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë.»

Ky është shkaku i gëzimit tonë: fakti se në mes nesh ka ardhur vetë Hyji, Jezusi, «Dritë prej Drite». Isaia e ftonte dikur Izraelin të «galdonte» ngaqë i erdhi fundi mërgimit në Babiloni, larg tokës së tyre. Tani e gjithë bota ftohet të «galdojë» ngaqë në Jezusin i ka ardhur fundi mërgimit tonë larg Hyjit, sepse Hyji erdhi pranë nesh: «Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm – që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet».

Jezusi na sjellë jo thjesht njohjen me Hyjin, por edhe zhytjen tonë në jetën me Të. Përsëri thotë Ungjilli i sotëm: «Atyre që e pranuan, u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit».

Sot jemi të ftuar të gëzojmë sepse, në Jezusin, Hyji është bërë njeri dhe, në Të, na bën edhe ne bij e bija të Hyjit. Duhet të «galdojmë» për një dashuri kaq të madhe të Hyjit tonë dhe për një dinjitet kaq të lartë që Ai i dhuroi njeriut. Shkëmbimi i dhuratave në mes nesh, të mos i lërë mënjanë këto dhurata kaq madhështore që Hyji na ka bërë ne i pari.

Kjo ditë është e madhe: të mos e zvogëlojmë me gëzime të tjera meskine e pa dashuri.

«Do ta nderoj Krishtlindjen në zemrën time dhe do të përpiqem ta mbaj me vete gjatë gjithë vitit», thoshte Charles Dickens, shkrimtari i njohur anglez i shekullit XIX. Ishte dashur që vetëdija e kësaj dhurate kaq të lartë të Hyjit që është Biri i Tij, të mos përfundonte me sot, por të zgjatej përgjatë gjithë vitit.

Shenjtja Nënë Tereza na ka lënë disa rreshta shumë të bukur për të na treguar se si ne mund ta “përkthejmë” si duhet në vepra konkrete vetëdijen e kësaj dhurate kaq të madhe të Hyjit: «Është Krishtlindje sa herë që ti i buzëqesh një vëllai dhe i zgjat atij dorën. / Është Krishtlindje sa herë që ti rri në heshtje për të dëgjuar tjetrin. / Është Krishtlindje sa herë që ti nuk i pranon ato parime që i mënjanojnë dhe i shtypin të tjerët.» Janë vetëm disa prej shumë shprehjeve të tjera të bukura që kjo shenjtëreshë e përvujtë dhe shumë e dashur i ka lënë botës, që bota ta kuptojë si duhet lindjen e Krishtit.

Shenjtërit e kishin ngulur zemrën e tyre krejtësisht në Jezusin, Birin e Hyjit, që na është dhuruar neve e, prandaj, me zemrën plot mirënjohje, e kishin edhe forcën që t’i dhuroheshin krejtësisht të afërmit të tyre. Prandaj, të mos jemi të mirë vetëm sot, por të jemi edhe kur Krishtlindja të ketë kaluar, sepse Dhurata e madhe e Hyjit, Jezusi, është gjithnjë në mes nesh. Ai është «Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri» dhe na ndihmon gjithnjë të rritemi në dashuri ndaj Hyjit e ndaj të afërmit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *