FAMILJA E SHENJTË E NAZARETIT – VITI A
Me dhjetra janë kongregatat rregulltare, femërore e mashkullore, që kanë zgjedhur të kenë si themel të karizmës së tyre pikërisht përshpirtërinë ndaj Familjes së Shenjtë të Nazaretit, Jezusit, Marisë dhe Jozefit. E kjo sidomos duke filluar nga shekulli XIX e këtej. Me sa duket, njerëzit që i janë hapur veprimit të Shpirtit Shenjt në jetën e tyre, kanë pranuar të mësohen nga Ai, me qëllim që botës t’i përcillnin fuqishëm mesazhin e ruajtjes së shenjtërisë së familjes, kur tashmë bota kishte filluar (dhe vazhdon) të nxjerrë ligje e politika që synim të vetin kanë pikërisht zbehjen e kësaj shenjtërie.
Edhe nëpër shumë familje të krishtera tashmë ndodhë shpesh që të shohim në mure apo mbi komodina fuguren e Familjes së Shenjtë. Duan të shprehin kështu se edhe ato familje kanë dëshirë të lejojnë veprimin e hirit të Hyjit brenda tyre, siç lejuan Jezusi, Maria e Jozefi.
Por duhet të kemi shumë kujdes kur themi se familja njerëzore duhet të ketë si model Familjen e Shenjtë të Nazaretit, sepse e dimë mirë se sa e “ndërlikuar” ishte lidhja që kishin mes tyre anëtarët e kësaj të fundit. Thuajse sikur t’u bënim katekizëm fëmijëve, na duhet të kujtojmë edhe një herë se Jezusi është Biri i Marisë, por jo i Jozefit, duke qenë se ngjizja e Birit të Hyjit ndodhi për virtyt të Shpirtit Shenjt. Për Marinë Kisha gjithnjë ka ngulur këmbë të mësojë se ajo gjithnjë e ka ruajtur virgjërinë e saj. E Kisha këtë detaj nuk ka mundësi ta ketë theksuar kaq shumë pa ndonjë arsye të caktuar teologjike. Jozefi, nga ana e tij, gjendet përballë thirrjes që të jetë bashkëshort shumë ndryshe nga të tjerët si edhe atë shumë ndryshe nga të gjithë etërit e tjerë. E nuk besoj se kësaj thirrjeje të mistershme Jozefi mund t’i jetë përgjigjur me prishaqef, përjetësisht ndërdyshas dhe i trishtuar. Ungjilli për të thekson se ishte njeri shumë i drejtë dhe zemërdhemshur, virtyte këto që jo më kot theksohen për këtë njeri, që kishte përvetësuar këto tipare kaq hyjnore brenda vetes.
Ajo që këtë Familje të Mistershme e bën model për të gjitha familjet njerëzore, pra, nuk duhet të kërkohet tek përbërja e saj, por tek pika që i bashkon të tre këta anëtarë të shenjtë e, pika që i bashkon, është ngulitja e jetës së tyre në Hyjin.
Tani e kuptojmë se Jezusi, Biri i Hyjit, i bashkohet natyrës njerëzore vetëm nga dashuria që buron nga mërrëdhënia e dashurisë që buron mes Personave të së Shenjtërushmes Trini. Tani e kuptojmë se Maria pranon ta sjellë në dritë këtë foshnje që mrekullisht u ngjiz në të vetëm për shkak të dashurisë së pamasë e të Pamëkat që kishte ndaj Hyjit. Virgjëria e saj do të ishte shprehje e fuqishme edhe në vazhdim se ajo ishte krejtësisht e zhytur në këtë mister dashurie për Hyjin e vet. Tani e kuptojmë se Jozefi pranon të jetë atë dhe bashkëshort kaq ndryshe nga etërit dhe bashkëshortët e tjerë, sepse e kupton se madhështia e thirrjes që Hyji po i bënte ishte pikërisht që ai të bëhej shenjë e gjallë, edhe fizikisht, e atësisë së Hyjit dhe e faktit se jemi bërë krejtësisht për Hyjin. Feja e tij e gjallë në Hyjin, nuk e ka lejuar të jetë përjetësisht i ndërdyshëm dhe prishaqef për këtë mision delikat dhe tepër të bukur. Në Ungjill e pamë se si Jozefi, menjëherë, si Abrahami, pa bërë asnjë koment apo murmurimë, i bindej urdhrave të Hyjit për t’u zhvendosur nga një vend në tjetrin, më gjithë vështirësitë që kjo gjë sillte.
Në leximin e dytë dëgjuam se Shën Pali u drejtohet Kolosianëve me një seri porosish se si duhet të jetë familja njerëzore. Janë të gjitha porosi vërtetë të ëmbla, të mbushura me mençuri e njerëzi, por me mençuri e njerëzi që burojnë nga dashuria e përnjëmendtë që Shën Pali ka për Krishtin e që pretendon që edhe Kolosianët ta kenë, nëse duan të jetë të krishterë të vërtetë në jetën e tyre të përditshme. Në fund e mbyll me porosi që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë me familjen dhe ku nuk mungon këmbëngulja e Shën Palit që, secilën prej porosive të tij, ta lidhë fort me fenë e gjallë në Zotin: «Ju gra, dëgjoni burrat tuaj ashtu si ka hije në Zotin. Ju burra, duani gratë tuaja dhe mos jini me to të vrazhdët! Ju fëmijë, dëgjoni prindërit në gjithçka, sepse kjo gjë i pëlqen Zotit. Ju etër, mos i dëshpëroni fëmijët tuaj që të mos e humbin guximin.» Dashuria, nderimi e respekti i ndërsjellët mes anëtarëve të familjes, duhet të ketë si forcë të veten fenë e gjallë në Hyjin.
Shën Pali gjithë këtë nuk e bënte duke u nisur nga devocioni i tij për Familjen e Shenjtë të Nazaretit, sepse, e thamë, një devocioni tillë filloi të jetë i pranishëm në Kishë shumë më vonë. Por Shën Pali i jepte ato porosi duke iu përmbajtur traditës më të bukur të Besëlidhjes së Vjetër në të cilën dashuria për Hyjin e dashuria për familjen lidheshin mrekullueshëm mes tyre.
Mjafton të përmendim këtu një detaj, i cili patjetër vetëm në këtë kontekst kuptohet si duhet. Në Urdhërimin e katërt Hyjit i thotë Izraelit: «Nderoje babën tënd e nënën tënde, që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokën që do ta japë Zoti, Hyji yt» (Dal 20, 12). Zoti e lidhë dëgjesën ndaj prindërve, me jetëgjatësinë në tokën e premtuar. Kjo nuk duhet të mendojmë se, të jesh i dëgjueshëm ndaj prindërve dashka të thotë jetëgjatësi, por se Hyji i garantoi brezave pasardhës se, nëse ata do të ishin të dëgjueshëm ndaj prindërve të tyre, do të arrijnë të jenë, në fund të fundit, edhe të dëgjueshëm ndaj Hyjit, sepse ata, prindërit, do t’u mësojnë edhe dashurinë ndaj Fjalës së Hyjit. Pastaj, duke ruajtur fenë e gjallë, do të dijnë të jetojnë në tokën e premtuar sipas udhëzimeve të Hyjit. Por Besëlidhja e Vjetër na tregon se këtij urdhërimi të Hyjit jo të gjithë izraelitët iu bindën dhe filluan të largohen nga feja e gjallë, sidomos krerët politikë e fetarë. Prandaj u pllakosi edhe mërgimi i dhimshëm në Babiloni e shumë luftra të tjera. Sikur të kishin dëgjuar Hyjin, do ta kishin gëzuar edhe tokën e premtuar me më shumë lehtësi.
Kështu e kuptojmë edhe këmbënguljen e mrekullueshme të Siracidit të mençur: «Dëgjoni, o bij, mësimin e babës dhe ashtu veproni që të shëlboheni». E lidhë dëgjesën me shëlbimin.
Pastaj shton edhe disa këshilla po aq të mrekullueshme: «Kush nderon babën, i shpërblen mëkatet». Dëgjesa ndaj prindërve qenka si një sakrament që fiton edhe faljen e mëkateve. Jo vetëm kaq, por edhe i parandalon ata dhe fiton bekimin hyjnor: «Ruhet prej tyre dhe do të t’i dëgjohet urata». Nuk ka dalë as nuk ka për të dalë kurrë jashtë mode fakti që, dëgjesa plot nderim ndaj prindërve, fëmijët i shpëton nga sa e sa rreziqe në jetë. Ka prindër të ngutshëm dhe me zemër të ngushtë edhe ndaj fëmijëve të tyre, është e vërtetë, por janë kaq të rrallë saqë nuk ia vlen të rrezikohet lehtë mospërfillja e fjalës së tyre, sepse pasojat mund të jenë të pariparueshme. Nuk të mbron askush si zemra e prindit. Bota nuk ia shtrin kollaj dorën atij që është në nevojë, ndërsa prindi fëmijës po. Prandaj nuk e hedhë gjë poshtë fjalën që vjen pas: «Ai që nderon nënën, është porsi ai që grumbullon visare».
E, fjala që mua personalisht ma ngucë fantazinë, është kjo që vijon: «Kush e nderon babën e vet, në fëmijë do të gjejë gëzim». Të shumtë janë prindërit që ankohen se fëmija i tyre nuk i dëgjon, por nga ana tjetër nuk i vret aspak ndërgjegja për mënyrën se si ata vetë i kanë trajtuar dhe i trajtojnë prindërit e tyre kur tashmë ata janë të plakur e në nevojë. Çuditen se nga u ka dalur ky fëmijë kaq i pabindur, por nuk e kupton se është ai vetë që, me mungesat ndaj prindërve të vet, ia ka fotografuar në mendjen mënyrën e mbrapshtë se si trajtohet prindi. Kurse fëmija i kujdesshëm ndaj fjalës së prindit, me shumë siguri ka në mendje mënyrën e bukru se si prindi i tij e ka trajtuar prindin e vet. Prandaj «Kush e nderon babën e vet, në fëmijë do të gjejë gëzim», sepse do t’ia shohë frytet nderimit të tij.
Prandaj vijnë edhe si “grusht në stomak” për të gjithë prindërit fjalët: «Lavdia e njeriut varet nga nderi i babës së tij, nëna e pander është turpi i të birit», sepse e ftojnë prindin ta peshojë mirë sjelljen e vet, sepse kjo nuk do të kalojë pa pasoja për lumturinë dhe të ardhmen e fëmijës. Nëse fëmija e ka për detyrë që ta lidhë nderimin ndaj prindërve me nderimin ndaj Hyjit, aq më tepër prindi e ka për detyrë ta shohë misionin e vet prej prindi si “delegim” që i është bërë nga Hyji, Ati i amshuar.
Familja e Shenjtë e Nazaretit e ndihmon edhe sot familjen njerëzore ta ruajë identitetin e vet, sepse e ndihmon të ruajë bashkimin me Hyjin e vet. Jezusi vetë ka dashur të mësojë nga amësia dhe atësia e Jozefit, për ta kuptuar, si njeri, atësinë e Atit të vet. Kështu ëmbëlsisht na siguron se dëgjesa ndaj prindërve shpie tek Hyji Atë. Bekimi dhe hiri i Tij i begatshëm nuk do t’i mungojnë kurrë atij që angazhohet në një rrugëtim të tillë.
Edhe Maria dhe Jozefi, nga ana e tyre, e kanë pranuar “delegimin” e dashur që Ati i amshuar u ka bërë në këtë mision tepër të ëmbël dhe delikat. Në rastin e tyre, si martesa ashtu edhe të qenit prindër, ishte plot mister dhe patjetër që është një rast i papërsëritshëm, por, nga feja e tyre dhe nga bashkimi i tyre i vazhdueshëm me vullnetin hyjnor, ne mund të mësojmë gjithnjë shumë. Plus kësaj, mund të jemi të sigurtë edhe se ndërmjetësimi i tyre i vazhdueshëm nga Qielli nuk do t’i mungojë kurrë Kishës së Hyjit.