NUK DO T’I HUMBË SHPËRBLIMI.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XIII GJATË VITIT A

2 Mbr 4, 8-11. 14-16; Ps 89 (88); Rom 6, 3-4. 8-11; Mt 10, 37-42

Në jetën e Shenjtes Faustina Kovalska, tregohet se si në njëfarë periudhe Motrat e Kuvendit të saj e kishin lënë të kujdesej për të varfërit që mund të paraqiteshin në dyert e tyre e t’u jepte atyre mikpritjen e përkujdesjen e parë. Një ditë ndodhi që erdhi një i varfër e kjo e mori me shumë dashamirësi dhe e futi në mjediset e kuvendit. Me përvujtëri e dashuri të sinqertë, filloi ta pyeste rreth gjendjes së tij e kështu, pas ndonjë ore, i varfëri u largua shumë i ngushëlluar. Shenjtja Faustinë kishte kohë që në jetën e saj kishte vegime shumë të rëndësishme. Jezusi i shfaqej shpesh në ato fillim vite të shekullit XX. Është pikërisht kjo, shenjtëresha së cilës Jezusi i besoi ta porosiste Kishën që të përhapte kultin e Mëshirës Hyjnore. Dhe ja, duke iu kthyer historisë së takimit të saj me atë të varfërin, një ditë më pas, iu shfaq përsëri Jezusi e i tha: «Isha unë ai që erdha dje.». Shenjtëresha e pyeti: «Po përse erdhe ashtu?». E Jezusi: «E lashë qiellin e lavdishëm, sepse doja të rrija me ty përvujtërisht, për ta shijuar më mirë përvujtërinë tënde të madhe». Me përvujtërinë e mikpritjen e saj, ajo kishte mallë­ngjyer Zemrën e vetë Zotit.

Në leximin e parë sot dëgjuam se, me përvujtërinë e me mikpritjen e saj, një grua bujare preku zemrën e profetit Elize. E pra, ajo nuk e njihte se ishte profet. Thjesht i dhimbsej kah e shikonte tek kalonte pranë shtëpisë së tyre dhe i kërkoi të shoqit që jo vetëm ta ushqenin në shtëpinë e tyre sa herë që kalonte andej pari, por arritën t’i ndërtonin edhe një dhomë të thjeshtë ku të mund të pushonte. Profeti, kur mësoi se ajo nuk e kishte gëzimin e një fëmije, e thirri dhe i tha: «Në këtë kohë, sot një vit, djalin do ta shtrëngosh në parzmën tënde.». E gruaja kuptoi kështu se, me mikpritjen e saj, kishte mikpritur një njeri të Hyjit.

Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë: «Kush e pranon profetin se është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush e pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.». Jemi shumë të tunduar ta kuptojmë fjalën «shpërblim» në një nivel vetëm shpirtëror, por gabojmë. Është e vërtetë se nuk bëhet fjalë gjithnjë për shpërblime vetëm materiale, por si materiale ashtu edhe shpirtërore. E kjo për arsyen e thjeshtë se ne jemi njerëz e jo engjëj: engjëjt, meqë janë qenie vetëm shpirtërore, atëherë natyrisht që marrin shpërblime vetëm shpirtërore. Por ne jemi persona shpirtërorë e materialë, prandaj kemi nevojë për të dyja llojet e shpërblimeve.

Prandaj Jezusi nuk dëshiron t’ia zbehë fuqinë fjalëve të Tij që i cituam më sipër. Madje shton edhe: «Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve madje një gotë uji të freskët pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi». Zemra e Zotit sikur u përmalloka kur shikon mikpritjen mbi tokë, aq më tepër kur mikpritja bëhet në Emrin e Tij.

Një arsyetim logjik na bën të themi edhe se, kush nuk e ushtron mikpritjen, dashka të thotë se humbiska edhe shpërblimet. Kushedi, mbase ngaqë Zoti nëpër shekuj e ka bekuar gjithnjë mikpritjen me shpërblime, në shumë popuj të botës ajo është parë si një vlerë tejet e madhe e si një gjë tejet e shenjtë. Në popullin tonë ekzistojnë shprehje e zakone kaq të bukura, saqë janë të ngulura thellë në vetëdijen e shumëkujt, si përshembull ajo shprehja e njohur që gjendet në kanunin e Lekë Dukagjinit: «Shtëpia është e Zotit dhe e mikut». Apo ajo tjetra që thotë: «Burri nuk është askund më i dobët se në shtëpi të vet», duke nënkuptuar se, edhe po qe se miku të rëndon me ndonjë fjalë në shtëpinë tënde, je moralisht e detyruar të mos reagosh, pikërisht ngaqë ai është nën strehën tënde.

Patjetër se virtyti i maturisë nuk duhet shuar asnjëherë, sepse, duke përfituar nga besimi yt tek mikpritja, dikush mund të thurë plane dashakeqe ndaj teje, ndaj familjes sate e ndaj rrethit tënd shoqëror. Edhe Siracidi porosiste në Besëlidhjen e Vjetër: «Nëse do të fitosh një mik, fitoje në provë dhe mos i beso tepër lehtë!». Por kjo nuk do të thotë se duhet të mbyllemi ndaj botës me atë bindjen që shumëkush e ka se, gjoja, sot askush nuk të do më. Vetë Siracidi, që sapo e cituam, thotë pak më poshtë: «Miku besnik, mbrojtje e fortë: kush e gjen, fiton visar. Miku besnik s’mund të çmohet, as s’mund të peshohet vlera e tij.».

Mikpritja është e bukur, është pasuri. Mikpritja ta hap zemrën, t’i pasuron horizontet e jetës e miqtë zihen vetëm duke i mikpritur. E, kështu, mund të kesh «miq të mirë për në kohën e vështirë», siç thotë ajo shprehja tjetër popullore.

Bibla tregon se edhe në Izrael ishte zhvilluar një traditë shumë e fortë në mbështetje të mikpritjes. Mbi këtë trung të shëndoshë, të krishterët kanë vazhduar pastaj ta ruajnë vlerën e mikpritjes. Edhe Shën Pali u shkruante të krishterëve: «Ushtroni mikpritjen». Letra e drejtuar Hebrenjve po ashtu shkruan: «Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa e ditur, i pritën engjëjt!». Shën Pjetri në letrat e tij thotë edhe: «Jini mikpritës pa murmurime kundrejt shoqi-shoqit!».

Por nuk është e thënë që mikpritja të lidhet patjetër me banesën tënde. Është e rëndësishme të kesh një zemër mikpritëse. Mikpritjen mund ta dëshmosh edhe në rrugë të madhe. Imagjinoje për një çast sikur je vetë i dyti me një shok tëndin dhe je duke bërë me të ndonjë bisedë të këndshme. Papritmas afrohet edhe një i tretë dhe ndoshta, me të drjetë, të duhet ta ndryshosh rrjedhën e bisedës. Patjetër që ka njerëz të bezdisshëm të cilët përpiqesh t’i nisësh me dy-tri fjalë shpejt e shpejt, por, nëse sistematikisht jemi të prirur t’i nisim ashtu, t’i heqim qafe tipat që nuk na pëlqejnë, do të thotë se zemra jonë është shumë e mbyllur ndaj risisë që mund të na sjellë tjetri. Plus kësaj, nëse me mikun me të cilin po flisje me plot ëndje, nuk arrin ta përfshish në bisedë edhe një të tretë, do të thotë se ka diçka që nuk shkon as në miqësinë me atë mikun tënd. Por, e përsërisim, humbja më e madhe në këtë rast është pasuria që tjetri mund të na sillte. Qoftë edhe pasuri vetëm shpirtërore apo intelektuale, pa hyrë në ato materiale. Të shumtën e rasteve, madje, janë pikëisht ato shpërblimet shpirtërore e intelektuale për të cilat ti e unë kemi më fort nevojë. Edhe këtu mund të themi se «humbi shpërblimi» që ishte përgatitur për ne.

Pastaj, atyre që nisen nëpër botë për të zënë miq të rinj në emër të Tij, Jezusi u garanton: «Kush ju pranon ju, më pranon mua e, kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua». Garanci që është vërte­tuar ndër shekuj.

Megjithatë, ata që duan të nisen në emrin e Krishtit, nuk duhet të harrojnë të shfaqen gjithnjë vetëm nën shenjat e Krishtit, përndryshe ajo garancia të cilën Ai e siguronte, nuk do t’i shoqërojë: «Kush e do të atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua». Ata që do të donin t’i mbanin dy shalqinj në një dorë, këtu do të ndiheshin patjetër keq, sepse Jezusi kërkon një dashuri të pamasë ndaj Tij, dashuri e cila nuk e heq dashurinë për familjarët, por e korrigjon dhe e pastron atë. Dishepullit të Krishtit i kërkohet edhe që të bëhet gati ta mohojë vetveten për dashuri të Tij, por pikërisht kështu ai e fiton vetveten, sepse, kushdo që do të ketë punë me këtë dishepull, do të arrijë të shohë në të Krishtin Zot.

Ky, pra, është kushti i Jezusit për atë që dëshiron ta ndjekë e ta shpallë Atë. Po iu përmbajt këtij kushti, kushdo që do ta mirëpresë një njeri të tillë, do të mirëpresë Krishtin dhe «nuk do ta humbasë shpërblimin» e kësaj mikpritjeje. Po ashtu, kushdo që mirëpret dikë, me dëshirën që t’i përngjajë dashurisë së Krishtit që na ka mirëpritur bujarisht të gjithëve në Zemrën e vet, në një formë apo në një tjetër, do të mirëpresë vetë Krishtin.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *