SHENJTËRIT PJETRI E PALI – 29 Qershor
Dëshmi shumë të hershme tregojnë se e kremtja e këtyre dy shenjtër të mëdhenj kremtohej në të njëjtën ditë, më 29 qershor, falë të një bindjeje që ekzistonte qysh herët se ata qenë martirizuar të dy në po këtë datë. Megjithatë studiuesit bashkëkohorë, në bazë të disa të dhënave, kanë të drejtë që nuk janë fort të sigurtë për një gjë të tillë. Por dëshmi arkeologjike vërtetojnë gjithnjë e më fort se, qysh në fillimet e ikonografisë së krishterë, Shën Pjetri e Shën Pali paraqiteshin së bashku, krah për krah. Me sa duket, të krishterët e parë, të bindur se qysh gjatë jetës së tyre Pjetri e Pali ishin shumë të lidhur në fe me njëri-tjetrin, e kishin për zemër të besonin se edhe në lavdinë e Parrizit duhet të kenë hyrë në të njëjtën ditë.
Nga vjen kjo dëshirë kaq e fortë e Kishës, qysh në fillimet e saj, për t’i kujtuar gjithmonë bashkë këta dy Apostuj të mëdhenj? E pra, po të shohim tekstet biblike, nuk rezulton që ata të kenë qëndruar edhe aq shumë kohë bashkë. Edhe burime të tjera jashtë biblike nuk na thonë se ata e predikuan së bashku Ungjillin e, siç e thamë, as se u martirizuan në të njëjtën ditë, as në të njëjtin vend e as në të njëjtën mënyrë. E dimë se Shën Pjetrin e kryqëzuan me kokë poshtë, ndërsa Shën Palin e dënuan me prerjen e kokës. Ata patjetër kishin edhe një afërsi të madhe fizike në disa periudha të jetës së tyre, por jo edhe aq. Nga vjen, pra, kjo dëshirë e Kishës për t’i lutur njëherësh?
Mbase jo edhe aq nga afërsia e tyre fizike, por më fort nga ajo që këta dy Apostuj përfaqësuan qysh herët për Kishën. Patjetër që afërsia fizike që e kanë pasur në disa periudha ka ndikuar që të imagjinoheshin “krah për krah”, por kjo është bërë veçse shtysa për të kuptuar diçka më të thellë që Provania Hyjnore u kishte besuar atyre.
T’i shohim më nga afër këta dy Shenjtër kaq të dashur e kaq të nderuar nga Kisha në mbarë botën.
Pjetri, kur takoi Krishtin në jetën e tij, ishte një peshkatar i thjeshtë. Një ditë Jezusi bëri atë mrekullinë e famshme të peshkimit që flitet në fillimet e Ungjillit dhe, pas saj, i kërkoi Pjetrit që ta ndiqte, duke i thënë se do ta bënte «peshkatar njerëzish». E Pjetri e ndoqi. Në pjesën e sotme ungjillore na tregohet çasti më i rëndësishëm në jetën e Pjetrit gjatë kohës para mundimeve të Krishtit: kur Jezusi i pyet apostujt se kush mendojnë se është Ai, Pjetri ndërhyn i pari dhe shpall: «Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë». E Jezusi, e dëgjuam, iu përgjigj se një pohim të tillë Pjetri po e thoshte ngaqë Ati qiellor ia kishte frymëzuar. Madje aty i ndryshon edhe emrin, duke i besuar pastaj edhe një mision të caktuar: «Edhe unë po të them: Ti je Pjetër, Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e Ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj. Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit…». Janë fjalë kaq madhështore, saqë kanë përcaktuar strukturën e ardhshme të Kishës së Krishtit. Përgjatë shekujve kanë qenë pikërisht këto fjalë që janë bërë edhe themeli i debateve të pafundme teologjike. Shumë herë disa janë munduar t’i anashkalojnë këto fjalë të Krishtit, për të ndërtuar një strukturë të re kishtare dhe ia kanë arritur qëllimit, por ky ishte gabim i rëndë, sepse Kisha e Krishtit është «katolike e apostolike» e këtë e garanton bashkimi me Pjetrin e pasardhësit e tij.
Njëri prej Etërve më të mëdhenj të Kishës, Shën Ambrozi i Milanos, duke iu referuar Shën Pjetrit dhe pasardhësve të tij, thoshte në shekullin IV: «Ku është Pjetri, aty është Kisha.».
Në një takim ekumenik në mes të shumë udhëheqësve të kishave e të bashkësive të tjera të krishtera të organizuar një herë në Romë, Shenjti Papa Pali VI pati thënë me një vendosmëri të rrallë: «Problemi jam unë». Pra, nuk kemi kah shkojmë: nëse dëshirojmë bashkimin në mes të të krishterëve, nuk mund ta anashkalojmë vullnetin e Krishtit për të pasur në tokë Pjetrin e, pas tij, pasardhësit e tij. Tashmë Papa Francesku është sot pasardhësi i 266-të i Shën Pjetrit e, pa bashkim me të, nuk ka Kishë të Krishtit. Vetëm në bashkim me këtë pasardhës, Kisha mund të jetë e sigurtë se ka në duart e saja thesarin e plotë të hireve që Krishti na ka fituar. Vetëm duke qëndruar e bashkuar me këtë pasardhës të Pjetrit, Kisha është në gjendje ta shpallë e ta dëshmojë në plotësi se Jezusi është «Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!».
Vetë Shën Pali thotë diku në letrat e veta se, pasi kishte kaluar tri vjet në Damask, pas kthimit të tij kah Jezu Krishti, para se të fillonte predikimin e tij, kishte shkuar të takonte më parë pikërisht Pjetrin, si për të marrë prej tij “mandatin” e predikimit. Thotë Shën Pali: «E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njoftuar me Kefën (Pjetrin) e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë.» (Gal 1, 18).
Lidhja me Pjetrin e pasardhësit e tij është e domosdoshme, vetë Krishti e ka dashur atë. Kujdes, prandaj, kur ngutemi të dalim në përllogaritje shumë tokësore kur flasim për strukturën e Kishës. Është e vërtetë se edhe pasardhësit e Pjetrit e të apostujve kanë shumë të meta njerëzore (e përgjatë historisë nuk kanë munguar edhe shkandujt e përnjëmendtë nga ana e tyre), por kujdes kur duam shkëputjen prej tyre. Kjo do të ishte vetëvrasje e Kishës. Le ta pyesim veten, së paku, nëse lutemi ndonjë herë për Papën, sikurse pamë në leximin e parë se bënin të krishterët e parë kur luteshin për Pjetrin në burg, aq sa fituan lirimin e tij të mrekullueshëm! Çfarë bëjmë ne për Papën, për ipeshkvinjtë, për meshtarët, për Kishën? A dimë vetëm t’i sulmojmë e t’i gjykojmë ata apo përpiqemi edhe ne që të bëjmë pjesën tonë në këtë Kishë? E, ndërsa shumë veta pyesin pa u thelluar fort «Çfarë bën Kisha për mua?», kardinali i mençur i Milanos, kardinal Martini, ua kthente: «Kam edhe një pyetje të fundit për ty: Çfarë bën ti për Kishën?».
Tani të shohim pak Shën Palin. Ai është quajtur shpesh «Apostulli», një term që duket sikur e vë mbi të gjithë apostujt e tjerë. Madje disa kanë dalë në përfundimin se, duke qenë se ai e predikoi aq shumë Ungjillin, ishte pikërisht ai themeluesi i krishterimit. Përfundime shumë të gabuara, ta merr mendja, por që fshehin në vetvete një të vërtetë tjetër: Shën Pali ishte apostulli që më së shumti e përhapi Ungjillin e Krishtit jashtë Izraelit. Letrat e tij janë një thesar i vërtetë teologjik e moral e, në ta, mund të shihet shumë qartë edhe dashuria e pamasë që ky njeri pati për Jezu Krishtin. Më parë kishte qenë përndjekës i betuar i të krishterëve, por pasi takoi Krishtin në rrugën për Damask, do të ndryshonte gjithçka. Do të ndërmerrte udhëtime shumë të gjata për të përhapur Ungjillin, udhëtime të cilat shpesh e çuan në mundime e përndjekje shumë të rënda. E, edhe pse në rrethana të tilla, ai shkruante shpesh letra plot mësime e nxitje për bashkësitë e ndryshme që kishte themeluar. Madje edhe kur ishte në burg vazhdonte të merakosej për përhapjen e Ungjillit. Disa nga letrat e tij janë shkruar pikërisht nga burgu. Do t’i dhuronte Kishës edhe shumë shprehje vërtet të mrekullueshme si «Unë bëj gjithçka për Ungjillin.»; «Për mua Krishti është jetë e vdekja fitesë.»; «Kam qenë kapur nga Krishti.»; «Jetoj, por jo më unë: në mua jeton Krishti.». Vuajtjet e pësuara për Krishtin ishin vërtet të pamasa, derisa qe dënuar me prerjen e kokës, por, kur po e ndiente se po i afrohej fundi, i shkroi mikut të vet Timoteut këta rreshta të mrekullueshëm të cilët i dëgjuam sot: «Gjaku im po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë». Nuk ia imponoi askujt me dhunë Ungjillin e Krishtit, sepse e vetmja armë që kishte, ishte dashuria e tij e pamasë për Krishtin, feja e tij e gjallë dhe zelli për shpirtrat. Këto të fundit, Provania Hyjnore, donte nga Shën Pali, për të na treguar të gjithëve se deri ku mund të arrijë dashuria për Krishtin e për shpalljen e Ungjillit të tij.
Pra, ndërkohë që Shën Pjetri tregon bashkimin brenda Kishës, Shën Pali tregon nevojën e shpalljes së Ungjillit ndër të gjithë popujt. Të dyja këto duhen ruajtur deri edhe përballë kërcënimit më të madh, deri në vdekje. Prandaj mbase Kisha ka dashur gjithnjë ta imagjinojë se ata e kanë dhënë jetën në të njëjtën ditë, si për të shprehur se, si shpallja e Jezu Krishtit në botë pa bashkimin brenda Kishës, si edhe bashkimi brenda Kishës pa shpalljen e zellshme të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, janë gabime të cilat të krishterët duhet të ruhen gjithnjë fort që të mos i bëjnë, sepse gjithnjë tundimi për t’i ndarë bashkimin dhe shpalljen është shumë i fortë.
Dom Dritan Ndoci