E FJALA U BË NJERI E BANOI NDËR NE!

Categories HomeliPosted on

E DIELA II PAS KRISHTLINDJES

Sir 24, 1-4. 12-16; Ps 147; Ef 1, 3-6. 15-18; Gjn 1, 1-18

Në këtë të diel të dytë pas Krishtlindjes përjetohet ende e freskët klima e hareshme që kjo festë na ka sjellur. Kaq e freskët është kjo klimë, saqë edhe Ungjilli i sotëm është i njëjti me atë që kemi dëgjuar ditën e Krishtlindjes. Por, duke qenë se është i paraprirë nga lexime të tjera, na fton që t’i afrohemi atij nga një këndvështrim pak më ndryshe.

Në leximin e parë sot kemi dëgjuar një pjesë të shkëputur nga libri i Siracidit. Ky libër bën pjesë në ato libra të Besëlidhjes së Vjetër të cilët quhen ndryshe edhe librat e Urtisë. Janë libra të shkruar nga njerëz të mençur e të urtë të cilët, duke qenë thellësisht besimtarë, e kanë menduar fenë e tyre dhe, nën frymëzimin e Hyjit, kanë shkruar tekste të një thellësie të madhe jo vetëm feje, por edhe për sa i përket njohjes së jetës së përditshme dhe kuptimit të jetës.

Në këta libra përmendet shpesh termi Urti. Është një term i një rëndësie të veçantë sepse nuk nënkupton vetëm aftësinë e njeriut për të qenë i urtë apo i mençur, por kryesisht nënkupton Urtinë që vjen prej Hyjit. Kur këta autorë të shenjtë flasin për këtë lloj Urtie, duket sikur po përshkruajnë një personazh të gjallë. Mbreti Salomon pikërisht kështu e përshkroi kur iu lut Hyjit që t’i dhuronte Urtinë: «O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës, […] ma jep urtinë që rri në fron pranë teje.» (Ur 9, 1. 4) E arrin të shprehet deri edhe me këto fjalë: «Me ty është urtia që i njeh veprat e tua, që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin, dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu» (Ur 9, 9).

Edhe në leximin e sotëm kemi dëgjuar të flitet për Urtinë pikërisht si për një person të gjallë: «Urtia lëvdon vetveten». Madje vihen në gojën e saj edhe këto fjalë: «Ai që më krijoi, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”.»

Por të mos ngutemi për të thënë se ata po profetizonin për Birin e Hyjit. Teksti i sotëm thotë se urtia është një krijesë («Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua»), ndërsa Biri i Hyjit është «i lindur e jo i krijuar» prej Atit, siç themi edhe në Besoj-mën apostolike. Për izraelitët kjo Urti përfaqësonte më fort Ligjin të cilin Hyji ua kishte dhuruar nëpërmjet Moisiut. Në hebraisht, fjala Ligj përkthehet Torah. Kaq i çmueshëm ishte për Izraelin ky Ligj, saqë shihej si dhurata më e madhe që Hyji mund t’i bënte. Edhe psalmi i sotëm na bënë ta vërejmë një mirënjohje të tillë: «Lëvdoje, Jerusalem Zotin. […] Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit, drejtësinë e gjyqet e veta Izraelit. Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër: asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta». Ja pra: Ligji i Hyjit – ku qendra ishin Dhjetë Urdhërimet – ishte Urtia, Dija e Hyjit. Këtë Urti Ai ia ka bërë ta njohë edhe popullit të vet. E thënë me fjalën e Siracidit, kjo Urti e ka «ngulur banesën e vet në Jakobin [Izraelin]». E, dhënia e Ligjit, ishte garancia e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të vet.

Ka shumë rëndësi ky imazhi i «nguljes së banesës», sepse sot në Ungjill përdoret sërish pikërisht i njëjti term. Në njërin prej rreshtave të kësaj pjese ungjillore thuhet: «E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne», por, në origjinalin grek, thuhet tekstualisht: «E Fjala u bë njeri dhe e vendosi tendën e vet në mesin tonë». Kjo na bën të kuptojmë shumë gjëra. Në librin e Daljes flitet për udhëtimin e popullit të Izraelit nëpër shkretëtirë dhe shpesh tregohet se si Hyji, i mbështjellë me re, zbriste mbi tendën ku ruhej Arka e Besëlidhjes me dy pllakat e Dhjetë Urdhërimeve brenda saj. Ajo tendë, në të cilën gjendej Arka e Besëlidhjes, ishte garancia e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të vet dhe, sa herë që Hyji zbriste mbi këtë tendë me re, populli e kuptonte se Hyji po i thoshte të niseshin në marshim.

Tani mund ta kuptojmë më kollaj këtë rresht të Ungjillit që thotë «E Fjala u bë njeri dhe e vendosi tendën e vet në mesin tonë»: Shën Gjoni ungjilltar ka dashur të na tregojë se tashmë garancia e pranisë së Hyjit në mes nesh nuk është më tenda me Arkën e Besëlidhjes, por vetë Jezusi, Biri i Hyjit i bërë Njeri. Ligji ishte si përgatitje për ardhjen e Birit tëë Hyjit, por Ligji as që nuk mund të krahasohej me Të. Ligji është si një pasqyrë që të bën të shohësh ku je mirë e ku je keq, por nuk ka forcën të të ndihmojë nga brenda. Nga brenda të ndihmon vetëm hiri i Hyjit, i cili të shtyn në njohjen e së vërtetës. E kjo forcë na u dha vetëm në Jezusin: «Vërtetë, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin». Ky, Jezusi, është udhërrëfyesi i vetëm për kah njohja e plotë e Hyjit: «Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm – që është Hyj, një natyre me Atin – Ai bëri të njihet.» Jezusi është garancia e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të vet ngaqë është Ai vetë Hyj. Ligji ishte veçse shëmbëllesa e Birit të Hyjit si edhe përgatitja dhe kalitja që Hyji po i bënte Izraelit për pranimin e Birit të vet – të cilin ungjilltari sot e quan Fjala – që u bë njeri. E Urtia, Dija e Hyjit, përmes së cilës Hyji krijoi gjithësinë dhe e mban atë, është Jezusi, Biri i Tij: «Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë.»

Atëherë, pra, edhe ne le t’i hapemi Jezusit, Fjalës së Hyjit që erdhi të banojë në mesin tonë dhe le ta lëmë të na flasë. Ta ndjekim Birin e Hyjit që u bë Njeri, sepse vetëm bashkimi më Të është garancia se jemi në praninë e Hyjit. Ai është Urtia që na udhëheq kah njohja e Hyjit të papashëm dhe kah njohja e duhur e njeriut. Le ta bëjmë Shën Palin të gëzohet edhe për ne ashtu siç u gëzua për Efesianët: «Qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata e mia».Këtu termi “shenjtërit” nënkupton bashkësinë e të krishterëve. Shën Pali gëzohet kur sheh se në Kishë jetohet dashuria e mësuar nga Jezusi, sepse vetëm ajo lloj dashurie është dashuria e vërtetë.

Sikurse dikur populli i Izraelit ecte i sigurtë në shkretëtirë, kur Hyji zbriste mbi Arkën e Besëlidhjes, ashtu tani ne jemi të thirrur të ecim edhe më të sigurt pas Jezusit në shkretëtirat e jetës sonë. E thoshte edhe Shën Piu nga Pietrelçina: «Jezusi Fëmijë qoftë ylli që të udhëheq gjatë ecjes në shkretëtirën e kësaj jete».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *