E DIELA E III GJATË VITIT A
Ungjilli i sotëm fillon duke treguar se si, prej Nazaretit, Jezusi «shkoi e u vendos me banim në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit», duke plotësuar kështu atë që thotë profecia e Isaisë që dëgjuam në leximin e parë: «Në kohën e kaluar Zoti e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftalit, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përngjat detit, përtej Jordanit, Galilenë paganë. Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe; për banorët që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim». Pikërisht këtë pjesë citon edhe Shën Mateu sot në Ungjillin e tij. Jezusi është «Dritë plot shkëlqim» jo vetëm për popullin e Izraelit, por edhe për mbarë botën. Këtë dëshiron ta theksojë Shën Mateu kur na bën t’i shohim këto lëvizje të Jezusit që, në pamje të parë, mund të duken të parëndësishme.
Pastaj ungjilltari vazhdon të na tregojë se si Jezusi filloi të predikonte. Predikimi i Jezusit kishte në thelb të vetin fjalët kthim dhe hapje ndaj Mbretërisë së Hyjit: «Kthehuni, se Mbretëria e Hyjit është ngjat!». Në Ungjill «Mbretëria e Hyjit» është vetë Jezusi. Kjo sepse vetëm në Jezusin Hyji mbretëron krejtësisht. Vetëm aty, në atë trup e në atë shpirt, bëhet gjithçka që kërkon Hyji. Atëherë e kuptojmë se «Mbretëria e Hyjit është ngjat!» është si të thuas se Jezusi është ngjat. Por, që kjo afërsi e Hyjit ndaj nesh të ketë fryte shëlbimi, nevojitet edhe kthimi i njeriu, largimi i tij nga veprat e këqija.
Por ka diçka tjetër që Ungjilli sot dëshiron ta theksojë më fort: faktin se Jezusi fillon të thërrasë pranë vetes apostujt. Në Ungjillin e sotëm flitet vetëm për katër prej tyre.
Gjithnjë më ka bërë përshtypje një shprehje e një dokumenti kishtar, Pastores davo vobis: «Kemi besim të patundur se nuk do të mungojnë kurrë krejtësisht në Kishë shërbestarët e shenjtë… Edhe nëse në vende të ndryshme të botës verifikohet një rënje e numrit të klerikëve, gjithsesi, veprimi i Atit, që i ngjall thirrjet, nuk do të mungojë kurrë në Kishë».
Kisha është e bindur se Hyji gjithnjë do të kujdeset për popullin e Tij, se Ai, përgjatë çdo epoke, do të kalojë pranë atyre njerëz të cilët Ai vetë do (sikurse kaloi atë ditë pranë atyre peshkatarë) dhe do t’i bashkëngjisë në misionin e Tij Shëlbimprurës. Jo vetëm kaq, por kurrë nuk do të mungojnë ata që do të dinë t’i japim përgjigjen e duhur – të shndritur nga Shpirti Shenjt – sfidave të epokave të ndryshme. Kjo bindje Kishës i vjen nga besimi i patundur në dashurinë e Hyjit, i cili nuk e braktisë kurrë popullin e Tij. Kjo mund të na lejojë të themi edhe se, sa herë të shohim apo të dëgjojmë se dikush është shuguruar meshtar, apo po i është kushtuar jetës rregulltare, duhet ta falënderojmë Hyjin që përsëri na e dha edhe një shenjë tjetër se Ai kurrë nuk e braktis popullin e vet.
Por, le të kthehemi tani përsëri tek Ungjilli i sotëm e të kuptojmë më mirë se çdo të thotë thirrje.
Gjëja e parë që duhet të kuptojmë është se, në përzgjedhjen e ndjekësve të vet, Jezusi nuk ka kriteret e botës. Ai shkon e zgjedhë njerëz shumë të thjeshtë. Simon-Pjetri, Andreu, Jakobi dhe Gjoni ishin peshkatarë: në ato zona peshkimi i ishte një zanat tejet i zakonshëm për të siguruar jetesën.
Kriteri i Jezusit ka një qëllim: të tregojë se nuk është aftësia e tyre ajo që do ta çojë përpara Kishën, por hiri hyjnor, që vepron gjithnjë, kur gjen zemra të gatshme ta lejojnë të veprojë. Madje Kisha duhet të ketë shumë kujdes kur “tundohet” të predikojë tjetër gjë përveç forcës së hirit hyjnor. Duhet të ruhet kur “tundohet” të mbështetet mbi forca të tjera përveçse në forcët e kryqit të Krishtit. Shën Pali e thotë shumë bukur sot në Letrën e tij të parë të drejtuar Korintasve: «Krishti më dërgoi të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia e kryqit të Krishtit». Kjo forcë e mbanë Kishën, asgjë tjetër.
Gjithnjë Hyji ka zgjedhur mjete të brishta për përhapjen e Fjalës së Tij. Patriarkët e profetët nuk ishin njerëz kush e di se sa të veçantë për nga aftësitë njerëzore, por Hyji zgjodhi pikërisht ata për të çuar në vend planet e Tija shëlbimprurëse. Mjaftonte fakti që, lirisht, ata i ishin hapur hirit hyjnor. Shumica e shenjtërve ishin njerëz tejet të thjeshtë. Për më tepër ata vetë shpreheshin se ishin tejet mëkatarë e të brishtë përballë misioneve të ndryshme që Zoti u besonte. Shenjtja Bernardetë Subiru, së cilës kur ishte 14 vjeçare iu shfaq Zoja në Lurdë të Frances në shekullin e XIX, ngaqë ishte e vetëdijshme për paditurinë që e karakterizonte, thoshte pa ngurrim: «Nëse Virgjëra e Shenjtë më ka zgjedhur mua, është ngaqë unë isha më e paditura. Sikur të kishte gjetur ndonjë tjetër edhe më të paditur se mua, Zoja do të kishte zgjedhur atë». Kaq e bindur ishte për këtë, saqë kur i thanë se në treg kishin filluar ta shisnin fotografinë e saj për dhjetë qindarka – e kur ia thanë këtë ajo tashmë ishte në manastir e kushtuar Hyjit – istinktivisht i erdhi të komentonte: «Dhjetë qindarka, po, unë kaq vlej».
Gjëja e dytë që duhet kuptuar është se Jezusi i thërret apostujt që të lënë gjithçka e të shkojnë pas Tij. Dy apostujt e parë lanë rrjetat, pra braktisën zanatin me të cilin fitonin bukën. Është me shumë dobi për të gjithë ne që të mos lidhemi kurrë krejtësisht as pas atyre mjete që na sigurojnë bukën e përditshme. Ato shpesh, në vetvete, jenë të mira, por mund të shndërrohen në pengesë. Dikujt i duhet t’i lërë ato ngaqë Jezusi e fton për ndonjë mision tjetër, siç është rasti i apostujve. Por dikujt mund t’i duhet t’i braktisë ato ngaqë kanë filluar të shndërrohet në rast mëkati. I krishteri është i thirrur të mos e harrojë se di se jeta e tij është në duart e Zotit, gjë e cila nuk do të thotë se nuk duhet punuar, por se nuk duhet t’i vëmë shpresat kurrë krejtësisht në veprimtarinë tonë. Është pikërisht mungesa e një shkëputjeje të tillë që pastaj i hap rrugën mëkateve të ndryshme që bëhen në jetë, pikërisht për shkak të ankthit që të siguruarohet buka e përditshme.
Plus kësaj i krishteri duhet të jetë i shkëputur jo vetëm nga çdo gjë, por edhe nga çdokush. Dy apostujt e tjerë Jezusi i fton që ta ndjekin dhe Ungjilli thotë se «ata, aty për aty, lanë lundrën dhe babën e shkuan pas tij». Jo vetëm mjetin e jetesës, por edhe familjen.
Në jetën e Shën Luigji Gonzagës thuhet se ai dëshironte shumë të bëhej meshtar, por familja nuk ia lejonte, sodomos i ati. Kaq shumë presione i bënin, saqë një herë e dëbuan nga shtëpia. Shkoi të strehohej në një kuvend. Kur i ati i çoi fjalë të vinte e ta bisedonin edhe një herë çështjen, i thanë se Luigji nuk po pranonte të vinte. Shkuan në kuvend ta kërkonin dhe u thanë se djali i tyre ishte ndryrë brenda një dhome e nuk pranonte të dilte. Shkuan të shihnin, por mbetën të mahnitur nga ajo që arritën të shihnin përmes një të çare të derës: djali i tyre ishte gjunjëzuar përpara një Kryqi dhe po fshikullonte veten. Më vonë do të tregonte ai vetë se po fshikullonte atë pjesë të vetvetes që ende nuk ishte e gatshme që të braktiste luksin, pushtetin dhe lidhjet familjare, për dashurinë ndaj Krishtit. Prindërit e tij nuk iu bënë më kurrë pengesë në zgjedhjen e tij.
Dashuria për Krishtin ose prekë deri edhe afektet më të forta të njeriut, ose ende nuk është e tillë. Kjo duket si një sentencë e tepruar, por, po ta mendosh, si do të gjykohej një vajzë e cila, për të shkuar të jetojë me burrin e vet, braktisë, edhe pse mes lotëve, njerëzit me të cilët është rritur? Nuk ikën nga urrejtja, por për hir të një dashurie më të madhe. Kjo dashuri, pastaj, arrin të përfshijë gjithçka: të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e saj. Kështu ndodhë edhe me atë që e ndihet i thirrur të ndjekë Krishtin: nuk shtyhet nga mungesa e dashurisë në jetë, por nga prania e një dashurie më të madhe, e cila i jep kuptim së kaluarës dhe së ardhmes së tij. Nuk është mençuri të vazhdosh të mbash qiriun e ndezur, ndërsa në dhomë është ndezur një dritë tjetër më e madhe.
«Ejani mbas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!» u tha Jezusi atë ditë atyre peshkatarë të thjeshtë dhe na thotë edhe ne sot. Të mos lidhemi tepër, pra, me asgjë e me askënd, përveçse me Krishtin, Dritën e popujve. Në Krishtin, pastaj, do të dimë t’i duam vërtetë si gjërat ashtu edhe njerëzit. «Mos u mbështet tek njeriu: i duhet të vdesë. Mos u mbështet tek pema: i duhet të thahet. Mos u mbështet tek muri: i duhet të shembet. Mbështetu tek Zoti e vetëm tek Zoti. Ai mbetet përgjithmonë», thoshte Shën Françesku i Asizit.
Dom Dritan Ndoci