E DIELA E VI GJATË VITIT A
«Mbaje rregullën dhe rregulla do të të mbajë ty» – thoshin romakët e vjetër, për të theksuar rëndësinë që kanë rregulloret në jetë. Është interesante të shohim se një bindje e tillë qarkullonte edhe në Izraelin e asaj kohe, por në lidhje mbajtjen e urdhërimeve hyjnore e jo edhe aq në lidhje me rregulloret e organizimit të jetës së përditshme. Thotë leximi i parë: «Nëse do t’i mbash urdhërimet, edhe ato të ruajnë». Urdhërimet e ruajnë njeriun që të mos e shkojë dëm jetën. Duken fjalë të dala mode, por po e shohim pak më poshtë se sa të vërteta janë.
Se Ligjet e Zotit janë të rëndësishme, sot na e përforcon edhe psalmisti kur thotë: «Lum njeriu me sjellje të pastër, që ecën në Ligjin e Zotit!». Por shumë më shumë e përforcon këtë të vërtetë vetë Jezusi kur thotë: «Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha ta shlyej, por ta përkryej. Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha!».
Kur Kisha flet për «rregullore e ligje», shpesh herë përfundon të jetë e gjykuar si një plakë e mjerë që nuk e kupton se si lëvizë bota. Sidomos kur përmenden Dhjetë Urdhërimet, të krishterëve u duhet shpesh të përballen me një lum kritikash e fyerjesh. Por është vërtetë çudi jo e vogël fakti se, mësimin i Kishës mbi dashurinë deri edhe për armikun si edhe mësimin e saj që thotë se kemi një Hyj që na do e na falë pafundësisht, bota i lë në heshtje e në harresë, sikurse nuk vonon t’i “etiketojë” e t’i hellë në harresë edhe ata që gabojnë në jetë. Kishte të drejtë në këtë pikë Gilbert Keith Chesterton, shkrimtar e gazetar britanik i shekullit XX, kur thoshte se «Kisha nuk lejon asgjë, por falë gjithçka. Bota lejon gjithçka, por nuk falë asgjë». Prandaj, të gjitha urdhërimet e rregulloret që mëson feja, nuk duhet të shihen si fryt i ndonjë manuali të ftohtë morali, por si fryt i Zemrës së dashur të një Hyji plot dhembshuri për krijesat e veta. Ndodhë shpesh që një adolëshent ta shohë si armik prindin e vet kur ky e mbulon me porosi, këshilla e urdhra, por, kur bëhet prind vetë, e kupton se është pikërisht dashuria ajo që nuk të lë rehat e të detyron të japësh këshilla e urdhra.
Për Izraelin, dhurata e Dhjetë Urdhërimeve çmohej si ndera më e madhe dhe më e dashur që Hyji mund t’i bënte, aq sa i quante ata Ligje të Jetës: «M’i hap sytë të shikoj mrekullitë e ligjit tënd», lutet psalmisti i sotëm, i bindur se ligjet e Zotit e mrekullojnë njeriun për mençurinë që mbartin. «Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi», vazhdon ai.
Për t’ua kuptuar mençurinë, mund t’i shohim Urdhërimet e Zotit si një kufi, përtej të cilit nuk duhet të kalohet, nëse dëshirojmë «ta ruajmë» jetën. Megjithatë, të kesh si të vetmin shqetësim moskapërcimin e kufirit, nuk është ilaçi më i mirë për shëlbim. Shën Françesku i Salesit thoshte: «Mos shko deri tek kufiri, sepse ka shumë mundësi që do ta kapërcesh atë». Pikërisht nën këtë dritë të mbajtjes larg kufirit dhe të përsosjes në dashuri mund ta kuptojmë edhe Ungjillin e sotëm.
Por, para se të vazhdojmë, le të shohim pak më nga afër atë fjali plot peshë të Jezusit që thotë: «Erdha ta përkryej Ligjin!». A e thoshte psalmi i sotëm se Ligji i Zotit është «i mrekullueshëm»? Përse tani Jezusi thotë se ai paska nevojë për përmirësime?Atë ditë që Jezusi i ka thënë ato fjalë, duhet të ketë ngjallur patjetër rebelim jo të vogël tek dëgjuesit e Tij.
Duke thënë «Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve…»,Jezusi e kishte fjalën për Ligjin që Hyji ua kishte dhënë etërve nëpërmjet Moisiut. Por, duke shtuar fjalët «E unë po ju them…», Ai duket sikur po noton në ujëra të thella, sepse, në veshët e një hebreu besimtar, këto fjalë mbahen si një herezi e blasfemi e vërtetë. Me ato fjalë Jezusi po vihej në të njëjtin rang me Hyjin, i cili i kishte dhënë ata Ligje.
Megjithatë është e sigurtë se Jezusi nuk i ka thënë ato fjalë pa dashje. Në këtë mënyrë Ai dëshironte të nënkuptonte pikërisht faktin se është Hyj edhe Ai vetë dhe, pikërisht ngaqë është Hyj, i barabartë dhe një gjë e vetme me atë Hyj që i kishte dhuruar dikur ata Ligje, tani mund të thotë edhe «E unë po ju them». Jezusi po u thotë dëgjuesve të vet se, në Personin e Tij, tani kishte ardhur koha që të shkohej më thellë në kuptimin e Ligjit. Prandaj u thotë: «Erdha ta përkryej Ligjin!». Mënyrë vërtetë madhështore e Jezusit për të folur për hyjninë e vet.
E tani le ta shohim më nga afër se si Jezusi e çon në përsosmëri Ligjin.
Pikësëpari fillon me këto fjalë: «Nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit». Pjesë të tjera të ungjijve tregojnë se si këta skribë e farisenj nga njëra anë kishin “fiksimin” që të mos e kapërcenin kufirin e lejuar nga rregulloret, por, nga ana tjetër, bënin një jetë mjaft hipokrite e plot padrejtësi ndaj të varfërve, si edhe tregoheshin shpesh të pamëshirshëm ndaj mëkatarëve. Kështu, pra, Jezusi mëson se, për t’u shëlbuar, njeriut nuk i mjafton të kufizohet në moskapërcimin e kufirit e në zbatimin e skrupullt të disa rregulloreve, por i duhet të jetë edhe i “brumosur” me drejtësi, me mëshirë e me dashuri. I duhet të shkojë më thellë në dashuri, nëse dëshiron të jetë si Jezusi, i cili është vetë «Mbretëria e Hyjit» në mesin e njerëzve.
Të shkojmë më thellë në dashuri: po, kjo është dëshira e Jezusit. Pikërisht këtë Ai dëshiron të na mësojë me rreshtat që vijnë pas. «Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: “Mos vrit!” Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit. E unë po ju them: Kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit». Nuk mjafton që thjesht të ruhemi nga vrasja, por nevojitet të ruhemi edhe nga urrejtja, sepse edhe ajo është mëkat. Pastaj, ku e dimë ne se, nëse çdo ditë grumbullojmë brenda vetes urrejtje, mllefe e mallkime kundrejt dikujt, nuk do të ndodhë që ndonjë ditë situata të na rrëshqasë nga duart e të përfundojmë në vrasjen e tij? Prandaj Jezusi e sheh të nevojshme të zbresë deri edhe në detaje shumë të imëta: «E kush t’i thotë vëllait të vet “Budall”, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë “I marrë”, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit». Ta merr mendja se nuk duhet të bëhemi skrupolozë në këtë pikë, sepse nuk është fjala për ato shprehje të cilat shpesh mund t’ia themi njëri-tjetrit si për lojë. Madje “budalla” e “i marrë” i themi shpesh edhe vetes kur bëjmë ndonjë gafë. Ajo që Jezusi na porosit këtu të mos e bëjmë është që, këto shprehje, të mos thuhen kur e kemi me të vërtetë, pra kur me to dëshirojmë vërtetë ta fyejmë e ta lëndojmë tjetrin. Duke u ruajtur nga këto reagime fyese, do ta kuptojmë se Jezusi po na fton që të shkojmë më thellë në dashurinë vëllazërore, sepse pa atë nuk mund t’i afrohemi Hyjit që është Dashuri. Prandaj Jezusi shton menjëherë: «Nëse e sjellë dhuratën tënde për ta kushtuar në lter, dhe aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu me parë me vëllanë tënd, e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!».
E njëjta gjë vlen edhe për kurorëshkeljen: «Keni dëgjuar se qe thënë: “Mos e the kurorën!”. E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të». Jo thjesht të mos bësh mëkatin e kurorëshkeljes, por as atë të lakmimit me vullnet të plotë. E, për ta arritur këtë, mund ta pyesësh veten se sa i kujdesshëm je në bisedat që bën me të tjerët, në vendet ku i kalon orët e lira, në përzgjedhjen e programeve televizive, apo në atë që lexon. Mos iu afro kufirit, sepse ka shumë mundësi që pastaj do ta kapërcesh atë.
Patjetë se në pjesën e sotme ungjillore duhet t’ua kenë rrëmbyer vëmendjen fjalët e Jezusit që thotë: «Kushdo e ndan gruan e vet – përveç në rastin e fëlligështisë – e bën atë të thejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën». Duke thënë «përveç në rastin e fëlligështisë», mund të mendohet se Jezusi flet për rastet e kurorëshkëljes dhe se, nga kjo, mund të thuhet se, në ato raste, Jezusi e lejoka ndarjen në martesë. Kujdes, sepse Jezusi nuk ka thënë «përveç kurorëshkeljes», por «përveç fëlligështisë». Me termin fëlligështi është përkthyer në shqip termi grek që nënkupton çrregullime të thella psiko-afektive. Kjo do të thotë se, në ato raste, martesa nuk ka ndodhur fare, aq më tepër kur këto probleme i janë mbajtur të fshehta palës tjetër. E dimë të gjithë se Kisha Katolike asnjëherë nuk e ka pranuar ndarjen e martesës, por vetëm shpalljen e vlefshmërisë ose jo të një martese. Prandaj s’kemi arsye të ngutemi që t’i fshehim në harresë fjalët e Jezusit që thotë sot: «Kush martohet me gruan e ndarë, then kurorën». E njëjta gjë vlen edhe për burrin e ndarë!
Jezusi pastaj flet qartë edhe për betimin. Shumë justifikime ka edhe në këtë pikë, por Jezusi na mëson kështu: «E unë po ju them: assesi mos u betoni… Fjala juaj të jetë : Po, po; jo, jo». Gjithnjë më ka ndihmuar shumë kjo fjalë e Jezusit që të mos jepem pas vesit të betimit. Aq më tepër kur Jezusi shton menjëherë pas fjalë vërtetë të forta e domethënëse: «Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut». Një uratë e vjetër shqiptare mëson me shumë urti: «Kur në fjalë i sigurtë je, / s’ke pse me bamun be. / Fjalën tande e zanë t’gjithë besë, / sepse e dijnë se s’ke ngatrresë».
Të shkojmë, pra, më në thellësi në dashuri. Duke parë kah Jezusi, ne të krishterët e kuptojmë se Ligji i dhënë dikur është tepër pak nëse dëshirojmë të jemi të përsosur në dashuri. Prandaj, pikërisht për këtë qëllim, jemi të thirrur t’i përngjajmë Jezusit, Ligjdhënësit tonë të përvujtë. Dhe, ja sa bukur edhe Shën Pali e shprehë bindjen e tij se dija që vjen prej Jezu Krishtit «e ruan» dhe «e përsosë» jetën tonë, këtu e në amshim: «Vëllezër, ne shpallim dijen në mes të përsosurve… atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë».
Dom Dritan Ndoci