TI GJYKON ME BUTËSI E NA SUNDON ME NDJESË TË MADHE.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XVI GJATË VITIT A

Urt 12, 13. 16-19; Ps 86 (85); Rom 8, 26-27; Mt 13 24-43

«Do të jesh ipeshkëv dhe, sapo të mbushësh trembëdhjetë vjet të epikospatit tënd, do të vdesësh martir», i kishte thënë atij në vitin 1928 Shërbëtorja e Hyjit Tereza Neumann e Konnersreuthit, kur kishte shkuar në Gjermani për të kërkuar fonde për ndërtimin e kompanjelit të Gjuhadolit në Shkodër. Aso kohe françeskani Atë Vinçenc Prennushi ishte meshtar e, vetëm në vitin 1936, qe shuguruar ipeshkëv i Sapës. Katër vjet më vonë qe emëruar Arqipeshkëv i Durrësit, ku shërbeu derisa qe arrestuar dhe vdiq ndër burgjet komuniste, pas torturave të papërshkrueshme, në vitin 1949, fiks trembëdhjetë vjet pas profecisë së mistikes gjermane. Pas atij takimi me atë grua që mbante varrët e Krishtit në trupin e saj, shpeshherë Atë Vinçenci thoshte: «Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë, por nuk arrij ta mendoj se në çfarë rrethanash». Me ardhjen e komunizmit dhe me shtrëngimin e dhunshëm që iu bë veçanërisht Kishës Katolike në Shqipërinë e atyre viteve, ipeshkvi i zellshëm e kuptoi se po afrohej realizimi i profecisë. Kur një herë shkuan ta takonin disa motra Saleziane, pasi ai ua kishte refuzuar autoriteteve komuniste kërkesën që ta shkëpuste Kishën Katolike në Shqipëri nga bashkimi me Selinë e Shenjtë, me vetëdije të plotë dhe me lotë dhimbjeje në sy, ipeshkvi u tha motrave: «Jemi në mes të përndjekjes… Do të jemi martirë… Zoti na dhashtë forcën për një gjë të tillë!…».

Gjithnjë më ka bërë shumë përshtypje një detaj i tillë në jetën e këtij martiri, i cili do t’i printe një morie shumë të madhe martirësh të fesë në Shqipërinë e atyre viteve. Me të drejtë secilit prej nesh mund t’i lindte pyetja se si ka mundësi që Zoti e paska parashikuar ardhjen e komunizmit dhe se përse Ai nuk ndërhyri për t’i ndryshuar gjërat?! Shtoji kësaj edhe faktin se parashikime të tilla mund të ngjajnë me një lojë shahu nga ana e Hyjit, i cili i kalon figurat sa andej këndej në një përballje të dhunshme. Por kishte të drejtë Albert Ainshtajni kur thoshte: «Nuk do ta besoj kurrë se Hyji luan lojë zaresh me botën».

Për shumë njerëz, kjo vonesë e Zotit që të ndërhyjë për ta shkulur të keqen në botë, duket si argumenti më i fortë për të provuar mosekzistencën e Tij, ndërkohë që e pamë se paska pasur njerëz të cilët e kishin kuptuar shpirtin e mesazhit ungjillor, që na mëson se Hyji nuk ndërhyn jo ngaqë nuk ekziston apo ngaqë i shikon me mospërfillje të frikshme shortet e kësaj bote, por ngaqë është Hyj i dashur e i durueshëm dhe ngaqë e merr shumë seriozisht, vërtet shumë seriozisht, lirinë tonë. «Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e sundon me ndjesë të madhe», thotë solemnisht leximi i parë. Lev Tolstoji, shkrimtari i njohur rus, thoshte: «Hyji ekziston, por nuk ka kurrfarë nguti që të na e bëjë të ditur atë». «Deri edhe Hyji ka Ferrin e vet: është dashuria e Tij për njerëzit», shkruante nga ana tjetër (edhe pse me një fare teprie të qëllimshme) romancieri i famshëm brazilian, Paulo Coelho, i cili ishte edhe një katolik i bindur.

Shëmbëlltyra e Ungjillit të sotëm na mëson shumë gjëra. Aq më tepër kur edhe shpjegimin e saj e bën vetë Jezusi, duke na ndihmuar që t’i kuptojmë më mirë simbolikat e personazheve që përmenden aty. Nuk kemi hapësirën këtu që të merremi edhe me thellimin e dy shëmbëlltyrave të tjera që tregon Jezusi, por vetëm me këtë shëmbëlltyrë të parë, e cila, në fakt, ka hapësirën më të madhe në Ungjillin e sotëm.

Shëmbëlltyra tregon se si një njeri kishte hedhur farë të mirë në arën e vet, por armiku i tij, natën, kishte mbjellë edhe egj­rën. Kur shërbëtorët deshën ta shkulnin egjrën që kishte filluar të mbinte së bashku me grurin, i zoti i arës ua ndaloi, nga frika se mos, së bashku me egjrën, mund të shkulnin edhe grurin. Vetëm në fund, në kohën e korrjes, do të ndahen përfundimisht gruri nga egjra. E Biri i Hyjit shpjegon në vazhdim: «Ai që mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën, është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrëtarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vajë e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre».

Do të parapëlqenim një Hyj që ngjan me xhindin e llambës së Aladinit, i cili është në gjendje të na plotësojë çdo dëshirë tonën. Edhe pse, në fakt, edhe vetë përralla na thotë se edhe xhindi ishte i kufizuar, ngaqë nuk mund të plotësonte më shumë se tri dëshira. Por edhe nga përrallat ne shpesh mësojmë ato që duam vetë e jo atë që autorët e tyre kanë dashur të na mësojnë. E kështu sillemi edhe me Autorin e Krijimit e të Shëlbimit tonë: shohim në Të jo atë që Ai na thotë e na e dëshmon, por atë që duam dhe presim ne. Përballë se keqes në botë, më parë mendojmë mosekzistencën e Hyjit, sesa të vëmë në punë trurin dhe zemrën tonë për të kuptuar arsyen për të cilën Hyji i lejon ato.

Pikërisht këtë të fundit bën autori i rreshtave që dëgjuam sot në leximin e parë. Dallohet se ato janë rreshta të shkruar nga ndonjë teolog i mirëfilltë i kohës, i cili është përpjekur të nxjerrë disa përfundime, disa mësime, nga heshtja e durueshme e Zotit përballë kufizimeve të kësaj bote dhe përballë së keqes që bëjnë njerëzit. Autori niset nga bindja e palëkundur se po flet me një Hyj që është i Gjithëpushtetshëm: «Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë». Është një formë shumë e bukur për të thënë atë që ne e themi çdo të diel e të kremte në Meshë: «Besoj në Hyjin, Atin e Gjithëpushtetshëm». E ja cilat janë mënyrat në të cilat Zoti e shpreh gjithëpushtetësinë e vet: «Ti, ngase je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe». E veçanërisht në Jezusin, Birin e Tij, Ati na e ka dëshmuar se Ai «gjykon me butësi e sundon me ndjesë të madhe».

«Duke vepruar në këtë mënyrë, ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se, pas mëkatit, dhuron mundësinë e pendimit», vazhdon autori i leximit të parë. Janë përfundimet në të cilat ai del kur mendon për durimin e madh të Zotit. Ai durim e ajo mëshirë janë mësimi më i fortë për njerëzit që edhe ata të jenë të durueshëm e të njerëzishëm me njëri-tjetrin dhe të shpresojnë gjithnjë në mëshirën e Tij të pakufi. «Në zemrën e çdo njeriu gjendet një boshllëk që ka formën e Hyjit», thoshte i madhi Blejz Paskal. Hyji pret me “ankth” që ne ta vëmë re këtë lloj boshllëku e të mos përpiqemi ta mbushim atë me idhuj të ndryshëm, por t’i lejojmë Hyjit të zërë aty vendin që i takon. Prandaj Hyji pret dhe duron me mëshirë, sepse nuk dëshiron që të shkojë dëm kryevepra e Tij që është njeriu, i krijuar në përngjasimin e Tij.

Por të mos mendojmë se, ndërkohë që pret, Hyji nuk bën asgjë. Në fillim përmendëm mistiken gjermane, Shërbëtoren e Hyjit, Tereza Neumann e Konnersreuthit, e cila kishte profetizuar për martirizimin e të Lumit Imzot Vinçenc Prennushi. Françeskani i dashur i kishte besuar pothuajse menjëherë asaj profecie dhe kishte shumë arsye ta bënte këtë, sepse ajo grua po mahniste Gjermaninë e asaj kohe. E thamë se Tereza Neumann kishte në trupin e vet varrët e Krishtit. Ato i ishin shfaqur asaj qysh në moshën 28-vjeçare, pasi ishte shëruar në mënyrë të mrekullueshme nga një paralizë dhe nga verbësi që e kishin pushtuar prej vitesh. Kur vinte e Enjtja e Madhe, ndodhte çdo vit edhe e njëjta skenë: Tereza hynte në kuptimin e plotë të fjalës në tregimin e Mundimeve të Krishtit. Fillonin për të vuajtje të mëdha. Ndërkaq, edhe pse kishte bërë vetëm shkollën fillore dhe njihte vetëm dialektin e saj dhe pak gjermanisht, kur hynte në këtë ekstazë të dhimbshme, ajo fliste rrjedhshëm aramaisht, greqisht e latinisht. Fliste dialogjet e mundimeve të Krishtit. Në orën 15.00 të së Premtes së Madhe binte në një gjumë shumë të thellë dhe zgjohej, e freskët, e lumtur dhe me plagët e mbyllura, mëngjesin e së dielës së Pashkës. Krishti i Vdekur e i Ngjallur bëhej dukshëm i pranishëm çdo vit në trupin e kësaj vajze të thjeshtë.

E mrekullia nuk mbaronte këtu, sepse, qysh se mori dhuratën e Varrëve të Krishtit, Tereza nuk hante e nuk pinte më asgjë, por ushqehej vetëm me Kungimin e Shenjtë të cilin e merrte në Meshë çdo mëngjes. Të bindur se kishin të bënin me një mashtruese, si Kisha, ashtu edhe autoritetet vendore, ngrinin komisione që e vizitonin dhe e ruanin atë rreptësisht për ditë e javë të tëra, por të gjithë dilnin në përfundimin se, edhe pse kjo vashë nuk shfaqte kurrfarë problemi mendor, nuk dihej se si jetonte pa u ushqyer. Jetoi ashtu për 36 vjet, deri sa vdiq në moshën 64 vjeçare, në vitin 1962, nga një atak kardiak. Shtoji këtyre edhe fenomene të tjera si të ndodhej në dy vende njëkohësisht, mrekulli e profeci.

Aq famë kishte fituar Tereza saqë, kur ushtarët nazistë kujdeseshin t’u çonin bukë fshatarëve të fshtatit të saj, të gjithëve u shpërndanin racionin e bukës që u ishte caktuar, kurse asaj e dinin se nuk duhej t’i jepnin bukë, por sapun, për të larë çarçafët e përgjakur nga plagët që i kullonin gjak pothuajse çdo ditë. Thuhej se edhe Hitleri ishte në dijeni të kësaj gjëje dhe ia kishte drojen profecive që kishte dëgjuar se kishin dalë nga goja e kësaj vajze të thjeshtë. Dukej sikur Jezusi, në çastet kur verbësia e urrejtjes njerëzore po mbillte shkatërrim e vdekje kudo, kishte dashur t’u jepte edhe një herë një shenjë të gjallë kthimi mëkatarëve të mjerë. E çfarë shenjash!

Prandaj edhe në Shqipëri, duke e parë se urrejtja njerëzore kishte plane gjakatare, Hyji u kishte kërkuar disa njerëzve të përvujtë, që të bëheshin shenja të gjalla të pranisë së Krishtit të kryqëzuar (E çfarë shenjash! mund të themi me plot gojë edhe këtu), me shpresën që ata të mund t’i kuptonin këto shenja e të ktheheshin. Duke kuptuar mënyrën se si sundon Hyji, kishin rast të kuptonin edhe sundimtarët e kësaj bote se si duhej sunduar vërtet.

Por shenjat jo të gjithë pranojnë t’i shohin, sepse nuk duan t’i hapen së vërtetës. Vetëm ai që është në kërkim të përvujtë të së vërtetës, arrin t’i shohë e t’i dëgjojë shenjat e Zotit në histori. Për këtë arsye Jezusi përfundon në Ungjillin e sotëm me fjalët therëse: «Kush ka veshë, le të dëgjojë!».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *