SHNDËRRIMI I ZOTIT TONË JEZU KRISHTIT – 6 Gusht
Dan 7, 9-10. 13-14; Ps 97 (96); 2 Pjt 1, 16-19; Mt 17, 1-9
Është interesante të dimë se, ndër të gjitha mrekullitë që Jezusi ka bërë gjatë jetës së Tij publike, vetëm për këtë episod të mrekullueshëm të Shndërrimit të Tij mbi «një mal të lartë» – që sipas traditës është Mali Tabor në Galile – Kisha ka një festë që e përkujton në mënyrë të veçantë. Këtë episod, me sa duket, e kishin shumë për zemër edhe apostujt, duke qenë se edhe tre ungjijtë sinoptikë na e sjellin gati njësoj tregimin e tij dhe po ashtu bën edhe Shën Pjetri në letrën e tij të dytë, sikurse e dëgjuam në leximin e dytë.
Rëndësinë e këtij episodi në jetën e Jezusit e gjejmë jo vetëm tek fakti që ka shumë prani të së mbinatyrshmes në të, por edhe detajet që e mbështjellin atë episod kanë një domethënie shumë të rëndësishme në lidhje me misterin e Krishtit.
Por, e thamë, me sa duket, ky episod i mrekullueshëm ka qenë gjithnjë shumë i dashur dhe plot me domethënie edhe për Kishën e shekujve në vazhdim. Festa e sotme i ka fillesat e veta qysh në shekullin VII, atëherë kur mbi Malin Tabor u ndërtuan dy bazilika që iu kushtuan këtij misteri në jetën e Jezusit. Megjithatë, për t’u përhapur në mbarë Kishën Katolike, do të duhej të kalonin shumë shekuj të tjerë, sepse vetëm në shekullin XV Papa do ta vendoste këtë festë në kalendarin romak.
Nga Ungjilli dimë se pak ditë para se të ndodhte ky episod i mrekullueshëm, Jezusi u kishte thënë apostujve se «i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallej» (Mt 16, 21). Përballë këtyre fjalëve, apostujt ishin turbulluar thellë. Aq shumë ishin turbulluar, saqë Pjetri i ishte afruar Jezusit dhe kishte filluar ta qortonte se ato gjëra nuk duhej t’i ndodhnin Atij. Më mirë të mos e kishte bërë atë qortim i shkreti Pjetër, sepse mori nga Jezusi një qortim edhe më të rreptë: «Shporru meje, he djall! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!» Por, me gjithë qortimin që i bëri Pjetrit dhe të tjerëve, Jezusi e mirëkuptonte ligështimin e zemrave të apostujve të Tij të dashur, kur dëgjuan se Mësuesi i tyre, pas të cilit kishin zgjedhur të shkonin, pas pak kohe do të vritej. Prandaj Jezusi mori me vete tre prej tyre, njëri prej të cilëve ishte pikërisht edhe Pjetri, dhe shkoi në atë mal të lartë dhe «u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita». Ato përshkrime që dëgjuam në leximin e parë se Danjeli profet i bënte kur fliste për «Birin e njeriut», pra për Mesinë, i shohim se përafërsisht plotësohen në këtë episod të mrekullueshëm të jetës publike të Krishtit.
Por forca e vërtetë e kësaj mrekullie do të fillonte të shfaqej pas pak, atëherë kur apostujt vunë re se, pranë Jezusit të lavdishëm u shfaqën dhe po flisnin me Të edhe Moisiu dhe Elia. Duhet ta kenë kuptuar se cili ishte Moisiu dhe cili ishte Elia pikërisht nga përmbajtja e asaj që ata «po bisedonin me të». Ungjilli i Lukës na informon edhe se ata po flisnin pikërisht për Vdekjen e Ngjalljen e Jezusit që pas pak kohe do të ndodhte: «Bisedonin me të për kalimin e tij nga kjo jetë, që do ta bënte se shpejti në Jerusalem» (Lk 9, 31).
Moisiu përfaqësonte Ligjin, kurse Elia-Profetët. Fakti se ata kishin qendër të veten në ato çaste Jezusin, dëshmonte se Ligji dhe Profetët e gjejnë plotësinë e tyre në Jezusin, Birin e Hyjit të bërë njeri, që do të vdiste e do të ngjallej.
«Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë», ndërhyri Pjetri, përballë gjithë asaj madhështie, i bindur se tashmë u plotësua ardhja e fuqishme e lumturisë mesianike. Por Pjetri duhej ende të mësonte shumë nga Mësuesi i Tij Hyjnor. Patjetër që në lavdinë e Mesisë ata do të kishin pjesë një ditë, por duhej të përballeshin me Kryqin, për ta kuptuar më saktë mënyrën se si ky Mesi do ta shëlbonte botën. Prandaj, «ende pa e kryer ai fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!». Ati, nga brenda resë që simbolizonte gjithnjë praninë Hyjnore, bën këtu dëshminë e Tij të drejtpërdrejtë mbi Birin e vet, duke ua zbuluar apostujve edhe më qartë identitetin e vërtetë të Jezusit. Jezusi nuk është njëri prej profetëve apo njerëzve të mëdhenj të kësaj bote, por është vetë Biri i amshuar i Atit të amshuar: «Hyj prej Hyji, Dritë prej Drite», themi tek Besojma. E, duke u thënë «Atë dëgjoni!», Ati u tregon apostujve se u duhej të vazhdonin të mësonin nga Biri i Tij, për të arritur shëlbimin. U duhej të vazhdonin ta ruanin besimin në Të edhe përballë “shkandullit të kryqit” që së shpejti do të ndodhte. E kështu na thotë edhe të gjithëve ne Hyji Atë: na duhet të vazhdojmë ta dëgjojmë Birin e Tij, edhe përballë kryqeve të ndryshme në jetë. E, sidomos në rastet kur i kërkojmë Hyjit ndonjë shenjë dashurie, Ati nuk mund të na thotë tjetër gjë veçse të na tregojë Birin e Tij dhe të na përsërisë: «Atë dëgjoni!», sepse nuk mundet të na dhurojë tjetër shenjë më të fuqishme dashurie sesa Birin e Tij.
Plus këtyre, mrekullia e Shndërrimit të Krishtit, i ka ndihmuar apostujt dhe Kishën të kuptojë edhe se të gjithë ne jemi të thirrur që ta lejojmë Shpirtin Shenjt të na shndërrojë në përngjasimin e Jezusit. Shpirti Shenjt na ndihmon që të jemi së bashku me Jezusin në çastet e kryqeve, derisa një ditë edhe ne të marrim pjesë në plotësinë e lavdisë së Krishtit. Atë ditë mbi atë mal Jezusi u tregoi apostujve vetëm një vezullim të lavdisë së Tij, edhe pse bëhej fjalë për një vezullim të cilin ata kurrë më nuk do ta harronin, kaq e madhe ishte lavdia që panë. Por shpresa e krishterë na mëson se, falë Mëshirës Hyjnore dhe falë meritave të Krishtit, ne do të bëhemi pjesëtarë të një lavdie të pashprehshme.
Kisha i drejtohet Hyjit kështu në lutjen e tretë eukaristike, kur lutet për dikë që ka ndërruar jetë: «Atje Ti do të fshish çdo lot prej syve tanë, atje do të të shohim ty, Hyjin tonë, ashtu siç je, atje do të bëhemi të ngjashëm me ty për amshim dhe do të të lëvdojmë ty pa mbarim, nëpër Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin i jep botës çdo të mirë».
Dom Dritan Ndoci