GRUAJA E LA ENËN DHE SHKOI NË QYTET!

Categories HomeliPosted on

E DIELA III E KREZHMEVE – VITI A

Dal 17, 3-7; Ps 95 (94); Rom 5, 1-2.5-8; Gjn 4, 5-42

Në Shkrimin Shenjt të kësaj të diel, tema e ujit dhe ajo e mëshirës së Hyjit përmenden shpesh. Në leximin e parë uji shpërthen mrekullueshëm nga një shkëmb e, nga ai ujë, pati mundësi ta shuante etjen e vet mbarë bashkësia e Izraelit, e munduar nga etja dhe nga dyshimi mbi dashurinë e Hyjit. Në Ungjill termi “ujë”, merr një domethënie më të gjërë, por do ta shohim më vonë. Megjithatë po e themi qysh tani se, uji që përshkruhet në leximin e parë, paska qenë thjesht shëmbëllesë e «ujit të gjallë» që do të sillte Jezusi. Tema e mëshirës së Zotit përmendet në leximin e dytë, në të cilin Shën Pali pohon se sa fort Hyji na ka dashur: «Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishtit vdiq për ne».

E, kjo e vërtetë, pra dashuria e Hyjit për mëkatarët, në Ungjillin e sotëm shpërthen me një bukuri të rrallë. Shën Gjoni mund të quhet pa dyshim mjeshtri i përshkrimit e kjo sidomos ngaqë ai është shumë i aftë të vërë në pah detajet e disa ngjarjeve. Edhe më fort është mjeshtri i krijimit të kontrasteve, i vënies në dukje të ndryshimit të madh në mes të mënyrës se si arsyeton Jezusi dhe mënyrës se si arsyetojnë bashkëfolësit e Tij.

Le të fillojmë, pra, pikërisht me detajet. I pari prej tyre na tregohet në rreshtin që thotë: «Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë». Hyji që lodhet. Po, edhe Hyji lodhet. E lodhë shumë kjo rendje Tij në kërkimin e mëkatarit, të cilin, gjithësesi, nuk heq dorë ta kërkojë.

Detaji tjetër janë rreshtat që thonë: «Ishte kund rreth orës gjashtë. Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë». Ora e gjashtë, përkon me mesditën. E nuk ishte zakon të shkohej te burimi në mesditë, por në mëngjes. Pjesa ungjillore tregon se kjo grua kishte një histori personale lehtësisht të dënueshme nga turmat, e prandaj nuk kishte dëshirë të shkonte te burimi në orarin kur e dinte se atje do të gjente njerëz të tjerë, me shikimet gjykues të të cilëve i duhej të përballej. Prandaj shkoi në mesditë, atëherë kur e dinte se aty nuk do të gjente njeri.

Edhe pse ka plot të tjerë, detaji i fundit që patjetër duhet përmendur është rreshti që thotë: «Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet». Është detaji që mua personalisht më prekë më shumë se të tjerët, sepse kjo grua kishte ardhur tek ai pus pikërisht për të mbushur ujë, por tani po kthehet në qytet pa të! E çuditshme, apo jo? E ku shkoi? «Shkoi në qytet», pikërisht tek ata njerëz të cilëve me shumë ngulm dëshironte t’u shmangej. Për më tepër shkon e u thotë «Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?». Edhe sikur në qytet të mund të gjendej ndokush që nuk e dinte ende historinë e saj moralisht të dënueshme, tani po e mësonte nga vetë goja e saj!

E thamë se të shumtë janë edhe detajet e tjera në këtë pjesë të gjatë ungjillore, por le t’i kthehemi mjeshtrisë së dytë të Shën Gjonit, asaj të vënies në pah të ndryshimit të madh në mes të mënyrës se si arsyeton Jezusi dhe mënyrës se si arsyetojnë bashkëbiseduesit e Tij.

Kur Jezusi fliste për ujin, nënkuptonte hapjen ndaj Shpirtit Shenjt, por samaritania mendonte për tjetër gjë. Po ashtu, edhe kur nxënësit e lusnin Jezusin që të hante diçka e Ai u përgjigjet se kishte një ushqim tjetër, nxënësit filluan të pyesnin veten nëse ndokush tjetër i kishte sjellë Atij ushqim! Prandaj Jezusit iu desh t’ua thoshte haptas: «Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që me dërgoi, ta kryej veprën e tij».

E nuk mbaron me kaq kjo mjeshtri e Shën Gjonit. Megjithatë, për ta parë më mirë atë, na duhet t’i marrim me radhë rreshtat e Ungjillit të sotëm.

A e dini se për çfarë tjetër “përdorej” mbushja e ujit tek pusi? Duke qenë se ajo ishte një punë që tradicionalisht u takonte grave – e sidomos vajzave –, burimi apo pusi ishte edhe vendi më i përshtatshëm për ata që ne i quajmë sot “takime”. Sot ka metoda e mundësi të tjera, por atëherë ishte kryesisht kjo mundësia më e favorshme për t’u parë e për t’u takuar djemtë me vajzat. Mund të themi me pak humor se aty ishte vendi i “fejesave”. Në Besëlidhjen e Vjetër gjejmë kësi shembujsh që e konfirmojnë atë që po themi. Përse tjetër “murmuruan” nxënësit kur u kthyen dhe e panë Jezusin duke folur me një grua? Është e vërtetë se habia e tyre qëndronte edhe në faktin se nuk ishte e zakonshme që një Rabi të bisedonte me një grua, por patjetër, mendja duhet t’u ketë shkuar edhe tek ai dyshimi tjetër zhbirues. Tani e kuptojmë edhe arsyen përse, kur Jezusi i thotë samaritanes: «Më jep të pi!», ajo reagoi me aq habi: «Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritanase?». Si t’i thoshte: “Si? Ti je judeas, po i propozon një samaritanase?». Nëse një djalë i kërkonte ujë një vajze, ishte njësoj sikur, sot, t’i kërkonte asaj numrin e celularit, nëse kështu mund të thuhet. Na bëjnë të vëmë buzën në gaz këto detaje, patjetër, por kështu e kuptojmë më mirë frymën e bisedës. Kështu e kuptojmë edhe atë shpjegimin – që përndryshe duket i tepërt – që Shën Gjoni ndihet i detyruar ta bëjë: «Sepse judenjë nuk marrin e japin me samaritanë». E ka fjalën për martesat që në mes të këtyre dy popujve nuk bëheshin, për shkak të shumë ndryshimeve fetare e historike që kishin me njëri-tjetrin.

Por, kultura në të cilën ishte e zhytur samaritania e shkretë, nuk ia mundësonte të mendonte se, kërkesa që po i bëhej nga Jezusi, ishte e një natyre krejt tjetër. Kështu e shohim se sa shumë mund të jenë pengesë disa kultura e zakone për kuptimin e duhur të fjalëve të Jezusit! Dukë i thënë: «Më jep të pi!», Jezusi po kërkonte fenë e saj. Jezusi ka etje për fenë tonë, aq sa edhe në kryq tha «Kam etje!» Etja e Jezusit është dëshira e Tij e madhe që ne njerëzit t’i hapemi veprimit të Shpirtit Shenjt.

Jezusi pastaj i thotë se mund t’i jepte asaj një ujë të cilin, kush do ta pinte, nuk do të kishte më kurrë etje, por gruaja prapë se prapë nuk merrte vesh. E shumta që arriti të kuptonte qe se, ky bashkëfolës i saj i çuditshëm, nuk e paska fjalën për fejesa e martesa, por për ndonjë ujë të magjishëm. Prandaj i thotë: «Zotëri, më jep asi uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr». Sa i vështirë është njeriu! «Nëse mësimi (hyjnor) nuk është i mbështetur nga hiri – thotë Shën Izidori – edhe nëse hyn në veshë, prapëseprapë nuk arrin deri në zemër. (…) Fjala e Zotit zbret nga veshët në fund të zemrës vetëm atëherë kur ndërhyn hiri, vepron në thellësi dhe çon në kuptim».

Prandaj, hirit hyjnor iu desh të ndërhynte më fuqishëm. Jezusi ia bëri të kuptuonte kësaj gruaje se e njihte shumë mirë historinë e saj personale dhe filloi ta ndihmonte që të ballafaqohej me të. Duke i përmendur burrat e shumtë që kishte pasur në jetë, Jezusi nuk kishte ndër mend ta fyente. Ne mbase mund të mendojmë se, duke e fyer dikë, do të arrijmë kthimin e tij në fe, por duhet të kemi shumë kujdes, sepse, zakonisht, ndodhë që, në vend të kthimit, të provokojmë indinjatë e largim edhe më të madh nga feja. Ndodhë aq rrallë që ndokush të ndryshojë jetë pas ndonjë fyerje e poshtërimi, saqë është shumë më mirë që të mos rrezikojmë fare. Në rastin e kësaj gruaje Jezusi, me pushtetin e hirit të vet, dëshironte ta thyente shurdhësinë e shpirtit të saj. Prandaj na duhet të lutemi për mëkatarët, sepse vetëm hiri hyjnor mund t’i kthejë ata me të vërtetë. Kishte të drejtë Shën Augustini i Iponës kur thoshte me shumë mençuri: «Nëse, kur je duke i folur dikuj për Hyjin, e vëren se ai nuk po të dëgjon, atëherë foli Hyjit për të». Duhet të lutemi, sepse kthimi është vepër i hirit.

E më në fund, kur Jezusi e vuri në praninë e Hyjit, samaritania kuptoi: kuptoi se kishte përpara jo një njeri dosido, por dikë që mund t’i dhuronte familjaritet me botën e hyjnore. Prandaj biseda që vazhdon më pas mes saj dhe Jezusit është shumë ndryshe. Ndërkohë që, në fillim të bashkëbisedimit, dukej sikur Jezusi po fliste nga lart e kjo po fliste nga thellësia e një botë mëkatare, tani fryma e bisedës ka ndryshuar: gruaja ka hyrë në sintoni me Jezusin, bashkëfolësin e saj të vështirë. Për këtë arsye ajo tani filloi t’i “shpaloste” ato pak dijeni që kishte rreth Shkrimit Shenjt dhe traditës hebraike. Edhe ajo si çdo hebre tjetër, po priste ardhjen e Mesisë. Nuk kemi kohën këtu të hyjmë në thellësinë e përgjigjeve të Jezusit, por po mjaftohemi të themi vetëm se, pas çdo fjale të gruas, pason një përgjigje ndriçuese e Tij. E kësaj, mëkatares që më në fund hyri në sintoni me Të, Jezusi do t’i zbulojë vetveten në një mënyrë të cilën rrallë herë e hasim në Ungjill, aq sa t’i thotë «Unë jam (Mesia), unë që po flas me ty!».

Samaritania arriti atje ku duhej: u zbraz mbi të dashuria hyjnore. Ajo iu hap dhuratës së Shpirti Shenjt, të cilën Jezusi po mundohej aq fort t’ia bënte. U vërtetua ajo që thotë Shën Pali në leximin e dytë: «Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua». Tani asaj i është shuar etja: kishte ardhur aty për ujin e rëndomtë, por mori një ujë tjetër. «E la ënen» dhe iku, sepse nuk kishte më nevojë për atë ujë: tani kishte në vetvete një “ujë” tjetër, Shpirtin Shenjt, i cili na nxit ta shpallim Krishtin. Kjo grua e kuptoi se audhuruesit e vërtetë janë ata që «e adhurojnë Atin në Shpirt e në të Vërtetë», pra duke iu hapur veprimit të Shpirtit Shenjt dhe fjalës së Jezusit, i cili është e Vërteta. Këtë ajo shkon t’ua shpallë, pa frikë paragjykimesh, pikërisht atyre njerëz nga të cilët më parë shmangej, sepse tani e gjeti forcën që ta kapërcejë vetveten e të shpallë Atë që ia ndryshoi jetën.

Lodhja e Jezusit, që u përmend në fillim të Ungjillit, nuk shkoi kot, por e dha frytin e saj. Prandaj Jezusi u thotë apostujve, ndërkohë që samaritanët e tjerë, të lajmëruar nga gruaja, tashmë ishin rrugës për tek Jezusi: «Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! (…) Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë. Të tjerët u munduan, e ju trashëguat frytin e djersës së tyre». Sa herë që Kishës i shtohen bij e bija të tjerë, ata janë fryti i mundimit të Dikujt tjetër, i Jezusit, i cili dha jetën e vet për ta. Kisha thjesht korrë e pranon frytet e pjekura, tashmë të gatshme. Është me shumë rëndësi kjo fjalë e Krishtit, sepse Ai këtu e përkufizon veprën e Tij si mbjellje, kurse veprën e apostujve si korrje. Sa bukur Biri i Hyjit na mëson se kthimi në fe është vepër e Tij, ndërsa dëshminë, shpalljen dhe mbarështimin e sakramenteve që i kërkohen Kishës, Ai i quan korrje, veprim i cili ka për qëllim të ruajë e të mbrojë nga dëmtimi veprën e Krishtit në botë.

Le t’i hapemi edhe ne, pra, mënyrës së të arsyetuarit të Jezusit. Le t’i hapemi edhe ne Shpirtit Shenjt, të cilin Ai dëshiron me gjithë shpirt të na e dhurojë. Atëherë, së bashku me samaritanët e tjerë, edhe ne do të themi për Jezusin: «…Vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës».

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *