E DIELA XXII GJATË VITIT A
Jer 20, 7-9; Ps 63 (62); Rom 12, 1-2; Mt 16, 21-27
Të dielën e kaluar kemi dëgjuar pjesën e Ungjillit ku Jezusi i jep Pjetrit një pushtet të paimagjinueshëm, aq sa ta quajë atë «Shkëmb» për Kishën e Tij dhe t’i dorëzojë «çelësat e Mbretërisë së qiellit». E, menjëherë pas atyre fjalëve madhështore të Jezusit, vjen pjesa e sotme ungjillore në të cilën Jezusi i thotë pikërisht këtij Pjetër «Shporru meje, he djall!».
Në rreshtat e tij të parë Ungjilli i sotëm na tregon se Jezusi kishte filluar t’ua thoshte hapstas apsotujve «se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjëve e të skribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallej». Këto fjalë kishin qenë arsyeja e turbullimit të Pjetrit. Fjalët «do të ngjallej» Pjetri me shokë duhet t’i kenë kuptuar si të thëna ashtu në përgjithësi, që mund të kishin të bënin me ngjalljen në fundin e kohëve. Por fjalët që paralajmëronin mundimet dhe vdekjen e Jezusit, Pjetri nuk mund t’i pranonte. Prandaj e sheh si urgjente që ta bëjë Jezusin të ndryshojë mendim: «Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”» Shpesh, të gjithë ne, jemi më të shqetësuar se Zoti për ta mbrojtur madhështinë e Tij. Por, pikërisht ngaqë besojmë se Zoti është i madh, duhet t’ia lëmë Atij edhe mënyrën se si dëshiron ta zbulojë madhështinë e vet. Prandaj këtu Jezusi e qorton Pjetrin shumë ashpër: «Shporru meje, he djall! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!». E ne, në këtë qortim të fuqishëm të Jezusit, na duhet të ndalemi pak më gjatë, sepse secila fjalë meriton një meditim më të thelluar.
Fjalët e Jezusit që janë përkthyer në shqip «Shporru meje», në origjinalin grek janë saktësisht «Dil pas meje». Patjetër që përkthyesi është përpjekur të na bëjë të përceptojmë dinamikën emocionale të ngjarjeve dhe nuk gabon në këtë, por, duke iu përmbajtur fjalë për fjalë qortimit të Jezusit, mësojmë edhe diçka tjetër me rëndësi të madhe: Jezusi i thotë Pjetrit që të dalë pas Tij, pra të vihet edhe ai në ndjekje të Jezusit, i cili po shkon drejt misterit të Vdekjes dhe Ngjalljes së Tij. Nëse nga njëra anë Pjetri sapo ishte veshur me një pushtet të pazakontë, ai duhet ta dijë se atë pushtet e ka jo për të sunduar si të mëdhenjtë e kësaj bote, por për të shërbyer e për të dhuruar vetveten si Mësuesi i tij Hyjnor. Nëse Jezusi i kushtohet Atit si Fli për shëlbimin e botës, ashtu duhet të bëjë Pjetri dhe nxënësit e tjerë. Pushteti i tyre është pushtet i Kryqit e jo i shpatës. Prandaj edhe Shën Pali thotë në leximin e dytë: «Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit». Edhe Shën Pjetri, i madhi, kishte ende shumë për të mësuar, prandaj Jezusi i thotë që të vihej përsëri në rresht me nxënësit e tjerë.
Jezusi u quan «djall», fjalë greke që do të thotë «përçarës». Pjetri, edhe pse jo me qëllim të lig, ishte futur si përçarës në mes të Jezusit dhe Atit, si edhe në mes të Jezusit dhe njerëzimit që duhej shëlbuar. Prandaj Jezusi i thotë edhe se «je shkandull për mua»: edhe fjala «shkandull» vjen nga greqishtja e vjetër dhe do të thotë pengesë. Pjetri po bëhej pengesë që Jezusi ta çonte në vend planin shëlbimprurës të Atit. E Jezusi vazhdoi në qortimin e Tij: «Nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!». Ne njerëzit arsyetojmë shumë shpesh duke u bazuar tek interesat tona të ngushta personale e jo nën logjikën e dashurisë e të dhurimit të painteres, siç arsyeton Hyji. Përsëri edhe këtu na vijnë në ndihmë fjalët e Shën Palit: «Mos iu përshtatni më parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtëriteni mendjen tuaj që ta dalloni vullnetin e Hyjit!».
I shkreti Pjetër, sa shumë gjëra i ndodhën atë ditë! Por kështu është kur ndjekë Jezusin: Ai ka thënë: «Kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë» (Lk 12, 48). Qortimet që Jezusi i drejton Pjetrit, patjetër se nuk janë njësoj me qortimet që Ai ia drejtonte skribëve e farisenjve kur i akuzonte për hipokrizi, por gjithësesi janë nxitje për t’u ruajtur nga shpirti i botës e për të qëndruar në ndjekje të vazhdueshme të Jezusit. E dimë se shumë prej pasadhësve të Pjetrit, mjerisht, do të njihen ndër shekuj edhe si njerëz të mbushur me shkanduj e deri edhe me krime. Kjo ngaqë këtë qortim plot seriozitet që Jezusi i bëri Pjetrit atë ditë, nuk e kanë përvetësuar plotësisht dhe kanë pranuar të përzihen me shpirtin e botës, me «parimet e shekullit». Kush dëshiron të jetë bari në emër të Jezusit, duhet ta përshkojë edhe ai me fe dhe dashuri Udhën e Kryqit të Mësuesit të vet Hyjnor.
Ja një përshkrim shumë i dhimbshëm, por i denjë për t’u kujtuar, në lidhje me të Lumin Dom Ejll Deda, i cili dëshmoi të kishte një zemër prej bariu të vërtetë. Ky djalosh shkodran u shugurua meshtar në vitin 1943 dhe menjëherë qe caktuar famullitar në Rranxa-Bushat të Shkodrës. Punoi aty me shumë zell në vitet e para, por gjërat filluan të vështirësoheshin kur, në vitin 1945, në Shqipëri nguli rrënjë diktatura komuniste. Ai sistem iu vërsul të gjitha rangjeve intelektuale e, ndër to, nuk kishte si të mungonte edhe kleri katolik. Dom Ejllit filluan t’i bënin presione që të rrinte në heshtje e të mos fliste kundër sistemit, nëse nuk donte të përfundonte në burgjet e Shkodrës, atje ku tashmë po dergjeshin shumë prej bashkëvëllezërve të tij meshtarë. Por nuk e dinin se në zemrën e pastër të këtij djaloshi tridhjetëvjeçar kishte filluar të digjte pikërisht kjo zili e shenjtë për ata vëllezër të vet që po e dëshmonin Krishtin në një mënyrë aq të lartë. Këtu mund të themi se po përsëriteshin ato rreshtat e Jeremisë profet që dëgjuam në leximin e parë: «Në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, i ndryrë në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda». Dikush prej besimtarëve të famullisë një herë i tha: «Dom Ejll, shkurtoje pak predikimin, sepse ti e sheh situatën, ki ma shumë kujdes, sepse përndryshe do të të arrestojnë edhe ty e famullia jonë do të mbesë pa meshtar». Dom Ejlli u ngrit nga vendi, u ul në gjunjë dhe iu përgjigj: «Jo, përkundrazi, unë i kam zgjatë predikimet e veprimtaritë e mia, me qëllim që të kem fatin e shokëve të mi martirë në burgje». «Duhet të mendosh edhe për ne, se po na len në nji situatë kësisoji», ia kishte pritur bashkëbiseduesi. «Këtë e lamë në dorë të Zotit», iu përgjigj famullitari, i vetëdijshëm se grigja që i ishte besuar nuk ishte e tija, por ishte «në dorë të Zotit». Famullitarit tani i takonte ta dëshmonte me jetë se ajo bishë e egër pa Zot ishte e gjitha një mashtrim i madh.
Ishte tridhjetë vjeç dhe kishte vetëm katër vjet që ishte shuguruar, kur edhe atë e arrestuan. E torturuan keqas në burgjet e Shkodrës, aty ku më në fund u bashkua me bashkëvëllezërit e tij dhe, pas shumë mundimesh e keqtrajtimesh, u la të vdiste në infermierinë e burgut pa asnjë ndihmë mjekësore.
Çdo bari duhet të ketë në shpirt ndjenjat e Bariut të vërtetë që është Krishti dhe të vihet në ndjekje të përvujtë pas Tij: «Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e lë të vijë pas meje!». Me këto fjalë e me këto qortime, Jezusi dëshironte t’i mësonte Pjetrin dhe nxënësit e tjerë se në çmënyrë duhej ta drejtonin më vonë grigjën e Tij.
Në mes të tjerash, Jezusi thotë edhe këtë fjalë së cilës kurrë nuk i bie poshtë mençuria që mbart: «Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën». Jepemi pas shumë gjërave në jetë, por jo pas vetë jetës, domethënë harrojmë t’i japim jetë vetë jetës. E mbushim jetën me gjëra që nuk kanë vlerë, me gjëra që na largojnë nga vetvetja, nga njëri-tjetri, nga Hyji dhe pastaj, mjerisht, vëmë re se jeta jonë nuk ka kuptimin dhe as shijen e duhur. Mund ta pushtojmë edhe tërë botën, por përvoja njerëzore ka mësuar se, kur njeriu shkon në fund të jetës së vet, fillon ta pyesë veten se çfarë mund të kishte bërë më shumë për të mirën e botës e, në ato çaste ekstreme, do të ndihemi keq nëse nuk do të gjejmë përgjigje. Feja pastaj na mëson se shumë më keq do të ndihemi pas vdekjes, kur do ta vëmë re se humbëm edhe lumturinë e amshuar. Ç’na vlejti ta pushtonim tërë botën, nëse humbëm jetën?! Këto fjalë mbi jetën e pasosur nuk janë sa për t’u thënë. Edhe pjesa e sotme ungjillore na sjell fjalët e Jezusit pikërisht mbi këtë pikë: «Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre».
Le t’i besohemi, pra, edhe ne, mendimeve të Jezusit. Ta lejojmë edhe ne veten të ndizemi në shpirt nga dashuria për Jezusin, ashtu siç u ndez në shpirt Jeremia profet kur, në një çast shkurajimi, deshi të mos e ndiqte më Zotin, por ndryshoi mendim kur Zoti ia ngrohu përsëri zemrën me dashurinë e vet. T’i besohemi mësimeve të Jezusit, sepse ato na çojnë drejt shëlbimit, edhe nëse për një çast ato mund të na duken të papranueshme, siç iu dukën Pjetrit.
Ja se çfarë i shkruante Dom Ejlli vëllait të tij kur ishte ende seminarist, pak para shugurimit: «Gjithçka asht në duert e Zotit. Zoti e din atë që asht e mirë e atë që asht e keqe për ne, sepse ne i shikojmë gjanat prej këtu poshtë, ndërsa Ai i sheh ndryshe prej qiellit. Herën e fundit që kam shkue te Mark Jaku kam takue Çilen që po qendiste. Nëse unë do ta kisha pa kah ana e prapme qëndisjen e Çiles, do ta kisha pa atë shumë të shëmtume, por tue e pa kah ana e mbarë, ajo qendisje ishte nji mrekulli. Kështu asht edhe kah ana e Zotit».
Ndoshta ngaqë Dom Ejlli kishte një shpirt të tillë feje, njëri prej besimtarëve të famullisë ku shërbeu ka lënë këtë dëshmi për të, duke marrë shkas edhe nga vetë emri i tij: «Erdhi si engjëll e si engjëll iku».
Dom Dritan Ndoci