UNË JAM NGJALLJA DHE JETA!

Categories HomeliPosted on

E DIELA V E KREZHMEVE – VITI A

Ez 37, 112-14; Ps 130 (129); Rom 8, 8-11; Gjn 11, 1-45

Para disa vitesh më qe kërkuar të mbaja një takim me një grup të rinjsh e m’u kërkua të flisja mbi jetën e Shenjtes Terezë të Jezusit Fëmijë. Takimi duhej të ishte i tillë që, pas një paraqitjeje të shkurtër nga ana ime, të rinjve t’u liheshin tre a katër pyetje mbi të cilat ata duhej të reflektonin në punën në grupe që do të pasonte. Bëhej fjalë për rreth 150 të rinj të cilët u ndanë në disa grupe jo të vogla. Ishte ende koha kur në Shqipëri kishim shumë të rinj. Duke qenë se njëri prej aspekteve më të forta në Shenjtes në fjalë ishte edhe mënyra se si ajo e shihte vdekjen dhe se si e përballoi atë, ishte e natyrshme që disa prej pyetjeve të cilave duhej t’u përgjigjeshin të rinjtë mund të ishte edhe «Si e mendoni ju vdekjen? A besoni te jeta e pasosur, te ngjallja e trupit?». Gjëja që na befasoi shumë prej nesh meshtarëve dhe motrave të pranishëm ishte se, në bashkëndarjen që u bë, u vu re se asnjëri grup nuk i ishte përgjigjur kësaj pyetjeje! A e bënë këtë nga turpi për të mos u dukur si “pleq” që flasin për vdekjen, apo e bënë nga paqartësia që kishin rreth kësaj teme, nuk e di!

Por ndoshta ky lloj turpi e kjo lloj paqartësie duhet të kenë ekzistuar qysh në fillimet e Kishës. Duke qenë se të dielat e vitit A në kohën e Krezhmeve kanë pasur si qëllim kryesor të shërbenin si katekeza të fundit për të rriturit që do të pagëzoheshin në Vigjiljen e Pashkës, hierakia kishtare e ka parë qysh herët si të domosdoshme që, në njërën prej këtyre të dielave, leximet liturgjike, të fokusoheshin tek risia e vërtetë që ka predikuar Jezu Krishti jo vetëm në lidhje me jetën pas vdekjes, por kryesisht edhe me ngjalljen e trupit, si edhe me pushtetin real që Krishti ka mbi vdekjen trupore.

Mrekullia që na sjell sot Ungjilli është ajo e ringjalljes së Lazrit nga vdekja. Nga mënyra se si përshkruhet kjo mrekulli, na lë të kuptojmë se ishte padyshim njëra prej mrekullive më të bujshme të Jezusit, falë edhe dëshmitarëve të shumtë që ishin të pranishëm kur ajo ndodhi.

Para se të hyjmë të detajet e pjesës ungjillore, duhet të themi se, në të vërtetë, pohimi se të vdekurit një ditë do të ngjallen, nuk gjendet vetëm në krishterim. Një pohim i tillë vinte edhe nga tradita hebraike, gjë të cilën Besëlidhja e Vjetër na e dëshmon qartë. Leximi i parë që sot dëgjuam, pikërisht për këtë flet. Por, me Krishtin, një pohim i tillë merr argumentim, merr garanci. Prandaj Jezusit i duhej të vdiste e të ngjallej, për të treguar se, si Ai dhe prej Tij, çdo njeri që beson në Të do të ngjallej edhe fizikisht për lavdinë e parajsës. Mrekullia që Jezusi bën në Ungjillin e sotëm ka si qëllim final pikërisht të na bindë që ta besojmë këtë të vërtetë.

Të kuptohemi drejtë: të gjithë kemi frikë përballë vdekjes, të gjithë përpiqemi pothuajse gjithnjë që ta shmangim atë. Ka situata në të cilat është e vërtetë se duhet “ta vëmë bast jetën”, por sa do të donim që këto situata t’i mbanim sa më larg. Vdekja nuk ishte e menduar nga Hyji për njeriun, por, pas mëkatit, u pranua prej Tij për arsye që nuk është rasti këtu të shtjellohen (e që gjithësesi ngelen se ngelen të mistershme për ne). Megjithatë Hyji nuk lejoi që të na kaplonte diçka mbi të cilën Ai nuk do të kishte pushtet. E, pikërisht se na ka bërë për JETËN, Ai na ka premtuar edhe NGJALLJEN nga vdekja dhe na fton të besojmë realisht në pushtetin e Tij.

Gjendet një detaj në ungjillin e sotëm që na bën ta shohim nga afër se sa real është ky kontrast i pranishëm në njeriun (pra, pikëllimi përballë vdekjes dhe besimi në pushtetin e Hyjit): kur Jezusit i treguan se ku e kishin vënë trupin e vdekur të Lazrit, ungjilli thotë se Atij «i ngufi vaji». Si njeri Jezusi nuk mund të mos qante përballë vdekjes, prandaj nuk duhet të çuditemi fort për këtë frikën tonë që spontanisht ndiejmë përballë vdekjes. Por, si Biri i Hyjit e Hyj ai vetë, Jezusi do të shqiptonte edhe këto fjalë përballë varrit me të vdekurin brenda: «Lazër, dil jashtë». Si njeri e qan Lazrin, si Hyj e ringjallë atë.

Të besosh në ngjallje, pra, nuk dashka të thotë të mos tronditesh nga vdekja, të mos frikësohesh apo të mos qash përballë saj, por do të thotë ta sjellësh shikimin kah Hyji, i cili është i Vetmi që mbi vdekjen ka pushtet.

Por, duke e parë se kjo sjellje shikimi është tepër e vështirë nga ana njeriut, Jezusi e sheh si të domosdoshme që të bëjë këtë mrekulli e shumë mrekulli të tjera të ngjashme me të. Ungjilli sot fillon duke thënë se, pasi Jezusi merr vesh për sëmundjen e rëndë të Lazrit, «u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhej». Pra, me dashje, Jezusi priti që Lazri të vdiste, që pastaj ta ringjallte. Pasi vdiq, ai u thotë nxënësve: «Lazri ka vdekur! Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, shi për ju – që të besoni!». «Shi për ju»: meraku i madh Jezusit është që t’i bind nxënësit e vet se Ai është «Ngjallja dhe Jeta».

Kah ky forcim në fe orjentohet edhe dialogu që, mes lotëve e dhimbjes, dy motrat e Lazrit bëjnë me Jezusin. Është interesante se si, të dyja, si fjalë të para që i thonë Jezusit sapo e takojnë, janë fjalët: «Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur!». Ndoshta këto fjalë ato ia thonin përavjshëm edhe njëra-tjetrës kur u vdiq vëllai, me bindjen se Jezusi do ta kishte parandaluar me ndonjë mrekulli vdekjen e tij. U dukej sikur fjalën e fundit e kishte vetëm vdekja, por nuk e mendonin se pushteti mrekullibërës i Jezusit nuk kufizohej nga vdekja.

«Unë jam Ringjallja dhe jeta» – do t’i thotë Jezusi Martës. Nuk ishte një fjalë e thjeshtë ngushëllimi, por një konstatim dhe, mrekullia që do të bënte pas pak, do të shërbente si argument për ta besuar këtë të vërtetë.

Por ringjallja e Lazrit nuk ishte si ngjallja e Jezusit e as si ngjallja që besojmë se do të ndodhë me të gjithë ne në fundin e kohës. Jezusi vetëm sa e ka kthyer në jetë Lazrin. Përsëri ai do të vdiste në të ardhmen. Megjithatë, kjo mrekulli shërbeu si shenjë, sepse kishte për qëllim që të forconte – nxënësit në atë kohë e ne sot – në besimin se Jezusi është Biri i Hyjit dhe se Ai ka pushtet mbi vdekjen. Martën Jezusi e pyeti «A e beson ti këtë?». Pa i rënë tërthorazi, edhe ne sot na pyet Jezusi: «A e beson ti këtë?».

Nuk është detaj i parëndësishëm të themi edhe se ekzistonte rreziku real që Jezusin ta arrestonin e ta vrisnin nëse shkonte përsëri në Jude, sikurse edhe ndodhi. Megjithatë Jezusi, gjithësesi, shkoi atje: dashuria për mikun e tij Lazrin dhe dashuria për nxënësit e Tij, të cilët dëshironte t’i forconte në besimin e tyre në Të, bëjnë që Jezusi ta vërë në rrezik jetën e vet. Jep jetën e vet, për t’u dhënë jetë miqve të Tij: «Ju jeni miqtë e mi» ­– do t’u thotë Jezusi nxënësve të vet një natë para se të vdiste. E, ngaqë jemi miqtë e Tij, dëshiron të na bindë se nuk do të na zhgënjejë në besimin tonë në Të. Ngaqë jemi miqtë e tij na duhet të besojmë se një ditë jo vetëm shpirti ynë do të gëzojë lumturinë e parajsës, por edhe trupi. Fjala e Jezusit që thotë «po shkoj ta zgjoj» Lazrin që kishte vdekur, le të na mbushë me besim se, pushteti i Jezusit mbi vdekjen është poaq sa kemi pushtet ne mbi gjumin e dikujt dhe e zgjojmë atë.

Duke iu kthyer Shenjtes Terezë që e përmenda në fillim, ajo, kur në moshën 24 vjeçare i thanë se tuberkulozi po e çonte dhimbshëm drejt vdekjes, ndër të tjera tha: «Misioni im do të fillojë kur të kem vdekur. Dua ta kaloj amshimin tim duke bërë mirë mbi tokë, duke dërguar vazhdimisht shi trëndafilash». Mrekullitë e hiret e shumta (si “shi trëndafilash”) që shumë njerëz morën falë ndërmejtësisë së saj, e vërtetuan se ajo nuk po thurte poezi boshe kur i kishte thënë ato fjalë, por po shprehte besimin e saj të patundur se, në Krishtin, do të vazhdonte të jetonte, në pritje të ngjalljes së trupit.

Ajo e shumë shenjtër të tjerë na e kanë dëshmuar se janë të vërteta fjalët e Jezusit: «Unë jam Ringjallja dhe Jeta: Kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë». Prandaj Kisha e sheh të domosdoshme që t’i sqarojë mirë bijtë e saj e t’i forcojë ata në fe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *