ASHTU DUHET TË LARTËSOHET EDHE BIRI I NJERIUT!

Categories HomeliPosted on

NGADHËNJIMI I KRYQIT TË SHENJTË – 14 Shtator

Nr 21, 4-9; Ps 78 (77); Fil 2, 6-11; Gjn 3, 13-17

Sipas një tradite shumë të lashtë, në vitin 327, Shenjtja Helenë, Nëna e perandorit të Romës, Konstantini i Madh, shkoi në Jerusalem dhe aty, e mbështetur nga autoriteti i të birit, bëri që të shembej një tempull pagan që ishte ndërtuar pranë vendit ku mendohej se ishte varri i Krishtit dhe, poshtë asaj ndërtese, gjetën tre kryqe. U mendua menjëherë se dy kryqet e tjerë ishin ata mbi të cilët qenë kryqëzuar dy hajdutët, kurse i treti, ai mbi të cilin gjetën edhe shkrimin që kishte qenë mbi kokën e Jezusit të Kryqëzuar, menduan se ishte kryqi i Shëlbuesit. Dilemën e zgjidhi Shenjtja Helenë duke bërë që, një grua e sëmurë rëndë, të prekte të tre kryqet me radhë. Kur preku kryqin që mendohej se ishte i Jezusit, ajo u shërua menjëherë. E gjithë kjo, mendohet të ketë ndodhur me datën 14 shtator. Nga këtu u fillua tradita që, në këtë datë, të kremtohej festa e lartësimit të Kryqit, e cila u quajt kështu ngaqë ipeshkvi i zonës, në mes të entu­­zia­zmit të të gjithëve, e lartësoi kryqit atë ditë që besimtarët ta nde­ronin. Fakti që ndonjë traditë tjetër mendon se gjetja e Kryqit të Je­zusit duhet të ketë ndodhur me 3 maj, bëri që kjo festë të kishte deri vonë dy ditë të ndryshme përkujtimi.

Me gjetjen e Kryqit dhe të disa gozhdave që mendohej se ishin ato që kishin përshkuar Trupin e Jezusit, Shenjtja Helenë bëri që të ndërtohej në atë vend edhe bazilika e Varrit të Shenjtë, e cila pastaj qe dëmtuar e rindërtuar disa herë gjatë shekujsh.

Por, e gjithë kjo që thamë, është e veshur me shumë legjendë brenda saj dhe nuk duhet besuar e gjitha. Aq më tepër kur, po t’i bësh bashkë të gjitha copat e drurit që thuhet se ishin pjesë kryqit të Krishtit dhe që janë të shpërndara nëpër botë, do të dilte një kryq vërtetë shumë më i madh se përmasat që kishin zakonisht kryqet. Kisha nuk ka nevojë t’i mbrojë medoemos të gjitha legjendat që qarkullojnë nëpër botë, me justifikimin e gabuar se ashtu e forcon fenë e besimtarëve. Por, gjithsesi, nga ana tjetër, fakti që disa legjenda mbijetojnë përgjatë shekujve më fort se disa të tjera, të bën të mendosh.

E, pikërisht kjo forcë që ka kjo festë e sotme që ta bëjë Kishën të mendojë e të meditojë më shumë rreth misterit të Kryqëzimit të Jezusit, është argumenti teologjik mbi të cilin liturgjia e ka themeluar këtë festë të sotme dhe e ka ruajtur atë si thesar të vetin të çmueshëm. Me reformën liturgjike të vitit 1960, kësaj feste iu ndryshua vetëm emri: nga festë e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, siç quhej më përpara, ajo u quajt festë e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë, për të theksuar më mirë fitoren e vërtetë që Krishti na ka fituar mbi Kryq, e cila nuk është një fitore sipas parimeve të botës, por sipas parimeve të Hyjit.

Pikërisht për t’iu afruar këtij misteri të fitores së Krishtit mbi kryq, Kisha na vë përpara këto pjesë të Shkrimit Shenjt që dëgjuam sot. Në leximin e parë na tregohet për një episod të dhimbshëm, por edhe të mrekullueshëm, që i ndodhi popullit të Izraelit kur ishte në shtegtim drejt tokës së premtuar. Populli, edhe pse kishte parë mrekulli të mëdha nga dora e Zotit, filloi të ankohej e «ta humbasë durimin». I ankoheshin Moisiut pse i nxori nga Egjipti, duke e quajtur, pikërisht atë vepër që i kishte shpëtuar si popull, si vepër të panevojshme. Teksti thotë se «për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit». Të bën të mendosh ky hidhërim i Zotit, kur jemi mësuar ta mendojmë Zotin si pafundësisht të mëshirshëm. Megjithatë, me gjithë misterin që mbartin në vetvete këta rreshta, gjëja që me siguri mund ta mësojmë prej tyre, është se, kur ne njerëzit e shohim të mirën si të keqe dhe të keqen si të mirë, aty nuk është më Shpirti i Zotit që na udhëheq dhe ne lehtësisht mund të biem pre e së keqes shfarosëse, edhe fizikisht. Por, pas lutjeve të popullit e pas ndërmjetësimit të Moisiut, Zoti nuk e la popullin në mëshirën e së keqes dhe ndërhyri, duke e porositur Moisiun: «Punoje gjarprin helmues dhe vëre në shtyllë si shenjë: kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, poqese e shikon, do të shërohet». E ashtu ndodhi. E Jezusi, në Ungjillin e sotëm, i shpjegon Nikodemit se ajo ngjarje kishte qenë edhe profeci e mundimeve të Tij: «Sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të bësojë në të, ta ketë jetën e pasosur». Hyji Atë, pra, kur në mëshirën e Tij po ndërhynte në dobi të popullit të Izraelit, po i jepte ndërkohë atij edhe një shenjtë profetike shumë interesante për të treguar edhe se në ç’mënyrë kishte ndërmend ta zbulonte mëshirën e Tij me anë të vdekjes së Birit të vet në Kryq.

E, në fakt, fjala kryq ishte sinonim i fjalës torturë, mundime të mëdha. Kaq ishte poshtëruese dhe e dhimbshme vdekja në kryq, saqë romakët me këtë lloj vdekjeje nuk i dënonin ata që ishin me nënshtetësi romake. E prandaj, sikurse Hyji zgjodhi që të ishte shërim pikërisht shikimi i figurës së metaltë të gjarprit që punoi Moisiu, duke e shndërruar në shpëtim pikërisht atë që ishte shkak frike deri në ato çaste, edhe këtë lloj vdekjeje tejet të dhimbshme në kryq, Biri i Hyjit do ta bënte vendin e zbulesës më të madhe: të dashurisë së Hyjit ndaj nesh dhe të shërimit nga vdekja e mëkatit. «Hyj aq fort e deshi botën, saqë e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur», thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm. Dhe menjëherë, në kujdes që Nikodemi dhe ne ta kuptojmë sa më mirë, sqaron një herë e përgjithmonë: «Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të».  Kështu, pra, vdekja e ngjallja e Krishtit, do të ishin për shpëtimin e amshuar të botës.

Djalli mendoi se, me pushtetin e frikës që sjell vdekja, ai do të ishte i pamposhtur edhe me Jezusin, por gaboi. Djalli, me krenarinë e tij, nuk e mendonte se Biri i Hyjit do të mund të përulej realisht deri në humnerën e vdekjes për ta shëlbuar natyrën njerëzore. Në krenarinë e tij, djalli nuk e mendonte se realisht Biri i Hyjit do të përvujtërohej deri në atë pikë, për të na mësuar neve se kundërhelmi ndaj krenarisë, është pikërisht përvujtëria dhe dëgjesa e plotë, kur ajo është e ngjashme me atë të Birit të Hyjit. Thotë Shën Pali në leximin e dytë, në disa rreshta të cilët me shumë siguri ishin një ndër himnet më të hershme që filluan të qarkullojnë në bashkësitë e para të krishtera: «Jezu Krishti, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes, e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq». Festa e Ngadhënjimit të Kryqit ka kuptim pikërisht ngaqë na lidh me këtë përvujtëri e dëgjesë të plotë të Jezusit, për shëlbimin tonë.

Patjetër se, sikur gjithçka të ishte ndalur me vdekjen, Jezusi do ta kishte pasur tejet të vështirë t’i bindte apostujt e vet dhe krejt Kishën se, pas përvujtërimit të Kryqit, vjen lavdia e Ngjalljes. Ne jemi të bërë për jetën, për ngjalljen, prandaj Jezusi, duke u ngjallur, u bë edhe «i Parëlinduri ndër të vdekurit» (Kol 1, 18), «fryti i parë i të vdekurve» (1 Kor 15, 21). Hyji Atë iu përgjigj dëgjesës së plotë e të përvujtë të Birit të vet duke e ngjallur Atë nga vdekja në lavdi: «Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që, në Emër të Jezusit, të përkulet çdo gju» e kështu do të na ngjallë edhe ne, falë meritave të Krishtit. Prandaj, duke nderuar kryqin, ne shprehim nderimin tonë ndaj Krishtit, Shëlbuesit tonë të Vdekur e të Ngjallur për ne. Mrekullitë që ndodhin në këtë botë, përfshi edhe atë që përmendëm në fillim ku Shenjtja Helenë kuptoi se cili ishte druri i vërtetë i Kryqit të Krishtit, janë fryt pikërisht i kësaj fitoreje të Krishtit. Mrekullitë janë, pra, shenjë e lavdisë së Shëlbuesit tonë, në të cilën Ai pret që një ditë edhe ne të kemi pjesë. Prandaj mrekullitë duhet që të na zgjojnë fenë e gjallë e jo të lejojmë që të humbasim gjithnjë në kërkim të mrekullive të tjera, sepse Jezusi ka ardhur të na sjellë një shëlbim të amshuar e jo të përkohshëm e tokësor e Kryqi na kujton pikërisht këtë lloj fitoreje.

Prandaj është shumë e bukur ajo që këndon Kisha në një refren shumë të kahershëm: «Të adhurojmë, o Krisht, e të bekojmë, sepse me Kryqin tënd të shenjtë e shëlbove botën mbarë».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *