E PREMTJA E MADHE
Mundimet dhe vdekja e Jezusit janë pikërisht shenja e fitores së Tij të vërtetë dhe vepra shëlbimprurëse për njerëzimin.
Patjetër se, sikur Jezusi të mos ishte ngjallur, vdekja e Tij do të shihej si një dështim, por, duke i parë mundimet dhe vdekjen e Tij nën dritën e ngjalljes, atëherë mund të themi se edhe këto mundime janë shenja e fitores së Tij. Prandaj Ungjilli i Gjonit që sapo e dëgjuam, na sjell si fjalë të fundit të Jezusit të kryqëzuar, fjalët e mistershme: «Gjithçka u krye.» «Gjithçka u krye» atëherë kur duket se gjithçka dështoi dhe shkoi dëm.
«Gjithçka u krye.» sepse u realizuan profecitë e kahershme të bëra për Mesinë dhe se u realizua shëlbimi. «Gjithçka u krye.» sepse u zbulua fytyra e vërtetë e Hyjit dhe se kush duhet të jetë në të vërtetë njeriu. «Gjithçka u krye» sepse tani u shënua fitorja e Hyjit, e cila pastaj do të vuloset nga Ngjallja e lavdishme. Sikur Jezusi të mos e kishte pranuar kryqin, apo sikur të kishte «zbritur nga kryqi» – siç i kërkonin me tallje shumica e atyre që ishin poshtë kryqit, atëherë Jezusi do të kishte humbur. Në atë rast, njerëzimi do të kishte kuptuar se, të jesh i shëlbuar, do të thotë të mos përballesh me vuajtjen dhe vdekjen. Njerëzimi do të kishte menduar se, të jesh i lum, do të thotë të mos pësosh, të mos vuash dhimbjet fizike e të mos përballesh me poshtërimet që të bëjnë të pësosh egoizmi dhe smira njerëzore. Njerëzit do të kishin shpresuar se shëlbim do të thotë të ndërtosh në këtë botë një Mbretëri përfundimtare të Hyjit e jo në botën e ardhshme, përtej vdekjes. Njerëzimi do të kishte parë tek Hyji (gjë që gjithsesi prapë se prapë shumëkush fatkeqësisht kështu e mendon) atë që të mbron nga rreziqet e jetës dhe asgjë tjetër.
«Gjithçka u krye.» sepse, prej atij çasti, Jezusi i kryqëzuar do të bëhej kriteri i domosdoshëm për të kuptuar fytyrën e vërtetë të Hyjit dhe të njeriut. Jezusi i kryqëzuar është gjykuesi real i njerëzimit. Kush dëshiron t’i shmanget «shkandullit dhe marrisë së kryqit», siç thotë Shën Pali në letrat e tij, përballë Kryqit do të gjykohet si njeri që nuk dëshiron ta jetojë deri në fund natyrën e tij njerëzore dhe bijësinë ndaj Atit qiellor.
Gjendet një fragment shumë interesant tek pjesa e Ungjillit të Gjoni që sot dëgjuam: «Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e qiti Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores [….] dhe u thotë judenjve: “Qe mbreti juaj!”. Ata atëherë bërtitën: “Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!”». Gjëja interesante tek ky tekst i shenjtë është se, në origjinalin grek në të cilën ai është shkruar, nuk thuhet se Pilati «u ul në selinë e gjykatores», por thuhet se «e uli në selinë e gjykatores». Pra Pilati bëri të ulej Jezusi në atë seli.
Ky gjest i Pilatit, që patjetër nuk ka qenë pa dashje nga ana e tij, ka një domethënie të madhe edhe teologjike: «Pilati e dinte se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire.», na thotë Ungjilli i Mateut (15, 10). Kështu kuptojmë se mbase Pilati e bën atë gjest të pazakontë pikërisht për t’u treguar atyre që kërkonin kryzëzimin e tij se ja kush po ua gjykonte urrejtjen e tyre, «smirën» e tyre: një i pafajshëm. Prandaj Ungjilli i Gjonit na thotë se judenjtë nuk thanë vetëm «Kryqëzoje!», por «Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!». «Hiqe!…» sepse sytë e tyre, të errësuar nga smira dhe egoizmi, nuk donin të lejonin që t’i brente ndërgjegjja për të keqen që po bënin ndaj një të pafajshmi. «Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën, sepse veprat i kishin të këqija.» i kishte thënë Jezusi Nikodemit. Kështu po ndodhte në këto çaste mundimesh me Birin e Hyjit. Jezusi, i mbuluar me dhimbje, po u bënte gjyqin atyre që lumturinë e kishin themeluar mbi dinakërinë dhe egoizmin, duke qenë se po i bënte të shihnin më nga afër çfarë po arrinte të bënte ndërgjegjja e tyre e deformuar. Ky është një lloj gjyqi shumë i veçantë, por pa frikë mund të themi se çdo i pafajshëm i kësaj bote kështu i gjykon përndjekësit e vet: duke marrë mbi vete frytet e së keqes që ndryjnë brenda tyre.
Është shumë i famshëm martirizimi që u qe bërë 16 murgeshave të Kompienjes, në Francë, gjatë periudhës së revolucionit (fundi i shekullit XVII dhe fillimi i shekullit XVIII). Në atë kohë, në emër të të ashtuquajturit iluminizëm (ndritje) u bënë krime nga më mizoret me motive nga më qesharaket. Murgeshat Karmelitane qenë dënuar me vdekje ngaqë nuk kishin pranuar të hiqnin dorë nga jeta e tyre rregulltare, gjë të cilën iluministët e quanin prapambetje. Disa dëshmitarë që asistuan në vdekjen e tyre, tregojnë se në sheshin ku ndodhi ekzekutimi i tyre, me prerje të kokës në gijotinë, kurrë nuk ishte parë një heshtje e tillë si atë ditë. Zakonisht ekzekutimet shoqëroheshin nga përqeshjet, sharjet dhe brohoritjet e tërbuara të të pranishmëve, por atë ditë, duke parë këto murgesha të pafajshme që, duke kënduar hareshëm këngë të përshpirtshme, po i afroheshin gijotinës (thuajse po i afroheshin një dere që të shpinte në festë) gjithkush kishte mbetur i mahnitur. Përballë pastërtisë së zemrave të atyre Motrave, të treguar nga hareja e thellë që po shprehnin, ndërgjegjet e të pranishmëve ndiheshin të mposhtura e tashmë po e pyesnin mirë veten se kush ishin “të ndriturit” e vërtetë të Francës. Dukej sikur përsëri njerëzimi po gjykohej nga Krishti i Kryqëzuar.
Është interesante të dihet se, po atë ditë, përballë një skene të tillë, shumë vajza vendosën të bëheshin murgesha si ata, sapo t’u jepej mundësia.
T’i kërkojmë Krishtit, pra, që të na mësojë edhe ne ta duam jetën, por jo atë lloj jete që bën çmosin t’i shmanget përballjes me Kryqin e Tij. Vetëm duke e përballuar kryqin si Jezusi, ne do të mund të ngadhënjejmë së bashku me Të mbi mëkatin e mbi egoizmin, në pritje të Ngjalljes në Lumturinë që Ai na ka premtuar.
Dom Dritan Ndoci