TË LUMËT JU!

Categories HomeliPosted on

TË GJITHË SHENJTËRIT – 1 Nëntor

Zb 7, 2-4. 9-14; Ps 24 (23); 1 Gjn 3, 1-3; Mt 5, 1-12

E Kremtja e sotme është dita në të cilën Kisha përkujton njëherësh të gjithë shenjtërit e shenjtëreshat e Hyjit dhe kërkon ndërmjetësinë e tyre të fuqishme para Hyjit në Parajsë. E këtë sot Kisha e bën duke iu drejtuar jo vetëm atyre shenjtër të njohur zyrtarisht si të tillë, por edhe shumë e shumë të tjerëve që nuk janë të njohur ende e që ndoshta nuk do të njihen kurrë publikisht: të gjithë fëmijët e vdekur, të cilët patjetër kanë qenë të pastër në shpirt; të gjithë njerëzit e ndershëm që kanë ardhur e ikur nga kjo botë pothuajse po rënë në sy; të gjithë martirët që nuk e dimë se kanë vdekur për shkak të fesë; të gjithë njerëzit që janë penduar sinqerisht në fill të vdekjes; të gjithë ata që kanë jetuar duke ndjekur ndershmërisht ndërgjegjen e tyre, qofshin ata edhe jo të krishterë. Të gjithë këta, pra, Kisha i përkujton sot. Për këtë arsye kjo e sotmja është një e kremte e madhe.

Ata që ia kanë arritur lumturisë së amshuar të Parrizit, janë vë­llezërit tanë dhe motrat tona, të cilët tashmë kanë arritur tek shtëpia ku të gjithë shpresojmë se, falë Mëshirës së Hyjit, do të arrijmë një ditë. Për këtë shtëpi që na pret, leximi i parë sot, i shkëputur nga libri i Zbulesës, na jep një ide të vogël. Shkruan Shën Gjoni: «Pastaj pashë një shumicë të madhe që askush s’mund t’i numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe. Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit, të veshur me petka të bardha e me palma në dorë». Na përshkruhet vëgimthi kjo banesë e amshuar që na pret. Themi «vëgimthi» sepse të gjitha përpjekjet e njeriut për ta shpjeguar Parajsën, qoftë edhe kur bëhet fjalë për zbulesa të mbinatyrshme, janë gjithnjë të dhëna të pakta në krahasim me atë çka Parajsa është. Në fakt, pikërisht këtë ide shpreh Shën Gjoni edhe në leximin e dytë: «Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër». Thelbësore, pra, është që të ruajmë pastërtinë e shpirtit, nëse duam të bashkohemi me Hyjin në Parajsë. Më shumë, ne njerëzit, nuk arrij­më të kuptojmë në këtë jetë.

Prandaj Jezusi, në Ungjillin e sotëm, duke folur për lumturitë, nuk shpjegon se si është parasja, por se si shkohet atje. Pikësëpari, Jezusi, ndërsa flet për lumturitë,  përshkruan aty vetveten, sepse Ai është me të vërtetë «skamnor në shpirt, i butë, i mëshirshëm, i pastër, paqedashës». Kështu, ne e kuptojmë se zbatimi i lumturive është i mundur vetëm nëse ato janë si përgjigje dashurie ndaj Jezusit e jo edhe aq si sforcim i yni. «Unë nuk jam e aftë për virtyte: virtyti im është Jezusi», thoshte Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmij. Kështu, duke ndjekur Jezusin, do të dimë edhe ne të jemi ashtu si do Ai.

E Jezusi thotë: «Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!» Jezusi vetë është «Mbretëria e qiejve» dhe nuk nguron të pohojë se tashmë janë të bashkuar me Të të gjithë atë që janë të shkëputur në shpirt nga çdo e mirë tjetër përveç se me Zotin. Kjo lumturi përfshin edhe ata njerëz që janë të pasur dhe pasurinë e tyre e përdorin për të mirën e përbashkët, pa e adhuruar atë në shpirt dhe pa i harruar vlerat e vërteta njerëzore.

Jezusi thotë edhe disa lumturi të tjera që na duken të vështira për t’u pranuar: «Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen! Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën! Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!»

Bota, që në mendësinë e Biblës nënkupton atë realitet ku nuk nderohet Hyji, mëson të kundërtën. Ajo i quan fatkeqë ata që Jezusi i quan të lumë. Prandaj Kisha e ka për detyrë ta shpallë Ungjillin e Jezusit, në mënyrë që shpritrat të mos birren duke ndjekur mësime të dëmshme për shëlbim. Bota quan vlerë hakmarrjen, kurse Jezusi thotë «lum të mëshirshmit»; bota i shtrembëron ndërgjegjet me mësimet e saj, duke e quajtur të keqen të mirë e të mirën të keqe, kurse Jezusi mëson ndershmërinë e ndërgjegjes duke thënë «Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!»; bota krijon strategji që nxisin urrejtjen, krijon armë nga më vrastaret dhe shpërthen luftra shkatërruese, kurse Jezusi thotë «Lum paqedashësit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!» E, për të na ndihmuar të gjithëve që ta shpërfillim shpirtin dashakeq të botës dhe të vazhdojmë ta ndjekim Jezusin i cili na mëson të duam deri edhe armikun, Ai thotë: «Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë për shkakun tim… Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!»

Gjëja që të bën të mendosh është se bota, e cila mëson se duhet zhdukur Hyji nga jeta e përditshme, si edhe shpresën e një jetë të përtejme pas vdekjes, ndërkaq mbjellë vetëm urretje, ambicje e vdekje, kurse Zoti, që mëson të dhurojmë dashuri në këtë botë dhe të vazhdojmë të shpresojmë në lumturinë e pasosur, mbjell edhe në këtë botë paqe, mirëqenie e harmoni. Prandaj duhet shpërfillur mësimi i botës. Prandaj duhet bërë çmosin që t’i afrojmë njerëzit kah Krishti e sidomos brezat e rinj që të dijnë ta ndërtojnë jetën mbi dashurinë që mëson Jezusi e jo mbi parimet dashakeqe të botës.

Në burg, edhe i Lumi Atë Çiprian Nika, thuhet se kishte pikërisht merakun e brezave të rinj, me frikën se mos diktatura komuniste, që sapo kishte ngulur rrënjë në Shqipëri, do të shtrembëronte ndërgjegjet e tyre. Në vitin 1946, kur ai ishte Guardian i fretërve, qe arrestuar me akuzën e rreme se gjoja po organizonte kryengritje të armatosur kundër pushtetit popullor. Vetë komunistët i fshehën disa armë në Kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol të Shkodrës dhe vetë ata bënë gjoja se i gjetën ato, duke sajuar kështu argumentin e mjaftueshëm për t’i hiqnin qafe ata klerikë të cilët i konsideronin si të rrezikshëm për ta, duke qenë se i ndriçonin ndërgjegjet e njerëzve në lidhje me mashtrimet komuniste. Një familjari që shkoi ta takonte në burg dhe i tha se tashmë komunistët kishin filluar të mbyllnin kisha e kuvende, Atë Çipriani iu përgjigj: «Mos u ban marak se kishat e kompanjelat kan’ me i prish tana, por nuk ka randsi, se ato janë gurit e tullash, por duhet të ruejm’ rininë mos të prishet nga vlerat morale e fetare, se kishat i bajm’ edhe ma t’bukra». Sot ato fjalët «kishat i bajmë edhe ma t’bukra», të thëna nga ai në kohën kur torturohej mizorisht, ne i shohim si profeci, sepse vërtet tashmë janë ndërtuar sërish kisha shumë të bukura, por nuk duhet të harrojmë t’i shohim si profeci edhe fjalët e tjera, ato që kishin të bënin me nevojën që të ruhen brezat e rinj nga mësimet e rreme që ua shtrëmbërojnë ndërgjegjet, sepse Krishti e ka derdhur gjakun për të shëlbuar shpirtrat e jo kisha prej tullash. Prandaj nuk duhet të reshtim së shpalluri Ungjillin e Krishtit.

Duke u kthyer tek libri i Zbulesës, Shën Gjoni thotë: «Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di.” Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit”». Në lumturinë e Parajsës, pra, arrijnë ata që e lënë veten të pastrohen me Gjakun e Qengjit, që do të thotë se i hapen mëshirës së Hyjit që na është zbuluar në Jezu Krishtin, Birin e Tij.

Por thotë edhe se këta janë të ardhur edhe nga «prova e madhe», pra, ata që nuk e humbën fenë përballë tundimeve të ndryshme të shkaktuara nga brishtësia njerëzore, nga bota dhe nga i Keqi. Të gjitha këta tundime, shenjtërit i kanë shmangur duke mos e humbur kurrë fenë dhe duke vazhduar të jenë gjithnjë të bashkuar me Krishtin, Qengjin e mëshirshëm të Hyjit, në sigurinë e fesë se një ditë do të bashkohen përgjithnjë me Të në Parajsë. Përsëri edhe këtu po citojmë të Lumin Atë Çiprian Nikën. Thuhet se, pasi e kishin torturuar keqas, e sollën sërish në qelinë e burgut, gjysmë të vdekur. Pasi e mori pak veten, shoku i tij i qelisë, i zemëruar me atë që i kishin bërë, i tha: «Ata janë maskarej dhe të vrasin». Frati 47 vjeçar iu përgjigj: «Ke të drejtë, biri im, ashtu asht, por në këtë situatë kam nji mision ma shumë se të tjerët: duhet të ndez dritën kudo që ajo rrezikon të shuhet. Vuejtja sigurisht nuk asht e kandshme, por fisnikron fitoren e arritun». E, kur qe dënuar me vdekje, pas tetë muajsh hetuesie të shoqëruar me tortura e shpifje çnjerëzore, për t’i përngjarë deri në fund Jezusit, i cili i ka mësuar nxënësit e Tij që t’i duan deri edhe armiqtë, fjalët e fundit që ai tha para pushkatimit ishin: «Rrnoftë Krishit Mbret e i falim anmiqtë tanë! Shqipnia nuk vdes me ne». Këta e shumë shenjtër të tjerë të ngjashëm, pra, janë ata që, në «provën e madhe»  të vuajtjeve, e ruajtën fenë dhe tani gëzojnë me Hyjin në Parajsë.

Shën Bernardi abat thoshte: «Kur mendoj për shenjtërit, e ndjej se digjem nga dëshirat e mëdha». E tregonte se sa i lumtur ndihej kur mendonte se atje po e presin shumë vëllezër e motra që i kanë paraprirë në atë atdhe qiellor. Shën Domenik Savio, i cili vdiq në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, kur e dëgjonte Don Boskon të fliste për Parajsën, mbushej aq shumë me gëzim dhe dëshirë brenda vetes, saqë trupi i tij i brishtë nuk e duronte gjithë atë hare dhe i binte të fikët. E ky djalosh shenjt ishte  i bindur se kuptimi i  jetës së njeriut është pikërisht shenjtëria. Prandaj thoshte: «Unë duhet, mundem dhe dua të bëhem shenjt». Një nënë tashmë e shpallur Shenjtëreshë nga Kisha, e cila lindi nëntë fëmijë, katër prej të cilëve i vdiqën shumë të njomë, thoshte «Do të dëshiroja të kisha shumë fëmijë, në mënyrë që t’i rrisja për qiellin». Janë fjalët e Shenjtes Zelia Guerin, nëna e Shenj­tes Terezë të Jezusit Fëmij që e cituam edhe më sipër, e cila u bë edhe njëra prej shenjtëreshave më të njohura e më të dashura të Kishës. Kjo nënë, me etjen e saj për Parajsën, për veten por edhe për fëmijët e saj, është shembull shumë i bukur se si prindërit duhet ta kenë përzemër shëlbimin e amshuar të fëmijëve të tyre.

T’i besohemi lutjes së fuqishme të të gjithë engjëjve dhe shenj­tërve, me në krye Mbretëreshën e tyre, Virgjërën Mari, që të na nxjerrin prej Hyjit hirin e qëndresës në fe gjatë provave të ndryshme që mund të kemi në jetë, në mënyrë që një ditë të gjithë ne të mund të bashkohemi me Hyjin Trini, me ta dhe me njëri-tjetrin në atë lumturi të pasosur që na pret. Sidomos në lidhje me shëlbimin e amshuar e kishte fjalën Jezusi kur thoshte: «Të lumët ju!».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *