PËRKUJTIMI I TË GJITHË BESIMTARËVE TË VDEKUR (SHPIRTRAT E PURGATORIT) – 2 Nëntor
Jb 19, 1. 23-27; Ps 27 (26); Rom 5, 5-11; Gjn 6, 37-40
Në këtë ditë Kisha përkujton të gjithë besimtarët e vdekur. Keqkuptohet shpesh kjo ditë, sepse prej shumë kujt mendohet si një ditë zie, trishtimi e pikëllimi. Nuk ka kurrfarë kuptimi teologjik e liturgjik që Kisha të caktojë një ditë ku të trishtohemi e të mërzitemi për të vdekurit tanë të dashur. Kjo e sotmja është ditë lutjeje e, pikërisht ngaqë është e tillë, është edhe ditë shprese. Kjo pikësëpari ngaqë në lutje ne takojmë Hyjin e gjallë dhe, së dyti, ngaqë i kërkojmë Atij që t’u dhurojë lumturinë e amshuar shpirtrave të atyre që kanë kaluar nga kjo jetë.
Patjetër që e gjithë kjo nuk mund ta zhdukë dhimbjen për dashamirët tanë të vdekur. Tradita e Kishës, e bazuar në Shkrimin e Shenjtë, mëson se vdekja nuk ishte pjesë e natyrës së njeriut kur ai u krijua, por atë Hyji e lejoi për shkak të mëkatit. Shën Ambrozi thoshte se Hyji e ka lejuar atë si «ilaç», në mënyrë që natyra njerëzore, e plagosur nga mëkati, të mund të lirohej një ditë, në pritje të ngjalljes në fundin e kohëve. Edhe pse, në të vërtetë, bëhet fjalë për një ilaç shumë të mistershëm dhe aspak të lehtë për t’u “përdorur”.
Megjithatë, Hyji nuk e braktis njeriun as në çastet e vdekjes. Hyji nuk do ta lejonte vdekjen nëse Ai nuk do të ishte në gjendje ta zotëronte atë. Shën Augustini, kur tashmë ishte në moshë të shtyrë, thoshte: «Ai që më ka ndihmuar të arrij deri këtu pa e humbur besimin tim, do të më ndihmojë edhe në ato çaste». Shën Françesku i Asizit thoshte «Motra vdekje», duke qenë se e shihte atë si derën që na mundëson hyrjen në jetën e pasosur me Hyjin dhe me shenjtërit e engjëjt e Tij. Të gjithëve na vjen gati vetvetiu që t’ia kemi lakmi një fe të tillë këtij shenjti shumë të dashur.
Megjithatë, kjo shpresë se një ditë do të gëzojmë me Zotin në Parajsë, nuk na bën të jetojmë jashtë realitetit të së përditshmes sonë, por na zhyt në të edhe më fort, edhe pse me një shpirt tjetër, me shpirtin e fesë: «Ecni me këmbë për tokë e me zemër banoni në qiell!», u thoshte Dom Bosko të rinjve në oratorin e tij.
Edhe në leximin e parë, sot është Jobi që na thotë disa fjalë shumë të bukura feje, të cilat me afsh të zemrës dëshironte që secili njeri t’i besonte ngultas: «E di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i fundit përmbi dhé do të ngritet e, pas kësaj lëkure që ma rropën në mishin tim, Hyjin do ta shoh. Unë vetë Atë do ta shikoj e për sytë e mi s’do të jetë i huaj». Jobi beson me plot bindje se, pas vdekjes, një realitet tjetër vazhdon. E nuk e ka fjalën vetëm për shpirtin, por edhe për «mishin». I beson kaq ngultas këto të vërteta Jobi, saqë do të dëshironte që fenë e tij ta kishin të gjithë njerëzit e të gjitha breznive: «Po të shkruheshin fjalët e mia, të shënoheshin në ndonjë libër, në gur të gjallë për amshim të gdhendeshin me daltë hekuri e me plumb». Jobi e beson fort atë që psalmisti i sotëm e thotë kaq ëmbël: «Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit në tokën e të gjallëve».
E kjo siguri se do t’i shijojmë të mirat e Parajsës, nuk bazohet në meritat tona, por në mëshirën e pakufishme të Zotit. Shenjtja Elizabetë e Trinisë thoshte: «Unë besoj se do ta shoh Zotin në Parajsë, por këtë siguri nuk e kam falë meritave të mia, por falë mëshirës së pakufi të Hyjit». E, në fakt, është vetë Shën Pali ai që, në leximin e dytë, e thotë shumë bukur se në ç’mënyrë dashuria dhe mëshira e pakufishme e Hyjit u shfaqen ndaj nesh: «Hyji e dëftoi dashurinë e vet ndaj nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne». Por edhe më fort është vetë Jezusi Ai që në Ungjillin e sotëm e tregon zemërgjerësinë e tij të madhe ndaj kujdo që i afrohet Atij: «Atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, sepse zbrita prej qiellit jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e Atij që më dërgoi. E vullneti i Atij që më dërgoi, është që të mos humbë asnjë prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit».
Duke u nxitur nga kjo zemërgjerësi bujare e Hyjit, atëherë edhe ne le të lutemi edhe më fort për shpirtrat e të dashurve tanë. Jo vetëm për ta, por edhe për të gjithë ata shpirtra që në Purgator presin ta shohin Hyjin. Kjo lutje e bërë me fe të gjallë, do të na bashkojë me ta më shumë se çdo gjë tjetër. Lulet dhe qirinjtë që sjellim herë pas here tek varret, janë shprehje e bukurisë së fesë dhe e dritës që i jep njeriut feja e gjallë, këtu e në amshim.
Shpirtrat e Purgatorit kanë nevojë sidomos për lutjet tona plot fe e, Hyji, në mëshirën e Tij të pamasë, pratjetër që i merr parasysh uratët tona. Kisha është si një trup i vetëm e prandaj ndihmon shumë të lutemi për njëri-tjetrin. Shenjtërit luten për ne e për shpirtrat e Purgatorit, shpirtrat e Purgatorit luten për ne e ne për ta. E gjithë kjo me qëllimin që një ditë të gjithë të hyjmë në gëzimin që Krishti na e ka mundësuar më Vdekjen dhe Ngjalljen e Tij.
Në historinë e Kishës, shumë shenjtërve Zoti u ka dhënë hirin të kenë vegime të Purgatorit. Ndër ta është padyshim shumë e çmuar ajo që shkruante në ditarin e saj Shenjtja italiane, Veronika Xhuliani, një rregulltare që jetoi në shekullin XVIII. Ja disa nga dëshmitë e saj: «Pashë se nuk është Zoti Ai që i dërgon shpirtrat në Purgator, por është vetë shpirti ai që shkon atje. Kur shpirti e sheh mirësinë e pafundme të Zotit dhe fyerjet që i kanë shkaktuar mëkatet, ai shkon menjëherë në Purgator, i gatshëm për gjithçka dhe me dëshirën më të madhe që të mund t’i afrohet një Hyji kaq të mirë, sepse në qiell nuk mund të hyjë asgjë e papastër». E, në faqe të tjera të ditarit të saj, shentjëresha fliste kështu për mundimet e shpirtrave në Purgator: «Vuajtjet në Purgator janë kaq të mëdha, saqë asnjë inteligjencë njerëzore nuk mund t’i kuptojë ato… Pa përfunduar mirë një vuajtje, fillon një tjetër edhe më e fortë… Ç’janë vuajtjet e martirëve në krahasim me vuajtjet e Purgatorit? Asgjë. Sikur një shpirti t’i jepej mundësia që të kthehej në tokë, ai do të ishte i gatshëm që të përballonte të gjitha martirizimet më të dhimbshme, veç të mos shkonte në Purgator. Ah sikur të mund t’i thoja mbarë botës: Bëni pendesë, bëni pendesë, që të mos shkoni në Purgator!».
Por, përballë gjithë këtyre dhimbjeve pastruese, shpirtrat kanë edhe një gëzim të madh, të cilin nuk e zëvendësojnë me të gjitha gëzimet e kësaj bote dhe ky është siguria që kanë se ata një ditë do ta shohin Zotin e do të gëzojnë në Të. Por kjo shenjtëreshë lutej shumë për shpirtrat e Purgatorit. Thuhet se u lut shumë për të atin, kur pa në vegim se ai ishte në Purgator. Hyji, më vonë, bëri që sërish ta shihte atë në vegim, por kësaj here në Parajsë. Po ashtu ajo veproi edhe kur në Purgator pa Papën Klementi XI, kur pa edhe njërën prej simotrave të saja dhe shumë e shumë shpirtra të tjerë që i kishte takuar në këtë jetë. Shenjtëresha lutej dhe bënte pendesë për të gjithë ata e Zoja e Bekuar i bëhej ndihmë në gjithë këtë. Madje Shenjtëresha i kërkoi Hyjit që, edhe pse ajo ishte ende në jetë, të mund t’i përjetonte në shpirtin e saj të gjitha vuajtjet që meritonin ata shpirtra në Purgator, vetëm e vetëm që ata të hynin në Parajsë sa më parë: «Ngjituni në qiell ju! Unë do të rri unë këtu që të vuaj për ju», thoshte Shenjtëresha e përvujtë.
Më shumë se të gjitha lutjet e tjera, është Mesha e Shenjtë ajo që u sjell dobi të madhe shpirtrave të Purgatorit, sepse aty nuk janë më flitë tona, por Flia e përsosur e Jezusit, Birit të Hyjit, që dhurohet për shëlbimin tonë.
Ja një dëshmi nga Shën Gjon Maria Vianei në lidhje me këtë të vërtetë. Ai këtu flet për vete, edhe pse flet në veten e tretë: «Një herë një prift pati dhimbjen që të humbiste një mik të vetin të cilin e kishte shumë për zemër e prandaj lutej shumë për pushimin e amshuar të shpirtit të tij. Një ditë ai iu shfaq dhe i tha se ishte në Purgator dhe se po vuante shumë. Atëherë ai prift e kushtoi Flinë e Shenjtë të Meshës për të vdekurin e tij të dashur. Kur erdhi çasti i shugurimit, e mori Hosten ndër duar dhe tha: “Atë i shenjtë dhe i amshuar, le të bëjmë një shkëmbim: ju merrni shpirtin e mikut tim që është në Purgator, ndërsa unë po mbaj Trupin e Birit tënd në duar e mia. Prandaj, o Atë i mirë dhe i mëshirshëm, lirojeni mikun tim dhe unë po ju ofroj Birin tuaj, më të gjitha meritat e Mundimeve dhe Vdekjes së Tij”. Kërkesa e tij qe plotësuar. Në fakt, në çastin e lartësimit të Hostes, ai e pa shpirtin e mikut të tij krejtësisht të shkëlqyeshëm nga lavdia që po ngjitej në qiell. Hyji e kishte pranuar shkëmbimin. Prandaj, kur ne duam që të lirojmë nga Purgatori ndonjë shpirt që e kemi për zemër, le të veprojmë kështu. T’ia ofrojmë Hyjit, së bashku me Flinë e Shenjtë, Birin e Tij të dashur, me të gjitha meritat e Mundimeve dhe Vdekjes së Tij. Nuk do të na refuzojë».
Patjetër se këto vegime, të cilat Hyji në mëshirën e vet ia ka dhuruar disa shenjtërve jo për të na futur frikën, por për të na mësuar të gjithëve mbi këto të vërteta, kanë nevojë edhe për një shtjellim më të plotë teologjik, por thelbësoren e kuptojmë të gjithë: Mesha e Shenjtë, lutja dhe pendesa, pa kaluar në tepri e në fanatizma si dhe duke u konsultuar gjithnjë me ndonjë drejtues shpirtëror apo me rrëfyesin, i ndihmojnë shpirtrat e Purgatorit që t’i afrohen sa më parë lumturisë së Parajsës. Prandaj, pra, kjo ditë nuk është ditë pikëllimi, por është kryesisht ditë lutjeje dhe shprese, në të cilën jemi të ftuar që ta ripërtërijmë fenë tonë. Është ditë bashkimi edhe më të fortë, në Hyjin e gjallë e të vërtetë, Atin e të gjithëve, i cili dëshiron që të gjithë ne një ditë ta arrijmë shëlbimin e amshuar. Thotë Jezusi në Ungjillin e sotëm: «Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur e unë do ta ringjall në ditën e fundit».
Dom Dritan Ndoci