QË TË DËSHMONI PARA TYRE…

Categories HomeliPosted on

TË GJITHË SHENJTËRIT DHE TË LUMËT E SHQIPËRISË – 5 Nëntor

1 Mak, 1, 41-45; 56-63; Ps 65, 1-4; 8-12; Zb 7, 9-17; Mt 10, 16-22; 26-33

«Do të jesh ipeshkvëv dhe, sapo të mbushësh trembëdhjetë vjet të epikospatit tënd, do të vdesës martir», i kishte thënë Atë Vinçenc Prennushit në Gjermani, në vitin 1928, mistikja Tereza Neumann e Konnersreuthit. Në vitin 1936 profecia e parë u vërtetua kur ai qe shuguruar ipeshkëv dhe ne mund ta imagjinojmë lehtë se, të pranonte episkopatin, Atë Vinçenci e kishte kuptuar se donte të thoshte edhe të shkonte drejt martirizimit: «Do të isha shumë fatlum po të vdisja martir i fesë, por nuk arrij ta mendoj se në çfarë rrethanash kjo do të ndodhë», thoshte ai ndo­njëherë. Me ardhjen e komunizmit e kuptoi se po afrohej realizimi i profecisë. U arrestua në arqipeshkëvinë e tij në Durrës në vitin 1947 dhe vdiq pas dy vjetësh nën tortura çnjerëzore në burgjet e tmerr­shme komuniste, fiks trembëdhjetë vjet pas shugurimit të tij ipeshkvnor.

Gjithnjë më ka bërë përshtypje kjo profeci dhe, me të drejtë, të gjithë mund të pyesim se si ka mundësi që Zoti, mbasi e parashikoi gjithë këtë, nuk bëri asgjë për ta ndaluar ardhjen e komunizmit? Është e vështirë t’i gjendet përgjigjja kësaj pyetjeje e, madje, të plotë nuk do të mund ta gjejmë kurrë atë, por, duke iu afruar misterit të Krishtit, edhe ajo merr disi dritë. Gjithë këtë do ta kemi më të lehtë duke iu afruar pikërisht edhe figurës së mistikes gjermane që e bëri atë profeci.

Tereza Neumann e Konnersreuthit, e shpallur tashmë Shërbëtore e Hyjit, kishte në trupin e saj Varrët e Krishtit, të shfaqura qysh se ishte 28-vjeçare. Kur vinte e Enjtja e Madhe, Tereza hynte, në kuptimin e plotë të fjalës në tregimin e Mundimeve të Krishtit, mes vuajtje të mëdha. Nga Varrët i kullonte shumë gjak e, ndërkaq, ajo që njihte vetëm dialektin e saj dhe pak gjermanisht, fillonte të fliste rrejdhshëm aramaisht, greqisht e latinisht, duke përsëritur dialogjet e mundimeve të Krishtit. Në orën 15.00 të së Premtes së Madhe binte në një gjumë shumë të thellë dhe zgjohej, e freskët, e lumtur dhe me Varrët e mbyllura, mëngjesin e së Dielës së Pashkëve. Krishti i Vdekur e i Ngjallur bëhej dukshëm i pranishëm çdo vit në trupin e saj të brishtë.

E mrekullia nuk mbaronte këtu, sepse ajo, qysh se mori dhuratën e Varrëve të Krishtit, nuk hante e nuk pinte më asgjë, por ushqehej vetëm me Kungimin e Shenjtë të cilin e merrte në Meshë çdo mëngjes. Jetoi ashtu për 36 vjet, deri sa vdiq në moshën 64-vjeçare, në vitin 1962, nga një atak kardiak. Aq famë kishte fituar Tereza, saqë edhe ushtarët nazistë i kishin folur për të deri edhe Hitlerit e thuhet se ky ia kishte pak drojen profecive të dala nga goja saj. Dukej sikur Jezusi, në çastet kur verbëria e urrejtjes naziste po mbillte shkatërrim e vdekje, donte t’u jepte atyre edhe një herë një shenjë të gjallë të pranisë së Tij, me shpresën se mund të ktheheshin.

Prandaj edhe në Shqipërinë e atyre viteve, duke e parë se urrejtja njerëzore kishte plane gjakatare, Hyji u kërkoi disa njerëzve të përvujtë që të bëheshin shenja të gjalla të pranisë së Birit të Tij të kryqëzuar. Duke e parë se mrekullitë nuk kanë efekt mbi diktatorët e gjakatarët, Hyji u kërkon disa miqve të vet që të ofrohen si fli, me shpresën ekstreme që kështu të arrijë kthimin e tyre, duke qenë se shumë herë ndodhë që ne njerëzit të kthehemi kah e mira vetëm kur e shohim se deri ku mund të arrijmë me të keqen tonë. Edhe vetë Jezusi pranoi të bëhej Fli pajtuese për të gjithë ne, duke u bërë «shenjë për atë brezni» (Lk 11, 30), pra për ata njerëz mbi të cilët mrekullitë e Tij nuk kishin asnjë efekt kthimi. Prandaj Ai ua kërkon këtë bashkëpunim për shëlbimin e botës edhe dishepujve të tij besnikë, duke profetizuar: «Ja, unë po ju dërgoj porsi delet në mes ujqish… Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre e para paganëve».

Sot përkujtojmë jo vetëm martirët e periudhës komuniste, por edhe të gjithë Shenjtërit dhe të Lumët në Shqipëri përgjatë shekujve. Sa të shumtë ishin edhe tek ne ata miq të Krishtit që pranuan të bëheshin «shenja» të pranisë së Tij për breznitë në të cilat jetuan dhe vdiqën! Të mendojmë për martirët e pafund të përndjekjeve të Romës, për edhe m ë shumë të tjerë që qëndruan gjatë përndjekjeve otomane dhe dhanë jetën masivisht apo zgjodhën të strehoheshin në fshehtësitë e maleve më të egra vetëm për të mos u larguar nga Krishti. Ata janë shumë, patjetër, por shumë dëshmi historike në lidhje më ta na kanë humbur. Megjithatë na ka mbetur e gjallë trashëgimia e fesë së tyre dhe lidhja e fortë shpirtërore në popull me shumë prej tyre. Por, për 38 martirët periudhës së komunizmit, të cilët përfaqësojnë edhe turma të tëra që vuajtën për Krishtin në ato vite, ekzistojnë aq shumë dëshmi, saqë sot na ndihmojnë të meditojmë gjerësisht mbi jetën dhe vde­kjen e tyre.

Me ardhjen e komunizmit në vitin 1945, me vullnet të hekurt, Enver Hoxha me shokë synuan të merrnin kontrollin absolut mbi të gjitha shtresat shoqërore të Shqipërisë. Këtij qëllimi i shërbente edhe përpjekja e tyre që ta ndanin Kishën Katolike në Shqipëri nga lidhja e saj me Selinë e Shenjtë. Filloi të përsëritej kështu ajo klimë tmerri që shpërtheu në Izraelin e shekullit të dytë para Krishtit, siç dëgjuam në leximin e parë, ku duhej që të gjithë popujt që gjendeshin në mbretërinë e mbretit helen Antiok Epifani, të praktikonin ritet fetare të diktuara prej tij. Hebraizmi u shpall besim i ndaluar, duke qenë se mbreti nuk donte t’ia dinte për zbulesa e për patriarkë hebrenj, sikurse as në Shqipëri komunistët nuk deshën t’ia dinin për Krishtin e as për Kishën. «Kush të mos e dëgjojë fjalën e mbretit Antiok, dënohet me vdekje», thoshte vendimi i Antiokut e nuk vonuan të shpërthenin përndjekje mizore në një popull të pafajshëm: «Një shumicë në Izrael qenë të guximshëm e qëndroi e fortë… më parë zgjodhën vdekjen se ta prishnin besëlidhjen e shenjtë». «Jemi në mes të përndjekjes… Do të jemi martirë… Zoti na dhashtë forcën!…», u kishte thënë me lotë dhimbjeje edhe Imzot Vinçenci disa Motrave Saleziane që kishin shkuar ta takonin në Durrës, pak ditë pasi ai e kishte refuzuar kërkesën e qeverisë komuniste për ta shkëpuste Kishën Katolike në Shqipëri nga bashkimi me Selinë e Shenjtë.

Por nuk duhet të bëjmë kurrë gabimin që ta ndajmë këtë martirizim nga jeta e tyre. Ata që pranuan të bëhen «shenjë» e Krishtit me vdekjen e tyre, ishin «shenjë» e Tij edhe në jetë. Kur i kërkuan poetit tonë kombëtar Atë Gjergj Fishtës që të jepte mendimin e tij nëse Imzot Vinçenc Prennushi ishte apo jo i denjë për shugurimin ipeshkvnor, ai ka lënë të shkruar këta rreshta: «Për jetë shembullore, gjanësi kulture e zell apostolik, askush në klerin shekullar e rregulltar në Shqipni nuk mund të matet me tê n’atë dinjitet. I zellshëm në rrëfyestore, gojëtar edhe i pregatitun në predikim, ai ka mbyllë grindje, ka çarmatosë me autoritetin e prestigjin e vet personal shumë hakmarrje, jo vetëm në mes të njerëzve të zakonshëm, por edhe në mes të familjeve ma fisnike të Shkodrës. Prandej asht idhulli i Shkodrës: edhe vetë muhamedanët, po të ishte e mundun, do ta zgjidhshin atë… Ai me të drejtë mbahet edhe ma i miri ndër shkrimtarët shqiptarë.».

Ipeshkvi tjetër që u vra nga komunistët pikërisht ngaqë nuk pranoi shkëputjen nga Vatikani, ishte edhe Imzot Frano Gjini. Për tetë muaj me radhë ai qe torturuar në mënyrë të tmerrshme, për ta bi­ndur që të shkëputej nga Selia Apostolike, aq më tepër kur në ato vite atij i ra edhe barra e rëndë që të ishte Delegat Apostolik. E shanë, e zhytën në ujë të ngrirë deri në qafë, e rrahën, e futën në ko­rrent elektrik, e lanë pa ngrënë për javë të tëra, poshtë thonjve i ngulën kunja pishash dhe ia ndezën ato. Të gjitha po i pësonte kur tashmë kishte mbushur 60 vjet. Meqë as ashtu nuk u përkul, e dënuan me pushkatim. E pra, për Imzot Franon, kur Selia e Shenjtë pyeti Delegatin Apostolik të kohës nëse ishte i denjë për dinjitetin e ipeshkvit, ai kishte shkruar këto rreshta: «Imzot Gjini… e njeh shumë mirë gjuhën amtare shqipe, atë italiane dhe franceze; ka kulturën e duhur, gëzon vlerësimin e popullit, edhe të ortodoksëve dhe muhamedanëve. Nuk përzihet në politikë». Të bën të mendosh fakti se këta njerëz, me shpirt të mirë e me bagazh të lartë intelektual, vuajtën gjithë ato mizori vetëm e vetëm se nuk donin të ndaheshin nga Krishti. E, të shkëputeshin nga bashkimi me Papën, donte të thoshte të shkëputeshin nga Krishti, sepse pastaj është e pamundur të merren hiret dhe prania e Krishtit Shëlbues me anë të sakramenteve.

Fretërit edhe kleri shekullar i atyre viteve jetonin përgjithësisht në kushte të varfra, si shumica e popullatës. Shumë shpesh ishin edhe më të varfër. Po përmendim vetëm të Lumit Dom Dedë Planin, i cili pak muaj pasi qe shuguruar meshtar, u dërgua në Gimaj të Shalës së Dukagjinit. Për disa vite, aq e mjerë ishte gjendja e tij ekonomike, saqë në një dhomë të vetme të dielave kremtonte meshën për popull, rrëfente e pastaj, kur largohej populli, ai aty hante dhe flinte. Gjendja nuk qe më e mirë as kur u dërgua në famulli të tjera në male e ashtu ai shërbeu për rreth 20 vjet, derisa qe zbritur në Shirokë të Shkodrës në vitin 1941, për t’u përballur pas pak me flinë e tij të fundit: kishte dëshmuar deri atëherë Krishtin Bari, tani i duhej të dëshmonte Krishtin Fli.

Në mes shembujve të shumtë që mund të marrim, ia vlen të shihet më nga afër edhe françeskani Atë Karl Serreqi, të cilit i qe kërkuar që ta dëshmonte fuqishëm Krishtin e Mëshirshëm. Ky djalosh, në rininë e tij, i pati rënë mohit pasurive të shumta që kishte në familjen e tij në Shkodër, për të veshur zhgunin e varfanjakut të Asizit, Shën Françeskut. Qe arrestuar në çastin kur po rrëfente, në fill të vdekjes, një të plagosur rëndë, i cili ra gjatë një kryengritjeje kundër komunizmit. Komunistët menduan se mund të fshihte sekrete që u vlenin e prandaj, me tortura e kërcënime, deshën t’ia nxirrnin ato sekrete, por ai nuk pranoi. Madje në gjyq, para gjykatësve dhe pupullit që po i bënin presione që të fliste, tha: «Unë nji herë i kam ba betim Zotit, rrëfimi asht nji Sakrament që bahet në mshehtësi: ma parë vdes, sesa e nxjerri atë!» E dënuan përjetë dhe vdiq në burgun e tmerr­shëm të Burrelit, pas tetë vitesh. Por, ndërkohë, ndët të krishterë bëri shumë përshtypje fakti se dikush e dha jetën për të mos i përmendur më ato mëkate të cilat Mëshira Hyjnore i kishte fshirë një herë e përgjithmonë nga shpirti i atij që ishte rrëfyer.

Së Lumes Marie Tuci, postulantes Stigmatine, Krishti i kërkoi të bëhej «shenjë» e gjallë e Kishës, Nuses së Krishtit, e cila ia dhuron Atij tërë dashurinë e vet, në pastërtinë e fesë. Koloneli që administronte burgun ku u ndry Maria, deshi ta shfrytëzonte rininë e trupit të saj, por ajo ishte e vendosur që të mos e tradhtonte Dhëndrin e saj Hyjnor. Do të bëhej e famshme tortura që ky kolonel i rezervoi asaj, kur e futi në një thes me një mace dhe i goditi pa mëshirë, derisa Maria u gjakos e gjitha nga të gërvishturat e maces. Por edhe me shumë tortura e keqtrajtime të tjera që zgjatën rreth 15 muaj, ai e lodhi aq shumë trupin e saj energjik, saqë çoi në fill të vdekjes. Në spitalin e Shkodrës, tashmë e shpërfytyruar nga torturat, Maria tha: «Falënderoj Zotin që po vdes e lirë», duke shprehur kështu jo vetëm gëzimin e saj se po vdiste jashtë burgut, por edhe gëzimin se e kishte ruajtur lirinë e shpirtit. Koloneli ia kishte shkatërruar trupin, por jo shpirtin, duke vërtetuar fjalët e Krishtit në Ungjillin e sotëm: «Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund të vrasin shpirtin!»

Pothuajse të gjithë këta martirë vdiqën duke thënë «Rrnoftë Krishti Mbret!», duke i thënë, për herë të fundit, xhelatëve të vet dhe të gjithë brezave, se i vetmi Mbret i denjë për t’u ndjekur është Krishtit, i cili mbretëron me dashuri të pakufishme. Falën edhe armiqtë e tyre, për të vërtetuar se dashurinë e mësuar nga Mësuesi Hyjnor nuk e kishin larguar nga zemrat as aty. Shumë prej tyre në fjalët e fundit thanë edhe «Rrnoft Shqipnia!», duke dëshmuar se, siç e kishin dashur Krishtin me zemër të pandarë, po ashtu e kishin dashur edhe vendin e tyre e po vazhdonin ta donin deri në ato çastet e fundit, edhe pse dukej se mundi i tyre po u shkonte dëm. Krishtit, të cilit po ia besonin heroikisht shpirtrat, po ia besonin edhe përkujdesjen për Shqipërinë e tyre të dashur, me shpresën e fesë se mundi i tyre do të kthehej një ditë në bekim për këtë tokë.

Përballë dëshmive të tilla, pyetja që mund t’i bëjmë vetes është: a pranojmë të bëhemi edhe ne për brezninë e sotme «shenja» të gjallë të Krishtit? A e kemi zellin që t’ia çojmë Krishtin, me fjalë e me dëshmi, brezave të sotëm? Janë bërë të fashme fjalët e të Lumit Çiprian Nika që, në burg, kur tashmë komunizmi kishte filluar të shkatërronte kishat, tha: «Kishat do t’i bajmë edhe ma të bukura». Por gabimisht shepsh lëmë pa cituar edhe fjalët e tjera që ai kishte thënë menjëherë para tyre: «Duhet të ruejmë rininë që të mos i dëmtohen vlerat morale e fetare!». Meraku i tij i parë ishin njerëzit, sidomos rinia, që të bashkoheshin me Krishtin. Për të nxitur këtë bashkim e dha dëshminë e tij deri në pushkatim. Një herë, kur e sollën gati të vdekur në qeli pas torturave, Atë Çipriani i tha shokut të tij të burgut: «Në këtë situatë kam nji mision ma shumë se të tjerët: më duhet me ndezë dritën kudo që ajo rrezikon të shuhet. Vuejtja sigurisht nuk asht e kandshme, por fisnikron fitoren e arritun». Ishte i sigurt se, në fund të dëshmisë së Tij, do të hynte në fitoren e Krishtit të Ngjallur që ka thënë: «Kushdo pranon para njerëzve se është i imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij».

Le t’i besohemi, pra, ndërmjetësisë së tyre të fuqishme në qiell, që edhe ne ta kuptojmë se në ç’mënyrë Krishti na kërkon të jemi «shenja» të pranisë së Tij shëlbuese në botë! Edhe pse jemi gjithnjë nevojtarë për mëshirën e Tij, Krishti edhe sot na thotë miqësisht «Dëshmoni para tyre» dhe bëhuni «shenjë» kthimi. Feja e gjallë gjithnjë do të na ndihmojë që të bashkohemi me Krishtin për të qenë «shenja» të tilla.

E, në lidhje me fenë, duke iu drejtuar djallit që e tundonte që ta braktiste fenë, Imzot Vinçenc Prennushi, virtuoz në poezi, na ka lënë të shkruar këta rreshta të cilat pastaj ai i dëshmoi heroikisht kur djallëzia komuniste deshi vërtet t’ia shkulte fenë nga zemra:

                          «Janë do dit qi m’flet, e t’ndjeva…

                          Larg i mbrapshtë, hiqmu meje:

                          Kjeçë i pasun, n’skam u ktheva;

                          po a për keq thue do t’dal feje?!

                          Hiqmu sysh, çka rrin tuj pritë?

                          Nuk jam msue kuj me iu shitë…

                          Pse, o i mallkuem, ti don me m’hjekë

                          zemret mue kaq dhanti?

                          A s’e din se un di me dekë

                          për fe shejte, qi un ndryj n’gji?!…

                          Po, ma mirë shtatë pash nen dhe,

                          se me bjerrun shejten Fe!…

                          Mos t’shof ma, pse shejten Fe,

                          s’ma zhgulë zemret gja mi dhe!»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *