RRINI ZGJUAR! – Homeli nga Dom Dritan Ndoci

Categories HomeliPosted on

E DIELA I E ARDHJES – Viti B

Is 63, 16-17; 64, 1-7; Ps 80 (79); 1 Kor 1, 3-9; Mk 13, 33-37

Është prekëse mënyra se si fillon leximi i parë sot. Bëhet fjalë për një lutje që Izraeli po i drejtonte Hyjit në një kohë shumë të vështirë të historisë së vet, në kohën e mërgimit në dheun e huaj të Babilonisë. E lutja fillon me këto fjalë: «Abrahami ne s’na njeh, Izraelit s’i kujtohemi, por ti, o Zot, je Ati ynë, Shpëtimtari ynë».

Sikur autori i këtyre rreshtave ka dashur t’ia “kujtojë” Hyjit se ka një popull, një popull i cili nuk mund të cilësohet si populli i Abrahamit apo i Izraelit (Jakobit), sepse ata ishin thjesht njerëz, por është populli i Hyjit: «Ti, o Zot, je Ati ynë».

E kjo lutje bëhet vërtet prekëse në fjalët «Pse na bën të endemi, o Zot, larg prej udhëve të Tua, pse na e ngurove zemrën që të mos Të druajmë? Kthehu, për dashuri ndaj shërbëtorëve të Tu, për dashuri të fiseve të pronës Sate».

Janë mallëngjyese këto fjalë sepse nënkuptojnë dy gjëra njëkohësisht: vetëdijen e qartë se populli i Izraelit ka mëkatuar dhe e ka thyer Besëlidhjen e dashurisë me Hyjin e vet, si edhe vetëdijen, po aq të qartë, se ka një Hyj që, kur thirret mëshira e Tij, Ai me siguri “ndryshon mendim” dhe e falë mëkatin.

Besimtari i vërtetë nuk është ai që nuk ka mëkatuar kurrë, por ai që, edhe kur mëkaton, ka thellë në shpirt sigurinë se Hyji do ta falë. Kjo e bën atë të ngrihet sërish në këmbë, të kërkojë mëshirë dhe t’i lutet Hyjit të vet që të mos e braktisë më, që do të thotë të mos e lejojë më të largohet prej Tij: «Ati ynë je, o Zot: jemi argjilë e Ti je vorbëtari ynë, të gjithë jemi vepër e duarve të Tua».

Jezusi në Ungjillin e sotëm i përsërit tri herë fjalët «Rrini zgjuar!». Tri herë, brenda një fjalimi kaq të shkurtër! Të rrish zgjuar, mbase nënkupton pikërisht atë gjendje të zemrës që u përshkrua më sipër nga rreshtat e leximit të parë që cituam: do të thotë të jemi gjithnjë në kërkim të Hyjit, në kërkim të mëshirës së Tij, në kërkim të përsosjes në jetën tonë si bij e bija të Hyjit.

Me këtë të dielë të parë të kohës së Ardhjes, Kisha fillon një kohë përgatitjeje të dyfishtë: përgatitjen për të kremten e Krishtlindjes – përkujtimi i ardhjes së parë të Jezusit në këtë botë – dhe përgatitjen për ardhjen e dytë të Jezusit në fundin e kohëve. Por, unë i rendita gabim, sepse, duke u bazuar tek leximet që do të dëgjojmë për tri të diela rresht, më parë theksi do të vihet tek ardhja e dytë e Krishtit, pastaj – sidomos gjatë Nëntëditëshit të Krishtlindjes – do të fokusohemi në përkujtimin e ardhjes së parë të Krishtit.

Për këtë arsye pra, edhe në këtë të diel, Shkrimi Shenjt, përpiqet të na ndezë një dritë që na ndriçon mbi kuptimin e ardhjes së dytë të Krishtit në fundin e kohëve. Siç ndezim qiriun e parë të kurorës me katër qirinj në këtë kohë të Ardhjes, ashtu Hyji dëshiron të na ndezë edhe zemrat me fe dhe shpresë.

E thamë edhe më sipër, Jezusi tri herë rresht e porosit në këtë tekst ungjillor Kishën e Tij që të rrijë zgjuar. Ungjilli nuk thotë se Jezusi «u tha turmave», por «u tha nxënësve të vet»: është meraku i Jezusit që, ata të cilët kanë filluar të besojnë në të, të mos habiten e të mos humbasin mes përkujdesjeve të kësaj botë, por ta ruajnë të gjallë në shpirt besimin në të. Askush nuk ka bërë ndonjë kontratë të veçantë me Hyjin se do ta ketë të garantuar Parrizin. Disa histori shenjtërish që dëgjojmë, në të cilat duket sikur Zoti atyre ua kishte siguruar lumturinë e Parrizit kur ishin ende në këtë botë, duhen kuptuar brenda një konteksti mistik aspak të lehtë për t’u shpjeguar, e jo si kontrata apo garanci të Hyjit.

Një herë thuhet se një Frat shkoi te ankohej të Shën Françesku i Asizit se kishte shumë tundime, sidomos kundër pastërtisë, dhe se kishte frikë se mos do të mëkatonte. Por Frati u çudit edhe më shumë kur edhe Shenjti iu përgjigj: «Deri sa të kemë mbyllur sytë për këtë botë, as unë nuk mund t’i besoj vetes». Megjithatë Varfanjaku i dashur i shkroi një lutje që ta mësonte e pastaj ta luste shpesh dhe thuhet se, Fratit që i lypi ndihmë, tundimet iu larguan shumë.

Duhet të rrijmë zgjuar, duhet ta ruajmë fenë, duhet ta kultivojmë atë, ta ushqejmë, të kërkojmë ilaçe shërimi kur e ndiejmë se jemi keq shpirtërisht apo në mëkate, njësoj siç bëjmë për sëmundjet e trupit, përndryshe, ardhja e dytë e Krishtit nuk do të jetë ardhje e gëzueshme për ne, por ardhje trishtimi, sepse do të na gjejë larg Tij.

Është shumë interesant fakti se Jezusi nuk e ka treguar kurrë kohën e saktë se kur do të jetë kjo ardhje e dytë e Tij. Arsyeja mbase gjendet te fakti se, nëse në jetën tonë të përditshme ne do të kishim vërtet një fe të gjallë në Hyjin, nuk do të kishte kuptim ta dinim as orën e as datën.

Ta zëmë se një çift të martuarish jetojnë larg njëri-tjetrit për arsye të ndryshme për një farë kohe. A do të kishte kuptim që ata të kujtoheshin se duhet ta duan njëri-tjetrin vetëm kur u afrohet data që të takohen? Ata e dinë shumë mirë se janë lidhur përjetësisht bashkë. Edhe pse rrethanat kanë bërë që ata të largohen fizikisht nga njëri-tjetri, dashurinë e besnikërinë për njëri-tjetrin duhet ta ruajnë e ta kultivojnë në çdo orë e ditë të jetës.

Mbase Ati i amshuar me dashje nuk na e ka treguar orën e fundit të kohëve. Mbase prandaj Birit të Tij i ka porositur t’i thotë njerëzimit vetëm që të rrijë zgjuar e asgjë më shumë. E Biri atë ka bërë: «Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmbje a në mesnatë, kur këndojnë gjelat apo në mëngjes, që, nëse vjen papritmas, të mos ju gjejë fjetur».

Ati ka dashur që ne ta duam pa interes. Ta duam sepse ai e meriton tërë dashurinë tonë, jo ngaqë e kemi frikë. Në Birin e vet Ai na ka porositur jo vetëm të rrimë gati gjithnjë, por edhe na ka pajisur me hiret e nevojshme që të dimë ta ruajmë fenë, që të dimë të presim. Në leximin e dytë Shën Pali është plot gëzim për dëshminë e fesë që ka dëgjuar se janë duke dhënë korintasit: «Aq shumë u përforcua në ju dëshmia e Krishtit, saqë nuk ju mungon asnjë dhuratë juve që pritni Zbulimin e Zotit tonë Jezu Krishtit». Pastaj ka edhe shpresën se Krishti do t’i ndihmojë besimtarët e vet të jenë gati për ardhjen e Tij të dytë: «Ai do t’ju forcojë deri në fund që të jeni pa mungesa në Ditën e Zotit tonë Jezusit».

Por ka diçka që duhet kuptuar: «Hiri», apo «forca» që Hyji na jep në këtë ecje tokësore, ndërkohë që është «ndihmë» për të ruajtur fenë, për të qëndruar zgjuar, është edhe si «pagë paradhënieje», që do të thotë se na paralajmëron se një ditë do të bashkohemi krejtësisht me Hyjin, për të cilin e ndiejmë qysh këtu në tokë se jemi bërë.

Këtu në tokë e ndiejmë se jemi bërë për Hyjin, por njëkohësisht e shohim çdo ditë se brishtësia jonë shpesh i kundërshton këtij Hiri Hyjnor dhe i kthehemi jetës së mëkatit. Prandaj, në një farë mënyre, do të na vinte vetvetiu t’i luteshim Jezusit që të mos e lërë të zgjasë shumë kjo gjendje përçarjeje që ndiejmë brenda nesh dhe ta përshpejtojë kohën e ardhjes së Tij.

Do të donim edhe ne të luteshim ashtu si lutet Isaia profet në leximin e parë: «Ah, sikur Ti t’i shqyeje qiejt e të zbritje!» Kjo dëshirë e shpirtit të besimtarit, nuk është shenjë e ndonjë depresioni apo e ndonjë dëshire për të mos jetuar më, por është shprehje e dëshirës më të thellë që fsheh zemra jonë: se jemi bërë për Hyjin: «Na ke bërë për ty, o Zot, e zemra jonë nuk gjenë paqe derisa të mos pushojë në ty» – shkruante Shën Augustini. E, ndërkohë që Shën Augustini e shkruante këtë, nuk ishte thjesht në pritje të vdekjes, por kishte mbledhur rreth vetes një shumicë të mahnitshme njerëzish plot me dëshirën për të jetuar e për të dashur, si Hyjin ashtu edhe njerëzit.

I krishteri pret, por ai e di se ajo e tija është një pritje aktive, plot me fe e me dashuri. Gjithë këtë i krishteri e bën i bindur se, gjithësesi, «pagën» nuk do ta marrë kurrë të plotë në këtë botë, por vetëm kur të bashkohet krejtësisht me Hyjin e vet.

Të krishterët e vërtetë të të gjitha breznive e kanë kuptuar këtë shumë qartë. E kanë kuptuar se Jezusi kështu e donte Kishën e vet. E kanë kuptuar se Jezusi nuk u tha që të rrinin zgjuar vetëm atyre që i rrinin përreth atë ditë kur po fliste, por po ua thoshte ato fjalë të krishterëve të çdo kohe e të çdo vendi: «Çka po ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!»

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *