E DIELA II E ARDHJES – Viti B
Is 40, 1-5. 9. 11; Ps 85 (84); 2 Pjt 3, 8-14; Mk 1, 1-8
Sot në të gjitha kishat është ndezur edhe qiriu i dytë në kurorën prej katër qirinjve që kemi të zbukuruar nëpër kishat tona në këtë kohë të Ardhjes. Janë si katër dritëza që duan të na ndihmojnë të hapim zemrat tona, apo më saktë t’i lejojmë zemrat tona të ndriçohen nga Hiri Hyjnor i cili na fton për kthim kah Zoti e për përmirësim të vazhdueshëm të jetës sonë, deri sa të takojmë Jezusin, Dritën e botës.
Edhe Shkrimi Shenjt i “ndez” dritëzat e veta gjatë këtyre katër të dielave të kohës së Ardhjes e, dritëza e kësaj të diele, është personi i Gjon Pagëzuesit, i cili erdhi si pararendës i Jezusit, si ai që do ta përgatiste popullin e Izraelit – e, në një farë mënyre, mbarë botën – për ta njohur Mesinë tashmë të pranishëm në këtë botë.
Duhet të themi menjëherë se, në predikimet e tyre, apostujt e ungjillizuesit e parë të krishterë, duhet të jenë ndeshur me një vështirësi reale në lidhje me personalitetin e Gjon Pagëzuesit. E, vështirësia, nuk ishte për ndonjë faj të Gjonit, por për atë që shumica e popullatës në Izrael kishte kuptuar në lidhje me të.
Edhe në Ungjill shpesh mund të shohim se si njerëzit kishin filluar ta mendonin seriozisht nëse Gjoni ishte Mesia i pritur apo jo. Disa madje thuhet se shkuan dhe e pyetën drejtpërdrejt Gjonin mbi këtë çështje. Gjoni vazhdimisht u përgjigjej se nuk është ai Mesia, por ishte thjesht i dërguar për të përgatitur ardhjen e Tij apo më saktë pranimin e Tij nga ajo brezni, por, me sa duket, as Gjoni vetë nuk ia kishte arritur që ta ndalte atë mekanizëm nderimi që ishte ndezur kudo në Izrael ndaj tij, nderim i cili pastaj u shtua përtej çdo parashikimi me martirizimin e tij.
Prandaj të gjithë ungjilltarët janë shumë të kujdesshëm që të mos e lënë pa e përmendur Gjon Pagëzuesin në faqet e ungjijve të vet. Jo thjesht ta përmendin, por edhe të “shpejtojnë” që, qysh në fillim, të bëjnë të thuhet nga goja e vetë Gjonit se Mesia nuk është ai por Jezusi.
Tani e kuptojmë se përse, qysh në rreshtat e tij të parë, Shën Marku Ungjilltar thotë menjëherë: «Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit» e, menjëherë pas, fillon të flasë për Gjon Pagëzuesin si ai që ka ardhur të përgatisë rrugën e pranimit të Jezu Krishtit.
Fjalët e para që thotë Gjon Pagëzuesi në Ungjillin e Markut na lënë të kuptojmë atë “ngut” që thamë se, me sa duket, e kishin të gjithë ungjillëzuesit e parë të krishtërimit: «Pas meje po vjen një më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve të tija. Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt». Druheshin ungjillizuesit se njerëzit do të besonin ende se Mesia ishte Gjoni e jo Jezusi, prandaj të gjithë i shkruanin e i thoshin këto fjalë me gojën e vetë Gjonit.
E, në fakt, personaliteti i Gjonit ishte vërtetë i rrallë. Ishte vërtetë një dritëz që i afronte njerëzit me Zotin. Është hir i rrallë i Zotit kur na bën të takojmë njerëz që janë vërtet «njerëz të Hyjit». Ekzistojnë edhe në kohën tonë, kanë ekzistuar në çdo epokë e patjetër do të ketë gjithnjë të tillë. Këta njerëz ua kujtojnë breznive në të cilat jetojnë se njeriu nuk qenka i aftë vetëm për të bërë keq, por edhe për të bërë mirë, për të qenë i mirë, i patëkeq, i pafajshëm, i Hyjit.
Për Gjonin, vetë Jezusi ka thënë fjalët më të mëdha: «Gjoni është më tepër se një profet… Ndër ata që u lindën prej grash nuk u gjet asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi».
Ungjilli i sotëm na tregon stilin gati të pabesueshëm të jetës që Gjoni bënte në shkretëtirë, në lutje e në pendesë: «Ishte i veshur me petk prej leshit të deves e rreth ijësh kishte brez lëkure. Ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër». E, edhe pse përpiqej të rrinte larg nga turmat, ishin turmat ata që e kërkonin: «Mbarë krahina e Judesë e të gjithë jerusalemasit shkonin tek ai». Martirizimi i tij heroik pastaj, për shkak se qortoi jetën mëkatare të Herodit, e bëri edhe më të dashur për turmat. Një dritëz e vërtetë ishte, pra, ky njeri, i lindur vetëm gjashtë muaj para Mesisë. Me jetë e me vdekje foli vetëm e vetëm për ardhjen e Tij.
Në Gjonin ungjilltarët kanë parë të plotësohen pjesët e Besëlidhjes së vjetër, sidomos ajo pjesë që dëgjuam sot të shkëputur nga leximi i parë: «Një zë lëshon kushtrimin: “Në shkretëtirë përgatitni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot!”». Tekst të cilin edhe Ungjilli i sotëm e citon.
Në këtë kohë të Ardhjes, figura e Gjoni përzgjidhet nga Kisha për të na ndihmuar ta kapim edhe ne praninë e Zotit në mesin tonë. Në fakt, koha e Ardhjes nuk ka për qëllim vetëm të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi për Ardhjen e parë të Jezusit para dymijë vjetësh e as vetëm të na përgatisë për Ardhjen e Tij të dytë në fundin e kohëve, por dëshiron të na mësojë edhe ta “shohim”, ta vërejmë Ardhjen që çdo ditë Zoti bën në jetën tonë. Gjoni nuk thoshte se Mesia do të vinte, por se Ai tashmë ishte në mes të njerëzve.
Shpesh, madje gjithmonë, kemi nevojë për njerëz që na ndihmojnë “ta shohim” Hyjin. Kemi nevojë për shembuj jete që na afrojnë me Hyjin. Kemi nevojë jo vetëm për shembuj, por edhe për njerëz të aftë që të na mësojnë e të na ndihmojnë të dijmë t’i lexojmë shenjat e Hyjit në jetën tonë. Gjoni i bënte të dyja këto: mësonte dhe jepte shembull jete.
Është gjithmonë e vërtetë se mësimi më i bukur është shembulli i jetës. I Lumi Pali VI, Papë, shkruante: «Njeriu bashkëkohor i dëgjon më me ëndje dëshmitarët se sa mësuesit, ose, nëse i dëgjon mësuesit, i dëgjon kur ata janë dëshmitarë». Turma e dëgjonte Gjonin si mësues, ngaqë ai ishte një dëshmitar i mirë. E në fakt si dëshmitar, si martir pra, do ta mbyllte jetën.
Rreth nesh unë jam i bindur se kemi shumë dëshmitarë: të shumtën e rasteve ata janë prindërit tanë apo gjyshërit. Shumë shenjtër janë bërë të tillë duke e “thithur” ajrin e shenjtërisë nga prindërit e vet. Njëra prej Shenjtëreshave më të njohura në Kishë, Shenjta Terezë e Jezusit Fëmijë, shkruante në kujtimet e saja se, kur ishte e vogël, mënyra se si lutej i ati, i bënte shumë përshtypje. Mbrëmjeve, kur ajo ishte ende një vogëlushe, familja e saj (vajzat dhe babai, sepse e ëma u kishte vdekur shumë herët), mblidhej për ta mbyllur ditën me lutje. Shenjtja Terezë shkruante në lidhje me të atin: «Më mjaftonte ta shihja, që kështu të dija se si luteshin shenjtërit».
Pastaj na ndihmojnë pa masë shumë e shumë njerëz që shpesh herë na prekin me thjeshtësinë e jetës së tyre e me thjeshtësinë e fesë së sinqertë që kanë në Zotin.
Prekemi shpesh edhe nga dëshmia e shumë njerëzve që jetojnë larg nesh. Nga shenjtër të gjallë që shpesh e mbushin botën me dëshminë e fesë së tyre, me mirësinë që arrijnë të përcjellin dhe me pasionin që kanë që njerëzimi të përparojë në paqe e mirëqenie.
Ndihmohemi shumë nga shenjtërit që kanë jetuar në këtë botë shumë kohë më parë, si edhe nga martirët që kanë rënë heroikisht për fenë.
Ndihmohemi nga libra e shkrime plot fe e urti që njerëz të ndryshëm i kanë lënë trashëgimi botës, shkrime të cilat shpesh na ndihmojmë t’i shohim shumë ndryshe gjërat përreth nesh e jetën tonë si të krishterë.
Ndërkohë që presim Ardhjen e Jezusit në fundin e kohëve, pra, jemi të thirrur edhe ne që të dimë ta dallojmë praninë e Zotit në jetën tonë dhe, me vepra e me fjalë, të përpiqemi t’ua shpallim këtë prani edhe të tjerëve.
Në letrën e tij, edhe Shën Pjetri na porosit që të bëjmë pikërisht kështu: «Sipas premtimit të tij, ne presim “qiellin e ri dhe tokën e re”, ku banon drejtësia. Këndej, o të dashur, ju, ndërsa i prisni këto, mundohuni të jeni para tij të panjollë, të patëmetë, në paqe!»
Të gjithë shenjtërit që rreshtuam më sipër, në një farë mënyre janë përpjekur që të bëjnë kështu. Janë përpjekur që, si Gjon Pagëzuesi – i cili e përgatiti me jetë e me fjalë popullin e Izraelit për takimin me Mesinë – ta shpallin edhe ata praninë e Jezusit në mes nesh që vepron gjithnjë në histori. Si Gjon Pagëzuesi, ishte dashur të bënim edhe secili prej nesh. Edhe ne mund të jemi një dritëz në botë.