JEZUSI – E VËRTETA NË MES NESH

Categories FamulliaPosted on

Numri 23 i gazetë së famullisë (Dhjetor 2020)

Në shekullin XIX dikujt në Francë i shkoi në mend të sajonte një legjendë shumë interesante. E legjenda është si më poshtë:

«Një ditë u takuan së bashku e Vërteta dhe Gënjeshtra. Gënjeshtra e përshëndeti të Vërtetën dhe i tha “Ditë e bukur sot. A dalim shëtitje?” E Vërteta hodhi një sy rrotull, vështroi qiellin dhe me të vërtetë dita ishte e bukur. Ecën pak së bashku dhe arritën pranë një pusi të madh plot me ujë. Gënjeshtra zhyti dorën në ujë dhe u kthye e i tha së Vërtetës: “Uji qenka i pastër e i ngrohtë. Po sikur të hyjmë e të lahemi?” Përsëri, e Vërteta ishte dyshuese. E provoi vetë me dorë, por ai me të vërtetë ishte i ngrohtë. U futën, pra, të dyja në ujë dhe notuan për një kohë të gjatë.

Kur papritmas Gënjeshtra doli me të shpejtë nga uji, veshi rrobat e së Vërtetës dhe u zhduk. E Vërteta doli me nxitim nga pusi ashtu e zhveshur, por Gënjeshtra ishte larguar me rrobat e saj. Provoi të vishte rrobat e Gënjeshtrës, por nuk i rrinin. Kështuqë filloi të vraponte kudo për ta gjetur Gënjeshtrën e të merrte rrobat e saj. Por nuk po e gjente. Njerëzit që e shikonin të Vërtetën ashtu të zhveshur dhe e hidhnin vështrimin diku tjetër ose nga turpi, ose nga indinjata pse kishte dalë ashtu lakuriq. Kurse Gënjeshtra tashmë kishte marrë dhenë dhe, e veshur me rrobat e së Vërtetës, po shëtiste e shkujdesur kudo dhe askush nuk shqetësohej prej saj. Ndërsa të Vërtetën lakuriqe të gjithë e shikonin shtrembër, e përqeshnin dhe madje e urrenin. Qysh prej asaj kohe thuhet se njerëzit filluan ta duan më shumë Gënjeshtrën që hiqej si e Vërtetë, sasa të Vërtetën lakuriqe.»

Qarkullonte aq shumë kjo legjendë në shekullin XIX, saqë disa piktorë filluan ta shprehin edhe me artin e tyre. Ndër ta edhe piktori francez Jean-Léon Gérôme në një pikturë të vetën të vitit 1896. E interesant është fakti që këtë legjendë e shpikën pikërisht në Francë dhe pikërisht në atë periudhë. Franca kishte rreth një shekull që kishte kaluar kohën e revolucionit të saj të famshëm, por me çmimin e tmerrshëm të shumë e shumë viktimave të pafajshme. Pati disa ide të çmuara, patjetër, por në atë revolucion idesh u hodhën edhe sythet e para të komunizmit dhe masoneria, e fuqishme siç ishte qysh në ata vite, e shtriu ndikimin e saj edhe më fort në botë, ndikim të cilin sidomos në kohën tonë e ndjejmë edhe më fuqishëm. Aty lindi termi “iluminizëm”, për të treguar se tani kishte ardhur koha e ndriçimit të mendjes njerëzore dhe me shumë dashakeqësi u shkoi ndërmend që ta etiketonin me termin “mesjetë” një hark kohor rreth njëmijë vjeçar, të cilin e propaganduan si një periudhë të errët e të prapambetur, si kohë kur njerëzimi kishte bërë regres të madh në krahasim me kohët e arta të mendimit të lashtësisë greke. Kështu, koha e quajtur “iluminizëm”, qe koha kur u fillua përhapja e disa ideve mashtruese që ndezën në botë një zinxhir të gjatë luftrash, varfërish dhe vdekjesh. U shpresua se gjërat do të përmirësoheshin kur Napoleon Bonaparti mori pushtetin, por edhe ai e mbushi Europën (dhe më gjërë) me luftra, duke mbjedhë kudo vdekje e varfëri. Pas gjithë kësaj, pra, e kishin vënë re mirë arstistët se gënjeshtra tashmë kishte veshur rrobat e së vërtetës dhe po sillej lirisht kudo nëpër botë.

Por ne e dimë shumë mirë se jo vetëm në atë shekull gëshnjeshtrat kishin filluar të paraqiteshin si të vërteta në botë: gjithnjë njerëzimi është përballur me këtë realitet të vështirë e tragjik dhe e ka kundërshtuar në forma të ndryshme. Edhe në kohën e Jezusit ishte e pranishme kjo betejë në mes së vërtetës dhe gënjshtrës. Madje mund të themi “aq më tepër në kohën e Jezusit”, sepse Ai është vetë e Vërteta. Në Ungjill është një fjali që Jezusit u thotë disa judenjve: “Ju kërkoni të më vritni, mua që ju fola të vërtetën që e dëgjova prej Hyjit”. E në fakt me mrekullitë e tij Jezusi e vërtetonte se është Biri i Hyjit, por paria fetare prapëseprapë nuk deshi ta dëgjonte, sepse i shqetësonte gjithë ajo famë që po e rrethonte Atë dita-ditës. E vranë me mendimin se do ta hiqnin qafe, por gabuan, sepse me Ngjalljen e tij Jezusi dëshmoi se është jo vetëm e Vërteta, por edhe Jeta: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta” u kishte thënë Jezusi apostujve të vet një natë para se ta kryqëzonin. E disa vite më parë Jezusi u kishte thënë të gjithëve edhe këto fjalë: “E Vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë”, si për të na nxitur të gjithë që të mos shkëputemi nga kërkimi i së Vërtetës. Sa bukur do të ishte sikur të mos tërhiqeshim në kërkimin dhe zbatimin e së Vërtetës në jetë. Sa dinjitet dhe kuptim do të merrte jeta jonë dhe jeta e atyre që na rrethojnë! Plus që do t’i kursenim vetes edhe shumë e shumë brejtje të ndërgjegjes. E, duke e ditur se e Vërteta është vetë Jezusi, e kuptojmë se sa bukur është të mos reshtim së ndjekuri Jezusin, edhe kur bota e përqesh Atë dhe e refuzon, e ndikuar nga gënjeshtrat që mbajtë petkun e së Vërtetës. Atyre judenjve që thamë se dëshironin ta vrisnin, Jezusi ua thoshte haptas se kështu po i linin fushë të lirë veprimi djallit në mendjet e tyre. Ai, me gënjeshtrat e veta, po i kundërvinte me Jezusin, të Vërtetën: “Babai i juaj është djalli… Në të nuk ka të vërtetë… Sa herë rren, flet prej natyrës së vet, sepse është rrenacat dhe babai i rrenës”. E thënë shkurt: kush zgjedh të vërtetën, zgjedh Jezusin; kush zgjedh gënjeshtrën, zgjedh djallin.

E thashë gjithë këtë duke marrë shkas nga fakti se, në faqet e këtij numri të gazetës do të ktetë shumë dëshmi në lidhje me famullitarin e Rranxave, Dom Zef Gilaj, të mbledhura me rastin e 20-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Dom Zefi jetoi dhe veproi në një kohë kur gënjeshtra të mëdha po sundonin botën dhe haptas e përqeshnin Krishtin. Madje në Shqipëri e dimë se besimi në Krishtin arriti të quhej deri edhe krim. Por Dom Zefi dhe shumë të tjerë si ai vazhduan t’i besonin Krishtit, Birit të Hyjit të bërë njeri. Sa shumë njerëz në këtë famulli (dhe më gjerë) përfituan bekime e dritë nga ky bashkim i përvujtë e i qëndrueshëm i Dom Zefit me Krishtin!

T’i besojmë, pra, edhe ne Jezusit, vetë e Vërteta në mesin tonë. Ta duam Atë dhe të mos mashtrohemi nga gënjeshtarët e shumtë që djalli i nxit të hiqen si Mesi në tokë!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *