Palok Rrotani
Dom ZEF GILAJ, ky meshtar me dije t’ gjânë, por i heshtun, e ndoqi me perpikmenî rregullin latin: “Non sibi soli vivere aliis proficere.” qi në shqip don me thânë: “Mos me jetue vetem per vedi, por me u vlejtë edhe tjerve!” Perg’jatë jetës së vet 84-vjeçare, Dom Zefi u vlejti shûm tjerve: jo vetem nder sakramênde – detyrë e meshtarit, por edhe me kshilla e me shêmbuj fizikë e mendorë.
Dom Zef Gilaj leu me 19 korrik 1916, në nji familje malcore në Vrith të Shkrelit të Malcisë së Madhe e u pagzue me 23 korrik. Prej prindve mori shêmbullin e mirë per me pasë zell e kambëngulje per punë, per nji punë të ndershme, me djersë të ballit. I ati i diq shpejt e drejtimin e familjes e mori e âma e cila nuk e la me rá as ekonomikisht, as moralisht, por e mbajti të bashkueme, të fortë e me bekim, gjâ qi ndikoi shûm edhe në formimin e karakterit të Zefit të vogel.
Familja e Dom Zefit kishte prona edhe në Razem e atje delte g’jatë verës edhe Zefi i vogel. Në Razem, n’ato vjet, kishte ardhë me verue edhe kryeipeshkvi i Shkodres, Emzot Lazer Mjedja. Atje delte edhe Dom Ndre Mjedja, vllau i kryeipeshkvit, i cili e msonte Zefin e per me ndihmue priftin në meshë.
Kur kryeipeshkvi donte me çue ndonji leter në kishen famullitare të Shkrelit, ku ishte famullitar Dom Ndré Zadêja, ia jepte Zefit e ai fluturonte… Tue pá te Zefi i vogel nji fmijë posaçe tjerve, Emzot Mjedja u kerkoi prindve të tij t’ ia jepshin per me e pregaditë per prift. Prindtë pranuen e me 1925, Zefi, i shoqnuem prej Dom Ndré Zadêjës, filloi shkollen nder jezuitë, por banonte në Kryeipeshkví, te Emzot Lazri, se nuk kishte vênd në konvikt. Âsht per t’ u vû në dukje ktu nji fakt qi na e kallxonte vetë Dom Zefi: Kryeipeshkvi (Dom Lazri) i kishte varë në mur, te kryet e shtratit, nji palë tesha malcore e i kishte pasë thanë Zefit: “Shikjo, sillu mirë e xên mirë, se, perndryshe, të vesh njato tesha e të nis në shpi!…” E Zefi nuk i veshi kurr ato tesha, sadoqi i admiroi e i vlersoi perg’jatë gjith jetës…
Dom Zef Gilaj u dá n’ shêj per urtí, per squetsí e per zotsí në çdo gjâ. Mbrenda nji vjeti kreu dy klasë: të paren e të dyten. Të treten e bâni veçmas, por prap, të katerten e të pesten i kreu në nji vjet. Në klasë të gjashtë (vjeti i parë i gjimnazit), filloi latinishten. Kur ishte në klasë të shtatë, në dimen rá nji grip i rândë e u mbyllen shkollat per nji muej. Zefi, bashkë me nji shok klase, moren programin e vjetit të tetë, studiuen fort, dhanë provimet e moren klasen. Qysh në të dyten gjimnaz, ai pati fillue me nxânë frangishten, me nji msues prej Belgjike. Në gjimnaz, krahas latinishtes e greqisnhtes së vjeter, studion edhe italishten. Pra, mbasi kreu gjimnazin me rezultate të nalta, Zefi ynë e kishte hijeshue mênden me kater g’juhë të hueja…
Në vjetin 1935, shkon per studime të nâlta në Romë, në Kolegjin “Alma Mater”, ku punon fort në të gjitha disiplinat, por shquhet per zotnimin e g’juhve të hueja, aq sa, pothuej perherë, e ngarkojnë me shoqnue bashkëstudenta të huej, ku bânte punen e perkthyesit, “tue u spjegue atyne, në g’juhët perkatëse, bukuritë artistike t’ Urbës (Romës – P. Rr.) e t’ Italisë”, sikurse shkruen vetë Dom Zefi. Âsht per t’ u theksue se ai pervetsoi shkelqyeshem (me të folun e me të shkruem) edhe kater g’juhë tjera të hueja: gjermanishten, anglishten, serbokroatishten e spanjishten…
Në kohen e studimeve në Romë, kryen nji vjet pregaditje, dy vjet filozofi e kater vjet teologji e merr liçencen me cilsimin “Magna cum laude” (=Ma e madhja, me lavdime).
Mbasi kryen studimet, perg’jatë të cilave u nderue me shûm medalje, me 24 shtatuer 1941, shugurohet meshtar në Romë, prej Papës Piu XII, i cili i bân familjes së Dom Zefit nji urim-bekim me shkrim, në formen e nji diplome historike, bekim i cili ruhej në Vatikan (sikurse na kallxonte vetë Dom Zefi) e kishte kët permbajtje: “Bekue kjoftë familja e Prendash Markut qi nxori prej gjinit të vet nji njieri të shêjtë…!” Dom Zefi çon meshen e parë në Katedralen e Shen Pjetrit në Romë. Në shtatuer 1941, vjen në Shqipni e meshen e parë n’ atdhe e celebron në kishen e Beltojës, ku ishin mbledhë ushtarë të nji reparti ushtarak italian e popull vêndas…
Dom Ndré Mjedja, msuesi i Dom Zefit, e kishte lânë porosi me gojë qi Dom Zef Gilaj të nxênte vêndin e tij në Kukel e kshtu, po me 1941, u emnue famullitar në Kukel, tue i ngarkue edhe Malin e Jushit.
Në kto vjete, në Shqipni kishin fillue trazina të mëdha. Në njânen ânë – pushtuesit e huej e n’ ânë tjeter – komunistat shqiptarë, e kishin bâ të pasigurt jeten e shqiptarve. Në maj 1944, n’sa ishte në Kukel, në Barbullush, nji vêndas musliman vret, per motive krejt banale, nji oficer gjerman e ia mbath prej frige. Komanda gjermane grumbullon 101 vetë prej katundit, gadi me i pushkatue të gjith derisa mos të kallxojshin êmnin e vrasësit… Por vjen Dom Zefi prej Kuklit e, me kénë se dinte gjermanisht, i drejtohet oficerit gjerman, tue arsyetue hollë e me durim e tue iu lutë Zojës së Bekueme, derisa e bînd me i lirue katundarët e Barbullushit.
Me 1949, Dom Zefi caktohet famullitar në Barbullush, ku sherben deri në vjeten tjeter (1950), prej kah arrestohet e e mbajnë nji vjet në hetuesi në Shkoder, nen tortura e vuejtje e mandej e internojnë, per kater vjet, nder kampe perqendrimi: në Tepelenë, Vlonë e Tiranë, prej kah lirohet në fûnd të vjetit 1954 e shkon famullitar në Trush, ku sherben per mâ se dy vjet…
Me 1957 vjen si prift famullitar e si dekan (sod: vikar) në Rrânxa të Bushatit, tue xavendsue Dom Mhill Çûnin e ku do të sherbejë me devocion e perkushtim, derisa, me 17 marc 1967, kjè dëbue prej shtetit diktatorial komunist…
Dom Zefi ka pasë miqsi e respekt per dy bij t’ shquem të Rrânxave: per Dom Mhill Çûnin e per Mârk Çûnin. Dom Mhillin e çmonte per guximin e tij e per vizionin e gjânë, kurse Mârkun e vlersonte per sakrificen sublime të tij.
Mbas mbylljes së kishave, per nji periudhë gadi çerekshekullore, punoi si puntuer në ndertim. Banonte në nji bodrum të ftoftë, plot lagështinë e errësinë, bashkë me motrat murgesha: Gjyste e Mikelinë. Edhepse në kushte tejet të vështira, mshehtas kryente sherbesa fetare.
Me ramjen e komunizmit, vjen prap në Rrânxa, ku sherbeu derisa diq me 29. 03. 2000. N’ banesen e fûndit e percollen shûm njerëz; madje kishin ardhë edhe shûm muslimanë prej zonës, kryesisht prej Barbullushit… U celebrue mesha prej kryeipeshkvit, kurse predkun e mbajti Emzot Zef Simoni, me nji pjesë të t’ cilit po m’ pelqen me e mbyllë kët jetëshkrim të shkurtë të nji jete e vepre të g’jatë e të madhe: “Lum ata qi desin në Tenzonë!”
Familjes së shêjtë, Zotynë i pati caktue nji babë të devotshem: Sh’ Jozefin. Kjo familje, tash 2020 vjet âsht bâ shêmbull per të gjitha familjet e krishtena, të vogla e të mëdha, perfshî ktu edhe bashkësitë famullitare. Edhe familjes sonë të madhe, famullisë së Shna Rrokut, Zoti i caktoi per babë nji Jozef shqiptar: Dom Zef Gilen… Aq i lidhun ishte Dom Zefi me famullinë e vet, sa e la me gojë me e vorrue në vorret e Kishës famullitare të Shna Rrokut. E ashtu u bâ… Pergjithherë qi na shkojmë n’ at vênd të shêjtë, çojmë lule te vorri i tij e lutemi: PUSHOFTË NË LUMNINË E PARRIZIT!