Ese nga Xhuliana Guri, Mali i Jushit, me të cilën ajo fitoi vendin e parë në një konkurs letrar të organizuar gjatë muajit nëntor nga shkolla e mesme e Bushatit.
Trup dhe shpirt, pengje të lirisë. Një çift perfekt të burgosurish ku jeta e tyre nuk është e tyre, as fryma që marrin, as drita që shohin, as era që ndiejnë, as dashuria e fortë që i lidh së bashku, asgjë. Janë kaq afër njëri-tjetrit, por nuk përqafohen dot, janë kaq pranë, por edhe kaq larg. Liria ua ka prerë krahët, ëndrrat, dashurinë, sepse kjo liri është dorëzuar ose, më e keqja, s’ka luftuar kurrë për ta. Ajo ka heshtur, është fshehur, është bindur ndaj të tjerëve, është frikësuar, shtypur, dhunuar, por një gjë nuk e ka arritur dot, të dalë “e lirë”, e lirë ashtu siç ka dhe emrin.
“Liria është e jona. Ajo jeton me ne, frymon me ne, qeshë me ne, ecën me ne, bën çdo gjë me ne e për ne.” – thonë të tjerët. Sa bukur! Sa e bukur po të ishte e vërtetë, por jo! Gënjeshtër…
Liria është një gënjeshtër e gjallë, e cila me të vërtetë merr frymë por nuk jeton, sepse ekzistenca e saj shtrihet vetëm brenda kuadratit të ngushtë të konceptit mbi të, emri i saj shtrihet brenda një kornize të varur në “murin” e mendjes sonë dhe fshihet brenda “hojëzave” të shpresës që na rri në zemër, e dënuar “me arrest shtëpie”, ku, po të guxojë të nxjerrë kokën jashtë, do t’i shtypet në vend nga “tiranët” e botës sonë.
Ndaj ekzistenca e kësaj lirie të ëmbël helm është e dyshimtë, diçka absurde, sepse ajo ekziston si fantazëm, si një e vdekur që i ka pushtuar të tjerët me shpirtin e saj. E kështu, kjo liri mbetet thjesht një iluzion i njeriut që jeton në ëndrra. Në ëndërrat e bukura që kanë për synim të të gëzojnë, por që shpesh nuk realizohen. Bota bëhet pengesë për to.
Bukuria “e kulluar” e kësaj lirie shërben si fasadë për këtë botë, si fasadë e këtij burgu në të cilin përpëlitet njeriu i shkretë. Beson, rrëmbehet dhe në fund zhgënjehet për vdekje. Fytyra e bukur, fytyra prej kukulle i doli e shëmtuar. Drita që të verbonte sytë, s’ishte gjë tjetër veçse drita e një qiriu në mbarim. Kjo është e vërteta që të vret. Por, në ndryshim nga bota me shumë fytyra, kjo është e vërtetë.
Ne jemi të dobët, i lejojmë të tjerët të na e mohojnë atë që është e jona. Jetojmë nën petkun e të ashtëquajturit “njeri”, të prangosur. Të prangosur me prangat e padukshme, çelësi i të cilave është diçka që shqisat tona nuk e arrijnë dot. E kështu jemi të destinuar të jetojmë, të vuajmë, të tretemi në këtë realitet të hidhur.
Kjo ndodh sepse ne i lejojmë vetes të gënjehemi pas “parajsës” tokësore, pas madhështisë së saj, e cila nga jashtë të lë pa mend, të lë pa fjalë, por, me të hedhur këmbën brenda, kjo parajsë tokësore na tregon fytyrën e saj të vërtetë. Shndërrohet në “ferrin” vetë, i cili na e shpifi me përqafimet e tij, praninë e tij, me çdo gjë që e përbën.
Jemi lodhur nga kjo gjendje, madje shumë. Të lodhur në një botë ku frymëmarrjet na i numërojnë, kafshatat që hamë; ku lumturinë na e kanë ndarë me racione, të qeshurat, fjalët, çdo gjë. Na hedhin sa nga njëra luftë në tjetrën e askush s’do t’ia dijë. Nuk ka më të bëjmë si të duam, si ta ndiejmë, si ta mendojmë; ka vetëm si të na urdhërojnë. Thonë “rrini” e ne rrimë, “pushoni” e ne pushojmë, “vdisni” e ne për ta duhet të vdesim. Në këtë gjendje kemi rënë ne të mjerët.
Por mjaft më.
Lotët tanë po përmbysin vendin e ju nuk lageni; britmat tona shpuan qiellin e ju nuk dëgjoni; morëm flakë, u dogjëm e ju nuk shihni; tundëm themele e ju nuk i ndjeni. Porse ne ekzistojmë; mos na shpërfillni kështu!
Plagët, me të vërtet, s’janë shëruar; ato vazhdojnë të rrjedhin, por e kanë një ilaç; sytë djegin nga loti që s’u largua, por ka diçka që i qetëson; jemi “mbytur”, por ka diçka që mund të na japë jetë: “Liria”. Liria që ju e keni shtypur me këmbë, që e keni kapur për fyti, që e keni goditur, pështyrë, gjymtuar, por nuk e keni vrarë plotësisht. Ne mund dhe do ta shpëtojmë atë. Duhet shpëtuar!…
Ah, liri, liri! Pse je e tillë? Të gjithë ta dinë emrin e të admirojnë, por, në fakt, nuk të njohim. Je bërë si ajri që thithim, por nuk shihet. Mbase kjo të ka bërë të duhesh kaq shumë. Të ka ndihmuar emri dhe ideja që ke, pa e ditur sesi në fakt ti je. Ah, ah, ah, moj liri, na jep një shenjë jete që ne të mund të kapemi fort pas teje!
Shshsht!… Dëgjojeni!… Dëgjojeni atë zë të mbytur që diçka përpiqet të na thotë: “Mori guxim të ecte, por ia prenë këmbët, provoi të ngjitej dhe i humbi krahët, deshi të fliste dhe ia prenë kordat vokale, por u desh të tërhiqej që të mos humbiste kokën. E vrarë, e lodhur, por e vendosur për të vazhduar, ja ku është”. Dëgjojeni zërin që po na tregon udhët! Qënka liria! Ajo është gjallë dhe me të madhe po thotë: “Ejani pas meje!”