E DIELA III GJATË VITIT B
Jon 3, 1-5.10; Ps 25 (24); 1 Kor 7, 29-31; Mk 1, 14-20
Në leximet e kësaj së diele, Fjala e Hyjit futet si «shpatë» në jetën tonë. E, në fakt, letra e drejtuar Hebrenjve përdor pikërisht këtë imazh për të folur për veprintarinë që mund të bëjë Fjala e Hyjit në shpirtin e njeriut: «Fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehash. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin.» (4, 12)
Këtë Fjalë që ndërhyn si «shpatë», e gjejmë tek letra e parë që Shën Pali u drejton Korintasve që dëgjuam në leximin e dytë sot: «O vëllezër, koha është e shkurtër. Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin; ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim; ata që blejnë sikurse të mos kishin gjë të veten; ata që e gëzojnë këtë botë sikurse të mos e gëzonin.»
Pse Shën Palin thekson me kaq forcë fjalë të tilla? Cila është arsyeja që e bën atë të na duket si dikush që i ka mbyllur sytë mbi realitetin e jetës së përditshme? Si ka mundësi që na duket kaq indiferent ndaj ndjenjave më të përditshme e normale të jetës së njeriut? Patjetër se psikologët – ose, më saktë, ata që mendojnë se dijnë t’i japin përgjigje çdo reagimi njerëzor vetëm duke u nisur nga ana psikologjike – këtu do të kënaqeshin duke na e paraqitur Shën Palin si një personalitet me probleme, si dikush që ka ftohje emocionale, ftohje e cila, sipas tyre, duhet t’i ketë rrënjët në ndonjë traumë të pësuar në jetë.
E, në fakt, Shën Pali përdor fjalë vërtetë të habitshme kur thotë, përshembull: «Qysh tash edhe ata që i kanë gratë, të jenë si të mos i kishin.» Këto fjalë do të tingëllonin shumë të çuditshme në veshët e atij që është mësuar ta shohë bashkëshortin apo bashkëshorten si një idhull. Mjafton të lundrosh pak në rrjetet sociale e, raste kur i thuren fjalë jo dashurie, por idhujtarie njëri-tjetrit, të shfaqen më shumicë përpara. Edhe Shën Pali e dinte mirë rëndësinë që kanë bashkëshortët për lumturinë e njëri-tjetrit, sepse vetë jeta e përditshme e tregon këtë, por i ftonte të krishterët të kenë një maturi që vjen vetëm nga feja e gjallë në Hyjin.
Po ashtu Shën Pali e dinte mirë peshën që sjell hidhërimi i të qarit dhe rëndësinë e bukurinë e gëzimit në jetën e njeriut. E megjithatë ngul këmbë: «Ata që qajnë, sikur të mos qanin; ata që gëzohen, sikurse të mos kishin gëzim.»
Futen si shpatë këto fjalë në jetën e atij që, kur është në pikëllim dhe vërtet lotët nuk arrin më t’i përmbajë, i duket se për të dielli i lumturisë është shuar një herë e përgjithmonë, si edhe në jetën e atij që është mësuar të bluajë në mendjen e vet si t’i shtojë vetes sa më shumë raste gëzimi e euforie, duke arritur shpesh edhe në shpenzime vërtet absurde në jetën e tij të përditshme.
Jo fort të këndshme do t’i dukeshin fjalët e Apostullit atij që e vlerëson dinjitetit e vet dhe të të tjerëve me mundësinë që ka për të blerë apo për të shitur. E Shën Palit thotë: «Ata që blejnë, sikurse të mos kishin gjë të veten.» Tingëllon qesharake kjo fjalë për biznesmenin që, kur zgjohet në mëngjes, mendimet e para që ka në kokë, janë llogaritjet, shitjet, blerjet, fitimet, kontaktet, llogaritë bankare dhe arritjet. S’ka kohë për këtë njeri ngritja e kokës lart, sespe «paratë s’pikojnë prej qiellit» thonë shpesh këta njerëz. Maksimumi, ai mund ta ngrejë kokën lart – tek Ai që rri lart – për t’i kërkuar mbarësi në fitimet e veta. Nëse shkon tek sakrestia e Kishës për të dhënë lëmoshë për ndonjë Meshë, e bën me qëllim që ta “blejë” edhe Zotin me paranë e vet.
Por Shën Pali nuk është i mangët apo i papjekur nga ana afektive. Përkundrazi, në zemrën e tij vlon një dashuri e fortë. Ai flet kështu sepse zemrën e tij e ka ngulur mbi një terren tjetër. Shën Pali ka një dashuri të pamasë për Jezu Krishtin. Prandaj diku tjetër shkruan: «Për mua Krishti është jetë.» Ai ka vrull në jetën e tij e jo mpirje. E shtyn dashuria për Krishtin e jo ikja ndaj jetës. Prandaj edhe mund t’i rreshtojë pa drojtje ato fjalë që sapo dëgjuam.
Shën Pali e di se bën mirë ta ngulë këtë «shpatë» në zemrën tonë, sepse – sikurse u kishte ndodhur korintasve të cilëve u drejtohet – mund të ndodhë edhe me zemrën e çdo të krishteri që të jetë e “pushtuar” nga dashuri të tjera. Mund të ndodhë që njeriu të pagëzohet, të krezmohet, të kungohet, të shkojë çdo ditë në kishë, mbase nga ana e jashtme edhe t’ia kushtojë jetën e tij “krejtësisht” Hyjit, por brendësia e tij ka interesa krejt të tjera. Brenda tij mund të mos jetë Krishti qendra.
Shën Pali dëshiron të na e kujtojë se një përzemërsi normale njerëzore nuk duhet të jetohet pa dashurinë thelbësore për Krishtin, se një fatkeqësi apo një gëzim nuk duhet ta zhdukë shikimin nga Krishti dhe se një aktivitet normal për të siguruar jetesën nuk duhet t’ia heqë të krishterit aftësinë për t’u dorëzuar pa kushte në duart e Krishtit.
Kjo e shqetëson Shën Palin. Nuk kanë ndodhur trauma në jetën e tij, por ka ndodhur një takim. Ky takim i shndërroi jetën, siç shohim se u ndryshoi jetën edhe nxënësve të cilët Jezusi i thërret në Ungjill.
Pjesa ungjillore që dëgjuam sot, tregon pikërisht thirrjen e katër apostujve të parë që Jezusi mbledh rreth vetes e nuk janë pa rëndësi detajet e kësaj pjese.
Jezusi i thërret dy të parët, Simonin e vëllanë e tij, Andrean, duke u thënë: «Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!» dhe ata, thotë Ungjilli: «Aty për aty i lanë rrjetat e shkuan pas tij.» Pra braktisën mjetin e jetësës së tyre të mëparshme («rrjetat»), për t’u dhënë krejtësisht pas ndjekjes së Jezusit.
Pastaj Jezusi thërret edhe dy të tjerët, Jakobin e Zebedeut e vëllanë e tij, Gjonin, e Ungjilli thotë se edhe ata e ndoqën menjëherë: «Lanë të atin e vet, Zebedeun, në lundër bashkë me mëditës dhe shkuan pas tij.» Lanë jo vetëm mjetet e jetesës («rrjetat e lundrën»), por edhe familjen («të atin»).
Takimi me Jezusin ka sjellë një ndryshim rrënjësor në jetën e tyre. Jezusi ua ka prekur zemrat me Hirin e Tij. Patjetër se këta apostuj ishin vetëm në fillim të njohjes së personit të Jezusit. Do t’u duhet punë që ta arrijnë pjekurinë e fesë së gjallë në Krishtin, por ecja e tyre në fe ka filluar vrullshëm.
Edhe leximi i parë sot tregon fillimin e një ecjeje të re nga populli i Ninivës, i cili ishte zhytur në vese të rënda. Aq të rënda, saqë Bibla thotë se Hyji deshi ta shkatërrojë atë qytet. Janë mënyra biblike për të treguar seriozitetin e së keqes së sjell mëkati.
Por, kur Jona u predikoi kthimin kah Zoti, ata ndryshuan jetë: «Ninivasit besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri në më të voglin.» Pendesa dhe ndryshimi i jetës, janë pasojat e para të takimit real me Hirin e Hyjit. Pastaj vjen hovi i një jete të re.
Edhe Shën Pali, që flet për kotësinë e jetës në urrejtje e në mëkate, e ka përshkuar edhe ai vetë këtë «furrë zjarri» të keqardhjes për mëkatet e veta e të pendesës për ta e prandaj nuk druhet të shkruajë me kaq forcë fjalë si ato që cituam. Edhe Shën Pali ka lënë çdo gjë, pastaj, për t’u vënë edhe ai, si apostujt, në ndjekje të sinqertë e të vrushme të Zotit të vet Jezu Krishtit.
Takimi me Jezusin duhet të ndryshojë diçka tek ne ose përndryshe nuk është takim. Mbase jo gjithnjë duhet të sjellë ndryshime përjashta, por përbrenda duhet t’i sjellë patjetër.
Më vjen ndër mend një përrallë e bukur që thotë se, një herë, një mi shkoi tek një magjistar për t’i kërkuar një nder. «Dua të më shndërrosh në mace – i tha miu – sepse kam shumë frikë nga ato.» E magjistari ia plotësoi dëshirën.
Por pastaj filloi të kishte frikë nga qeni. Përsëri shkoi tek magjistari dhe ky ia plotësoi dëshirën për t’u shndërruar në qen. Atëherë kishte frikë nga ariu e magjistari e shndërroi në ari. Si ari kishte frikë nga luani, prandaj nuk mund të shëtiste lirshëm nëpër pyll. Përsëri magjistari ia plotësoi dëshirën dhe e shndërroi në luan. Së fund “luani” filloi të kishte frikë nga njeriu, që kalonte andej pari gjatë gjuetisë. Shkoi tek magjistari e i kërkoi që ta shndërronte në njeri.
Por kësaj here magjistari ia ktheu: «Nuk ia vlen të të shndërroj përsëri, sepse ti ke ende një zemër prej miu.»
Përrallë e lezetshme, që na fton të shikojmë brenda nesh dhe të shohim se për ku është drejtuar zemra jonë! Të shohim nëse takimi me Krishtin në jetën tonë e ka shndërruar atë apo jo.
Nëse e ka shndërruar, atëherë fjalët e Shën Palit do të na duken të ëmbla e madje do ta falënderonim që na e kujtoi edhe një herë se qendra e jetës sonë duhet të jetë gjithnjë vetëm Krishti.