E ÇUAN JEZUSIN NË JERUSALEM PËR T’IA KUSHTUAR ZOTIT.

Categories HomeliPosted on

KUSHTIMI I KRISHTIT NË TEMPULL – 2 Shkurt

Mal 3, 1-4; Ps 24 (23); Heb 2, 14-18; Lk 2, 22-40

«Kur, sipas Ligjit të Moisiut, u mbushën ditët e pastrimit të tyre, Jozefi e Maria e çuan Jezusin në Jerusalem, për t’ia kushtuar Zotit, sikurse shkruan në Ligjin e Zotit: “Çdo i parëlindhur mashkull le t’i kushtohet Zotit” dhe, për të dhënë flinë sikurse thuhet në Ligjin e Zotit, “një palë turtuj ose dy zogj pëllumbash”». Kështu fillon Ungjilli i sotëm dhe, në brendinë e këtyre rreshtave, gjenden dy shprehje që i kanë bërë hierarkët katolikë që t’ia ndryshojnë emrin kësaj feste ndër shekuj. Filli­misht ajo u quajt Festa e Kushtimit të Krishtit në Tempull, duke u bazuar tek rreshti që thotë «e çuan Jezusin në Jerusalem për t’ia kushtuar Zotit», por më pas ajo u quajt Festa e pastrimit të Marisë, duke  u bazuar të rreshtin që thotë «kur u mbushën ditët e pastrimit të tyre». Emri i mëparshëm e vinte theksin mbi faktin se Jezusi i kushtohet Hyjit Atë edhe fizikisht, kushtim të cilin Jezusi do ta çonte në plotësi me Vdekjen e Ngjalljen e Tij, ndërsa emri i dytë e vinte theksin tek përvujtëria e Jozefit, Marisë dhe Jezusit, të cilët iu përmbajtën Ligjit të Mosiut, sipas të cilit një grua, pasi lindte një fëmijë, i duhej të kryente një ritual të caktuar pastrimi. Edhe pse Jezusi dhe Maria nuk ishin të detyruar për një gjë të tillë, ngaqë nuk kishin mëkat, gjithsesi ata vetvetishëm deshën ta shprehnin përvujtërinë e tyre të pafundme. Reforma liturgjike e vitit 1960, pastaj, i ktheu sërish kësaj feste emrin e mëparshëm: Festa e Kushtimit të Krishtit, siç e kishte pasur qysh në shekullin IV, kohë kur i pati fillesat e veta kjo festë. Aq më tepër u zgjodh ky emër edhe nga fakti se Kishat e Lindjes gjithnjë e kishin quajtur ashtu një festë të tillë.

Megjithatë, të mos humbasim fort mbi rëndësinë e emrit të festës, sepse, gjithsesi, gjatë një kremtimi të tillë, Kisha dëshiron të vërë në pah disa të vërteta të mëdha që kanë të bëjnë me misterin e Jezu Krishtit, të vëreta të cilat po i shohim tani me radhë.

Pjesa e sotme Ungjillore është e mbushur me gjallëri. Aty janë shumë personazhe që përfshihen, takohen në mes tyre dhe flasin. E të gjithë kanë si qendër të veten Jezusin foshnje vetëm dyzetditësh, i cili atë ditë hyri në Tempull të Jerusalemit për herë të parë.

Por, para se të shohim se si reagojnë personazhet e shenjta të Ungjillit të sotëm, le t’i hedhim sytë tanë mbi leximin e parë, sepse, qysh në shekullin e pestë para Krishtit, Malakia profet kishte profetizuar se do të vinte koha kur Tempullin e lavdishëm të Jerusalemit do ta mbushte prania e gjallë e Hyjit: «Ja, unë dua ta dërgoj të dërguarin tim… Papritmas do të vijë në Shenjtëroren e vet Zotëruesi, që ju e kërkoni». Këto janë fjalët e Zotit përmes profetit të Tij dhe patjetër që na bien në sy veçanërisht ato fjalët që thonë: «Do të vijë në Shenj­tëroren e vet Zotëruesi.». Hyji gjithnjë kishte premtuar se ishte i pranishëm në Tempullin e Tij në Izrael. Përse këtu, pra, thotë se «Do të vijë në Shenj­tëroren e vet Zotëruesi»? Por Malakia po profetizonte pikërisht për çastin kur në këtë Tempull do të hynte fizikisht Jezusi, Biri i Hyjit i bërë njeri. Kurrë Hyji nuk kishte qenë kaq i pranishëm në atë Shtëpi të veten.

Megjithatë, pikërisht në Jezusin, Tempulli i Jerusalemit do të merrte plotësinë e vet, duke u kuptuar se Tempulli paska qenë profeci e Jezusit. Tani e tutje do të jetë vetë Jezusi i Vdekur e i Ngja­llur, Tempulli i vërtetë dhe i pashkatërrueshëm i Hyjit. «Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë.» thotë Jezusi në Ungjillin e Gjonit e, menjëherë pas, ungjilltari shpjegon: «Jezusi foli për tempullin e trupit të vet» (Gjn 2, 19-21).

Por edhe të gjithë ata që do të besojnë në Jezusin, Tempullin e Hyjit, «Gurin e gjallë» (1 Pjt 2, 1), do të jenë «gurë të gjallë», «Shtëpi shpirtërore», (1 Pjt 2, 5). Sikurse atë ditë Jezusi hyri në Tempull të Jerusalemit si «Zotëruesi» i Tij, ashtu Ai duhet të jetë zot shtëpie, «Zotërues» edhe në jetën tonë. E, nëse ndihemi të padenjë, nuk duhet shkurajohemi, sepse Ai e njeh mirë brishtësinë tonë dhe pikërisht për ta bashkuar natyrën tonë të brishtë me natyrën e Tij Hyjnore, Ai ka ardhur në botë. Prandaj në leximin e dytë dëgjuam fjalët e Letrës së drejtuar Hebrenjve që thotë: «Ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit…, për të qenë Kryeprift i mëshirshëm… Shi pse ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t’u ndihmojë atyre që janë në sprovë.».

E tani, duke iu kthyer personazheve të shenjta për të cilët na flet Ungjilli i sotëm, e kuptojmë më mirë edhe peshën e gjesteve dhe fjalëve të tyre, që, si qendër të veten, kishin pikërisht Jezusin dyzetditësh.

Pikësëpari është prekëse përvujtëria dhe thjeshtësia e Jozefit dhe e Marisë, të cilët i binden Ligjit të Zotit që mësonte se, «çdo i parëlindur mashkull» duhej t’i kushtohej Zotit, në përkujtim të natës së parë të Pashkës në Izrael, ku Zoti i kishte kursyer të parëlindurit e Izraelit. Jozefi e Maria janë të thjeshtë e të dëgjueshëm përballë Ligjit, edhe pse e dijnë se Jezusi nuk kishte ardhur në botë si të gjithë fëmijët e tjerë. E, është prekëse të mendosh se, megjithëse e dinin se po kushtonin në Tempull Birin e Hyjit, nuk kishin tjetër ç’të kushtonin veçse «një parë turtuj ose dy zogj pëllumbash», minimumin e asaj që parashikonte Ligji për njerëzit e varfër, që s’mund të kushtonin një qengj. Biri i Hyjit kishte zgjedhur të vinte pikërisht në atë familje të varfër, prandaj edhe ata, me thjeshtësi e varfëri, i hapeshin plot dashuri këtij Fëmije kaq të mistershëm.

Pastaj, mahnitjen e tyre përballë Misterit që kishin në duar, e shtoi edhe më fort Simoni, «një njeri i drejtë dhe i përshtpirtshëm», i cili u afrua aty në ato çaste dhe filloi të fliste për këtë fëmijë. Me fe të gjallë e me besim në dashurinë e Hyjit, Simoni «priste Ngushëllimin e Izraelit» e, atij, «Shpirti Shenjt ia kishte zbuluar se s’do të vdiste pa e parë Mesinë». Pasi e mori në duar Jezusin foshnje dhe pasi e falë­nderoi Hyjin për këtë mundësi, ai tha ato fjalët të cilat, në Liturgjinë e Orëve, Kisha i thotë në fund të çdo dite: «Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe, sikurse the ti vetë, sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve: Dritën që bën të njohin Ty paganët e që i jep nder populli tënd, Izraelit.». Simoni e pa të plotësuar jetën e vet në takimin me Jezusin, Mesinë e profetizuar dhe dëshiruar nga Patriarkë e Profetë.

Simoni qe edhe i pari që quajti Jezusin «Dritë», prandaj sot është edhe zakon që të bekohen qirinjtë e të mbahen të ndezur në duar, për të simbolizuar pikërisht Jezusin, Dritën e botës. E ne të krishterët kemi mësuar shumë prej Simonit, sepse edhe secili prej nesh gjen guximin të thotë, në fund të çdo dite «Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë shërbëtori yt në paqe.», sepse jemi të bindur se, në çdo ditë të jetës sonë, kemi raste ku e takojmë Jezusin e Ngjallur, i cili Kishës së vet i ka premtuar: «Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës.» (Mt 28, 20).

Por Simoni e kuptoi se, gjithë këtë lavdi, Jezusi do ta arrinte nëpër misterin e Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Tij e jo sipas parimeve të botës. Prandaj thotë: «Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumë kënd në Izrael.». Nuk është e thënë se ne njerëzit gjithnjë zgjedhim Dritën, prandaj nuk ishte e thënë që Jezusin do ta pranonin të gjithë. Disave Ai do t’ua lartësonte jetën deri në bashkimin e lum me Hyjin, por për disa të tjerë Jezusi do të bëhej «shkandull», pra shkak për t’u ngurtësuar edhe më shumë përballë Zotit, sepse do të kërkonte gjithnjë dashuri të painters ndaj Hyjit e ndaj njerëzve. Shën Pjetri, më vonë, do ta shtjellojë shumë bukur këtë të vërtetë në letrën e tij që e cituam më sipër: «Afrohuni atij, Gurit të gjallë… Për ju që besoni nder, kurse për ata që nuk besojnë, “Gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.”» (1 Pjt 2, 7-8).

E fjalët e tij, Simoni po ia thoshte pikërisht Marisë, Nënës së përvujtë e të dlirë të këtij Fëmije Hyjnor, i cili ishte edhe më i përvujtë e i dlirë se ajo. Në një botë të plagosur nga mëkati, pikërisht falë kësaj përvujtërie e dlirësie që i bashkonte Nënë e Bir, edhe Nënës do t’i duhej të merrte pjesë dhimbshëm në mundimet e Birit të vet. Prandaj i thotë: «Edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin, që të zbulohen shestimet e zemrës së shumëkujt.».Kjo «shpatë» që përshkon Zemrën e Zojës së Bekuar, ka frymëzuar pastaj në Kishë edhe devocionin Zojës së Dhimbshme, me Zemrën e saj të shporuar nga shpata e mosmirënjohjes dhe e urrejtjes së botës, i cila nuk e pranon Birin e saj të dashur.

Pastaj në Tempull erdhi edhe një personazh tjetër shumë interesant: «Ana profeteshë». Ajo kishte jetuar vetëm shtatë vjet e martuar dhe, pas vdekjes së të shoqit, e kishte ndriçuar vejësinë e saj me lutje dhe me pendesë: «Ajo nuk e lëshonte Tempullin, por i shërbente Hyjit ditë e natë, me agjërim e me uratë». Edhe ajo erdhi dhe «filloi ta lëvdojë Hyjin dhe t’u tregojë për këtë foshnje të gjithë atyre që prisnin shpërblimin e Jerusalemit». Do të kishte qenë shumë interesante sikur t’i dinim edhe fjalët e kësaj profeteshe, por Ungjilltari kufizohet të na tregojë vetëm thelbin e këtyre fjalë, pra faktin se ajo fliste për shpresën dhe ngushëllimin që sjell Jezusi. Kjo na mëson të gjithëve të kuptojmë se Jezusi mund të bëhet dritë, ngushëllim e shpresë për të gjithë ata që e mbushin jetën e tyre me praninë e Tij dhe që i ndriçojnë me këtë prani errësirat e ndryshme të jetës, në lutje, në shërbesa të dobishme dhe në pendesë.

Sot edhe rregulltarët ripërtërijnë kushtet e tyre, duke ia ofruar sërish jetën e tyre Hyjit, në Birin e Tij që u kushtua për të gjithë ne. E nuk është pa domethënie kjo praktikë e Kishës, sepse të kushtuarit i kujtojnë botës se të gjithë ne jemi të bërë për Zotin dhe, si Maria, Jozefi, Simoni dhe Ana, të gjithë mund ta kemi si qendër të jetës sonë Jezusin, i cili është i vetmi që mund t’i japë ekzistencës njerëzore plotësi, ngushëllim, dritë dhe shëlbim.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *