E DIELA V GJATË VITIT B
Job 7, 1-4. 6-7; Ps 146 (143); 1 Kor 9, 16-19. 22-23; Mk 1, 29-39
Sot leximet e shenjta dëshirojnë, në një mënyrë shumë ndryshe nga sa jemi mësuar, të na vënë përballë realitetit të vuajtjes. Është e vërtetë se vuajtja nuk është gjithnjë e pranishme në jetën e njeriut dhe jo çdo herë është me të njëjtën dendësi, por deri diku secilit i duhet, herët a vonë, ta pijë kelkun e hidhur të vuajtjes.
Jobi është personazhi më i famshëm i Besëlidhjes së Vjetër për përballjen e tmerrshme që atij i takoi të ketë me vuajtjen. Bibla thotë se djalli kërkoi lejen prej Zotit që ta tundonte këtë njeri i cili kishte një fe vërtet të madhe. Ai Lutej, ofronte fli rregullisht, u mësonte fëmijëve të kishin besim në Hyjin e gjallë, por prapëseprapë arriti çasti kur edhe atij iu desh të përballej me misterin e vuajtjes: i humbi pasuritë e shumta që kishte, i vdiqën të gjithë fëmijët e, në fund, në mishin e tij u shfaq sëmundja e tmerrshme e gërbulës, sëmundje e cila shkakton në njeriun dhimbje shumë të forta e që është ngjitëse.
Në atë kohë, kurim tjetër nuk kishte për këta njerëz, veçse t’i veçonin diku larg qendrave të banuara e atje të prisnin vdekjen. Për më tepër kjo sëmundje shihej edhe si ndëshkim i Hyjit për ndonjë mëkat. Pra, jo vetëm që për së gjalli njeriu e shihte mishin e tij tek i kalbej përditë, por i duhej gjithashtu që me shumë turp të ndahej edhe nga pjesa tjetër e shoqërisë.
Në kulmin e kësaj dhimbjeje që tashmë, pra, po e përvolonte trup e shpirt, Jobi nuk duron dot më dhe fillon të bërtasë kah Hyji e t’i kërkojë Atij llogari.
Pikërisht në këtë ankim të Jobit lindin edhe fjalët që sot dëgjuam në leximin e parë të cilat shprehin një gjendje të tmerrshme: «Vallë, s’është luftë mbi tokë jeta e njeriut?» Kam përshtypjen se, duke i dëgjuar këto fjalë, secilit tani po i vjen spontane që ta pohojë me kokë se është dakord.
Jobi vazhdon edhe më tmerrshëm: «Nëse bie të fle, pyes veten: kur do të ngrihem?» Është e tmerrshme të biesh në shtrojë e të mos arrish të flesh. Është e tmerrshme jo edhe aq kur thjesht njeriu nuk ndjen gjumë, por kur e ndjen se është i lodhur sa më s’ka e megjithatë brenda vetes ndien se i ka shpërthyer një luftë e vërtetë mendimesh, ndjenjash, ankthesh, dhimbjesh.
Edhe më keq: Jobi thotë se as gjatë ditës nuk gjen paqe. Ai, me ankth, pohon se pret mbrëmjen, me shpresën që atëherë të gjejë paqe. Jobi i mjerë ka rënë në një rreth i tmerrshëm vicioz, nga i cili i duket se nuk gjen dalje. E gjendja rëndohet edhe më shumë kur, në gjithë këtë dhimbje, i duhet të përballet edhe me heshtjen e mistershme të Zotit.
Por cila është lidhja që kjo pjesë e Besëlidhjes së Vjetër që flet mbi këtë dhimbje të madhe të Jobit, mund të ketë me Ungjillin e sotëm?
Në fakt, në Ungjill shohim se Jezusi përballet me vuajtjen, por duke e mundur atë. Megjithatë, kam përshtypjen se pjesa e sotme ungjillore nuk dëshiron të na e përqëndrojë këtu vëmendjen tonë! Është diçka tjetër që duhet të vëmë re! Duhet të shohim se si është e mbushur një ditë e Jezusit?!…
Pjesa e Ungjillit fillon duke na thënë se Jezusi doli nga sinagoga dhe, menjëherë, shkoi tek shtëpia e Simonit dhe e Andreut. Aty shëroi vjehrrën e Simonit. Edhe më: mbarë qyteti u mblodh para derës së shtëpisë ku gjendej. Pra Jezusi në këtë fazë të jetës së Tij nuk kishte më edhe aq shumë kohë për vete.
Po të nesërmen? Edhe aty veprimtaria e Jezusit është tejet e dendur: duke e parë se turmat nuk i linin kohë të lutej, Jezusi vendosi t’i hiqte orë gjumit e të zgjohej më herët për t’u lutur. E, kur nxënësit e gjejnë në lutje, u thotë: «Ejani të shkojmë gjetiu, në fshatrat e afërme, që të predikoj edhe atje. Prandaj edhe erdha.».
“Agjenda” e Jezusit ishte plot e përplot. Një rresht tjetër i Ungjillit të Markut thotë se Jezusi me apostujt, në një fare pike, «s’kishin kohë as të hanin, aq shumë njerëz vinin e shkonin aty ku ishin».
E, siç ndodh shpesh, ne replikojmë duke thënë se Jezusi tek e fundit është Hyj, pra e kishte kollaj.
Po njeri, a e besojmë se ishte? Ishte në «gjithçka i ngjashëm me ne», na e kujton Shkrimi Shenjt. Si rrjedhojë atëherë e kuptojmë se edhe ai, siç mund të ndiente gëzimin, ashtu edhe mund të binte pré e lodhjes, e sëmundjeve, e stresit, e hidhërimit, e trishtimit, e betejës që mund të shpërthejë brenda mendjes njerëzore kur gjendet përballë pyetjeve që s’të lënë të gjesh paqe.
Por shohim se, edhe pse Jezusi është i rrethuar me kaq shumë lodhje fizike përreth vetes, brenda mendjes së Tij ka edhe diçka tjetër: dëshira që të kryente atë për të cilën kishte ardhur në botë, dëshira të kryente vullnetin e Atit te vet.
Kur ne vendosim të kryejmë vullnesën e Zotit, vuajtjet nuk zhduken, por, përkundrazi, mund të na shtohen edhe më shumë. Hyji nuk na i heq streset. Ah, sa lehtë do të ishte atëherë të ishim të krishterë! Por diçka tjetër mund të ndodhë brenda nesh: t’i shohim me syrin e fesë si sëmundjet, ashtu edhe streset, pikëllimet e vuajtjet e tjera. Mund të arrihet deri aty sa vuajtja njerëzore të përjetohet edhe si mision. Mjafton të shohim jetën e Jezusit dhe atë të shenjtërve.
Patjetër se, po të mos ishte ndihma e Hirit të Hyjit në këtë mes, nuk do t’ia dilnim kurrë, por ndihma e Hyjit pret edhe bashkëpunimin tonë, pret edhe fenë tonë të gjallë.
Jobi nuk gabon që i kërkon llogari Hyjit (madje në fund Hyji e përgëzon për këtë), por gjithësesi gjendej diçka për të cilën Jobi kishte nevojë për kthim: ta shihte vuajtjen jo si mallkim, por si pjesë e mistershme e ecjes drejt Hyjit.
Në Ungjill, Jezusi nuk sheh edhe aq vuajtjen e vet, por sheh vuajtjet e të tjerëve. Po ashtu edhe Shën Pali në letrën e tij thotë atë shprehjen e tij të famshme: «I mjeri unë nëse nuk e shpall Ungjillin.» Jo se nuk kishte “plagë” e vuajte Shën Pali, por gjithsesi ai kishte vendosur të bënte si Jezusi: të përpiqej të shëronte plagët e të tjerëve. Kur do të bindemi se plagët tona do të fillojnë të shërohen vetëm kur do të fillojmë të merremi me shumë dashuri me plagët e të tjerëve?
Tingëllon i çuditshëm një arsyetim i tillë për atë që është i zhytur në vuajtje. I duket si fyerje. Por realiteti i përditshëm e vërteton se shumë nga plagët e njeriut shërohen pikërisht kështu.
Në Shqipëri më ka qëlluar të takoj shumë të rinj e të reja që kishin ardhur nga vende të tjera të botës me qëllim që të jepnin ndonjë ndihmë modeste në ungjillizim apo në shërbim vullnetar. Por shumë shpesh kam dëgjuar prej gojës së tyre fjalë si: «U nisa me idenë që të jepja unë diçka, por tani po kthehem me bindjen se kam marrë unë vetë shumë më shumë.» Kishin marrë shumë dashuri, shumë mirënjohje, shumë dëshmi jete… E, në fund, e kishin vënë re se kishin qenë lehtësuar edhe në plagët e tyre.
Pastaj ka edhe një faktor tjetër që nuk duhet ta nënvlerësojmë: ne njerëzit shumë shpesh priremi ta zmadhojmë gjithnjë e më tepër dëshpërimin tonë përballë asaj që na ka ndodhur. E teprojmë aq shumë, saqë jo rrallë pastaj arrijmë të justifikojmë edhe mëkatet e rënda. Prandaj në disa raste është vërtet urgjente të dalim nga rrethi vicioz i ankesave e të jepemi pas shpalljes së Ungjillit e pas nevojave të të tjerëve.
Në jetën e Shenjtes Françeska Saverio Kabrinit, e cila u quajt ndryshe edhe «Shenjtëresha e italianëve në Amerikë» (për shkak të veprimtarisë së mrekullushme që ajo bëri në të mirën e emigrantëve italianë në Amerikë nga fundi i shekullit XIX e derisa vdiq në fillimin e shekullit XX), thuhet një detaj shumë interesant. Ose më saktë, e tregon ajo vetë në një letër të sajen: «Kur vizitoj ndonjë shtëpi tonën (është fjala për shtëpitë ku kishte Motrat e Kongregatës së themeluar prej saj) dhe shoh fytyra të zgjatura dhe vërej një hije lodhjeje, dembelizmi apo humori të keq, nuk i kërkoj njërës apo tjetrës: ‘Çfarë ke apo çfarë nuk ke?’ Ngre në këmbë ndonjë vepër të re që t’i detyrojë motrat të dalin prej vetes së tyre.»
Sikur të gjithë eprorët e Instituteve Rregulltare të kishin këtë kriter pedagogjik, vetëm Zoti mund ta dijë se ç’veprimtari ungjillizimi do të shpërthente në mbarë botën!
Shenjtërit na mësojnë se nuk duhet të jemi prej atyre që u shkon jeta duke lëpirë plagët e veta, por na ftojnë fuqishëm të rrënjosemi gjithnjë e më shumë në shpalljen e Krishtin.
Pra, ankesës së Jobit në leximin e parë i përgjigjet vrulli i Jezusit në Ungjill për të kryer vullnetin e Atit, si edhe zelli i Shën Palit e i shumë shentjërve të tjerë të historisë për shpëtimin e njerëzve. Vuajtja është e pashmangshme në jetën tonë, por ajo mund të shihet ndryshe e, deri diku, ajo mund të lehtësohet edhe me vetë faktin se fillojmë të përfitojmë pikërisht nga ato rrethana për të dëshmuar e shpallë Ungjillin, si edhe për të lehtësuar dhimbjet e të tjerëve.
Dom Dritan Ndoci