HYJI AQ FORT E DESHI BOTËN, SA QË E DHA NJË TË VETMIN BIRIN E VET.

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV E KREZHMEVE – Viti B

2 Kro 36, 14-16. 19-23; Ps 137 (136); Ef 2, 4-10; Gjn 3, 14-21

Kjo e dielë e katërt e kohës së krezhmeve shpesh quhet edhe si e diela e gëzimit. Refreni i psalmit të sotëm thotë: «Kujtimi yt, o Zot, është gëzimi ynë.» Në këtë ecje krezhmore, i krishteri është i ftuar të gëzohet. Mbase na duket e çuditshme të flasim për gëzim në kohën e krezhmeve, duke qenë se jemi mësuar ta vëmë theksin më fort tek pendimi dhe keqardhja për mëkatet tona, sesa tek gëzimi.

Megjithatë liturgjia e sotme na fton në gëzim. E duhet të jetë patjetër kështu, sepse, sikur ecja krezhmore, thellimi i jetës sonë me Zotin, do ta linte pas dore gëzimin, do të ishte shenjë se ende nuk e kemi kuptuar ç’do të thotë të jetosh me Zotin, i cili do pikërisht lumturinë tonë.

Gëzimi për të cilin Fjala e Hyjit na flet sot, është një gëzim që nuk vjen nga ne, por nga fakti se Hyji është i dashur me ne. Jezusi ia thoshte këtë Nikodemit duke e theksuar me forcë: «Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet… » Duke thënë «aq fort», është si të thoshte se s’ka ku të shkojë më shumë.

Dashuria e Hyjit ndaj nesh është e dendur, e vrullshme, e përhershme. I krishteri, në këtë ecje krezhmore, pikërisht këtu duhet ta ngulë shikimin e vet. Shën Pali na thotë se Hyji është «i pasur me mëshirë». Pra nuk na gëzon fakti se ia kemi arritur t’i mposhtim apo jo veset tona, por fakti që shohim se gjithsesi është dashuria e Hyjit ndaj nesh ajo që nuk shuhet kurrë. Shën Pali thotë se Ai na ka dashur atëherë kur ne «ishim të vdekur për shkak të fajeve», kur ishim jashtë jetës me Të.

Po kaq fort dhe po kaq bukur e thekson dashurinë e Hyjit ndaj popullit të Tij edhe leximi i parë, i cili është shkëputur nga libri i dytë i Kronikave.

Ky libër i Shkrimit Shenjt është një përmbledhje e shpejtë e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Izraelit.

Pjesa që kemi dëgjuar sot, flet për një nga ngjarjet më vendimtare të formimit të këtij populli. Bëhet fjalë për periudhën kur populli izraelit filloi të largohej keqas nga Hyji, aq sa «i përqeshnin lajmëtarët e Hyjit, i bënin në asgjë fjalët e tij dhe i vinin në lojë profetët e tij». Kështu, për shkak të politikave të gabuara që Izraeli ndiqte kur nuk e dëgjonte zërin e Zotit, provokoi luftra të mëdha të cilat i sollën shaktërrim dhe pastaj edhe mërgim në tokën e largët të Babilonisë. Se sa trishtim i kishte shkaktuar popullit ky mërgim, e pasqyron shumë mirë edhe psalmi i sotëm: «Mbi lumenj të Babilonit, atje rrinim e lotonim. / … Po si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj?»

Bibla mbase është i vetmi libër në botë ku, ata që e shkruajnë, nuk lënë pa treguar të këqijat e veta. Ai që i ka shkruar këta rreshta në lidhje me mosbindjen e popullit të Izraelit, ishte patjetër një izraelit edhe ai vetë, por, prapë se prapë, nuk ngurron t’i rreshtojë pabesnikëritë e popullit të vet. Thotë shprehimisht: «Në ato ditë të gjithë krerët e priftërinjve si dhe populli mbarë i shumuan pabesnikëritë e veta…» Nuk thotë «disa», por «mbarë populli». Madje edhe vetë udhëheqësit e tij shpirtërorë, të cilët ishin të thirrur edhe më fort t’i qëndronin besnikë Hyjit.

Fjalët që pasojnë, janë edhe më të forta: «…duke i ndjekur fëlliqësië e paganëve… ». S’kishte si ta thoshte ndryshe se populli hebre kishte arritur kështu kulmin e mosmirënjohjes së vet ndaj Zotit, ndaj Atij Zoti i cili e kishte përzgjedhur këtë popull në mes të të gjithë popujve të tjerë. Tani Izraeli po i kthehej jetës pagane, jetës pa Zotin.

Për më tepër, po shkonte edhe më tej, sepse po dhunonte edhe Tempullin: «…duke e dhunuar Shtëpinë e Zotit, që vetë Zoti e kishte shuguruar në Jeruzalem». Tempulli, kjo garanci e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të vet, tashmë po shpërfillej e dhunohej.

«E pra, Zoti, Hyji i etërve të tyre ua dërgonte me kujdes ditë për ditë lajmëtarët e vet për t’i qortuar, sepse i dhimbsej populli i vet dhe banesa e vet.» Hyji ishte përpjekur në të gjitha mënyrat që t’i ftonte në kthim. Por ata nuk dëgjuan. Kështu që e keqja nga e cila nuk deshën të hiqnin dorë, shumë shpejt u ra kokës me ardhjen e luftërave dhe mërgimit të tmerrshëm.

Por as atëherë Hyji nuk do ta harronte dashurinë ndaj tyre: vite më vonë, Zoti frymëzoi Kirin, (mbretin e famshëm të Babilonisë, të cilin historia do ta njihte si «Kiri i Madh»), që t’i linte të lirë popujt të ktheheshin në shtëpitë e veta. Ky vendim u pa menjëherë si një mrekulli dhe si shenjë e dashurisë së Hyjit. Habia e Izraelit ishte e madhe. Aq sa, në një psalm, thuhet: «Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na dukej si të ishim në ëndërr.» (126, 1) Kthimi sërish në tokën e Izraelit, ishte shenja se Zoti e kishte falur popullin e vet dhe se po e ftonte përsëri në jetën me Të.

Cili ishte, pra, gëzimi i popullit të Izraelit? Nuk ishte historia e tij, nuk ishin bëmat e tij, por besnkëria e Hyjit në dashurinë që kishte për të. Kjo dashuri e Hyjit ndaj nesh është «krenaria e shenjtë» të cilën askush nuk duhet të na e heqë. Edhe Jezusi e thekson: «Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.»

Kjo dashuri e Hyjit do të tregohej më së miri në mundimet dhe vdekjen e Jezusit për shpëtimin tonë. Prandaj Jezusi thotë: «Sikurse Moisiu e lartëosi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të, ta ketë jetën e pasosur.»

E, në fakt, gjatë ecjes së popullit të Izraelit në shkreti, thuhet se një sulm i tmerrshëm gjarpërinjsh filloi të vriste shumë njerëz në popull. Kur Moisiu iu lut Zotit t’i shpëtonte, Zoti e porositi atë që të punonte një gjarpër prej metali e ta vinte në një dru, që kushdo ta shikonte, të shërohej. E ashtu ndodhi.

Jezusi, në këtë pjesë ungjillore, na zbulon se ai gjest i Moisiut, paska qenë një shëmbëllesë e asaj që do të realizonte Jezusi. Kushdo që do të shihte me fe Jezusin e kryqëzuar, do të shërohej nga helmi i egoizmit.

Prandaj, Nikodemit, Jezusi nuk do t’i fliste vetëm për dashurinë e Hyjit për botën, por edhe për seriozitetin me të cilin njeriut i kërkohet që t’i përgjigjet kësaj dashurie. I thotë: «Kush beson në të (në Birin), nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është i dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.» Njeriu duhet ta marrë seriozisht tërë këtë dashuri që Hyji ka treguar për botën, aq sa ka dërguar Birin e vet.

E serioziteti i përgjigjes së njeriut tregohet nga veprat që ai bën. Thotë Shën Jakobi në letrën e tij: «Feja, nëse nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete… A do ta kuptosh, more qyqar, se feja pa vepra është e pafrytshme?» Prandaj Jezusi vazhdon në bisedën e Tij me Nikodemin duke folur për rëndësinë e veprave të mira: «Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën, sepse veprat i kishin të këqija.» Jezusi shpjegon kështu arsyen përse njerëzit do ta vrisnin më vonë, duke e vënë në kryq: për shkak se do të parapëlqenin më fort errësirën e egoizmit të tyre se sa mirënjohjen dhe bujarinë ndaj Hyjit. «Kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos zbulohen veprat e tija, kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë, që të dalë ballafaqe se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.»

Jezusi bën këtu edhe një lidhje shumë të fortë mes Dritës, së Vërtetës dhe Personit të Tij. Është misteri i mrekullueshëm i Birit të Hyjit, «Dritë prej Drite» (siç themi në «Besoj») dhe «e Vërteta» e bërë njeri (siç e thotë vetë Jezusi në Ungjill). Prandaj, kushdo zgjedh veprat e mira, ai zgjedh Jezusin, Drita në të cilën njeriu mund të shohë për të bërë të mirën si duhet në botë. E kushdo zgjedh të vertëtën, ai zgjedh Jezusin, «e Vërteta» që ka ardhur në mes nesh.

Prandaj, në këtë ecje krezhmore, jemi të thirrur të bëjmë zgjedhjen tonë të vazhdueshme të kalimit nga errësira e egoizmit në Dritën e dashurisë së Jezusit, nga jeta me mashtrime e gënjeshtra që na dikton urretja, tek «e Vërteta» që është Jezusi.

Ky kalim nuk është i lehtë, por është i mundur, sepse Hyji nuk na kërkon gjëra që ne nuk mund t’i realizojmë.

Pastaj, përveçse është kalim i mundur, duhet ta dijmë se është edhe i domosdoshëm. Është shumë urgjente të dalim nga jeta mëkatare, përndryshe do të përfundojmë edhe ne në atë gjendjen në të cilën ra Izraeli, siç pamë në leximin e parë. Është e vërtetë se Hyji na fal në mëshirën e tij, por pasojat e mëkatit, gjithsesi ,do të ndihen gjatë në ne.

Plot mençuri, aktori i njohur italian Roberto Benigni, në një ligjëratë të veten, thoshte: «Të fillojmë një ecje të re na frikëson, por pas çdo hapi që ne bëjmë, e kuptojmë se sa e rrezikshme ishte të mos kishim lëvizur fare.»

Ecja krezhmore kërkon kalimin e hareshëm nga jeta e mëkatit tek jeta e së vërtetës me Zotin.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *