UNË JAM UDHA, E VËRTETA DHE JETA.

Categories HomeliPosted on

E DIELA V E PASHKËS – VITI A

Vap 6, 1-7; Ps 33 (32); 1 Pjt 2, 4-9; Gjn 14, 1-12

Pjesët më të rëndësishme të Veprave të Apostujve, të cilat i dëgjojmë pak nga pak në të dielat e kësaj kohe Pashke, kanë për qëllim të na bëjnë të njohim zhvillimin e ngjarjeve të Kishës së parë. Sot aty na flitet për një detaj mjaft të rëndësishëm siç ishte zgjedhja e shtatë diakonëve të parë, të cilët do t’i ndihmonin apostujt në mbarështimin e Hireve të Zotit, duke qenë se, dita-ditës, po shtohej numri i të krishterëve. Është bukur të shohim se si Kisha e Hyjit po zgjerohej përditë, edhe pse përreth saj mbretëronte kërcënimi e përndjekja.

Por vëmendja jonë sot natyrshëm tërhiqet me vrull nga Ungjilli, sepse aty Jezusi bën disa pohime me shumë rëndësi për veten e vet. Së pari thotë «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.» e pastaj thotë edhe «Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin». Njëri pohim më madhështor se tjetri.

Megjithatë, para se të hyjmë në thellësinë e secilit prej tyre, është me rëndësi të shohim se këto pohime nuk ishin të parapërgatitura nga Jezusi për t’ua lënë si testament nxënësve, por u provokuan nga biseda e bërë me apostujt e vet atë natë para se të vdiste. Ajo që, përkundrazi, Jezusi duket sikur e ka përgatitur me kohë ta thotë dhe që duket sikur e ka me merak, është që t’i bëjë gati apostujt për shkandullin e kryqit që pas pak do të vinte. Na ngjallë shumë dashuri ajo që Jezusi u thotë nxënësve në lidhje me këtë: «Mos t’ju shqetësohet zemra!». Duket si puna e këshillave që një nënë u jep fëmijëve të vet, para se të nisen për udhë. E, në fakt, pak më sipër në Ungjillin e Gjonit, Jezusi i quan apostujt pikërisht «Fëmijëzit e mi» (13, 33). Tani vërtet që për Jezusin po fillon udha e kryqit, por kjo udhë po fillon njëkohësisht edhe për nxënësit e Tij. Prandaj, plot me ndjenja prindërore, Ai është në merak për qëndresën e tyre.

E Jezusi vazhdon: «Besoni në Hyjin edhe në mua besoni!», duke i ftuar që të kenë besim. Sa të vështira për t’u besuar do t’u jenë dukur apostujve këto fjalë të Jezusit kur do ta kenë parë Atë të gozhduar në kryq! Pastaj u thotë se largimi i Tij nga kjo botë është vetëm i përkohshëm. Por është një largim i domosdoshëm, sepse i duhet të shkojë të përgatisë vendin për ta: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thosha: “Po shkoj t’ju bëj gati vendin”? Kur t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë që, aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ku unë shkoj, ju e dini rrugën». Fjalë vërtetë të bukura e të thjeshta për të argumentuar ekzistencën e Parajsës.

Por fjalët «Ku unë shkoj, ju e dini rrugë.!» nuk ishin edhe aq të qarta për nxënësit e Tij. E prandaj Toma e pyet: «Zotëri, ne s’dimë ku po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?». E këtu Jezusi bën atë pohimin e Tij kaq të bukur e madhështor, pohim i cili ka nxitur komente të shumta në përpjekje për ta shpjeguar e kuptuar atë si duhet. Thotë: «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.». E ka zakon ky Shën Toma të nxisë fjalë e gjeste madhështore nga Jezusi, siç bëri pas Ngjadhjes ku Jezusi i tha: «Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!»

Përballë fjalëve të Jezusit që thotë «Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta», përpjekja e parë që mund të bëjmë është të kuptojmë se ku Jezusi kishte ndër mend ta vinte theksin më së shumti. Me të drejtë dikush bën këto arsyetime: Jezusi a është Udha, ngaqë është e Vërteta dhe Jeta; a është e Vërteta, ngaqë është Udha dhe Jeta; apo është Jeta, ngaqë është Udha dhe e Vërteta? Ndoshta, më e rëndësishme se të përpiqemi të gjejmë se çfarë kishte ndërmend Jezusi, është që t’i meditojmë thellë fjalët e Tij në vetvete, sepse Ai është «Udha, e Vërteta dhe Jeta» jonë. Megjithatë, duket sikur përgjigjen e pyetjeve të mësipërme e gjejmë në vetë kontekstin e bisedës. Jezusi pak më sipër kishte thënë: «Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.». Këto fjalë e kishin nxitur Tomën të pyeste: «Si mund ta dimë udhën?». Kjo na bën të guxojmë të themi se, në pohimin e vet, Jezusi e ka vënë theksin pikërisht tek Udha. Ai është e vetmja Udhë që na çon tek Ati. E, në fakt, fill pas këtij pohimi Jezusi thotë: «Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua». Vetëm Jezusi, pra, është Udha që, në Shpirtin Shenjt, na çon në njohjen dhe në bashkimin me Atin e vet. Dhe është një Udhë e tillë ngaqë vetëm Ai është e Vërteta dhe Jeta. E, përgjatë historisë njerëzore, të gjithë ata që kanë ndjekur vërtetën dhe e kanë dashur realisht jetën, edhe kur nuk e dinin, ishin duke ndjekur Jezusin, i cili është e Vërteta dhe Jeta.

Por pjesa ungjillore nuk mbaron me kaq. Përballë këtyre fjalëve kaq të bukura dhe madhështore të Jezusit, Filipit i duket e natyrshme t’i bëjë Jezusit një kërkesë: «Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton.». Por për Jezusin kjo kërkesë nuk është edhe aq e natyrshme. E natyrshme, përkundrazi, Jezusit i duket diçka tjetër: «O Filip, kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua pra: “Na e dëfto Atin!”? Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua?». Duke qëndruar pranë Jezusit, njeriu kupton fytyrën e vërtetë të Hyjit Atë, i cili është dashuri, mëshirë dhe përvujtëri pa fund. «Ai është Shëmbëllesa e Hyjit të papashëm» (Kol 1, 15), thotë Shën Pali në letrat e tij për Jezusin.

Ndoshta pas pyetjes së Filipit fshihet një ide shumë e gabuar mbi Hyjin, ide të cilën mund ta kemi edhe shumë prej nesh. Shpesh kemi idenë se Hyji është dikush që bën spektakël, por nuk është ashtu. Hyji shpesh rri shumë i fshehur, shumë në prapaskenë të kësaj bote, të cilën Ai vetë e ka krijuar. Aq fort rri në prapaskenë, saqë pranon edhe mundësinë që dikush ta mohojë. Atëherë dikush mund të pyesë se pse, pra, Hyji ndërhyn në disa raste me anë të mrekullive, duke ndyshuar ligjet e natyrës? A mos e bën këtë nga dëshira për t’u dukur herë pas here? Apo ndërhyn për të ndëshkuar të keqen e për të shpërblyer të mirën? As për njërën e as për tjetrën arsye, por ndërhyn sepse është dashuri. Është i Gjithëpushtetshëm, por në dashuri. «Besoj në Hyjin, Atin e Gjithëpushtetshëm» themi kur shpallim Besojmën. Është i Gjithëpushtetshëm, por si Atë. E kjo veti (të Gjithëpushtetshëm, por në dashuri) vlen për të Tre Personat Hyjnorë. E nuk mund të bëjnë ndryshe, sepse janë bashkim Dashurie.

Jezusi, nuk bën asgjë jashtë po kësaj logjike të dashurisë ndërtrinitare. Kurrë. Në çdo fjalë të veten, në çdo gjest, në çdo ndërhyrje, të thjeshtë apo të bujshme, Ai kurrë nuk është shkëputur nga logjika e dashurisë. Në asnjërin prej këtyre rasteve Ai nuk ka reshtur së zbuluari fytyrën e vërtetë të Atit të vet, në Shpirtin Shenjt. Edhe gjesti më spontan që Jezusi mund të ketë bërë këtu mbi tokë gjatë jetës së Tij të përditshme, ka qenë gjithnjë i motivuar nga kjo shtysë dashurie ndërtrinitare.

Si pra, mundet Filipi të bëjë një kërkesë të tillë? Ai ende nuk e paska vënë re se Jezusi s’bën kurrë gjë tjetër përveçse të zbulojë fytyrën e Atit. Kaq shumë kohë kanë kaluar bashkë e nuk e paska kuptuar ende? Apo ndoshta Filipi ka gabim idenë e Atit?

Po pse të çuditemi kaq shumë me Filipin e shkretë? U bënë dymijë vjet krishterim në shumë vende të botës e, në shumicën prej tyre, ende nuk janë zhdukur idetë pagane mbi Hyjin. Edhe këtyre popuj Jezusi do t’u thoshte i habitur: «Kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohët ende?». Këtu mbase godet si një grusht në stomak dhe na fton për kthim të vazhdueshëm kjo thënie e bukur e Shenjtes Terezë të Lizjesë: «Zemra e Jezusit trishtohet më fort për shkak të njëmijë papërsosmërive të vogla të miqve të Tij, se sa për shkak të gabimeve, edhe të rënda, të armiqve të Tij.»

«Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» vazhdon Jezusi, duke na bërë të kuptojmë se, nëse dëshirojmë të njohim Hyjin, na duhet patjetër të njohim Jezusin. Një pohim i tillë është një ftesë urgjente që të interesohemi edhe më shumë për njohjen e Jezusit. Prandaj duhet të mos e lëmë pas dore leximin e Shkrimit Shenjt. «Të mos njohësh Shkrimin Shenjt, do të thotë të mos njohësh Krishtin.», thoshte Shën Jeronimi në shekulllin V. Aty, në faqet e Shkrimit Shenjt, e veçanërisht në Ungjill, ne do ta njohim më nga afër se kush është Jezusi. Kështu, do të reshtim së thëni marrëzira pagane mbi Hyjin. E, në fakt, nuk mund t’u vëmë emër tjetër përveç se marrëzira pagane disa ideve që flasin për Hyjin si për dikë që ndëshkon, si Ai të cilit i soset durimi apo si dikush që rri atje lart dhe sheh me mospërfillje spektaklet e botës sonë e shumë ide të tjera të ngjashme me këto. Si pasojë, do të reshtnim së thëni edhe marrëzira pagane mbi njeriun. Nuk është gabim të thuhet: «Më trego se ç’ide ke për Hyjin e unë do të të them se ç’ide ke për njeriun.». Prandaj francezi i njohur Blejz Paskal thoshte: «Jo vetëm që nuk e njohim Hyjin përveç se nëpërmjet Jezu Krishtit, por nuk mund ta njohim as veten përveç se nëpërmjet Jezu Krishtit.».

Edhe Shën Pjetri, në leximin e dytë, na nxit që ta njohim Jezusin e t’i afrohemi Atij: «Fort të dashur, afrohuni Krishtit, Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtarí e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin!».

Fjalë të bukura, që do të meritonin një homeli më vete.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *