JOZEFI, BËRI SIKURSE I URDHËROI ENGJËLLI I ZOTIT.

Categories HomeliPosted on

SHËN JOZEFI – FATI I ZOJËS – 19 Mars

2 Sam 7, 4-5. 12-14. 16; Ps 89 (88); Rom 4, 13. 16-18. 22;

Mt 1, 16. 18-21. 24

Emri Jozef vjen nga hebraishtja dhe do të thotë «Hyji shtoftë», në kuptimin që «shtoftë në familje». Sikurse ardhja në botë e çdo fëmije e lumturon çiftin dhe krejt familjen ku ai lind, ashtu duhet t’i ketë lumturuar edhe prindërit e Shën Jozefit lindja e tij. Ata e pranuan këtë fëmijë që Hyji ia «shtoi» familjes së tyre dhe, gjithë këtë gëzim, deshën ta simbolizonin me një emër sa më të përafërt me lumturinë që ndjenin. Por, me sa duket, këtë lumturi të tyren, Provania Hyjnore ka dashur ta përdorte për të treguar edhe se, në kohën e caktuar, do të ishte vetë Hyji Ai që do ta «shtonte» si pjesë të familjes së Tij këtë njeri të përvujtë. Duke e bërë Shën Jozefin kujdestarin e Jezusit, Hyji Atë i besoi Atij çka kishte më fort për zemër, Birin e Tij. E, edhe vetë Biri i Hyjit, aq shumë e përfshiu këtë njeri në familje, saqë pranoi që, nga njerëzit e kohës, të njihej si «Jezusi, biri i Jozefit» dhe të mësonte prej tij mjeshtrinë e përvujtë të zdrukthëtarit për të jetuar.

E kremtja e sotme i ka rrënjët e saj të para që në shekullin IV në Kishën e Lindjes, ndërsa në atë të Perëndimit do të përhapej sidomos duke filluar që nga shekulli X, për t’u përhapur pastaj fuqishëm sidomos në shekullit XIX, kur Papa Piu IX e shpalli atë Pajtor të mbarë Kishës Katolike. Papa Françesku pastaj, në vitin 2013, kur sapo ishte zgjedhur Papë, ka dashur që emri i tij të shtohej në prefacin e Meshës së Shenjtë. Shumë Kisha e oratore i janë kushtuar këtij Shenjti të përvujtë. Shtoi kësaj edhe përhapjen tejet të madhe ndër të krishterë të emrit Jozef, apo emrave që rrjedhin prej tij. Edhe vetë data e të kremtes së Shën Jozefit, mbahet edhe si festa e babait.  Pra, këtë njeri të cilin Hyji ka dashur «ta shtojë» e ta ketë pjesë të familjes së vet, ashtu edhe familja njerëzore ka mësuar «ta shtojë» gjith­një e më shumë si anëtar të vetin.

E, po ta mendosh, është interesante se si Kisha ka shkuar duke i bërë gjithnjë e më shumë vend në mesin e vet këtij Shenjti që duket shumë i heshtur në Bibël. Në fakt, Bibla na flet disa herë për Shën Jozefin, por nuk na sjell asnjë fjalë të tijën. Edhe Ungjilli i sotëm flet shumë për Jozefin dhe tregon se si Hyji i erdhi në ndihmë kur ky ishte i munduar nga mëdyshja se çfarë të bënte përballë shtatzanisë së papritur të Marisë, së fejuarës së tij. Por, kur engjëlli i Hyjit në ëndërr i thotë se Fëmija që Maria po priste, ishte Biri i Hyjit, Jozefi nuk foli asnjë fjalë, por vetëm veproi: «Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet». E po ashtu bëri edhe atëherë kur, për ta shpëtuar Jezusin Foshnje nga Herodi që e kërkonte për ta vrarë, u shpërngul jo pa mundime në Egjiptin e largët, si edhe të gjitha herët që iu desh të ndryshonte banesë. Të gjitha i përballoi në heshtje të admirueshme. «Ta lejojmë veten që të joshemi nga heshtja e Jozefit! Kemi shumë nevojë, në një botë shpesh shumë të zhurmshme, që nuk mundëson mbledhjen në vetvete dhe dëgjimin e zërit të Zotit.», shkruante Papa Benedikti XVI. Mund të themi se Shpirti Shenjt i ka frymëzuar Ungjilltarët që të mos përmendin asnjë fjalë të këtij njeriu të përvujtë e të drejtë, pikërisht për të na ndihmuar të gjithëve ne që të kuptojmë se, përballë Fjalës së Hyjit, nuk kemi nevojë të flasim shumë, por të dëgjojmë e të veprojmë shumë. Pikërisht ashtu siç bëri edhe Abrahami, «ati ynë në fe». Edhe për Abrahamin, Bibla na tregon këtë karakteristikë të veçantë: kur Hyji i kërkonte ndonjë mision të caktuar, ai thjesht vepronte, pa thënë asnjë fjalë.

Kjo është edhe arsyeja për të cilën sot Kisha na sjell disa rreshta që flasin pikërisht për Abrahamin dhe sesi, me anë të fesë, edhe ne bëhemi trashëgimtarë për premtimet që Hyji i bëri Abrahamit: «Vë­llezër, premtimi se Abrahami dhe pasardhësit e tij do ta trashëgojnë botën, nuk iu bë me anë të ndonjë Ligji, por me anë të fesë. Prandaj trashëgimtarë bëhemi me anë të fees.». E tek askush më mirë se tek Shën Jozefi, nuk i shohim të plotësuara këto fjalë të Shën Palit, sepse ai u bë «trashëgimtar» i pasurive të paçmueshme vetëm falë fesë së tij. Por, me anë të fesë, edhe ne bashkohemi me Jezusin në jetën tonë të përditshme, duke u bërë edhe ne «trashëgimtarë» të pasurive të paçmueshme.

Hyji i kishte premtuar Izraelit edhe se Mesia do të vinte nga fisi i Davidit, siç dëgjuam në leximin e parë. Zoti i thotë Natanit profet që t’i përcjellte Davidit këto fjalë «Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do ta ngreh një pinjoll tënd pas teje… Unë do t’i jem babë e ai do të jetë bir… Unë do ta bëj të amshueshëm fronin e tij mbretëror.». Jozefi vinte pikërisht nga fisi i Davidit, por Jezusi do të ngjizej në kraharorin e Zojës së Bekuar për virtyt të Shpirtit Shenjt dhe nuk do të jetë fëmija biologjik i Jozefit. Prandaj, hallka lidhëse në mes të premtimit të Hyjit të bërë Davidit dhe faktit se Jezusi edhe biologjikisht do të vinte në botë në mënyrë të mbinatyrshme, është pikërisht feja e Jozefit. Një fe e dëgjueshme, pa fjalë, pa komente e kundërshtime, pikërisht si feja e Abrahamit. Prandaj mund të thuhet se Jozefi është Patriarku i fundit, ai që më së miri i përngjan Patriarkut të parë, Abrahamit. E premtimi që Hyji i kishte bërë Abrahamit se do të ishte «ati i shumë popujve», nuk u përmbush falë mishit të Abrahamit, i cili tashmë ishte tepër i shtyrë në moshë për të pasur fëmijë, por falë pushtetit të Hyjit që ia dhuroi atë fëmijë duke befasuar të gjithë. Kështu edhe Jozefi, e shumë më shumë ai, u bë Atë jo falë mishit, por falë pushtetit të Hyjit, i cili i dhuroi Hirin të quhej Atë i Birit të Tij. Feja që karakterizonte Abrahamin, gjeti plotësinë e saj më të bukur në jetën e Shën Jozefit.

Por, si feja e Abrahamit ashtu edhe feja e Shën Jozefit, bëhen modeli i fesë edhe për të gjithë prindërit e botës, të cilët këtu mësojnë që t’i presin e t’i shohin fëmijët e tyre si dhuratë të Hyjit, si pasuri të paçmueshme që u është besuar. Shën Jozefi, pastaj, mëson edhe se nuk mjafton ta sjellësh në botë biologjikisht një fëmijë, por sidomos duhet edhe që ta ruash e të kujdesesh për të në vend të Hyjit, plot dashuri e mahnitje, si përballë një misteri që të kapërcen. Festa e babait që festohet sot, mëson secilin baba e secilën nënë se cila është thirrja e vërtetë e çdo prindi.

Shën Jozefi është edhe ndër të paktit shenjtër të cilëve Zoti ka zgjedhur që t’u flasë në ëndërr. Zoti mund të bëjë gjithçka dhe, edhe ëndrrën, duke qenë edhe ajo një krijesë e Tij, Ai mund ta përdorë për të komunikuar me ne njerëzit. Megjithatë, na duhet të kemi shumë kujdes në këtë pikë, sespe ka shumë njerëz që futen në ankth e në alarm shpirtëror e psikologjik kur u ndodh të shohin ndonjë ëndërr që u duket si paralajmëruese, apo kur ndonjë njeri i vdekur duket se u kërkon ndonjë gjë. Unë personalisht gjithnjë kam zgjedhur që të mos u besoj ëndrrave, sepse jam i bindur se rasti i Jozefit dhe i shenjtërve si ai, nuk është kaq i thjeshtë për t’u shpjeguar. Me sigurinë më të madhe mund të themi se Jozefit nuk duhet t’i ketë majftuar një ëndërr për ta bërë atë që, pa komente, të jetë i dëgjueshëm ndaj Hyjit, por duhet të ketë qenë i dëgjueshëm edhe në zhgjëndërr. Ligjet e Moisiut, lutjet e bashkësisë, përshpirtëritë e ndryshme në ato zona, kemi shumë arsye të mendojmë se ai duhet t’i ketë shoqëruar me fe dhe dëgjesë të vazhdueshme, edhe pse në mes të tundimeve që edhe ai duhet t’i ketë pasur si të gjithë njerëzit.

Pastaj, në lidhjen me shtatzaninë e papritur të Marisë, Jozefit nuk duhet t’i ketë majftuar vetëm fjala e engjëllit. Mund të mendojmë pa frikë se fjalët e engjëllit kanë qenë vetëm si konfirmimi i bindjeve të tij në lidhje me Marinë. Ne besojmë se Maria është zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Ky hir kaq i veçantë, Marinë e ka bërë edhe shumë më të thjeshtë dhe më të përshkueshme nga Hiri Hyjnor e këto veti Jozefit nuk duhet t’i kenë shpëtuar pa i vënë re. Gjëja që e mundonte atë, ishte të kuptonte se si kishte mundësi që, përballë gjithë asaj pastërtie të shpirtit të saj, të ndodhte kjo shtatëzani e papritur. E në këtë pikë engjëlli i Zotit i erdhi në ndihmë. Por Jozefin shumë më shumë duhet ta ketë ndihmuar zhgjëndrra sesa ëndrra. Kështu shpjegohet edhe ai vendimi i rrallë që morën më vonë Jozefi e Maria që ta jetonin martesën e tyre në një frymë virgjërie dhe kushtimi të plotë ndaj Hyjit, siç e dëshmon Ungjilli dhe tradita e Kishës. Ky përkim edhe në zgjëndërr i shpirtrave të tyre, i ndihmonte më shumë se çdo gjë që ta shqyrtonin se cila ishte vullnesa e Hyjit në jetën e tyre.

Jam edhe më fort i bindur për të gjitha këto edhe nga fakti se, si meshtar, më ka qëlluar të shoh jo rrallë që, të shtyrë nga ndonjë ëndërr, disa njerëz kishin bindje krejtësisht të dënueshme nga Kisha. Prandaj të mos shqetësohemi aspak përballë ëndrrave të çuditshme, por le t’ia lëmë Zotit kujdesin që të jetë më i qartë me ne, nëse në ndonjë ëndërr Ai ka dashur të na kërkonte ndonjë gjë. E, për të vdekurit, ne e kemi për të detyrë që të lutemi gjithnjë, jo vetëm kur na i kujton ëndrra.

Shën Jozefi, pastaj, njihet nga Kisha edhe si Pajtori i vdekjes së mirë. Është interesant një devocion i tillë në Kishë, sepse mund t’i ketë rrënjët te tradita që beson se Jozefi duhet të ketë vdekur në kohën e adoleshencës së Jezusit, ose të paktën në rininë e Tij të hershme. Në fakt, Jozefi nuk përmendet më në Ungjilli qysh pas episodit të gjetjes së Jezusit dymbëdhjetëvjeçar në Tempull. Jozefi, pra, mund ta ketë përjetuar kalimin e Tij në amshim duke pasur tek koka Jezusin, Birin e Hyjit, i cili plot dashuri duhet ta ketë ndihmuar në ato çaste dramatike. Prandaj Kisha ka mësuar që ta thërrasë në ndihmë këtë Shenjt të dashur në çastet e agonisë së njerëzve, në mënyrë që Ai të ndërmjetësojë pranë Jezusit që edhe atyre Ai t’u dhurojë ngushëllimet që ia dhuroi plot dashuri Jozefit.

Më ndërmjetësinë e fuqishme të Shën Jozefit, atij që plot dashuri e ëmbëlsi iu kushtua këtu në tokë rritjes dhe ruajtjes së Trupit të Bekuar të Zotit tonë Jezu Krishtit, bëftë Zoti që edhe Kisha shtegtare në tokë, pjesë e Trupit Mistik të Krishtit, të rritet e të forcohet në një fe të përvujtë e të dëgjueshme si ajo e Shën Jozefit, i cili, përballë Zotit, më shumë dëgjonte e vepronte se sa fliste!

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *