KUR TË JEM LARTËSUAR NGA TOKA, DO T’I TËRHEQ TEK UNË TË GJITHË NJERËZIT.

Categories HomeliPosted on

E DIELA V E KREZHMEVE – Viti B

Jer 31, 31-34; Ps 51 (50); Heb 5, 7-9; Gjn 12, 20-33.

Kur ishte mbi turrën e druve dhe i kërkuan të thoshte fjalët e fundit, martirja e dashur franceze e shekullit XV, Shenjtja Zhanë d’Ark, tha: «Dua që të ma mbani një kryq lart, kështu që të mund ta shoh përmes flakëve.» E, britma e fundit plot dhimbje që i doli nga thellësia e shpirtit, ishte pikërisht emri «Jezus», aq sa thuhet se preku thellë e zhgrehu në lotë të gjithë të pranishmit, përfshi këtu edhe ushtarët që kishin përgatitur turrën e druve.

Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë: «Kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.» E ungjilltari menjëherë shpjegon: «Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste.» Jezusi, pra, pohon se pikërisht kur të kryqëzohet, do t’i tërhiqte zemrat e njerëzve kah vetja. Zemrën e martires që përmendëm, e kishte tërhequr aq fort, saqë, pikërisht Krishti i kryqëzuar, ishte e vetmja forcë që e ndihmoi të përballonte flakët e tmerrshme që ia dogjën padrejtësisht trupin e saj vetëm 19-vjeçar.

«Kryqi është një marrëzi, prej kësaj vjen lavdia e tij» – shkruante një tjetër francez i shekullit XIX, shkrimtari i njohur Viktor Hygo. E, në fakt, është “marrëzia” e dashurisë së pakufi. Prandaj edhe murgu i njohur italian i ditëve tona, Enzo Bianchi, shpjegon: «Nuk është kryqi ai që i ka dhënë lavdi Jezusit, por është Jezusi ai që e ka bërë kryqin të lavdishëm, duke e shndërruar atë nga vend poshtërimi në një vend dashurie.»

Pikërisht, për të dëshmuar dashurinë, Jezusi erdhi në botë. Prandaj, kur apostujt afrohen e i thonë se disa grekë duan ta takojnë, Ai thotë: «Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut.» Përgjigjja duket si pa lidhje me fjalët e apostujve, por Jezusi dallon në këtë gjest të këtyre grekë, një shenjë se po i afrohej çasti i mundimeve.

Grekët mbase ishin disa proselitë që banonin në tokat afër Izraelit ose mund të ishin disa shtegtarë të largët që kishin ardhur enkas «në Festë për të adhuruar». Mbase kishin dëgjuar për famën e Jezusit dhe donin ta shihnin.

Grekët përfaqësonin botën jo hebreje, pra botën pagane. Në letrat e Shën Palit dallohet qartë se dy janë kategoritë të cilave predikimi i tij u drejtohej: hebrenjve, pra atyre që kishin gjak izraelit, dhe grekëve, që nënkuptonte gjithë pjesën tjetër të botës. Jezusi e kupton se i erdhi çasti për të pësuar për shëlbimin e mbarë botës, prandaj thotë: «Arriti ora».

E menjëherë Jezusi fillon të shpjegojë efektet e vdekjes së tij: «Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jet e vetme; por nëse vdes, jep shumë fryt.» E, ata që i shkojnë pas, i fton që të bëjnë si Ai: «Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje!»

Me kryqin e Tij, Jezusi na ka sjellë faljen e mëkateve dhe jetën e re me Hyjin. Ka realizuar atë që Hyji vetë e paralajmëronte përmes Jeremisë profet, siç dëgjuam në leximin e parë: «Ja, po vijnë ditët – është fjala e Zotit – kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të rë… Unë do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.»

Por, kjo vepër shëlbuese, kjo «Besëlidhje e re dhe e amshuar», nuk do të arrihej pa mundimet dhe vdekjen e dhimbshme. Prandaj, duke e paraparë këtë, Jezusi thotë: «Tani shpirtin e kam të tronditur e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë!» Edhe në kopshtin e ullinjve, natën kur do ta arrestonin, Jezusi do të thoshte: «O Atë, nëse do, largoje këtë gotë prej meje!»

Edhe pjesa Letrës së drejtuar Hebrenjve që dëgjuam sot e dëshmon zorin e Jezusit përballë vdekjes: «Krishti, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja.»

Nuk duhet të na habisë ky reagim i Jezusit përballë vuajtjes. Vuajtja dhe vdekja e njeriut nuk ishin pjesë e planit të krijimit në fillimin e botës, por Hyji i lejoi ato pas mëkatit, për shëlbimin tonë. Si njeri, Jezusi nuk mund të mos ndiente kundërshtim përballë vdekjes.

Një ankth vërtetë i madh, pra, ia kishte kapluar shpirtin Jezusit. Por Ai, gjithsesi, nuk është ndalur në këtë kërkesë të bërë Atit të vet për t’ia larguar vdekjen. Menjëherë ka shtuar: «Veçse, le të bëhet jo vullnesa ime, por vullnesa jote!» Të njëjtën gjë, edhe pse me fjalë të tjera, thotë edhe në Ungjillin e sotëm: «Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! Atë, jepi lavdi emrit tënd!»

Jezusi, gjithësesi, nuk është tërhequr prapa përballë vuajtjes e kryqit, pikërisht nga dashuria e madhe për Atin e vet dhe për njeriun. Letra e drejtuar Hebrenjve thotë: «… dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet», duke shpjeguar se Ati nuk ia largoi vdekjen, por, falë «nështrimit» plot dashuri ndaj Atit, Jezusi gjeti forcën që ta realizonte atë plan të vështirë shëlbimi. Kështu Jezusi na ka zbuluar se cila është fytyra e vërtetë e Hyjit Trini.

Njeriu do ta kishte keqkuptuar Jezusin, sikur ky të mos ishte përvujtëruar aq shumë deri në kryq.Thoshte shkrimtari italo-argjentinas i shekullit të kaluar, Antoni Porchia: «Njeriu do të kishte dëshirë të ishte Hyj, nëse nuk do të ishte kryqi». Kështu e kuptojmë mirë se kë zgjedhim, kur zgjedhim Jezusin.

T’i kthehemi Ungjillit. Ati i përgjigjet me zë të dëgjueshëm kërkesës së Birit të vet dhe, ky zë, dëgjohet edhe nga të pranishmit: «E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj.» Ati gjithnjë e ka dëshmuar misterin e dashurisë së Tij dhe përsëri do ta dëshmojë në të ardhmen, me vdekjen dhe ngjalljen e Birit të vet. Prandaj, të pranishëmve që menduan se «bubulloi» apo «Engjëlli foli me të.», Jezusi u shpjegon: «Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju», duke u përpjekur t’i bëjë të kuptojnë se Ati po i fton të kenë besim në Birin, edhe tani që po afrohet «ora» e mundimeve të Tij.

Kjo «orë» mundimesh, do të sillte edhe mposhtjen e djallit, i cili gjithnjë përpiqej t’ua shtrembëronte njerëzve imazhin mbi Zotin, duke i mashtruar në forma të ndryshme që të mos besonin në dashurinë e Tij dhe në dashurinë që Ai mësonte: «Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë.» – thotë Jezusi.

Pas gjithë këtyre fjalësh e ngjarjesh, atëherë Jezusi thotë ato fjalët që i cituam edhe në fillim: «E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.»

Jezusi, pikërisht i kryqëzuar, ka tërhequr tek vetja turmat e atyre që ishin të etur për të vërtetën, për dashurinë e për paqen. Ka tërhequr kah vetja edhe më fort ata që kërkonin haptas Hyjin. Kështu, kanë arritur t’u bënin ballë vështirësive të papërshkrueshme.

Në jetën e shqiptarit të Lum, Dom Marin Shkurtit, i cili u pushkatua nga komunistët gjatë periudhës diktatoriale, thuhet se e ndieu thirrjen për meshtari pikërisht kur tashmë në Shqipëri ishin pushkatuar ipeshkvinj e meshtarë të shumtë e shumë të tjerë po dergjeshin nëpër burgje.

Ende praktikimi i fesë nuk ishte ndaluar me ligj e prandaj komunistët u përpoqën ta bindnin me të mirë që të hiqte dorë nga kjo dëshirë e tij. Fillimisht me premtime të ndryshme, por pastaj, duke e parë se nuk ndryshonte mendim, gjatë një takimi në zyrat e pushtetarëve lokalë, i thanë haptas: «Atëherë, nuk do ta gëzosh meshtarinë.» Dom Marini u përgjigj menjëherë: «Edhe nëse do ta jetoja për tri ditë, më mjaftojnë, do të jetë gëzimi im më i madh.» Do ta pushkatonin dymbëdhjetë vjet pas kësaj bisede, kur tashmë kishte tetë vjet si meshtar.

Si shumë shenjtërve të tjerë, Krishti i kryqëzuar, edhe këtij djaloshi engjëllor ia kishte pushtuar zemrën dhe e kishte tërhequr tek vetja. Prandaj besojmë se këta njerëz tashmë gëzojnë lumturinë e Parrizit. Jezusi vetë e thotë në Ungjillin e sotëm: «Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.»

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *