HYJI IM, HYJI IM, PËRSE HOQE DORË PREJ MEJE?!

Categories HomeliPosted on

E DIELA E LARIT – Viti B

Is 50, 47; Ps 22 (21); Fil 2, 6-11; Mk 14, 1 – 15, 47

Me ritin  e bekimit të Larit kemi përkujtuar atë hyrje solemne që Jezusi bëri në Jerusalem pak ditë para se të përballej me mundimet dhe vdekjen në kryq. Liturgjia e Fjalës sot na vë përpara, në mënyrë të veçantë, Ungjillin e Shën Markut.

Mundimet dhe vdekja e Jezusit patjetër që janë historia që më së shumti mund ta habisë mendjen njerëzore: kjo sepse bëhet fjalë për mundimet dhe vdekjen e Birit të Hyjit të bërë njeri. Shumë me tepër se sot, kjo gjë mbase habiste aso kohe edhe rangjet intelektuale të cilat e përjashtonin mundësinë që një Perëndi të mund të vuante.

Duke treguar këtë ngjarje tejet të rëndësishme të mundimeve të Krishtit, secili prej ungjilltarëve vë në pah ndonjë aspekt të veçantë.

Ungjilli i Shën Markut që shpallet këtë vit, sikurse edhe Ungjilli i Shën Mateut, kanë diçka të veçantë në krahasim me dy ungjijtë e tjerë: të vetmet fjalë që ata vënë në gojën e Jezusit gjatë kryqëzimit të tij, është ajo gjëma e madhe që Jezusi lëshon: «Eloi, Eloi, lama sabahthani?!» «Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?!» Me këtë shprehje të vetme, ungjilltarët na vënë përpara në mënyrë shtanguese misterin e madh përballë të cilit gjendemi.

Kjo britmë e Jezusit në kryq është një shprehje që mbart në vetvete shumë mister, sepse duket sikur po bëhet fjalë për një ndarje mes Personave Hyjnorë: duket sikur Biri është braktisur nga Ati. Shumë shenjtër e teologë janë përpjekur të futen në errësirën e përjetuar nga Jezusi në ato çaste në kryq, por askush nuk ka dalë në ndonjë përfundim të saktë në shpjegimin e kësaj britme të Jezusit. Ai çast që na shëlboi, është i pakapshëm në plotësi nga ne.

Megjithatë, disa gjëra kanë arritur t’i thonë. Pikë së pari thonë se kjo britmë tregon më së miri dramën reale që po ndodhte në trupin e shpirtin e Jezusit. Përballë kësaj drame, bien poshtë të gjitha ato rryma filozofike që, duke u ndeshur me krishtërimin, patën tendencën të pohonin se vuajtja e Jezusit nuk kishte qenë reale, por vetëm se dukej si e tillë. E thoshin këtë të bazuar në parimin grek se vuajtja nuk i përkiste perëndive.

Por vuajtja e Jezusit ishte reale. E dëshmon këtë edhe urata e Jezusit në Gjetseman: «Abba! Atë, ti mundesh gjithçka. Largoje prej meje këtë gotë!» Jezusit i është dashur patjetër që ta përkulte vullnetin e tij njerëzor (si ai që përkul me duar një shufër të fortë hekuri), për të arritur tek fjalët «… por jo çka dua unë, por çka do ti!»

Ungjijtë e tjerë na vijnë në ndihmë në këtë pikë: Ungjilli i Lukës pohon se Jezusi, gjatë kësaj urate në Gjetseman, u djersit gjak. Pra, aq ankth ndjente brenda vetes, saqë i gjithë trupi i tij ishte tejet i tensionuar dhe damarët e lëkura filluan të pësonin dëmtime.

Kaq të rënda mund të kenë qenë këto dëmtime, saqë dikush mendon se uji, i cili së bashku me gjakun që doli nga kraharori i Tij i shporuar – siç e pohon Ungjilli i Gjonit –, duhet të jetë krijuar brenda kraharorit të Jezusit pikërisht për shkak të ndonjë dëmtimi të ndodhur në ato çaste ankthi të fortë në kopshtin e ullinjve.

Prandaj, britma e Jezusit nuk del nga hiçi, por nga humnera e madhe u vuajtjes në të cilën gjendet.

Pastaj disa teologë të tjerë shpjegojnë se, kjo britmë e dhimbshme e Jezusit, e cila në pamje të parë mund të na bëjë të mendojmë për ndonjë dyshim të Jezusit në dashurinë e Atit të vet, ka sidomos qëllim të na bëjë të shohim nga afër se Jezusi pikërisht kështu është duke u bërë Qengji mbi të cilin po bien pasojat e mëkatit njerëzor, pasoja të cilat, në fakt, do të ishte dashur t’i merrte mëkatari. Por tani është Ai që po i merr mbi veten e Tij. Prandaj thotë Shën Pali në letrat e tij: «Jezusin Hyji e trajtoi si mëkat», pra e trajtoi si do të meritonte të trajtohej mëkatari.

Pastaj, britma e Jezusit, në pamje të parë, të bën të mendosh se Ai këtu është pa Hyjin, por është krejtësisht e kundërta: “pa Hyjin”, po i drejtohet Hyjit.

Britma e Jezusit nuk është britma e një ateisti të shkandulluar nga vuajtja, i cili përballë misterit të vuajtjes do të bërtiste: «S’ka Perëndi», por është britma tipike e besimtarit i cili, në vogëlsinë e natyrës së vet njerëzore, i drejtohet Hyjit për t’i kërkuar dritë, sqarime, forcë. E gjithë kjo pikërisht ngaqë ai vazhdon të besojë. Është çasti i betejës me Zotin, betejë e shenjtë, për të cilën Jobi, në Besëlidhjen e Vjetër, qe përgëzuar nga vetë Hyji.

Jezusi prek fundin e humnerës në të cilën, në fakt, do të ishte dashur të gjendej mëkatari, por edhe prej atje Ai vazhdon të jetë në kontakt me Atin e vet.

Sa Krishti ndodh shpesh që një njeri të vuajë – mbase edhe më shumë –, por të vuajë si Krishti, nuk ndodh përveçse tek ai që vazhdon ta vuajë misterin lemeritës të vuajtjes në uratë të drejtuara Hyjit të vet.

Të gjithë përballemi me misterin e vuajtjes, por jo të gjithë e përjetojmë si Jezusi, duke e vazhduar uratën tonë, duke vazhduar t’i kërkojmë ndihmë Atij që të na mësojë se si ta përballojmë atë.

Jezusi ishte i vetëdijshëm se vuajtja e Tij ishte edhe misioni i Tij. Përse të mos e mendojmë edhe ne kështu?

Tregohet në historinë e një shenjti se, gjatë sëmundjes së fundit të jetës së tij, ndodhte që të humbiste shumë gjak nga plagët e veta. Pasi i dhanë vajimin, e lanë për pak kohë të vetëm në dhomë. Por kur u kthyen, për habinë e të gjithëve, gjetën të shkruar nëpër muret e dhomës fjalët: «Këtu bëhet vullneti i Zotit.». Ato fjalë ai i kishte shkruar duke lyer gishtin me gjakun e vet.

T’i kërkojmë, pra, edhe ne Jezu Krishtit që, sa më fort që të zhytemi në soditjen e misterit e mundimeve të Tij, aq më fort të mësohemi edhe ne që ta përballojmë misterin e dhimbjes ashtu siç e jetoi Ai: me shikimin e drejtuar nga Ati ynë qiellor.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *