E DIELA II E PASHKËS
Vap 4, 32-35; Ps 118 (117); 1 Gjn 5, 1-6; Gjn 20, 19-31
Kjo e diel e parë pas së dielës së Ngjalljes së Krishtit, ka hyrë tashmë në traditën e Kishës me emrin «E diela e Mëshirës Hyjinore» dhe ky emër iu diktua nga vetë Jezusi Shenjtes polake, Faustina Kovalska, në fillimet e shekullit të kaluar.
Padyshim që kjo dëshirë e Jezusit nuk është një rastësi. Jezusi e porositi Motër Faustinën që t’u thoshte njerëzve ta pikturonin një imazh të Tijin ashtu siç po e shikonte ajo. «Cili piktor mund ta pikturojë bukurinë tënde, o Zoti im?» – iu përgjigj gati spontanisht shenjtëresha e ëmbël.
Pamja që kishte ajo para syve, ishte Jezusi në këmbë, me dorën e djathtë të ngritur në formë bekimi, ndërsa me dorën e majtë tregonte kraharorin e Tij, nga i cili dilnin dy rreze ndriçuese: njëra me ngjyrë të bardhë e tjetra me ngjyrë të kuqe. Në trupin e Jezusit të Gjallë, pra, dukeshin qartë plagët e që ka marrë gjatë kryqëzimit. Poshtë imazhit Jezusi e porosit që të shkruheshin fjalët «Jezus, unë besoj në Ty.» Një imazh të tillë besoj se e njohin tashmë të gjithë, sepse devocioni ndaj Mëshirës Hyjnore po rritet çdo ditë e më shumë.
Në Ungjillin e sotëm flitet në mënyrë të përsëritur pikërisht për plagët e Jezusit të Ngjallur. Plagët, pra, janë lidhja mes liturgjisë së Fjalës së kësaj të diele dhe festës së porositur nga Jezusi.
Si ka mundësi që Jezusi, edhe pas Ngjalljes së Tij, vazhdonte t’i kishte ato plagë? Nuk mund të themi se kjo ishte e pashmangshme, sepse përndryshe Atij do t’i ishte dashur të kishte shumë më shumë plagë të tjera në trup: plagët e shumta të kamxhikëve – e që aso kohe nuk ishin thjesht disa gërvishtje apo të nxira, por çarje të forta në mish –, plagët e shkaktuara nga pesha jo e vogël e kryqit që e mbarti vetë dhe plagët e shkaktuara nga kurora e ferrave.
Përse, pra, këto plagë? Mos vallë Trupi i Jezusit nuk ishte edhe aq i Lavdishëm?!
Domethënia e këtyre plagëve tregohet nga vetë gjestet e Jezusit kur ky u shfaqet apostujve, siç e dëgjuam në Ungjill. Thotë Ungjilli se pas përshëndetjes «Paqja me ju!», Jezusi «u tregoi duart dhe kraharorin». Të njëjtin gjest e përsërit edhe me Tomën dyshues. Ky gjest tregon që tashmë plagët e Jezusit janë dëshmia se ai Jezus të cilin këta e kishin parë të mbërthyer në kryq para pak ditësh, është i njëjti me atë që ata po shohin me sytë e tyre. Jezusi dëshironte t’i bindte se Ngjallja e tij kishte ndodhur realisht.
E kjo gjë i gëzon nxënësit: i gëzon fakti se Ngjallja e Jezusit është e sigurtë. Kaq fort do t’ua pushtonte zemrën kjo e vërtetë për të cilën u bënë të sigurtë, saqë – me ndihmën e Hyjit – nuk do të kishin më frikë ta shpallnin, edhe sikur kjo t’u rrezikonte jetën.
Ata njerëz të cilët – për të mos besuar në Ngjalljen reale të Jezusit – e flenë ndërgjegjen e tyre duke thënë se trupi i Jezusit të vdekur mund të jetë vjedhur e fshehur nga vetë nxënësit e tij, të cilët pastaj kanë dalë të predikonin “përrallën” e Ngjalljes së Tij, si mund të jenë të qetë në këtë përfundim të tyrin, kur shohin se, për hir të kësaj “përralle”, apostujt kanë derdhur gjakun e tyre?
Ngjallja e Jezusit është reale. Apostujt e panë Jezusin e Ngjallur, e prekën, hëngrën me të. Kjo tashmë ishte burimi i pafund i gëzimit të tyre. Kjo ngjallje ua mbushi jetën me energji të re.
Gëzimi real i shkaktuar nga Ngjallja e Jezusit, mund të preket me dorë tek bashkësia e parë e krishterë, gjë të cilën Veprat e Apostujve sot na e përshkruajnë me fjalë vërtetë prekëse: «Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë.» Kaq i plotë ishte përkimi, saqë «askush nuk e quante të veten çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët.» Ta merr mendja se asgjë nuk e konsideronin më gjë të veten, përderisa për ta e vetmja gjë që ua kishte pushuar zemrat, ishte Jezusi i Ngjallur dhe dëshira për ta dëshmuar atë: «Apostujt, me fuqi të madhe, jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus.»
Por le të kthehemi edhe një herë tek plagët e Jezusit, të cilat ishin dhe janë garancia e Ngjalljes së të Kryqëzuarit. Papa Benedikti, me stilin e tij të mprehtë, thoshte edhe se plagët e Jezusit janë edhe «shprehja e jashtme e identitetit të Tij të brendshëm». Pra plagët e Jezusit shprehin identitetin e Personit të Jezusit, domethënë shprehin identitetin e Hyjit.
E mund ta kuptojmë lehtë se cili është ky identitet: Mëshira. Plagët e Jezusit nuk janë treguesi i asaj që ne i kemi bërë Hyjit duke e kryqëzuar atë; nuk janë dëshmi padie për krimin që njerëzimi ka bërë kundër Hyjit, por janë dëshmi e asaj që Hyji ka bërë në dobi të njerëzimit.
Pikërisht, ngaqë Jezusi është kaq i mëshirshëm, kur u shfaqet apostujve, nuk u thotë: «Po ku shkuat? A nuk ju thashë?», por u thotë: «Paqja me ju!», duke na lënë të kuptojmë se tashmë e ka falur tradhtinë e tyre.
Po ashtu sillet edhe me Tomën dyshues: është Mëshira e Tij ajo që e bën të përkulet mbi dobësinë e këtij biri të vetin për t’ia hapur sytë e fesë. Përballë një Mëshire të tillë Toma gjunjëzohet dhe shpall: «Zotëria im dhe Hyji im!». Në një shpallje kaq të bukur të fesë së vet, Tomën nuk e ka çuar hulumtimi i tij e as dëshmia e fortë dhe e hareshme e apostujve, gjëra ndaj të cilave ai qe treguar indiferent, por e çoi përkulja e mëshirshme e Jezusit mbi dobësinë e tij.
Duke shikuar kah plagët e Jezusit, pra, le të mbushemi edhe ne me shpresë brenda nesh dhe ta le shohim edhe dobësinë tonë nëpërmjet plagëve të Tij.
Gjithashtu, sa herë që plagët e Jezusit mund të na duken si diçka e rendit të dytë, të bëjmë çmosin e të kthehemi në shpirtin tonë për t’u ballafaquar me ato plagë, sepse vetëm ballafaqimi me to na tregon jo vetëm identitetin e Jezusit si Hyj të vërtetë, por edhe si njeri të vërtetë. Do të thotë se ajo që përbën edhe identitetin më të thellë të njeriut, është dashuria, dhurimi i vetvetes dhe falja.
Në leximin e dytë sot dëgjuam disa rreshta të shkëputur nga njëra prej letrave të Shën Gjonit. Ai, duke dashur t’i nxisë të krishterët të cilëvu u drejtohet që të besojnë se «Jezusi është Mesia i lindur prej Hyjit», menjëherë shpjegon se si ne mund të bashkohemi me ata që realisht besojnë në Ngjalljen e Tij: «Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit.» Kur ne besojmë vërtetë se Jezusi e ka mposhtur vjekjen dhe mëkatin, atëherë do ta kemi të lehtë ta mposhtim edhe egoizmin tonë dhe tundimet e të Keqit që na shtyjnë të urrejmë: «Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit, ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë.»
Tepër të bukur e domethënës këto rreshta: nëse Jezusi, i linduri prej Hyjit, e mundi botën dhe vdekjen, atëherë edhe ne, përmes fesë së gjallë, mund t’i zbatojmë urdhërimet e dashurisë që Zoti na mëson, sepse edhe këto urdhërime kanë lindur prej Hyjit.
Në këtë të diel të «Mëshirës Hyjnore», pra, të kërkojmë nga Jezusi që edhe ne të na bëjë të mëshirshëm me njërit-tjetrin.
Thoshte Papa Shën Gjon Pali II: «Jashtë mëshirës së Hyjit, nuk ka asnjë tjetër burim shprese për qeniet njerëzore.» E ishte pikërisht ky Papë i madh ai që e zyrtarizoi në Kishë të kremten e Mëshirës Hyjnore.
Dom Dritan Ndoci