ZOTI BASHKËPUNONTE ME TA… ME MREKULLI.

Categories HomeliPosted on

TË NGRITURIT E JEZUSIT NË QIELL – SHËLBUEMI – Viti B

Vap 1, 1-11; Ps 47 (46); Ef 4, 1-13; Mk 16, 15-20

E kremtja e sotme përmban në vetvete domethënie të shumta. Është e pamundur t’i shpjegojmë këtu të gjitha, por po ndalemi shkurtimisht vetëm të disa më kryesoret prej tyre.

Duke u ngjitur në qiell, Jezusi e përfundon kohën e qëndrimit të Tij në tokë. «Tani po vij tek ti» (Gjn 17, 13) – i thoshte Jezusi Atit në lutjen e Tij natën kur do të arrestohej. Jezusi e çon në fund veprën që Ati i kishte besuar për shëlbimin e botës: «E kreva veprën që ma dhe ta kryej».

Duke u ngjitur në qiell, Jezusi kthehet edhe një herë në lavdinë e Parrizit, në atë lavdi që, për pak kohë, e kishte “lënë”, duke mos e çmuar atë «si një thesar që s’mundet pa të dhe ia mohoi vetvetes» (Fil 2, 6-7), për të «marrë natyrën e shërbëtorit».

Ungjilli i sotëm e përshkruan me fjalë madhështore këtë të vërtetë: «Zotëria Jezus, pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit.» Edhe Shën Shtjefni, atë ditë që po i bënin gjyqin për ta vrarë, kur i ngriti sytë lart, tha: «Qe, po e shoh qiellin e hapur dhe Birin e njeriut në të djathtën e Hyjit». Diçka duhet të kenë parë të krishterët e parë, që filluan ta shprehnin lavdinë që gëzonte tashmë Jezusi i Ngjallur pikërisht me fjalët: «Ai që rri në të djathtën e Hyjit».

Duke u ngjitur në qiell, pra, Jezusi dëshmon pushtetin e Tij si Hyj i vërtetë, që ka mposhtur botën, mëkatin, vdekjen dhe djallin. Prefacioni i sotëm e shpreh shumë bukur këtë të vërtetë: «Sot Jezusi Zot, Mbreti i lavdisë, ngallënjyesi mbi mëkatin dhe mbi vdekjen, u ngjit në lartësitë qiellore përballë engjëjve të mahnitur.»

«Përballë engjëjve të mahnitur» sepse tashmë Biri i amshuar nuk po kthehej në gjirin e lavdisë Trinitare ashtu siç ishte më parë. Tani Biri kishte me vete edhe natyrën e njeriut. Diçka kishte ndryshuar në Hyjin.

Kjo na bën të kuptojmë se e kremtja e sotme nuk duhet të shihet vetëm si ditë triumfi e Krishtit e asgjë më shumë. Do të ishte tepër larg stilit të gjithmonshëm të Jezusit sikur ta shihnim Ngjitjen e Tij në qiell vetëm kështu e të mos kuptonim asnjë lidhje me dashurinë që Ai ka predikuar e dëshmuar gjithnjë gjatë qëndrimit të Tij në tokë.

Biri tashmë ka marrë me vete, në mënyrë të pandashme, edhe natyrën e njeriut. Kaq vlerë i ka dhënë Hyji krijesës së vet, saqë ka dashur ta marrë pandashmërisht në vetvete! Kështu, e mbushur me kaq shumë vlerë në sytë e Hyjit, natyrën njerëzore ftohemi ta nderojmë e ta respektojmë edhe vetë ne njerëzit, që nga ngjizja e saj e deri në fundin e saj të natyrshëm.

Pastaj, duke u ngjitur në qiell, Jezusi na mbush edhe të gjithëve ne me shpresë, sepse na tregon fundin e lum për të cilin e ka krijuar natyrën njerëzore. Prefacioni të cilin e cituam, vazhdon duke iu drejtuar Atit të amshuar: «Jezusi hyri para nesh në lavdinë tënde, jo për t’u larguar nga gjendja jonë e përulur, por që të kemi shpresë se edhe ne, gjymtyrët e tij, do ta ndjekim atje ku është Ai, Kryet dhe Prijësi ynë.»

Gjatë qëndrimit të Tij në tokë, Jezusi ka thënë: «Ku jam unë, aty do të jetë edhe shërbëtori im.» (Gjn 12, 26) E, gjatë darkës së Tij të fundit, apostujve u ka thënë: «Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.» (Gjn 14, 3) Duke u ngjitur në qiell, pra, Jezusi na e përforcon shpresën tonë se edhe ne një ditë – nëse qëndrojmë në dashurinë e Tij – do të gëzojmë lumturinë e Parrizit.

Gjatë procesit gjyqësor që po i bënin në Romë Shën Justinit, në shekullin e dytë, gjykatësi i tha si me tallje: «Ti, pra, kujton se pas kësaj jete do të fillojë për ty një lumturi në jetën tjetër.» E Shën Justini – i njohur nga historia edhe si filozof – iu përgjigj: «Nuk kujtoj, por jam krejtësisht i bindur.» Kjo ka qenë bindja e shenjtërve. Madje mund të themi se kjo bindje i ka bërë shenjtër, ngaqë u ka ndihmuar t’i shohin ngjarjet e botës me një sy tjetër, duke i lidhur me Krishtin e Ngjallur që e ka mposhtur mëkatin dhe vdekjen dhe ishin të sigurtë se një ditë do ta takonin në Parriz.

E kur njeriu është i mbushur me shpresë, natyrshëm e mbush me dinamizëm krejt ekzistencën e vet. Dinamizmi dhe energjia që ka karakterizuar shenjtërit, ka qenë pikërisht dinamizmi i dashurisë, duke qenë se ishin të bindur se kjo i bashkonte me Jezusin qysh këtu në tokë e një ditë do të kurorëzoheshin në Parriz.

Në leximin e parë sot na thuhet se, kur e takuan të Ngjallur Jezusin, apostujt e pyetën: «Zotëri, a thua do ta përtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?», ngaqë në mendje kishin një «përtëritje» politike, tokësore. E Jezusi i korrigjon: «Nuk është puna juaj ta njihni kohën e çastin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të Vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.» «Gjer në skajin e botës»! Po, pikërisht këtë Jezusi po ia besonte atij grupi krejt të vogël njerëzish tejet të thjeshtë: ta predikonin në mbarë botën. Sikurse u thotë edhe në Ungjill, në fakt: «Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve.»

Jezusi u kërkon nxënësve të vet këtë dinamizëm ungjillëzimi dhe dëshmie në jetën e tyre. Kjo nuk është detyrë vetëm e apostujve dhe e pasardhësve të tyre, por e çdo të krishteri. Askush nuk duhet ta përjashtojë vetveten nga ky dinamizëm ungjillëzimi, sepse të gjithëve Jezusi u ka garantuar praninë e vet dhe secilit i ka dhënë dhuratat që i duhen në këtë vepër «predikimi».

Thotë Shën Pali: «Ai i “dha” disa apostuj, disa profetë, disa prapë ungjilltarë, disa të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t’i bëjë të aftë për veprën e shërbesës.» Si të thoshte, pra, se tërë këtë vepër ungjillëzimi nuk janë njerëzit që e çojnë përpara, por vetëm Hiri i pashtershëm i Hyjit, që vepron mrekullueshëm në ata që i hapen. Thotë Ungjilli i sotëm: «Ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.»

Është tejet e  bukur dhe e thellë ajo «Zoti bashkëpunonte me ta… me mrekulli», sepse na tregon se mrekullitë e ndodhura në Kishë e në botë dhe që do të vazhdojnë të ndodhin deri në fundin e kohëve, kanë një burim të vetëm: Krishtin e Ngjallur, i cili gjithnjë vazhdon t’i japë botës shenja të fitores së Tij, fitore e cila, një ditë, do ta përfshijë të tërën edhe Kishën e Tij.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *