SHPIRTI I SË VËRTETËS DO T’JU UDHËZOJË TA NJIHNI TËRË TË VËRTETËN.

Categories HomeliPosted on

RRËSHAJËT (Mesha e ditës) – Viti B

Vap 2, 1-11; Ps 104 (103); Gal 5, 16-25; Gjn 15, 26-27; 16, 12-15

«Sikurse gjilpëra e gramafonit ndjek ritmet më të imëta e të padukshme të diskut, ashtu edhe shpirti njerëzor duhet t’i bindet Shpirtit Shenjt» – thoshte Hans Urs von Balthasar, njëri prej teologëve më të mëdhenj të shekullit të kaluar.

E Jezusi në Ungjillin e sotëm thotë diçka që patjetër nuk duhet të kalojë pa u vënë re: «Kam edhe shumë të tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë ai – Shpirti i së Vërtetës – Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën.» Duke iu bindur Shpirtit Shenjt, pra, njeriu e ka të mundur të kuptojë gjithnjë e më shumë të Vërtetën që është Jezusi dhe, përmes Jezusit, njeriu arrin të zhytet gjithnjë e më shumë në misterin e pambarim të Trinisë së Shenjtë.

Duke iu bindur Shpirtit Shenjt, Kisha është gjithnjë në ecje dhe mbushet me dinamizëm, në të gjitha aspektet e saja. Po t’i hedhim një sy historisë së Kishës, do të vëmë re se shpesh herë ajo është përballur me tematika nga më të ndryshmet, në varësi të situatave të kohës që ajo ka jetuar dhe me aftësinë që ajo kishte në atë kohë. Reflektimi i Kishës ka qenë gjithnjë në zhvillim, në përtëritje. Mjafton të mendojmë për ndryshimet e ndodhura në Liturgjinë e Meshës përgjatë shekujve si edhe larminë e madhe të riteve që kemi në Kishë. Thelbi është gjithnjë po ai që ka caktuar Jezusi në themelimin e Eukaristisë, por disa detaje kanë ndryshuar. E njëjta gjë edhe më sakramentet e tjera.

E gjithë kjo ka ndodhur vetëm falë “rolit” që Shpirti Shenjt ka në Kishë: të na ndihmojë ta kuptojmë të Vërtetën. Atë që pak më lart e quajtëm «zhvillim», «përtëritje», në fakt duhet ta quajmë «veprim i Shpirtit Shenjt».

Jezusi thotë në Ungjillin e sotëm se do të kishte dashur të thoshte edhe gjëra të tjera, por që tash për tash apostujt nuk ishin në gjendje t’i kuptonin. Kjo ngaqë ata ende nuk e kishin marrë Shpirtin Shenjt.

Do ta merrnin dhjetë ditë pasi Jezusi do të ngjitej në qiell – ngjarje për të cilën u fol sot në leximin e parë –, por kjo ardhje e Shpirtit Shenjt nuk donte të thoshte se tashmë apostujt do të ishin në gjendje të kuptonin gjithçka në atë çast. Kisha do të ishte veçse në fillim të njohjes së misterit të pambarim të Trinisë së Shenjtë, mister të cilin, gjithsesi, kurrë e askush nuk mund ta njohë të tërin. Kisha do të bëhej e aftë të njihte gjithçka që do t’i mjaftonte për shëlbimin e saj. Brezat e ndryshëm e popujt e ndryshëm, gjithnjë do të kenë diçka të re për të kuptuar nga ky mister i pashtershëm që është e Shenjtërueshmja Trini. Ardhja e Shpirtit Shenjt do të shënonte, pra, vetëm fillimin kur Kisha e Jezu Krishtit tashmë do të udhëhiqej nga Shpirti i Hyjit.

Për apostujt ky ndryshim mendësie nuk ishte gjë e vogël, sepse, për një hebre, kjo donte të thoshte se, për t’u udhëhequr në jetën me Hyjin, nuk kishin më nevojë për Ligjin e Moisiut. Për këtë arsye Shën Pali tashmë guxonte të thoshte: «Nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit.»

U thotë Jezusi apostujve në Ungjillin e sotëm: «Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej Atit – Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit – Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua.» E në leximin e parë dëgjuam pikërisht se si apostujt, të përtërirë me forcën e Shpirtit Shenjt, fillojnë të flasin gjuhë të ndryshme dhe nuk kanë frikë të dalin para judenjve e të shpallin Ngjalljen e Jezusit. E turma mahnitej për gjithçka që po ndodhte: «Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare?”» Shpirti i së Vërtetës dhe Kisha e kanë filluar tashmë dëshminë e tyre.

Thoshte Papa Françesku: «Dilni nëpër rrugë dhe ungjillëzoni, shpallni Ungjillin! Kujtohuni se Kisha ka lindur “në dalje”, atë mëngjes të Rrëshajëve! Afrohuni të varfërve dhe prekni në mishin e tyre mishin e plagosur të Jezusit! Lejoni t’ju drejtojë me liri Shpirti Shenjt!»

Duhet t’i bindemi kësaj dëshire që Shpirti Shenjt ka në lidhje me ne: të lejojmë të na shtyjë për kah bota, sepse bota ka nevojë ta dëgjojë shpalljen e Ngjalljes së Jezusit! Të mos i kundërshtojmë Shpirtit Shenjt, por t’i pranojmë shtysat e Tij! T’i ndjekim këto shtysa «sikurse gjilpëra e gramafonit ndjek ritmet më të imëta e të padukshme të diskut!»

Shën Pali na nxit sot në leximin e dytë: «Vëllezër, jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku, me dëshirat e veta, i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti u kundërshton mishit e gjakut». «Mishi e gjaku» këtu nënkuptojnë ato dëshira mëkatare brenda nesh që na shtyjnë për egoizëm dhe urrejtje.

E Shën Pali na ndihmon ta njohim edhe më në detaje se çfarë vjen prej «mishit e gjakut» e çfarë vjen prej Shpirtit Shenjt: «Veprat e mishit janë të njohura: fëlligështia, papastërtia, shfrenia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi (…) . Ndërsa fryti i Shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, besnikëria (…).»

Teologu zviceran që e cituam në fillim, von Balthasar, me mprehtësinë që e karakterizonte, thoshte në lidhje me këtë: «Shpirti Shenjt është absolutisht jashtë mëkatit tragjik të botës, jo vetëm ngaqë është mbi të, në një qiell të pastër, por edhe për faktin se është në thellësinë më të madhe të vetë zemrës së njeriut.»

Shpirti Shenjt mund të njihet nëse ndjekim dëshirat më të thella të natyrës së njeriut («të zemrës së njeriut»). Bëhet fjalë për ato dëshira të gjithmonshme të cilat njeriu i ka pasur thellë brenda vetes për të ndjekur të vërtetën, të bukurën, paqen, mirësinë, harmoninë, bashkimin dhe të përjetshmen. Është pikërisht aty që Shpirti Shenjt vepron dhe, kur gjen hapjen e njeriut, e shtyn atë drejt këtyre vlera gjithnjë e më shumë. Prandaj detyra jonë është ta dëgjojmë zërin e Shpirtit Shenjt, «të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt».

Shpesh kur mendojmë për veprimin e Shpirtit Shenjt brenda nesh, e imagjinojmë atë si diçka që mund të na sjellë  vuajtje, por gabojmë. Ja sa bukur, përkundrazi, e mendon veprimin e Shpirtit Shenjt ky himn tejet i bukur që sot dëgjuam:

«Eja o Atë, për nevojtarë,

eja, ti n’dhanti, bujar,

eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,

ti ndër zemra si mik vjen,

t’lodhunt n’jet rishtas forcon.

N’mund e n’djersë ti je pushim,

n’vapë e n’luftë ti je freskim,

lot ti ter, zemrat ngushëllon.»

Ky veprim i ëmbël i Shpirtit Shenjt e ka ndihmuar dhe do ta ndihmojë gjithnjë Kishën që të zhvillohet e të përtërihet. Ky veprim, pra, e  ndihmon Kishën që «ta njohë tërë të Vërtetën».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *