KY ËSHTË TRUPI IM… KY ËSHTË GJAKU IM.

Categories HomeliPosted on

KORPI E GJAKU I KRISHTIT – Viti B

Dal 24, 3-8; Ps 116; Heb 9, 11-15; Mk 14, 12-16. 22-26

E kremtja e sotme i ka rrënjët e veta në mesjetë. Në Belgjikën e fillim shekullit XIII u përhapën disa herezi që thoshin se prania e Jezusit në Osten e Shenjtë nuk është reale, por vetëm simbolike. Fillimisht ishte njëra prej dioqezave të Belgjikës ajo që reagoi duke themeluar një të kremte të posaçme për Trupin e Gjakun e Krishtit e pastaj kjo e kremte nuk vonoi të bëhej zyrtare në mbarë Kishën, me urdhër të Papës.

Gjithçka ishte e paraprirë nga përvoja shpirtërore e një murgeshe belge, e cila kishte pasur disa vegime mistike. Bëhet fjalë për Shenjten Xhuljana e Karnilonit, e cila pati dy vegime vendimtare. Vegimi i parë ishte kur ajo e pa Kishën në formën e një hëne të plotë, por që kishte diku një njollë, e cila simbolizonte mungesën e një feste në Kishë. Në vegimin e dytë do të ishte vetë Jezusi ai që do t’i shfaqej e do t’i thoshte se dëshironte që Kisha të themelonte një të kremte të posaçme për Trupin dhe Gjakun e Tij, në mënyrë që kështu të zgjonte e të forconte fenë e besimtarëve në praninë e Tij reale në Osten e Shenjtë. Pas shumë vitesh, kjo dëshirë e Jezusit do të realizohej nga autoriteti i Papës së asaj kohe.

Më vonë në Kishë do të shfaqej edhe skizma protestante, duke përhapur të tjera herezi mbi praninë reale të Jezusit në Eukaristi e, edhe më fort, Kishës Katolike i kërkohej të reagonte kundër këtyre gabime. Shumë teologë katolikë filluan të shkruanin edhe më shumë në mbrojtje të pranisë reale të Jezusit në Eukaristi. Sidomos ishte Koncili i madh i Trentos ai që iu kundërpërgjigj fuqishëm kësaj kërdie që po i bëhej doktrinës së krishterë.

Pra, pikërisht si reagim ndaj këtyre herezive që shfaqeshin në Kishë, filloi të promovohej edhe më fort kulti ndaj të Shenjtërueshmit Sakrament edhe jashtë Meshës së Shenjtë. Shumë meshtarë të zellshëm filluan të organizonin e të promovonin adhurimin e të Shenjtërueshmit Sakrament – edhe me orë të zgjatura – si edhe procesione përgjatë fshatrave e qyteteve, procesione gjatë të cilave dëshirohej të bëhej edhe më e ndjeshme rëndësia që ka për të krishterët prania reale e Jezusit në  Eukaristi. Populli filloi t’i pranonte e t’i dëshironte këto devocione, duke qenë të mbështetura edhe nga shumë shenjtër të cilët Shpirti i Hyjit i nxori në atë periudhë.

Këta shenjtër, pastaj, ftonin që Ostja e Shuguruar të nderohej pikërisht edhe si riparim, si shpagim, ndaj fyerjeve të shumta që ajo po merrte në botë.

Kështu, pra, besimtarët edukoheshin ta vlerësonin gjithnjë e më shumë këtë pasuri të madhe që është prania reale e Jezusit në Eukaristi. E, në fakt, kjo prani është pasuria më e madhe e Kishës.

Zoti vetë gjithnjë ka dashur që, përmes disa riteve të caktuara, t’i afrohej popullit të vet. Kështu ka bërë qysh në Besëlidhjen e Vjetër. E dimë se Besëlidhja e Vjetër është e mbushur me episode të cilat tregojnë se Hyji kishte krijuar një marrëdhënie reale dhe të posaçme me popullin e Izraelit. Madje Hyji kishte caktuar edhe disa rite, të cilat gjithnjë do të shiheshin si garanci e pranisë së Hyjit në mesin e popullit të Vet.

Në leximin e parë sot thuhet se si, nëpërmjet Moisiut, Hyji bëri një Besëlidhje me popullin e Izraelit e, për ta vulosur këtë, u përdor gjaku i flive të cilat i qenë kushtuar Hyjit. Pasi e stërpiku popullin me gjakun e flive të kushtuara, Moisiu i tha popullit: «Ky është gjaku i Besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve.»

Në fakt populli sapo kishte thënë: «Gjithçka tha Zoti, do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm.» Tani që populli kishte premtuar se do t’i qëndronte gjithnjë besnik Zotit, ishte radha e Zotit që ta bënte premtimin e Tij e këtë e bëri me anë të këtij rituali flijimi të viçave dhe të stërpikjes së popullit me atë gjak. Gjaku, pra, ishte dëshmi e Besëlidhjes së bërë nga të dyja palët.

Por, ato fli e ai gjak, ishin veçse shëmbëllesë e Jezu Krishtit, Flia e vërtetë e cila e derdh Gjakun e vet duke iu ofruar Hyjit Atë për faljen e mëkateve tona. Prandaj Letra e drejtuar Hebrenjve thotë: «Krishti, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë – d.m.th. jo të kësaj krijese – dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri një herë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.»

Duke i ofruar Atit vetveten në vend të flive të tjera Jezusi nuk e tregoi se rituali i mëparshëm kishte qenë i kotë, por po tregonte se tashmë atij i kishte ardhur koha të zëvendësohej, për t’i dhënë kështu rëndësinë e vërtetë që ai kishte, pra atë të përgatitjes së popullit për pranimin e një Rituali tjetër edhe më të madh.

E vetë Zoti ka dashur që kjo prani reale e Tij edhe fizikisht në Trupin dhe Gjakun e Tij, të mos largohej prej nesh. Prandaj ka themeluar Eukaristinë e Shenjtë, themelim për të cilin na flet edhe Ungjilli i sotëm.

Kanë shumë rëndësi fjalët që Jezusi përdor aty. Në ritualin e Pashkëve hebreje, në lidhje me bukën e pabrume, duhej të thuhej se ajo ishte përkujtim i kalimit të Detit të Kuq, gjë e cila shënonte kalimin nga skllavëria në liri. Gjithashtu edhe për verën duhej të thuhej se ishte shenjë e gëzimit që sillte liria të cilën Hyji ia kishte dhuruar popullit të Izraelit. Por Jezusi, në atë Darkë të fundit Pashke, nuk do të përdorte fjalët e zakonshme.

Patjetër që edhe më parë Jezusi e ka ngrënë darkën e Pashkës me nxënësit e vet, por ndryshimin e ritualit po e bënte vetëm tani. Jezusi u thotë apostujve se tashmë ajo bukë e pabrume ishte vetë Trupi i Tij: «Merrni, ky është korpi im.» Gjithashtu edhe se vera tani do të merrte një tjetër rëndësi: «Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes që derdhet për të gjithë.» Jezusi i ndryshoi fjalët e Besëlidhjes së bërë dikur, sepse tashmë kishte ardhur koha të themelonte «Besëlidhjen e re dhe të amshuar».

Ai deshi që ky ritual të vazhdohej, prandaj edhe tha: «Bëjeni këtë në përkujtimin tim!» Sikur të mos e kishte dashur që kjo prani e Tij të vazhdonte të ishte në bukën dhe verën e shuguruar, nuk kishte përse t’i porosiste nxënësit e t’u jepte atyre edhe pushtetin që ta kremtonin atë rit kur u tha: «Bëjeni këtë».

Jezusi ka dashur që, nëpërmjet atyre ritualeve të caktuara, prania e Tij Hyjnore të mos ishte vetëm shpirtërore, por edhe fizike. Themeloi Meshën e Shenjtë, në mënyrë që ne të mund të merrnim brenda nesh praninë e Tij shpirtërore dhe fizike.

Një Mister i tillë është tejet i madh. Është e vështirë ta kuptojmë praninë fizike të Jezusit në atë Bukë dhe në atë Verë, të cilat pas shugurimit nuk janë më bukë dhe verë, por Trupi dhe Gjaku real i Zotit tonë Jezu Krishtit. Nga ana filozofike rezulton e pamundur që diçka ta shndërrojë substancën e saj e të kthehet në një substancë tjetër, por këtu filozofia duhet të ulet në adhurim përpara asaj që realizon Shpirti i Hyjit, për të cilin asgjë nuk është e pamundur.

Të mos kemi frikë nga kjo përulje, sepse, në fakt, nuk është as në kundërshtim me natyrën tonë që ta duam dikë e t’i zëmë besë fjalës së tij, edhe pse nuk arrijmë ta kuptojmë dot deri në fund. Ato herezitë që kanë dalë mbi këtë prani reale të Jezusit në Eukaristi, mbase pikërisht këto gjëra nuk kishin arritur t’i kuptonin e t’i pranonin.

Prandaj na duhet ta duam shumë Jezusin të pranishëm në këtë Sakrament Tejet të Shenjtë dhe ta marrim Atë sa më shpesh brenda nesh! Le të gjejmë kohë sadopak për adhurimin e Eukaristisë edhe jashtë Meshës! Kur kalojmë pranë ndonjë Kishe dhe kur e kemi mundësinë të hyjmë brenda, të drejtohemi kah tabernakulli e t’i lutemi Jezusit të pranishëm në Osten e Shenjtë. Kur kalojmë para një kishe, le të bëjmë shenjën e kryqit si një përshëndetje përzemërsie ndaj Jezusit që është i pranishëm në tabernakullin e asaj kishe. T’i themi Jezusit se e duam dhe ta falënderojmë që ka zgjedhur të jetë përherë pranë nesh edhe fizikisht!

Qofshin këto gjeste të vogla dashurie edhe si shpagim e riparim për të gjitha fyerjet që Jezusi i pranishëm në Eukaristi merr nga bota!

«Për nëntë muajt që Virgjëra e Shenjtë të mbarti në kraharorin e saj, nuk ishe më afër Asaj sa je afër meje kur vjen mbi gjuhën time në kungimin e shenjtë» – i thoshte Jezusit të pranishëm në Eukaristi i Lumi Sharl de Fukò.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *