ZEMRA E KRISHTIT – Viti B
Oz 11, 1.3-4.8-9; Is 12, 2-6; Ef 3, 8-12.14-19; Gjn 19, 31-37
Festa e Zemrës së Krishtit është një festë e cila fillesat e veta i ka qysh në shekullin XIII, por që do të merrte hov në mbarë Kishën sidomos në shekullin XVII, periudhë kur, në Francë, Jezusi iu shfaq një Motre – Shenjtes Margeritë Maria Alakok – dhe iu shfaq duke mbajtur në dorë Zemrën e Vet. Prej Zemrës së Jezusit dilnin rreze drite dhe flakë, që tregonte dashurinë e Tij të madhe për njerëzimin. Kurora e ferrave, kryqi mbi zemër dhe plaga që kullon gjak në këtë imazh, flasin haptas për Mundimet e Jezusit të pësuara për shëlbimin tonë. Është ai imazhi i dashur që tashmë gjendet në shumë në shtëpi të katolikëve.
Por, kur u fillua të flitej për një të dukur të tillë të Jezusit, pati një seri kundërshtimesh nga shumë hierarkë kishtarë. Madje pati edhe një sinod ipeshkvijsh në të cilin u fol prerazi kundër përhapjes së kësaj “historie”, e cila dukej sikur e devijonte mësimin e përhershëm të Kishës.
Megjithatë më vonë, pak nga pak, falë edhe mrekullive që ndodhën dhe devocionit që, përmes disa mistikëve të tjerë, Shpirti i Hyjit nxiste në popull gjithnjë e më tepër ndaj Zemrës së Krishtit, vetë ata filluan ta kuptojnë se kjo ngjarje nuk binte aspak ndesh me Ungjillin e Jezu Krishtit.
Por kundër gjithë këtyre nuk vonoi reagimi protestat, i cili e quante idhujtari adhurimin e një zemre, përderisa ajo është thjesht një organ njerëzor.
Do të duhet ndërhyrja plot autoritet Papës Piu VI në shekullin XVIII që do të shpjegonte se një adhurim të tillë Zemra e Jezusit e meritonte, për shkak të lidhjes së Saj të thellë më Birin e Amshuar, i cili na ka dashur përmes një zemre njerëzore.
Kisha, më në fund, e pranoi se ngjarjet e treguara nga Motër Margeritë Maria Alakok dhe nga mistikë të tjerë para saj e pas saj, ishin të vërteta. Ato aspak nuk binin në kundërshtim me doktrinën e krishterë, madje e theksonin edhe më fort atë dashurinë e pamasë që Jezu Krishti gjithnjë ka treguar ndaj nesh.
E pikërisht për këtë dashuri të pamasë flasin edhe leximet liturgjike që sot Kisha na ka dhënë. Në librin e Ozesë profet gjejmë atë tekst i cili besoj se është ndër më të bukurit e Besëlidhjes së Vjetër në lidhje me dashurinë e Hyjit për popullin e vet. Aty vetë Zoti flet për Izraelin si të fliste për një fëmijë të cilin e ka rritur vetë. Duke folur, Hyji ndërthur në mënyrë vërtetë madhështorë historinë me poezinë, siç dinë të bëjnë veç prindërit: «Kur Izraeli ishte djalë unë e doja e prej Egjiptit e thirra birin tim. E unë e mësoja Efraimin të ecë vetë. […] Isha për ta porsi ai që fëmijën e ngrit deri në mollëzat e veta, u përkulja mbi të t’i jepja të hante.»
Hyji ndërthur ngjarjet e shkuara dhe ndjenjat me të cilën Zemra e Tij i ka përjetuar ato ngjarje. Hyji flet me stilin e një prindi. S’ka si të jetë ndryshe, përderisa Ai është më prind se çdo prind tjetër. Këtë nënkupton edhe Shën Pali në letrën e drejtuar Efesianëve kur thotë: «Prej Hyjit Atë e merr emrin e vet çdo atëri në qiell e mbi tokë.» Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë thoshte: «Ti që ke ditur të krijosh zemrat e nënave, je më ati nga të gjithë.»
E, pikërisht ngaqë Hyji ka një zemër prindi, përdor fjalët që vijojnë: «Si të heq dorë prej teje, Efraim, të dorëzoj ty, o Izrael? […] Zemra ime në mua përmallohet, në brendinë time flakë është ndezur dhimba.»
Hyji është Qenie shpirtërore, por pranon të përdor këtu termin «zemër», term i cili tregon një organ material. Por s’ka nevojë të thuhet se Izraeli e kuptonte mirë se me këtë term Hyji nënkupton Dashurinë e Vet.
Në gjuhën biblike pastaj zemra është edhe simboli i asaj që është më thelbësore tek njeriu. Aq më tepër në atë kohë kur nuk zotëroheshin njohuritë e sotme mbi trupin njerëzor: mendohej se zemra ishte edhe burimi i emocioneve dhe “depozita” e njohurive të njeriut.
Por Hyji përdorte pikërisht njohuritë e atëhershme të njeriut. Këtë Ai e bënte ngaqë nuk dëshironte t’u mësonte njerëzve edhe aq njohuritë mbi natyrën që e rrethonte, por t’u bënte të kuptonin se sa e madhe ishte dashuria me të cilën Ai i rrethonte ata. Zemra e Tij, pra thellësia e Tij, «brendia» e Tij, ishte e ndezur nga dhimba për Izraelin. Edhe Zemra e Jezusit, kur Ai iu duk Shenjtes Margeritë, ishte e ndezur flakë.
Hyji dëshiron ta bindë Izraelin se dashuria e Tij për të është e madhe. Madje ajo është më e madhe edhe se dashuria e çdo prindi njerëzor: «S’do ta shfryj zemërimin tim, s’do të kthehem ta shpërndaj Efraimit, sepse Hyj jam unë e jo njeri, Shenjti në mesin tënd, s’do të vij me tmerr.»
«Sepse Hyj jam unë e jo njeri»: si të thoshte se dashuria e Tij ndaj nesh nuk mund të krahasohet me dashurinë që një njeri mund të ketë për një njeri tjetër. Ajo kapërcen çdo meritë nga ana e njeriut.
Kjo Zemër dashamire e Hyjit është burimi i pashtershëm i dashurisë për njeriun e për gjithësinë. Prandaj edhe Isaia profet në fjalët që sot i dëgjuam në vend të psalmit thotë: «Me galdim do të merrni ujë nga burimet e shëlbimit.»
Edhe në Ungjillin e sotëm na flitet për këtë burim të mistershëm e të pashtershëm. Duke folur për vdekjen e Jezusit, Shën Gjoni ungjilltar, «ai që pa», tregon një detaj të cilin ungjijtë e tjerë nuk e tregojnë: «Kur (ushtarët) erdhën tek Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak dhe ujë.»
Gjithnjë etërit e Kishës si edhe tradita e krishterë kanë parë në këtë episod një simbolikë të madhe: uji dhe gjaku që rrodhën nga kraharori i Jezusit të vdekur, ishin simbol i Pagëzimit dhe i Eukaristisë. Pagëzimi është sakramenti i cili na zhyt në jetën me Hyjin, ndërsa Eukaristia është sakramenti që na mban në këtë jetë me Hyjin, duke na mundësuar bashkimin jo vetëm shpirtëror, por edhe fizik me Jezusin. Janë sakramente që e lindin dhe e ushqejnë Kishën. Nga krahërori i Krishtit të Kryqëzuar lindi Kisha dhe prej atij kraharori ajo ushqehet.
Etërit e Kishës vazhdonin me shpjegimet e tyre tejet të thella: «Sikurse nga krahërori i Adamit në gjumë Hyji nxori brinjën prej së cilës krijoi Evën, po ashtu nga Kraharori i Jezusit në gjumin e vdekjes Hyji nxori Kishën.» Kemi dalë, pra, nga Zemra e Zotit.
Ja pse ato të shfaqurat që Jezusi i bëri murgeshës franceze në shekullin XVII dhe mistikëve të tjerë, nuk ishin aspak larg doktrinës dhe gjuhës së Kishës: Zemra e Zotit tonë Jezu Krishtit është burimi i Kishës.
Ai e do Kishën e vet me një dashuri të madhe, përtej meritave që ajo ka. Pikërisht ashtu siç pamë se Hyji bënte me popullin e Izraelit në Besëlidhjen e Vjetër. Në Jezusin realizohet edhe materialisht gjuha të cilën Hyji e përdorte me Izraelin në nivel metaforik kur thoshte: «Zemra ime në mua përmallohet.»
Zemra e Jezusit është vërtet treguesi i dashurisë së pamasë të Hyjit për njerëzimin. Devocioni që populli i krishterë ka ndaj këtij imazhi të shenjtë të Zemrës së Krishtit, është i bazuar pikërisht mbi këtë të vërtetë. Edhe festa e sotme pikërisht këtë dëshiron të theksojë.
Por jo vetëm të theksojë: jemi këtu kryesisht për ta përjetuar dashurinë e Hyjit ndaj nesh në Eukaristinë e Shenjtë, e cila qe simbolizuar qysh në rrjedhjen e gjakut nga krahërori i Krishtit të Kryqëzuar. Jemi të Pagëzuar dhe jemi të vetëdijshëm se uji që rrodhi nga ai Krahëror i Shenjtë, tregon se kemi lindur pikërisht nga ajo Zemër e dashur. Në kremtimin e Eukaristisë të pagëzuarit «me galdim marrin ujë nga burimet e shëlbimit».
Shën Pali, në Letrën e tij të drejtuar Efesianëve, me fjalë realisht madhështore e me një këmbëngulje vërtet bindëse, dëshiron të na i hapë sytë e shpirtit që ta shohim dashurinë e Krishtit për ne: «Vëllezër… të rrënjosur e të themeluar në dashuri, të mund ta kuptoni bashkë me të gjithë shenjtërit çka është Gjerësia, Gjatësia, Lartësia dhe Thellësia e ta merrni vesh dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo dije, kështu që të mbusheni me tërë plotësinë e Hyjit.» Shën Pali duket këtu sikur po lundron plot ëndje në oqeanin e pafund të dashurisë së Krishtit. Kështu na fton të lundrojmë edhe ne.
Po ta imagjinonim një bisedë ne sot me Shën Palin e t’i bënim pyetjen nëse është dakord që të kremtohet e kremja e Zemrës së Krishtit, ai me siguri do të na përgjigjej: «Patjetër, kështu mund ta merrni vesh dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo dije.»
Dom Dritan Ndoci