KUSH ËSHTË KY QË PO I NËNSHTROHEN ERA E DETI?

Categories HomeliPosted on

E DIELA XII GJATË VITIT B

Jb 38, 1. 8-11; Ps 107 (106); 2Kor 5, 14-17; Mk 4, 35-41

Në leximin e parë, të marrë nga libri i Jobit, sot na thuhen disa fjalë që nxjerrin në pah pushtetin e Hyjit. Është vetë Hyji ai që flet dhe fjalët e Tij janë të mbështjella edhe me një farë poetizmi: «Kush e mbylli brenda dyerve detin, kur po dilte nga krahërori i nënës? Kur e vesha me re si me petka, me errësirë si me shpërngenj e mbështolla?» Hyji flet për detin si për një fëmijë të njomë. Por kjo pjesë flet edhe për caqet që Hyji i vë detit: «Kur caqet atij ia vura, e kyça me dyer e shula dhe i thashë: Deri këtu!» Si me këto fjalë, ashtu edhe me poetizmin e mësipërm, Hyji dëshiron t’i tregojë Jobit pushtetin absolut që Ai ka edhe mbi detin.

Besëlidhja e Vjetër flet shpesh për këtë pushtet të Hyjit që tregohet pikërisht nëpërmjet pushtetit që Ai ka mbi detin: mjafton të përmendim mrekullinë e madhe të kalimit në këmbë të Detit të Kuq nga izraelitët, ku Zoti e hapi detin më dysh.

Për mendësinë e përgjithshme të asaj kohe në mbarë botën, deti ishte diçka e pamasë, diçka që kishte si një pushtet të vetin. Përveçse diçka e pamasë, deti ishte edhe vendi ku mund të ndodhnin rreziqe të mëdha. Gjallesat e ndryshme që aty gjendeshin, shpesh ishin të panjohura për njeriun e prandaj edhe të rrezikshme. Por gjëja më e rrezikshme e detit ishin stuhitë që shpërthenin. Kjo gjë shihej si një tërbim i detit – nga ata popujt që e shihnin si diçka të gjallë – ose si tërbim i perëndive që e drejtonin atë.

Këto ide, edhe pse me disa ndryshime, ishin të pranishme edhe në popullin e Izraelit. Kështu e kuptojmë përse psalmi i sotëm thotë: «Ata që me anije lundruan deteve, që nëpër ujëra të mëdha të bënin tregti, ata i panë mrekullitë e tij në thellësitë e detit.» Patjetër psalmisti e ka fjalën për ndonjë mrekulli që realisht mund të ketë ndodhur në atë kohë – siç e tregon edhe vazhdimi i psalmit – në të cilën Hyji e kishte treguar pushtetin e Tij pikërisht duke qetësuar stuhinë dhe valët e detit: «Stuhinë e shndërroi në puhi e valët e detit e shuan gjëmën e vet.»

Vetëm kështu tani e kuptojmë arsyen për të cilën apostujt, në Ungjillin e sotëm, i kap një frikë e madhe dhe i thonë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që po i nënshtrohen era dhe deti?»

Izraeli ishte i bindur se një pushtet të tillë e ka vetëm Zoti. Këtu apostujt po shohin me sytë e tyre se Jezusi po vepron pikërisht siç vepronte Zoti. E nuk bëhet fjalë për një njeri të shenjtë që i lutet Hyjit që ta qetësojë stuhinë dhe valët e detit, por për dikë që u jep Ai vetë urdhër detit e erës që të qetësohen.

Ungjilli i Markut fillon me fjalët: «Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Hyjit» dhe i tërë Ungjilli i tij përpiqet ta vërtetojë se me të vërtetë Jezusi është Biri i Hyjit e Hyj ai vetë. Sot Shën Marku e bën këtë duke treguar se Jezusi ka pushtet mbi stuhinë dhe valët e detit, duke realizuar kështu atë që, sipas psalmit të sotëm, është në gjendje ta bëjë vetëm Hyji.

Shën Pali sot në letrën e tij të dytë të drejtuar Korintasve na thotë se «edhe nëse [deri tani] e kemi njohur Krishtin në mënyrë thjesht njerëzore, nuk e njohim më ashtu.» Pra na fton të bëjmë edhe ne ashtu: t’i afrohemi Jezusit si një njeriu të vërtetë, por jo vetëm kaq: t’i afrohemi edhe si një Hyji të vërtetë, i cili, me dashuri, ka pushtet mbi gjithçka.

Ka edhe diçka tjetër që na bën përshtypje tek Ungjilli i sotëm: fakti që, në mes të gjithë asaj stuhie e tërbimi të detit, Jezusi po flinte. Mbase jemi të prirur të mendojmë se Jezusi kështu dëshironte t’i vinte në provë nxënësit e vet, nëse do të vinin t’i kërkonin ndihmë apo jo. Sikur të ishte kështu, del se Jezusi nuk po flinte me të vërtetë, por po bënte gjoja. Po, sikur të ishte kështu, përse Ungjilli nuk e thotë? Ungjilli thjesht thotë «Jezusi në pope flinte në nënkresë.» Pra, Ai realisht «po flinte».

Këtu dëshiron ta vërë theksin Ungjilli: jo tek prova për nxënësit, por tek dallimi i thellë mes Jezusit dhe nxënësve të Tij përsa i përket lëshimit në duart e Hyjit. Nxënësit janë të alarmuar kur përballen me stuhinë, ndërsa Jezusi fle.

E dijmë se një njeri nuk fle kur nuk është i qetë e aq më tepër kur bëhet fjalë për pozicione të parehatshme siç mund të ishte ai i Jezusit në atë lundër. E dijmë se shpesh nuk mjafton të jesh i lodhur e i rraskapitur për të rënë në një gjumë të thellë, por duhet patjetër edhe qetësia e shpirtit. Kjo do të thotë se Jezusi ishte me të vërtetë i qetë, edhe në mes të asaj stuhie.

Apostujt, kur panë stuhinë që po shtohej gjithnjë e më tepër, i drejtohen Jezusit me fjalët: «Mësues! A nuk je në kujdes që po mbytemi?»

«A nuk je në kujdes?»: sa herë që na vjen ndonjë stuhi në jetë, kjo rrezikon të jetë “protesta” jonë e parë që i drejtojmë Zotit. Mbase është veçse shenjë se Zotin ende nuk besojmë se e kemi gjithnjë afër nesh, edhe kur duket se Ai «është në gjumë».

Në qortimin e Tij, Jezusi jo rastësisht u thotë nxënësve: «Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?»Jezusi e lidh frikën me mungesën e besimit. Nuk dihet kurrë krejt saktë se cila prej tyre provokon tjetrën: frika provokon mungesën e besimit, apo mungesa e besimit provokon frikën? Secili prej nesh mund të dalë në përfundimet e veta në këtë pikë, por rezultati është gjithnjë i njëjti: rreziku i madh që, në fund të fundit, të bëjmë zgjedhje “pagane” në jetë.

Në disa raste, djalli përpiqet të na fusë frikën, ankthin e alarmin e brendshëm, që të na bëjë ta “justifikojmë” mosbesimin tonë. Hërë të tjera ai fut dyshime të forta rreth besimit, që kështu frika të shtohet e të zmadhohet në jetë. Por, e thamë, rezultati përfundimtar rrezikon të jetë po ai: mungesa e lëshimit në duart e Zotit.

Nganjëherë nuk e kemi idenë se sa shumë gjëra të bukura do të kishim arritur në jetë sikur të kishim besuar më shumë në Zotin e të kishim punuar pak më shumë me veten për ta larguar frikën. Një ditë edhe neve Jezusi do të na e bëjë qortimin: «Pse u treguat frikacakë? Po pse nuk besuat?»

Jezusi që fle në barkë, ngjan me një foshnje që fle në krahët e babait të vet, edhe kur përreth nuk ka shumë rehati. Jezusi është lëshuar krejtësisht në krahët e Atit të vet qiellor, kurse nxënësit janë ende në duart e veta.

Mbase na duket pak si qesharake ajo që bëjnë nxënësit (kanë në barkë vetë Zotin dhe përsëri e kanë frikën në palcë), por, në fakt, fare lehtë edhe ne e gjejmë veten në situata të ngjashme. Edhe ne si të krishterë, që jemi pagëzuar në emrin e Trinisë së Shenjtë, e kemi në ne vulën e pashlyeshme të kësaj pranie trinitare, por shpesh e kemi frikën në palcë e nuk i hedhim sytë nga kjo prani kur na zënë dallgët e jetës.

Kur, përshembull, ndodh ndonjë ngatërresë në mes dy personave apo nëmes dy grupeve, kur dikush të ka bërë ndonjë gjë të rëndë e fyese ty apo familjarëve të tu, tundimi është që t’i zgjidhësh gjërat sipas mënyrës sate, nga frika (deri në palcë) se mënyrat e Hyjit që është në ty ka mundësi që të mos jenë edhe aq efikase.

Apo ndoshta rasti i abortimeve, për arsye se njerëzit e rrethanat që kanë përreth, i “detyrojnë” ta bëjnë një gjë të tillë. Është e vërtetë se ardhja në jetë e një fëmije mund të sjellë edhe më shumë sakrifica në jetën e prindit, por është i vërtetë edhe fakti se po vret një njeri.

Shumica prej vështirësive të supozuara apo kërcënimet që mund të vijnë në kësi rastesh, shpesh shkrihen si vesa para diellit kur besimtari tregohet i palëkundshëm përballë presioneve të ndryshme. Duhet të besojmë se edhe aty Jezusi, në një farë pike, do të “zgjohet” e do t’u urdhërojë edhe këtyre dallgë të jetës: «Qetësohu! Shuaj!» Provania e Zotit ekziston. Ekziston që ç’ke me të.

Megjithatë, edhe nëse dora e Provanisë Hyjnore nuk do të na i largonte disa dallgë, edhe aty është e mundur që të mos e lëmë të na zaptojë paniku i frikës, por të ruajmë lëshimin tonë në duart e Atit qiellor.Sa herë që dallgët e ndryshme të jetës na afrohen, le t’i hedhim sytë kah Jezusi. Të besojmë se Ai ka pushtet mbi çdo gjë. Ai është Hyj e Atij i «i nënshtrohen deri edhe era e deti».

Por, kur t’i hedhim sytë kah Jezusi, le të mësojmë prej Tij: të dijmë edhe ne ta mbështesim kokën tonë si Jezusi në krahët e Atit qiellor e të jemi të sigurtë se, pa lejen e Tij e pa një plan dashurie të Tij, asgjë s’mund të na ndodhë.

Hyji është i mirë: e fyejmë kur nuk lëshohemi në duart e Tij. «Zoti është shumë më i mirë nga sa mendon ti, më beso mua» – shkruante në një letër të sajën Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *