SI SHPIRTI SHENJT I SHNDRISTE TË SHPREHESHIN.

Categories HomeliPosted on

RRËSHAJËT – MESHA E DITËS

Vap 2, 1-11; Ps 104 (103); 1 Kor 12, 3-7.12-13; Gjn 20, 19-23

Sot Kisha kremton ditëlindjen e saj. Kisha lind kur përshkohet nga Hiri Hyjnor dhe e përçon atë, kur dëshmon e kur shpall.

Por, para se t’i kthehemi këtyre të vërtetave, na duhet të bëjmë dy parashtesa të vogla, njëra teologjike e tjera gjuhësore.

Ndonjëri nga teologët bashkëkohorë e quan Shpirtin Shenjt «i harruari i madh». Me këtë duan të theksojnë faktin se në traditën e teologjisë së krishterë flitet shumë për Atin, flitet po aq shumë për Birin, por flitet shumë pak dhe shumë përciptazi për Shpirtin Shenjt. Madje flitet pa masë më shumë për Marinë, Zojën e Bekuar, sesa për Shpirtin Shenjt. E prandaj teologët bashkëkohorë sikur kanë filluar ta korrigjojnë këtë detaj dhe, të bazuar në Shkrimin Shenjt, kanë shkruar tekste të një thellësie vërtet të madhe.

Nuk duhet të harrojmë se Shpirti Shenjt ishte premtimi i madh që Jezusi u bëri apostujve natën para se të arrestohej. Jezusi arriti deri aty sa t’u thoshte: «Është më mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë te ju, kurse, po shkova, do ta dërgoj te ju.». Duket sikur kështu dëshiron të thotë se prania e Shpirtit Shenjt qenka më e fortë se prania e Tij fizike në mes tyre. Janë fjalë vërtet shumë të forta, por po e shohim se në ç’mënyrë duhen kuptuar.

Pastaj, parashtesa e dytë, ajo gjuhësorja, është se, në gjuhën shqipe, temri për të përshkruar këtë ditë është pak i çuditshëm: Rrëshajët. Normalisht kjo nuk ka të bëjë aspak me gjarpërinjtë që kanë të njëjtin emër, por nuk dihet se si ka hyrë në gjuhën shqipe një term i tillë për të treguar këtë festë të krishterë. Por po ua lëmë gjuhëtarëve ta zgjidhin këtë problem e të na e shpjegojnë.

Një term tjetër i përdorur nganjëherë nga liturgjia është ai i Pesëdhjetores, por nuk përdoret edhe aq shumë. Ky term ka për qëllim që ta përkthejë fjalë për fjalë tremin Pentecoste me prejardhje nga greqishtja e vjetër, që tregon se kjo festë kremtohet pesëdhjetë ditë pas festës së Pashkëve. Megjithatë nuk ka rëndësi edhe aq të kuptojmë se si ka hyrë në përdorim ky term në gjuhën shqipe për të kremtuar këtë të vërtetë të besimit tonë. Rëndësi ka që të kuptojmë domëthënien e asaj që po kremtojmë.

Thamë se sot kremtojmë ditëlindjen e Kishës. Le t’i hedhim një shikim të shpejtë leximeve të sotme e do ta kuptojmë se kjo është e vërtetë.

Në leximin e parë na tregohet se si ndodhi ardhja e Shpirtit Shenjt mbi apostujt. Pjesa e treguar nga Shën Luka na thotë se apostujt ishin të bashkuar në po atë vend ku Jezusi kishte ngrënë darkën e fundit me ta. Papritmas u dëgjua një zhurmë si «ushtimë nga qielli», «si shungullimë e erës së fortë» që erdhi dhe e mbushi shtëpinë ku gjendeshin apostujt me të tjerët. Pastaj «u dukën gjuhë, si të ishin zjarri, që u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre». E këtu të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flisnin në gjuhë të ndryshme, «ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin».

Pa dashur të hyjmë në analizimin e të gjitha detajeve të këtij teksti të rëndësishëm, le të shohim vetëm një prej këtyre detajeve: tregimi menjëherë vazhdon duke na thënë se në atë ditë në Jerusalem gjendeshin njerëz që kishin ardhur «prej të gjitha kombeve të botës». Kishin ardhur kaq shumë sepse donin të festonin ditën kur Zoti i kishte dhënë Moisiut Dhjetë Urdhërimet, pesëdhjetë ditë pasi që kishin kaluar në këmbë Detin e Kuq, duke u liruar kështu nga skllavëria e Egjiptit. E gjithë kjo turmë që u gjend në qytet, pra, kur dëgjoi zhurmën, rendi për të parë se ç’ndodhi. E teksti thotë: «secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet». Më parë thuhej se apostujt ishin të mbledhur në vendin e Darkës së fundit, pra, se ishin brenda, kurse tani thuhet se të gjithë «i dëgjonin duke folur». Lind pyetja: Ku shkuan muret?

Mbase me dashje Shën Luka e bën këtë kalim nga apostuj e mbyllur brenda, tek turma që dëgjon, për të treguar se fryti më i bukur që po sillte Shpirti Shenjt ishte pikërisht “shembja” e mureve, heqja e pengesave të ndryshme në mes të popujve, bashkimi. Tashmë popujt po ftoheshin drejt një bashkimi të gjithëmbarshëm. Pikërisht E gjithëmbarshme do të thotë Katolike. Kjo është Kisha.

Në Ungjill, Jezusi i Ngjallur do t’u dhurojë Shpirtin Shenjt apostujve qysh ditën e parë që u shfaqet: «Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që ua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk ua falni, nuk u falen». Kjo është Rrëshaja sipas Shën Gjonit. Nuk ka kundërshtim mes këtij tregimi dhe atij të Veprave të Apostujve: Jezusi e di se pa ndihmën e Shpirtit Shenjt, nuk do të mund ta besojnë e ta dëshmojnë Ngjalljen e Tij. Këtu Jezusi është vetëm me apostujt dhe kështu na bën të kuptojmë se vetëm apostujt dhe pasardhësit e tyre (papa e ipeshkvinjtë) do të jenë në Kishë garantët e faljes ose mos faljes, së mëkateve. Një autoritet të tillë nuk e kanë të gjithë besimtarët. Kur Shpirti Shenjt do të zbresë ditën e Rrëshajëve, do t’i gjejë apostujt së bashku me Marinë e me disa nxënës të tjerë. Kështu mund të themi se dhënia e Shpirtit Shenjt që bën Jezusi ditën kur u Ngjall, ishte në lidhje me pushtetin e apostujve për të falur mëkatet, ndërsa ditën e Rrëshajës Dhurata e Shpirtit Shenjt kishte të bënte me Kishën në tërësi, duke e mbushur atë me të gjitha dhuratat e nevojshme për të qenë Kishë. Këtu ishin të mbushur të gjithë me dritën e Tij e secili ndihmonte secilin: «ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste».

Shën Pali, në leximin e dytë, hyn më në detaje të kësaj shndritjeje që Shpirti Shenjt bën në secilen gjymtyrë të Kishës: «Vëllezër, askush që flet nën ndikimin e Shpirtit të Hyjit, nuk thotë “Qoftë mallkuar Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as “Jezusi është Zot.”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt». Pra ungjillizimi (që përqendrohet në shpalljen e Krishtit të Ngjallur) është vepër e drejtpërdrejtë e Shpirtit Shenjt. Në këtë vepër Ai e shndrit secilin anëtar të Kishës që të japë ndihmesën e vet, sipas aftësive të ndryshme që i jep secilit. Thotë Shën Pali: «Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë.».

Shpirti Shenjt është ai që i nxiti apostujt të predikonin ditën e Rrëshajëve. Ai i ka ndihmuar në predikimin e tyre jo vetëm apostujt, por edhe të gjithë predikuesit e historisë. Ai ka shndritur teologët, ka mbushur me zell misionarët, ka nxitur të krishterët që të bashkoheshin në lutje në forma nga më të ndryshmet, ka frymëzuar themeluesit e kongregatave, ka forcuar martirët. Plus kësaj, edhe të gjitha aftësitë e ndryshme që njeriu ka, shpirtërore, intelektuale e fizike, janë dhuratë e Tij, për të mirën e të gjithëve. «Në një të vetmin Shpirt Shenjt, të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm.» – thotë Shën Pali.

Jo vetëm kaq, por Shpirti Shenjt realizon në Kishë edhe efektet e Pashkës, pra të Vdekjes e të Ngjalljes së Krishtit. Të gjitha sakramentet kanë për qëllim të na zhysin në këtë mister shëlbimprurës e kjo ndodh vetëm falë forcës së Shpirtit Shenjt. Shën Ireneu, qysh në shekullin e dytë thoshte diçka shumë të bukur: «Biri i mishëruar dhe Shpirti Shenjt janë dy duart me të cilat Ati vepron në historinë e shëlbimit.». Pra, Biri ka kryer veprën shëlbimprurëse, kurse Shpirti Shenjt bën të mundur që njerëzit të marrim pjesë në këtë vepër. Pa Shpirtin Shenjt Kisha është si një trup i vdekur: i ka të gjitha gjymtyrët, por nuk ka jetën. Sikurse në fillimin e historisë njerëzore «njeriu u bë qenie e gjallë» vetëm kur Hyji «i shtiu frymën e jetës», ashtu edhe ata që besojnë në Krishtin e Ngjallur, kanë nevojë për Hirin e Shpirtit Shenjt, për t’u bashkuar me Krishtin e për ta shpallur Atë. Në këtë kuptim kremtojmë sot ditëlindjen e Kishës. Në këtë kuptim Krishti u thotë apostujve: «Është më mirë për ju që unë të shkoj.».

E, siç thamë në fillim, prapëseprapë, Ai ka qenë «i harruari i madh». Por mbase këtë “qëndrim në harresë” Shpirti Shenjt nuk e ka pasur edhe aq problem. Ndonjë teolog tjetër me të drejtë e krahason rolin e Shpirtit Shenjt me atë të një gruaje në shtëpi: edhe pse të qenit kryefamiljar i lihet përgjithësisht burrit, pothuajse gjithnjë është nëna ajo që kalon më shumë kohë me fëmijën. Ajo e ushqen atë, e mëson të ecë, e mëson të flasë dhe zakonisht merret më shumë se i ati për edukimin e tij. E, nga ana tjetër, nëna nuk e ka problem që drejtimi i familjes t’i njihet babait. Kjo ngaqë “meraku” i saj janë fëmijët, mbarëvajtja e familjes, dhurimi i dashurisë të gjithëve e jo që të duket. Kështu edhe Shpirti Shenjt, duke vazhduar të jetë Hyj i barabartë me Atin e me Birin, e shfaq pikërisht kështu “atësinë” (apo “amësinë”) e vet: duke zgjedhur që të qëndrojë përvujtërisht si në prapaskenë të gjithçkaje.

Prandaj edhe tek ndjekësorja që dëgjuam, thuhen këta rreshta vërtet të ëmbël: «Eja, o Atë, për nevojtarë; / eja, ti n’dhanti bujar;/ eja, ti që mendjet shndrit!».

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *