U URDHËROI TË MOS MERRNIN ME VETE ASGJË DHE U DHA PUSHTET.

Categories HomeliPosted on

E DIELA XV GJATË VITIT B

Am 7, 12-15; Ps 85 (84); Ef 1, 3-14; Mk 6, 7-13

Në Ungjillin e sotëm, flitet për dërgimin që Jezusi u bën apostujve të Tij në një mision rreth të cilit ai i mëson mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe u jep edhe pushtetin e mrekullive.

Fjala «apostull» do të thotë «i dërguar». Pra, ata që Jezusi i kishte mbledhur rreth vetes, tani i dërgon të predikojnë nëpër Izrael. Më vonë do t’i dërgonte në mbarë botën.

Porositë apo më saktë urdhrat  që Jezusi u jep («U urdhëroi», thotë Ungjilli), të bëjnë të mbash frymën: «U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.»

Duhet të kemi shumë kujdes në kuptimin e kësaj pjesë, sepse bëhet fjalë për disa kërkesa që Jezusi ua bën apostujve vetëm për atë mision të caktuar që po u besonte e nuk do të thotë se një gjë të tillë Jezusi ua kërkon të gjithë të krishterëve. Qëllimi i Jezusit ishte që t’i mësonte apostujt të lëshoheshin krejtësisht në duart e Tij, që më pas të mos mendonin se suksesi i misionit të tyre ishte fryt i ndonjë gjëje tjetër, por ta shihnin se ishte vetëm fryt i forcës së Hirit Hyjnor. Një lëshim i tillë në duart e Zotit, është ajo çka u kërkohet të gjithë të krishterëve të të gjitha kohëve.

Por le të hyjmë pak më thellë në këtë pjesë të Ungjillit e, prej saj, të shohim edhe pjesën tjetër të Shkrimit të Shenjtë që sot na është shpallur.

Jezusi i nis apostujt «dy nga dy». Kjo sepse, për të dashur vërtet, duhen të paktën dy veta. Duhej të ishte pikërisht dashuria e ndërsjelltë e tyre ajo që duhej “të predikonte” më së miri.

Në jetën e Shën Françeskut të Asizit tregohet se një herë ai u tha disa fretërve të vet se atë ditë do të dilnin të predikonin nëpër Asizi. Dolën dhe nisën të silleshin nëpër rrugët e qytetit. Fretërit prisnin se kur Fra Françesku do të ndalej e do të fillonte predikimin, por ai vazdonte të ecte. Pasi u sollën shumë nëpër qytet, u kthyen sërish në banesën nga ku ishin nisur. Të habitur, fretërit e pyetën atin e tyre: «Fra Françesk, përse nuk predikuam?» E ai u përgjigj: «Po, ne predikuam. Duke na parë së bashku, u shpallëm njerëzve dashurinë vëllazërore.»

T’i kthehemi Ungjillit. Jezusi vazhdon pastaj me ato kërkesat rrënjësore që përmendëm më sipër: nuk duhej të merrnin asgjë, përveç shkopit, sandaleve dhe një palë petka.

Në fakt, është gjithnjë e vërtetë se valixhet e tepërta na bëhen pengesë për ndjekjen e Jezusit. Sa shumë valixhe kemi? Sa shumë pretendime? Sa shumë llogari? Sa shumë lidhje afektive? Aq shumë, sa na bëjnë të palëvizshëm! Por Jezusi kërkon njerëz të lirë në shpirt. Të tjerët më mirë le të kthehen andej nga kanë ardhur.

Shën Filip Neri e kishte kuptuar shumë mirë këtë kur thoshte: «Me jepni dhjetë njerëz të shkëputur nga vetvetja, dhe me ta do të shpëtoj botën.» Ai që lëshohet krejtësisht në duart e Hyjit, i çmon ato duar si të mirën më të madhe, si të vetmen siguri, edhe atëherë kur “llogaritjet” e tij i parashikojnë të kundërtën.

Në leximin e parë, na tregohet edhe një lloj tjetër lëshimi në duart e Zotit që i kërkohet besimtarit: profeti Amos, një njeri shumë i thjeshtë («Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam bari dhe vjelës fiqsh»), shkoi të profetizonte në Betel. Por praninë e tij në Betel nuk e donin. Prandaj i thanë: «Shporru, o vegimtar!» Nuk donin ta dëgjonin fjalën e tij në atë qytet, por profeti, gjithsesi, profetizon kundër këtij qyteti që ishte larguar nga Besëlidhja me Zotin.

Atij që lëshohet në duar e Zotit, i duhet ta përgatisë shpirtin e vet edhe për kundërshtimin e njerëzve, shpesh edhe nga ata të cilët mendohej se janë të hapur ndaj së vërtetës e ndaj Fjalës së Zotit. Prandaj edhe Jezusi i përgatit apostuj që të mos ligështohen nëqoftëse ndokush i refuzon. Mandje u thotë: «Po qe se ndokund nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.» Jezusi i fton apostujt që të kenë një «krenari të shenjtë» për atë që janë të thirrur të bëjnë. Duhet të besojnë se, «Mbretëria e Hyjit» të cilën janë duke shpallur, ka në vetvete një dinjitet aq të lartë, saqë i tejkalon të gjitha filozofitë e justifikimet e stërholluara që ndokush mund të përdor për ta refuzuar Atë.

Në leximin e dytë, Shën Pali e shpreh me fjalë tejet të bukura e solemne këtë krenari të shenjtë që ndien në shpirt për vete e për të gjithë të krishterët. Do të ishte dashur ta lexonim edhe një herë të tërën këtë pjesë të bukur, kaq nota ëmbëlsie ka në vetvete, por po shkëpusim vetëm disa fjalë: «Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin… Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit.»

Në një biografi shumë të hershme për disa martirë të Kishës, thuhet se, kur i kishin futur në arenën e një amfiteatri, ku do të pësonin martirizimin, e gjithë turma përreth i përqeshte duke i quajtur «të krishterë». Por biografi i hershëm komenton: «Por për ata, të qenit të krishterë, ishte arsye krenarie.» Më këtë frymë e përballuan martirizimin.

T’i kthehemi edhe një herë këmbënguljes së Jezusit që apostujt e Tij të nisen pa pasur asgjë me vete, sepse ka aty edhe diçka tjetër shumë të thellë.

Jezusi nuk u kërkon apostujve vetëm që të vërtetonin se është e mundur t’i besohesh Provanisë Hyjnore, por edhe që të bëheshin ata vetë një «provokim» për pasanikët.

Nëse do të ndodhte që apostujt të mos ktheheshin gjallë, kjo do të ishte edhe për faj të bashkësisë së Izraelit që nuk e kishte përvetësuar ende Fjalën e Zotit të vet. Në librin e Levitikut, ku rreshtohen një seri normash për Izraelin, thuhet: «Kur të korrësh prodhimet e tokës sate, mos e korr deri në skajin e arës sate dhe mos i mblidh kallinjtë që kanë rënë. Kështu as në vreshtin tënd mos i mblidh vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri t’i mbledhin skamnorët dhe udhëtarët.» (19, 9-10) Pra, u kërkonte të mendonin për të varfrit.

I varfëri ishte provokim i ndërgjegjes së të pasurit. Kështu duhej të ishin edhe apostujt. Një mision shumë i vështirë ky, por dashuria për Jezusin i shtyn që ta pranojnë edhe këtë “sfidë”: pranojnë të bëhen «të vegjël», që kështu të provokonin «të mëdhenjtë» e kësaj bote.

Ky është, në fakt, misioni i Kishës: Ajo është e thirrur të jetë gjithnjë shenjë provokimi për të pasurit e kësaj bote dhe mund ta bëjë këtë duke pranuar mbi veten e saj varfërinë.

Varfëri nuk do të thotë mjerim, por heqje dorë nga ajo që është e tepërt në jetë. Kështu Kisha i dëshmon botës se mund të jetohet hareshëm edhe pa disa gjëra të tepërta dhe e fton atë që t’i hedhë sytë nga ata që nuk kanë as bukën e përditshme.

Papa Françesku prandaj ka thënë: «Sa do të doja një Kishë të varfër, për të varfrit!», sepse kështu Kisha vihet realisht në shërbim të të varfërve dhe, njëkohësisht, shndërrohet në “provokim” të ndërgjegjeve të të pasurve.

Nuk është pasuri e tepruar kur ke një vend pune, kur ke një apo dy shtëpi, kur ke rroba të hijshme e mundësi që të festosh herë pas here, por pasuri e tepruar është atëherë kur ato para i ke siguruar në rrugë të pandershme, kur ndërton apo blen shtëpi thjesht sa për të ndërruar vend, kur e mobilon shtëpinë thjesht ngaqë u doli moda mobiljeve të vjetshme apo kur veshjet i blen thjesht për të bërë koleksione. Është bërë e modës tashmë edhe që të udhëtohet nëpër botë pa vënë re se sa shpenzohet. Madje tashmë nuk është më ëndërr as të mendosh një shëtitje disa orëshe edhe jashtë orbitës tokësore. Nuk mendohet fort se sa të mirat mund të bëheshin me ato para të shpenzuara kot.

Deri diku ka pasur të drejtë ndokush kur ka shkruar: «Njeriu nuk ka para për të furnizuar me ujë zonat e thata të planetit tonë, por ka mjaftueshëm para për të kërkuar ujë në planete të tjera. Pyetja, atëherë, është: A ka forma jete inteligjente në tokë?» Patjetër se ata njerëz që, me shumë pasion e guxim, i përkushtohen kërkimit shkencor, meritojnë tërë mirënjohjen e respektin tonë, ngaqë i gjithë njerëzimi ka përfituar shumë prej tyre, por, nga ata që e kanë në dorë të bëjnë politika mirëqenieje, ishte dashur të dëgjohej edhe britma urgjente e atyre që po vdesin urie e etjeje çdo ditë.

I varfëri i provokon ata dhe është turpi i tyre. Jo në kuptimin që jemi të prirur ta mendojmë ne, por në një kuptim tjetër. Nëse, përshembull, në një bashkësi (lagje, fshat, qytet, shtet, etj.) ka njerëz që nuk sigurojnë as minimalen e që vdesin urie, kjo ishte dashur ta bënte të turpërohej atë që ka tepër. Në këtë rast, pasanikut i duhet të ndajë diçka në një anë për këta të varfër, sikurse edhe izraelitëve u duhej të mendonin për të varfrin e të huajin kur të mblidhnin të korrat e veta.

Pjesa e sotme Ungjillore përfundon duke thënë se apostujt «shkuan dhe predikuan kthimin kah Hyji. Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.» Të varfër siç ishin, po mbushnin me hare gjithkënd që i pranonte me fe. Njëkohësisht edhe «provokonin» ndërgjegjet egoiste që mund të takonin. E mrekullitë që po bëheshin përmes tyre, ishin shenja të gjalla të Dikujt tjetër që tashmë e kishte mbushur botën me gëzimin e tij: ishin shenja të Jezu Krishtit, në të cilin Ati i amshuar po i bekonte «me çdo bekim shpirtëror» ata që e pranonin me besim ardhjen e Tij.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *