“Si një fëmijë në duart e Zotit”. Ky është i titulli i dramës që ne, të rinjtë e Malit të Jushit, shfaqëm më 06. 06. 2021 në kishën e Shën Kozimos dhe Damianit. Kjo dramë fliste për jetën e themelueses së kongregatës së Motrave të Familjes Shenjte, Maria Domenika Mantovani, e cila shumë shpejt do të shpallet e shenjtë.
Ajo ishte një vajzë e thjeshtë e cila në moshën 27-vjeçare mori vendimin që t’ia kushtonte gjithë jetën e saj Zotit. Maria Mantovani mbante në zemrën e saj një dashuri të zjarrtë për Jezusin. Ishte gjithnjë e kujdesshme ndaj frymëzimeve të Shpirtit Shenjtë dhe ishte gjithashtu një prani e fortë pranë motrave të saja duke u mësuar atyre se Zoti duhet të jetë qendra e egzistencës njerëzore. Ajo ka përjetuar përgjegjësinë e detyrës së parë të kësaj familjeje rregulltare e cila frymëzohej nga Familja e Nazaretit: Jezusi, Maria dhe Jozefi. Me ndihmën e Familjes së Shenjtë, ajo qëndroi e kujdesshme që të mos mungojë kurrë besimi në Zot, qoftë edhe në rastet e vështira që kaloi në jetë, duke ruajtur përherë qetësinë e shpirtit dhe duke e bërë çdo vepër të saj me besim të madh.
Lutja ishte si një lidhje shpirtërore që e bashkonte atë me Zotin, si një kanal që na përçon hirin, që është jeta e shpirtit. Gjatë jetës së saj, lutja ishte e vazhdueshme, e qëndrueshme dhe e përhershme.
Për ta përgatitur këtë dramë në mënyrë të përkryer, duhej shumë punë, sakrificë dhe lodhje. Por, duke patur shpresë dhe besim se do t’ia dilnim, ia dolëm ta realizonim. Kjo ishte një nismë shumë e madhe e ndërmarrë nga Dom Dritan Ndoci, i cili edhe e shkroi dramën dhe na ndihmoi ta vinim në skenë. Emocionet ishin të shumta dhe nuk munguan edhe vështirësitë për secilin prej nesh e kjo jo vetëm ditën e shfaqjes, por edhe gjatë provave të shumta. Mjafton të themi se kemi marrë pjesë gjithsej 25 vetë në role të ndryshme e nuk ishte e lehtë organizimi i të gjithëve, sidomos i fëmijëve. Por ia arritëm.
Ditën e shfaqjes, kisha e Malit të Jushit u mbush plot me spektatorë, ku padyshim të shumta në numër ishin veçanërisht Motrat e Familjes së Shenjtë, disa prej të cilave shërbejnë në fshtatin tonë. Nga ana tjetër, secili prej nesh ndihej i privilegjuar që po merrte pjesë në këtë dramë, e cila mësonte fuqimisht se feja dhe besimi na frymezojnë dhe na dhurojnë çdo ditë energji të reja. Shume martirë, të Lumë dhe Shenjtër na e kanë dëshmuar dashurinë e tyre për fenë me vepra, ndaj dhe ne duam që të gjithë t’i dinë sakrificat e mëdha që ata kanë ndërmarrë në jetën e tyre.
Shumë shpesh Nënë Domenika thoshte: “Do të jetoj si një fëmijë e braktisur në duart e Zotit”. Pra, le të lëshohemi krejtësisht në duart e Zotit duke qenë gjithmonë të kënaqur për gjithçka që Ai vendos për jetën tonë. Nënë Maria Domenika Mantovani e ka pranuar atë që Zoti kishte vendosur për të, duke e kapercyer cdo pengesë me besim dhe lutje. Lutja është si vaji që e ushqen flakën e dashurisë për Jezusin, ndërsa besimi është ai pishtari që e ndricon errësirën e natës, duke na drejtuar kështu drejt njohjes së të vetmes së mirë të vërtetë: ZOTIT.
Xhovana Suka