E DIELA XXI GJATË VITIT B
Joz 24, 1-2.15-17.18; Ps 34 (33); Ef 5, 21-32; Gjn 6, 60-69
Pjesa e sotme ungjillore është pjesa e fundit e kapitullit të gjashtë të Ungjillit sipas Gjonit, kapitull të cilin Kisha na ka bërë ta dëgjojmë katër të diela radhazi e kjo është e pesta. Qëllimi është që ne të kemi mundësi të dëgjojmë drejtpërsëdrejti fjalët e Jezusit rreth pranisë së Tij reale në Eukaristi.
Ka shumë gjëra që do të duhej të shpjegoheshin tek kjo pjesë e bukur e ungjillore, por do të ndalemi vetëm tek disa prej tyre.
Vëmë re se bashkëbisedimi i Jezusit me judenjtë nuk qe edhe aq i suksesshëm. Madje Ungjilli i sotëm thotë edhe se «Shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”» Këto fjalë të Jezusit nuk zënë vend as tek ata njerëz të cilët kishin filluar ta ndiqnin atë si Mësues.
Arsyeja përse tërhiqen prapa është e qartë: mësimi i Jezusit është i pakuptueshëm për ta. Është po ajo “arsye” që gjatë shekujve përsëritet vazhdimisht: njeriu është i tunduar të mendojë se mund t’i zihet besë vetëm asaj që hyn në kategoritë e tij të të arsyetuarit. Edhe më fort në kohën tonë prirja është që të besojmë se vetëm ajo që është e kapshme nga arsyeja njerëzore – ose më saktë nga intelekti i ftohtë i njeriut – vetëm ajo është e vërtetë. Por nuk është aspak kështu.
Pikësëpari ngaqë njeriu nuk është vetëm intelekt. Blezë Paskal, intelektual i shquar francez i shekullit XVII, i cili ishte edhe një i krishterë i bindur, thoshte: «Zemra ka arsye që arsyeja nuk i kupton», duke kuptuar me termin ‘zemër’ tërë bagazhin afektiv të njeriut.
Së dyti, për njeriun nuk është kurrë e mundshme të kuptojë misteret e Hyjit. Janë disa të vërteta që njeriu i kupton dhe idetë e tij përputhen me idetë e Hyjit, por ka shumë të tjera të vërteta për të cilat na kërkohet t’i besohemi ideve të Hyjit, fjalës së Tij, duke qenë se është e pamundur që ne, krijesa, të kuptojmë Krijuesin tonë.
Edhe më e vërtetë është kjo gjë, po të mendojmë se ne – e, si rrjedhojë, edhe intelekti ynë – jemi të plagosur nga mëkati. A mund t’i zëmë besë gjithnjë asaj, pra?
Por, edhe këtu, Paskali që sapo cituam, thoshte me një logjikë të hekurt: «Nëse ne besojmë në gjithëpushtetësinë e Zotit, ku është zori që të besojmë edhe te prania e Tij reale në Eukaristi?»
Pastaj, duhet ta themi: kur ne shpesh nuk kuptojmë vetveten, përse u dashka patjetër të pretendojmë t’i kuptojmë misteret Hyjnore?!
Por le t’i kthehemi pjesës së sotme ungjillore. Megjithatë para se të kalojmë tek rreshtat tjetër që ende nuk i kemi komentuar, mund të vëmë re diçka shumë të rëndësishme në këtë bisedë të gjatë të Jezusit me judenjtë dhe me nxënësit e Vet: Jezusi ngul këmbë në praninë e Tij reale në Eukaristinë që do ta themelonte, edhe pse e sheh se bashkëbiseduesit e Tij po mbeteshin gjithnjë e më pak. Nuk është në stilin e Jezusit ta fshehë të vërtetën për hir të një numri më të madh. A nuk kemi shumë për të mësuar nga ky qëndrim i Jezusit?
Bota shpesh e akuzon Kishën se kërkon shumë. Por nuk kupton se e vërteta është ndryshe: nuk është Kisha ajo që kërkon shumë, por e Vërteta. Kjo e Vërtetë nuk mund të ndryshohet nëse ne jemi të brishtë dhe fepakët.
Shpesh herë fjalë të ngjashme i dëgjojmë edhe në mes të të krishterëve. Jo rrallë të rinjtë kërkojnë që Kisha të jetë më pak kërkuese ndaj tyre në moralin që ajo mëson, sepse kështu rrezikon largimin e tyre. E fjalën nuk e kanë për detaje që mbase edhe mund të diskutohen, por për të vërteta thelbësore.
E vërteta nuk mund të ndryshohet. Nuk është kjo në stilin e Hyjit e, si pasojë, nuk mund të jetë as në stilin e Kishës së Tij.
Të vazhdojmë me rreshtat e tjerë. Ajo që na bie në sy, është pyetja që Jezusi u bën të Dymbëdhjetëve si edhe përgjigjja e Pjetrit. Pyetja e Jezusit bie në sy sepse nuk duket se e ka ndër mend të ndryshojë bisedë për hir të të Dymbëdhjetëve, por vetëm se i pyet se ç’qëllim kanë: «A mos doni të shkoni ndoshta edhe jo?» Nëse me të drejtë mund të hamendësojmë një farë trishtimi në këto fjalë të Jezusit, nuk mund të themi se ky trishtim shkaktohet nga vetmia që po sheh se po e rrethon atë gjithnjë e më shumë, por nga aftësia e pakët e njerëzve për të kaluar përtej vetvetes e për t’u hedhur në duart e Tij.
E pikërisht për këtë arsye na bie në sy përgjigjja e Pjetrit. Mund të themi pa frikë se as Pjetri nuk e ka kuptuar më shumë se bashkëbiseduesit e tjerë Jezusin në këto fjalë të Tij mbi Eukaristinë. Aq e vërtet është, kjo saqë Pjetri nuk i përgjigjet duke thënë se e kishte kuptuar se si është e mundur prania e Tij në Bukën dhe Verën e shuguruar, por i thotë: «Tek kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur. Ne besojmë dhe e dijmë se tij je Shenjti i Hyjit.» Pjetri dhe apostujt e tjerë kanë në vetvete atë që u mungonte bashkëbiseduesve të tjerë të Jezusit: miqësinë me Jezusin. Është kjo miqësi e ëmbël që pastaj zgjon në njeriun besimin se Jezusi është Shenjti i Hyjit, Biri i Hyjit e, si rrjedhojë, është edhe Ai që i ka fjalët e jetës së pasosur.
Ky është ndryshimi: feja. Kur marrim brenda nesh Kungimin e shenjtë, nuk është se e kemi kuptuar edhe aq se si është e mundur që Jezusi të jetë aty i pranishëm me natyrën e Tij njerëzore e Hyjnore, por i besohemi fjalëve të Tij.
Ndryshimi me të tjetër që nuk besojnë, është fakti se kemi bindjen se tek askush tjetër nuk mund të besojmë, se askund tjetër s’kemi ku të shkojmë dhe se vetëm tek Jezusi mund ta gjejmë të Vërtetën. Në atë besojmë e Atij i nënshtrohemi.
Sot leximi i parë na tregon se ç’do të thotë të besosh, ndërsa leximi i dytë na tregon se ç’do të thotë t’i nënshtrohesh Krishtit.
Në leximin e parë shohim se si Jozuehu e fton popullin ta shpallë edhe një herë se në kë beson. Populli njëzëri i përgjigjet se dëshiron përsëri të besojë në Zotin, Hyjin e vërtetë që i nxori nga skllavëria e Egjiptit. Është Ai që ua sjell lirinë, është Ai burimi i jetës, i së vërtetës dhe i paqes. Ata duan të lëshohen vetëm në duart e Tij dhe duan t’i shërbejnë vetëm Atij.
Jozuehu ua kujton izraelitëve tërë këto vepra që Hyji i ka kryer në dobi të tyre dhe i nxit të besojnë në Të. Por i nxit në një mënyrë shumë të bukur, duke u ofruar ai vetë si shembull besimi: «Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit.» Kjo është mënyra më e bukur për t’i afruar njerëzit me Eukaristinë: duke e dëshmuar ne vetë miqësinë reale me Jezusin në jetën tonë të përditshme.
Ndërsa leximi i dytë na flet për nënshtrimin ndaj Krishtit. Këtë gjë Shën Pali nuk e bën në mënyrë të drejtpërdrejtë, por – e kjo është gjetja interesante – duke treguar se sa e madhe është lidhja mes Krishtit dhe Kishës. Prandaj ai merr si shembull lidhjen mes burrit dhe gruas.
Qëllimi përse Kisha sot na vë përpara këtë pjesë nga letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve, nuk është edhe aq për të shtjelluar se si duhet të jetë lidhja mes burrit dhe gruas, por të kalohet përtej: nënshtrimi, dashuria që bashkëshortët duhet të kenë për njëri-tjetrin, është si një kalitje për t’iu nënshtruar Krishtit e për ta dashur Atë.
Dihet se jeta martesore e një çifti është e jetuar mirë vetëm atëherë kur secili prej bashkëshortëve është krejtësisht i dhuruar tjetrit. Kur secili kërkon lumturinë e tjetrit. Ata nuk janë thjesht njëri me tjetrin, por njëri për tjetrin. Një shembull i tillë tregon më së miri se si duhet të jetë dashuria e Kishës për Krishtin. E shtyrë nga kjo dashuri, atëherë ajo mund t’i besojë fjalës së Jezusit rreth pranisë së Tij reale në Eukaristinë e Shenjtë.
Pra, besimi në Hyjin (siç na mëson leximi i parë) dhe dashuria ndaj Tij (siç na mëson leximi i dytë), janë ato virtyte që, përballë Eukaristisë së Shenjtë, edhe ne mund të na shtyjnë të themi me Shën Pjetrin: «Tek kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur. Ne besojmë dhe e dijmë se tij je Shenjti i Hyjit.»
Është e vërtetë se nuk do ta kuptojmë kurrë edhe aq këtë mister, por do të lëshohemi në duart e Tij, do t’i zëmë besë Fjalës së Tij.
Po ta mendojmë, nuk është kundër natyrës sonë t’i zëmë besë fjalës së tjetrit. Nëse pyesim dikë në rrugë se sa është ora, duhet t’i besojmë nëse na thotë se është 10.30. Aq më tepër duhet t’i zëmë besë nëse ai që na përgjigjet, është mik yni.
Qoftë Jezusi miku më i mirë i zemrës sonë! Kështu do të kemi mik atë që ka «fjalët e jetës së pasosur».
Dom Dritan Ndoci