E DIELA XXII GJATË VITIT B
Lp 4, 1-2.6-8; Ps 15 (14); Jak 1, 17-18.21-22.27; Mk 7, 1-8.14-15.21-23
Në leximin e parë të së dielës së sotme, shohim se si Moisiu i drejtohet popullit të Izraelit për ta nxitur që t’i jetë besnik Hyjit. Moisiu është drejt fundit të jetës së vet dhe e hedh shikimin pas – e kështu e fton edhe Izraelin – për të parë mirësinë që Hyji kishte treguar ndaj tyre në mënyrë tejet të veçantë në krahasim me popujt e tjerë.
Dy argumentet që ai vë në dukje për ta vërtetuar këtë mirësi Hyjnore, janë fakti që Hyji i ka dëgjuar lutjet e popullit të vet dhe dhurimi i Ligjit.
Moisiu thotë: «E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërishëm, që t’i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?!»
Popujt e tjerë i luteshin hyjnive të veta, por nuk merrnin përgjigje prej tyre. Vetëm Hyji i Izraelit është Ai që ka pushtet mbi gjithçka dhe mund të ndërhyjë me krahun e Tij të fuqishëm. Veçanërisht, për popullin të cilit i drejtohet Moisiu, ky pushtet i Tij është treguar me nxjerrjen e tyre nga skllavëria e Egjiptit.
Pastaj vazhdon: «Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!»
Hyji patjetër është marrë edhe me popujt e tjerë, duke u kujdesur për ta dhe duke u folur përmes ndërgjegjes së tyre, por me asnjë popull tjetër nuk ka folur si me Izraelin, të cilit ia ka dhënë fjalët e Tij të shkruara mbi rrasa guri. Me asnjë popull tjetër Hyji nuk kishte qenë aq i qartë.
Ja, pra, arsyet që përbëjnë falënderimin ndaj Hyjit. Por Moisiu pak më sipër kishte thënë: «Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë!» Pikërisht ngaqë Ligji është dhurata më e madhe që Hyji u kishte bërë, ata duhej ta ruanin atë dhuratë ashtu siç ishte: e freskët, origjinale, siç ka dalë nga goja e Zotit.
Por, për fat të keq, kjo porosi e mençur e Moisiut nuk është zbatuar edhe aq. Rreziku që kanoste popullin e Izraelit vazhdimisht ishte që të fillonte e të merrej më shumë me interpretimet, domethënë me shpjegimet e Ligjit, sesa me vetë Ligjin.
Të marrim një shembull: Në urdhërimin e parë, Hyji thotë: «Mos adhuro Zot tjetër përveç meje!» Qëllimi i urdhërimit ishte i qartë: të mos adhuronin hyjnitë e rrejshme të popujve të tjerë. Por, me kalimin e shekujve, në Izrael filluan të dilnin shpjegime pas shpjegimesh – e thënë me fjalë më popullore stërhollime pas stërhollimesh – të cilët arritën deri aty sa të thonin se, meqë nuk u dashka të adhurojmë hyjnitë e popujve të tjerë, kjo do të thotë se nuk duhet as të merremi me këta popuj; meqë njollosemi duke mëkatuar si paganët, atëherë mund të njollosemi edhe nëse kemi kontakt fizik me ta.
Ungjilli i sotëm na e sjell të gjallë këtë mendësi të gatuar gabim përgjatë shekujve në Izrael. Aty flitet për larjen e duarve para buke. E nuk është fjala për larjen për shkak të higjienës, por për një larje që kishte marrë tashmë vlerë rituale. Duart duheshin larë sepse mbase, gjatë ditës, kishe prekur ndonjë mëkatar apo ndonjë send që më parë mund ta kishte prekur ndonjë mëkatar, apo ndoshta ndonjë ushqim që është i papastër para Ligjit.
Jezusi sulmohej jo rrallë nga disa hebrenj ngaqë Ai rrinte me tagrambledhësit e me prostitutat e, madje, hante bukë së bashku me ta. Kjo ishte e pafalshme sipas tyre. Por, a ishte ky qëndrim i tyre qëllimi i vërtetë për të cilin Hyji kishte thënë: «Mos adhuro Zot tjetër përveç meje!»
Kishin shkruar aq larg nga rrënja – nga shpirti i vërtetë i Ligjit – dhe ishin dhënë kaq shumë pas stërhollimeve deri edhe të pashpirta, saqë nuk po e vinin re se fjalën e Hyjit e kishin zëvendësuar me «traditat e të parëve», duke qenë se këto stërhollime ishin quajtur tashmë «traditë».
Tani e kuptojmë reagimin e menjëhershëm e të ashpër të Jezusit, kur farisenjtë e pyesin: «Përse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar të “papastra”?» Jezusi nuk kursehet t’i quajë menjëherë «shtiracakë». E gjejmë shpesh në Ungjill këtë mënyrë të ashpër të të folurit të Jezusit, por kurrë kundrejt atyre që trajtoheshin si mëkatarë – e të tillë ishin në fakt –, por vetëm kundrejt atyre që i thonin vetes të drejtë, por që ishin bërë të pashpirt në gjykimet e veta.
Pastaj Jezusi citon Isainë profet që thotë: «Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë, kinse mësim të Hyjit, rregullore që i qitën njerëzit». Dhe vetë Jezusi e shpjegon këtë rresht: «Ju lini pas dore urdhërimet e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.»
Duket si i pamotivuar ky reagim i Jezusit përballë tyre. Dikush mund të mendojë se e tyrja ishte thjesht një kureshtje, një dëshirë për të kuptuar. Por kjo pyetje e farisenjve duhet futur në tërësinë e rragatjeve që ata kishin shpesh me Jezusin, gjatë të cilave përpiqeshin gjithnjë ta zinin në fjalë. E, ajo që është më e keqja është se gjithë këtë nuk e bënin për t’i shërbyer Hyjit, por vetëm e vetëm nga smira, siç thuhet edhe shprehimisht në një pjesë tjetër të Ungjillit. Në fakt, në Ungjillin e Shën Markut thuhet se Pilati «e dinte mirë se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar Jezusin prej smire» (15, 10). Prandaj Jezusi gjithnjë ua hiqte maskën dyfytyrësisë së tyre duke i quajtur «shtiracakë».
Pastaj Jezusi i drejtohet tërë popullit duke thënë: «Më dëgjoni të gjithë e mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të…»
Në veshët tanë kjo tingëllon si normale, por për hebrenjtë e asaj kohe (edhe sot), ishte e vështirë të pranohej.
Ja një shembull sa bindës aq edhe tragjik. Rreth vitit 70 pas Krishtit, pra jo shumë kohë pas ngjitjes së Jezusit në Qiell, Roma donte të shtypte një revoltë që kishte shpërthyer në Jerusalem. Ushtarët hebrenj ishin mundur pjesërisht dhe, ata që kishin mbetur, ishin mbyllur në tempullin e tyre. Ushtarët romakë, për t’i detyruar të dilnin prej aty, nuk përdorën taktikat e zakonshme të luftës, por – duke qenë se e njihnin mirë mendësinë e tyre – prenë disa derra dhe mishin e tyre e hodhën brenda tempullit. Për hebrenjtë mishi i derrit është absolutisht i papastër.
Kështu, duke qenë se tempulli tashmë ishte përdhosur nga ky mish, të gjithë hebrenjtë dolën përjashta. E nuk dolën për të shkuar në shtëpitë e veta, por për t’u bërë skllevër, për t’u torturuar apo edhe për t’u vrarë. Me një fjalë, papastërtia nuk ishte diçka e vogël për ta, por e mbanin si pjesë thelbësore të besnikërisë ndaj Hyjit.
Ja, pra, sa fuqishëm ka tingëlluar në veshët e dëgjuesve hebrenj fjala e Jezusit: «S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të.» Jezusi po bënte një revolucion të vërtetë: po e hidhte poshtë pa pikë mëdyshjeje tërë atë që nga hebrenjtë ruhej në mënyrë fanatike dhe, nga stërhollimet e tepërta, ishte bërë traditë mbytëse ndaj shpirtit të vërtetë të Ligjit.
Stërhollimet e tepërta e kanë çuar Izraelin deri kaq larg Hyjit. Por, po ta shohim mirë, edhe ne të krishterët Jezusi ka mjaft për të na korrigjuar. Sa herë shohim të krishterë të fiksuar pas traditave të të parëve, por që s’e kanë problem të shkojnë drejtpërdrejt kundër fjalës së Hyjit. Jam i bindur se jo pak janë familjet që më fort i përmbahen një gostie që nuk duhet bërë në “mot të lidhur” (gjatë krezhmëve), sesa marrjes së sakramentit martesor. I pari është traditë e zhvilluar në Kishë dhe që mund të modifikohet lehtësisht, kurse i dyti është Fjalë e Hyjit, që duhet zbatuar pa stërhollime.
Duke iu kthyer Ungjillit, duhet të kuptojmë se Jezusi, duke bërë këtë revolucion, thjesht po çonte në vend edhe një herë qëllimin e vërtetë të Ligji të Hyjit: të jemi në përngjasim të Hyjit që është dashuri. Prandaj Ai e drejton vëmendjen nga jashtë njeriut, tek brendësia e tij, tek zemra, tek ajo që ne sot do ta quanim ndërgjegje: «Sepse prej brendisë, prej zemrës së njeriut, rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia.» Dymbëdhjetë vese e mëkate që na bëjnë të shohim se ajo që duhet “rregulluar” e para është ndërgjegjja e njeriut e jo edhe aq që t’i mësohen atij disa rituale që duhen zbatuar në mënyrë mekanike. Këto të fundit nuk na bëjnë në përngjasim të Hyjit, ndërsa ajo e para po.
Duke edukuar ndërgjegjen tonë për praktikimin e dashurisë, drejtësisë dhe mëshirës, atëherë jemi duke zbatuar fjalën e Hyjit. Prandaj Shën Jakobi sot na mëson se «besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakët dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë». Edhe ai ishte hebre, por, i mësuar nga Jezusi, s’kishte frikë ta vinte theksin tek praktikimi i dashurisë, sepse vetëm ajo na bën të ngjashëm me Hyjin.
Të kemi shumë kujdes që Jezusi të mos na qortojë edhe ne duke na thënë: «Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit dhe mbani traditat e njerëzve.»
Dom Dritan Ndoci