E DIELA XXIII GJATË VITIT B
Is 35, 4-7; Ps 146 (145); Jak 2, 1-5; Mk 7, 31-37
Mrekullia e Jezusit të cilën Ungjilli i sotëm na e tregon, ka fituar një rëndësi të veçantë në traditën e Kishës, duke qenë se mbi këtë mrekulli është i bazuar edhe njëri prej riteve shtjelluese (apo shpjeguese) të pagëzimit. Besoj se të gjithë e kujtoni se si, kur pagëzohet një foshnje, meshtari, pas një lutjeje të shkurtër, bën shenjën e kryqit tek veshët dhe tek goja e foshnjës. I kërkohet Hyjit Hiri që, ai i cili sapo u pagëzua, të mund të bëhet dëgjues i Fjalës së Hyjit dhe shpallës i saj, me fjalë e me vepra. E ky rit quhet pikërisht «Effatha», fjalë të cilën Jezusi sot ia tha shurdhmemecit në Ungjill e që do të thotë: «Çelu!»
Por kjo pjesë e bukur ungjillore nuk është e rëndësishme vetëm për ne sot, për Kishën. Shkrimi i Shenjtë na bën të shohim sot se si një mrekulli e tillë ishte shumë e rëndësishme edhe për ata njerëz që e panë të ndodhte atë mrekulli apo që thjesht do të dëgjonin më vonë për të.
Shprehja që në këtë pjesë tregon habinë e popullit («Të mrekulluar mbi çdo masë… ») nuk gjendet në asnjë pjesë tjetër të ungjijve. Kjo shprehje tregon një habi të pashoqe, kulmore.
Arsyen e kësaj habie e gjejmë në leximin e parë, që na sjell një pjesë shumë të rëndësishme të librit të Isaisë profet.
Populli i Izraelit në ato vite gjendej në mërgimin e tij të dhimbshëm në Babiloni. I munduar e i lodhur, populli kishte filluar të mendonte se, mbase, edhe Hyji kishte hequr dorë prej tij, duke qenë se i linte të endeshin nëpër ato toka të huaja. Por Isaia u jep zemër: «Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behu shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!» Këto janë fjalët që Isaia mëson t’u thuhen «atyre që i ka lëshuar zemra». Janë fjalë ngushëllimi, fjalë shprese. Premtimi nuk është i vogël: vetë Hyji do ta vizitojë këtë popull: «Vetë Hyji do të vijë e do t’ju shëlbojë.»
Dhe ja ku vijmë tek lidhja me Ungjillin e sotëm: kur të vijë Hyji, «sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e shurdhërve do të dëgjojnë…» Pra, kur në mesin e Izraelit do të vërtetoheshin këto shenja, donte të thoshte se po realizohej premtimi i Hyjit: ishte shenja se Mesia i premtuar kishte ardhur tashmë.
Prandaj, kur panë këtë lloj mrekullie, të pranishmit ishin «të mrekulluar mbi çdo masë», ngaqë fillojnë të mendojnë se mbase ky është Mesia i shumëpritur.
Edhe psalmi e përforcon arsyen e mrekullimit të tyre: «Zoti u jep dritën e syve të verbërve, Zoti i ndreq të kërrusurit, Zoti i do të drejtët, Zoti i mbron ardhacakët.» Pra, shërimet në mënyrë të mrekullueshme, bëhen vetëm prej Zotit. Tani që këto mrekulli po i shohin me sytë e tyre, izraelitët kanë arsye të mendojnë se Hyji është në mesin e tyre, se u plotësua fjala e Isaisë profet: «Vetë Hyji do të vijë e do t’ju shëlbojë.»
Edhe gjestet që Jezusi bën gjatë kësaj mrekullie, janë vërtet tejet domethënëse. Veçanërisht njëri prej tyre: «Psherëtiti dhe tha: “Effatha” – pra “çelu”».
Psherëtiti, do të thotë: nxori frymë. Mbase kjo mund të jetë shenjë e një mundimi të brendshëm që Jezusi e shpreh kështu, por njëkohësisht na kujton edhe atë frymën fillestare që Hyji shtie në njeriun e parë kur e krijon. Thotë Zanafilla: «Zoti Hyj e formoi njeriun prej pluhurit të tokës dhe nëpër hundë i shtiu frymën e jetës, e njeriu u bë qenie e gjallë.» (2, 7) Pra, kjo mrekulli e Jezusit na bën të mendojmë për një krijim të ri që Jezusi po bën me njerëzimin e rënë në mëkat. Po Ai Hyj që dikur e kishte krijuar njeriun, tani po e përtërinte atë.
Edhe vetë psherëtitja e Jezusit, që nënkupton një farë mundimi të brendshëm, ka kuptim të thellë: Jezusi po realizonte përtëritjen e natyrës njerëzore, por do t’ia arrinte nëpërmjet mundimeve.
Dhe ja, shurdhmemecit «iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm». Në shumicën e rasteve, një njeri është memec ngaqë është shurdh. Duke mos qenë i aftë t’i dëgjojë tingujt, nuk di as si t’i artikulojë ato me gojë. Edhe në jetën tonë shpirtërore: dëshmojmë atë që vështrojmë. Prandaj na duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj asaj që zgjedhim të dëgjojmë, nëse duam të dëshmojmë Zotin me jetën tonë.
Më vjen ndërmend një përrallë, e cila mund ta tregojë shumë bukur se çfarë efekti kanë brenda nesh gjërat që dëgjojmë (pra i besojmë).
Thuhet se një herë, ndërsa po ecnin nëpër disa maja të larta malesh, disa alpinistë gjetën rastësisht një vezë në një fole shqiponjash. Të shtyrë nga kureshtja, e morën atë vezë dhe vendosën që ta vinin ta ngrohte një kllukë së bashku me vezët e saja.
Kur vezët e pulave çelën, çeli edhe ajo e shqiponjës. Prej saj doli një zog i cili, natyrisht, nuk kishte përmasat e zogjve të tjerë: ishte mjaft ndryshe për nga format, më i madh, më i fortë dhe po zhvillohej më shpejt se të tjerët. Kur u rrit, kishte përmasa shumë më të mëdha se “vëllezërit e motrat” e vet. Por diçka ishte e çuditshme: ishte i bindur se edha ai ishte një pulë. Madje, duke ecur rrugëve të fshatit, bashkohej me zogjtë e tjerë të pulave për të kënduar këngën e tyre të preferuar: «Ne jemi pula.»
Por një ditë rrjedha e ngjarjeve ndryshoi. Ndërsa po shëtiste nëpër fushat aty afër, rastësisht e ngriti kokën lart dhe pa diçka që e la pa fjalë: në qiell po fluturonin disa shpend të cilët ishin krejtësisht të ngjashëm me të. Pyeti se çfarë ishin dhe i thanë se ishin shqiponja. Filloi të pyeste veten se si kishte mundësi që ato shqiponja të ishin aq të ngjashme me të! Si kishte mundësi që ato fluturonin aq lart, ndërsa ai, që ishte një “pulë” (të paktën kështu i kishin thënë se ishte) mund të ngrihej vetëm pak nga toka?
Nga ajo ditë nuk ishte më i njëjti. Filloi ta besonte se i ngjante më shumë atyre zogjve të mëdhenj atje lart në qiell, sesa pulave. E këtu i lindi një pyetje që s’e la më të qetë: «Mos vallë edhe unë jam shqiponjë?» Filloi ta mendonte seriozisht këtë mundësi, filloi t’i hapte e t’i rrahte fort krahët e vet të bukur e madhështorë. Filloi të vinte re se kishte shumë më shumë fuqi nga sa mendonte. U ngrit lart nga toka. Shumë lart. Habitej për veten e vet. Shikonte diellin e kjo gjë nuk e shqetësonte, gjë kjo tipike e shqiponjave. U valëvit në lartësi të paimagjinueshme deri sa – e kjo ishte “mrekullia”– e kuptoi se ishte një shqiponjë. Gjithë jetën kishte dëgjuar t’i thoshin se ishte pulë, prandaj e mendonte gjithnjë veten si të tillë.
Kujt ia vëmë veshin ne? Kujt i themi «Fol, se unë të dëgjoj!»? Kujt i besojmë? Jemi të krijuar për të fluturuar lart, shumë lart, si bij e bija të lirë të Zotit e prandaj të mos ua vëmë veshin atyre që me ngulm duan të na e mbushin mendjen se duhet ta zvarrisim për tokë jetën tonë.
E thoshte shumë bukur këtë një djalosh i ri italian në shekullin XX, të cilin sot Kisha e nderon si i Lum: «Çdo ditë e më shumë e kuptoj se çfarë Hiri është të jesh katolik. Të jetosh pa fe, pa një trashëgimi për ta mbrojtur, pa mbështetur një luftë për të Vërtetën, nuk do të thotë të jetosh, por ta heqësh jetën zvarrë… Edhe përmes çdo lloj zhgënjimi na duhet të kujtohemi se jemi të vetmit që e zotërojmë të vërtetën.»
Janë fjalët e të Lumit Pier Xhorxho Frasatit. Është e mahnitshme se me çfarë ritmi i jetoi ky djalosh njëzet e katër vitet e jetës së vet të shkurtër këtu në tokë. Plot me dashuri, plot me entuziazëm, plot me lutje, plot me miq, plot me vepra bamirësie, plot me nisma. E gjithë kjo, sepse dëgjonte Jezusin, mikun më të mirë të jetës së tij. Pa Jezusin, ai e dinte se «nuk do të thotë të jetosh, por ta heqësh jetën zvarrë…».
Prandaj të kemi kujdes se kë dëgjojmë! Përderisa e pohojmë se jemi të krishterë, ta kemi përzemër leximin dhe meditimin e Ungjilli apo të ndonjë pjese tjetër të Shkrimit Shenjt; të interesohemi herë pas here për leximin e ndonjë libri që na ndihmon ta thellojmë ecjen tonë drejt Krishtit; t’ia vëmë veshin asaj që Kisha na mëson! T’ia vëmë veshin predikimit të meshtarit! Ta duam katekizmin, pavarësisht nga mosha që kemi. Kur shkojmë tek meshtari për t’u rrëfyer, t’ia vëmë veshin këshillave të tij: janë fjala e Kishës që vjen aty për ty, për të të mësuar se si ta përballosh këtë apo atë situatë të caktuar.
Shumë shpejt do të vërejmë se këto gjëra që hyjnë në veshët tanë – natyrisht kur edhe i besojmë ato – do të na e «zgjidhin gjuhën» edhe ne e do të dijmë të flasim gjuhën e dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj njëri-tjetrit.
Një shembull shumë të bukur e shumë praktik se na është «zgjidhur gjuha», na e sjell sot leximi i dytë. Aty Shën Jakobi këshillon se si duhet të kemi kujdes e të mos i vlerësojmë njerëzit sipas pasurisë që kanë, por sipas faktit se janë të krijuar në përngjasim të Zotit. Prandaj thotë: «Vëllezërit e mi, mos e përzieni fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahmbajtje!»
Jemi të krijuar ta çojmë shikimin tonë lart, kah Jezu Krishti, prandaj të mos ia vëmë veshin botës e cila gjykon gjithnjë me krahmbajtje.
T’i kërkojmë, pra, Jezusit që të na i çelë edhe ne veshët e zemrës, që të mund t’ia vëmë veshin Fjalës së tij e të lejojmë që ajo ta shndërrojë jetën tonë! Kështu, pagëzimin që kemi marrë, mund të thuhet se jemi duke e lejuar që t’i japë frytet e veta.
Dom Dritan Ndoci