E DIELA XXIX GJATË VITIT B
Is 53, 2.3.10-11; Ps 33 (32); Heb 4, 14-16; Mk 10, 35-45
Në leximin e parë kemi dëgjuar disa fjalë që profeti Isai i thotë për Shërbëtorin e Hyjit. Ky Shërbëtor ishte ai të cilin Izraeli e priste si të dërguarin e Hyjit për shpëtimin e tij. Por, për këtë Shërbëtor, që për popullin do të ishte Shpëtimtari, Mesia, këtu thuhen disa fjalë që duket sikur më fort kanë lidhje me një dështak: «Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai para të cilit mbulohet fytyra; këndej as s’e çmonin për send.»
Janë shprehje të cilat gjithnjë tradita e krishterë i ka parë si të realizuara fjalë për fjalë në Jezu Krishtin, Shërbëtorin e përvujtë të Hyjit.
Edhe për vetë kohën kur ishin shkruar këto fjalë të Isaisë profet, ishte një revolucion i vërtetë e revolucioni qëndronte në faktin se Izraelit, i cili aso kohe e priste një Shpëtimtar, dikë që vuajtjes dhe padrejtësisë do t’i jepte fund, Hyji, “çuditërisht”, i paralajmëron se edhe vetë i dërguari i Tij do të vuante e do t’i pësonte padrejtësitë.
Por, pikërisht në atë mënyrë, Shërbëtori i Hyjit do të sillte shëlbimin: «Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.» Ky Shërbëtor i Hyjit do t’u mësojë atyre se si duhen përballuar si vuajtja, ashtu edhe padrejtësia.
Këto fjalë të rëndësishme të Isaisë profet ishin përcjellë brez pas brezi në Izrael, por prapëseprapë nuk ishin kuptuar edhe aq nga masat e gjëra të besimtarëve. Në fakt, as apostujt e Jezusit duket sikur nuk i kishin kuptuar.
Ungjilli i sotëm na tregon se si shkuan te Jezusi dy prej apostujve dhe i kërkuan këtë hir: «Bëj që në lavdinë Tënde të rrijmë njëri në të djathtë e tjetri në të majtën Tënde.» Kujtonin se koha që Jezusi të shpallej si mbreti i Izraelit ishte tashmë fare e afërt dhe u përpoqën t’i dalin punës përpara.
Por nuk e kishin kuptuar ende zemrën e Jezusit. Prandaj Jezusi reagon menjëherë: «Nuk dini çka lypni». E në fakt nuk e dinin çka lypnin: kishin shkuar tek Shërbëtori i vërtetë i Hyjit për të kërkuar ndere, tituj e rehati, ndërkohë që për atë Shërbëtor, Shkrimi i Shenjtë kishte paralajmëruar se do të ishte «më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh».
E nuk ishin vetëm këta të dy apostuj që e kishin keqkuptuar Krishtin, por edhe dhjetë të tjerët. Ungjilli thotë se, «kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin». Nuk thotë se «u kundërshtuan» për qëndrimin e tyre, por «u hidhëruan» në ta. Hidhërimi i tyre vinte nga fakti se ata të dy kishin dashur të dilnin mbi të tjerët. As këta, pra, nuk arrinin ta kuptonin se Mesia do të ishte «më i mbrami ndër njerëz».
Por përballë botës, pra, Jezusi do të duket një dështak, një «njeri dhimbjesh». Jezusi do të jetë Ai të cilin bota «nuk do ta çmonte as për send». Por pikërisht kështu, duke vuajtur, Ai do të na sillte shëlbimin. Prandaj leximi i dytë thotë: «Kemi një Kryeprift që ka dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.»
Por, para se të vazhdojmë, duhet të bëjmë një parashtesë.
Fakti se ne na duket e çuditshme kjo logjikë e Hyjit, i ka rrënjët tek përpjekjet e gjithmonshme të njeriut për ta zhdukur krejtësisht vuajtjen. Jo thjesht për ta zvogëluar atë (gjë që do të ishe e kuptueshme), por për ta zhdukur fare. Kjo do të thotë se njeriu edukohet me idenë se vuajtja është gjithnjë diçka e dëmshme e vetëm e dëmshme. Duke bërë kështu, atëherë lihet mënjanë edhe e gjithë vlera e sakrificës që dikush mund ta bëjë për dashuri të ndokujt (duke qenë se sakrificë dashka të thotë vuajtje) e, si pasojë njeriu e shpërqendron vëmendjen e vet nga ushtrimi i dashurisë tek kërkimi rehatisë.
Prandaj Hyji, në Dijen e Tij të pamasë, e ka lejuar vuajtjen në jetën tonë. Jo vetëm kaq, por ka dashur edhe ta marrë atë edhe Ai vetë përsipër duke u bërë njeri dhe duke iu përgjigjur çdo lloj vuajtjeje me dashurinë që buronte nga tik-taket e dashurisë Trinitare.
Kur Papa Shën Gjon Pali II shkoi një herë për vizitë në njërën prej shtëpive të Motrave të Nënë Terezës në Kalkutë, tha ndër të tjera këto fjalë plot kuptim: «Këtu, Misteri i vuajtjes është i shndritur nga misteri i dashurisë.» Vuajtja dhe sëmundja nuk kërkojnë si përgjigje vetëm përpjekjen për t’i zhdukur ato, por kërkojnë që t’i përgjigjemi me një dashuri më të madhe. Kjo vlen edhe kur gjendemi përballë padrejtësisë: e keqja luftohet vetëm duke bërë mirë, përndryshe veçse e shtojmë të keqen.
Dhe ja ku arritëm tek fjalët kyçe: një dashuri më e madhe. Kjo dashuri, e vetëm kjo, është ilaçi i duhur kundër vuajtjes dhe padrejtësisë. Nuk mund të pretendojmë t’i zhdukim vuajtjet dhe padrejtësitë, por t’u përgjigjemi atyre me një dashuri më të madhe.
Edhe në lidhje me vuajtjet që vijnë në mënyrë natyrore, vlen e njëjta logjikë, pra logjika e një dashurie më të madhe. Shën Piu nga Pietrelçina i shkruante një bije të vet shpirtërore, e cila kishte në trupin e saj disa vuajtje: «Një murator, i cili dëshiron të ndërtojë shtëpinë, duhet para së gjithash të pastrojë gurët që dëshiron të përdorë për ndërtim, gjë të cilën e arrin me goditje të çekiçit e të daltës. Në të njëjtën mënyrë vepron edhe Ati qiellor me shpirtrat e zgjedhur, me të cilët Ai ka përcaktuar nga amshimi për të ngritur ndërtesën e amshuar.» Dhe shpjegon se çekiçi e dalta janë pikërisht vështirësitë, tundimet, frikat dhe sëmundjet e ndryshme që Hyji i lejon në jetën tonë. Shenjtërit e kuptojnë se, përmes vuajtjes, Hyji po na ndihmon të pastrohemi e të rritemi në dashuri.
Ja pra, një dashuri më e madhe, kjo është logjika që ka Jezusi.
Por apostujt ende nuk e kuptonin këtë. Do të vinte koha kur edhe ata, të shndritur nga Shpirti Shenjt, do ta kuptonin se Krishti i kryqëzuar, njeriu i regjur me vuajtje, i pafajshmi mbi të cilin ranë padrejtësitë njerëzore, është në fakt jo vetëm Hyji i vërtetë, por edhe njeriu më njeri se çdo njeri. Kjo sepse i është përgjigjur vuajtjes dhe padrejtësisë me një dashuri të madhe për Atin dhe për ne.
Ai, i mbërthyeri mbi kryq, është edhe njeriu më i lirë: është i lirë nga dëshira për pasuri, për pushtet dhe nga kërkimi i kënaqësisë e i rehatisë personale. Është i lirë nga mllefi, nga hakmarrja dhe nga rebelimi ndaj Hyjit. Aty Jezusi tregohet se është krejtësisht Shërbëtor i Atit të vet dhe i njeriut.
Do të vinte koha kur apostujt do ta përvetësonin këtë logjikë. Jezusi i pyet: «A jeni të zotët ta pini gotën që unë do ta pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?» «Jemi të zotët» – i përgjigjën ata. E Jezusi vijoi: «Vërtetë do ta pini gotën që unë do ta pi dhe do të pagëzoheni me pagëzimin të cilin unë pagëzohem.»
Më vonë, kur apostujt do të fillojnë të shpallin Krishtin e Ngjallur, Provania Hyjnore do t’i sjellë rrethanat në një mënyrë mjaft interesante për Jakobin e Gjonin: Jakobi do të ishte i pari prej apostujve që do të vritej për Krishtin, ndërsa Gjoni do të ishte i fundit prej tyre që do të vdiste në mënyrë të natyrshme. Falë rrethanave të ndryshme, sot eshtrat e Jakobit pushojnë në një bazilikë shumë të famshme në Santiago de Kompostela të Spanjës, njëra prej shenjtëroreve më të vizituara në botë, ndërsa Gjoni do të njihej si ungjilltari që do të thoshte gjëra tejet të thella rreth misterit të Krishtit, duke u dalluar nga tre ungjilltarët e tjerë.
Duket sikur Jezusi ua ka plotësuar gjithsesi atë kërkesë të tyren edhe këtu në tokë, por duke ua modifikuar në disa detaje dhe vetëm pasi ata të kishin kaluar nëpër pagëzimin e vuajtjeve si Krishti.
Kur Jezusi e sheh se apostujt e tjerë ishin hidhëruar në Jakobin e Gjonin, i mbledh të gjithë rreth vetes dhe me plot ëmbëlsi ua shpjegon ndryshimin që këta duhet të kenë me logjikën e botës: «Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.» Fjalë vërtet madhështore, të cilat vetëm Biri i Hyjit mund t’i thoshte.
«Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju.»: si t’u thoshte: «Ju që jeni të mitë, mos bëni si bota.» Do të na ndihmonte shumë sikur këtë porosi të Jezusit ta kujtonim sa herë që edhe ne fillojmë të përvetësojmë logjikën e botës në lidhje me pushtetin, me padrejtësitë e pësuara dhe me vuajtjen. Është e vërtetë se misterin e vuajtjes e të padrejtësisë nuk do të mund ta kuptojmë kurrë në plotësi, por le t’i besohemi urtisë së Jezusit, i cili na fton që të rritemi gjithnjë në dashuri.
Nëse, pra, dëshirojmë të jemi në përngjasimin e Jezusit, le të shërbejmë! Të mos ndalim së shërbyeri për shkak të vuajtjes e padrejtësitë, por t’u përgjigjemi atyre me një dashuri më të madhe! Si Jezusi, Shërbëtori i përvujtë i Hyjit.
Dom Dritan Ndoci