A e dini cili është urdhri i fundit që Jezusi i Ngjallur u dha apostujve të vet pak para se të ngjitej në Qiej? Edhe në Ungjij të tjerë flitet për Ngjitjen e Jezusit në Qiell, por falë Ungjillit të Shën Mateut kemi një përshkrim më të detajuar të atij çasti solemn, si edhe urdhërin fundit që Jezusi dha: «Bëni nxënës të mi të gjithë popujt!» (Mt 28, 19).
Marr shkas të ndalem tek ky detaj ungjillor nga fakti se, në faqet e këtij numri të gazetës sonë, janë përmbledhur disa veprimtari të kryera gjatë verës që kaloi, si edhe disa shkrime të tjera me përmbajte përshpirtërie të krishterë. Duke u shtuar këtyre edhe faktin se nuk ka shumë që kemi filluar sërish katekizmin me fëmijët, atëherë gjithçka duket si një këmbëngulje e vazhdueshme për të folur, për të përçuar njohuri, për t’u thelluar gjithnjë e më shumë në disa të vërteta feje. E ashtu është, sepse duam t’i përmbahemi atij urdhëri të Jezusit.
Por, nga ana tjetër, t’i lexosh në letër disa të vërteta feje, as që mund të krahasohet me bukurinë e fuqinë që ka t’i dëgjosh ato drejtpërdrejt nga goja e dikujt. Kjo është arsyeja për të cilën tradita e krishterë gjithnjë e ka pëlqyer dhe përdorur gjerësisht fjalën katekizëm, që vjen nga greqishtja e vjetër κατηχισμός e që do të thotë jap mësim gojarisht. Përdoret edhe në Besëlidhjen e Re një fjalë e tillë e prandaj është mbartur me shumë dëshirë përgjatë shekujsh nga tradita e krishterë. Prej këtu pastaj vjen edhe fjala katekist, pra ai që jep mësim gojarisht.
Katekisti, pra, është ai që vihet pranë dëgjuesve të vet në vend të Hyjit. Kjo e mbush me gëzim, por edhe me përgjegjësi të madhe. I duhet jo vetëm të përçojë disa koncepte, por ta shoqërojë fjalën e tij me jetën e vet, me dashurinë e vet dhe me fenë e vet të gjallë.
Po, vihet aty në vend të Hyjit, sepse, po ta mendosh, katekisti i parë është vetë Hyji, i cili, me forcën e Fjalës së vet, krijoi gjithësinë e, përgjatë shekujve, vazhdoi ta hapte gojën e vet për t’i mësuar njerëzit. Kështu e kuptojmë edhe pse Jezusi në Ungjill pëlqen të flasë vazhdimisht e nuk është interesuar të lërë asgjë të shkruar. Kjo sepse më e rëndësishme është të formosh një bashkësi besimtarësh, pastaj të tjerat vijnë vetë. Pas ngjalljes, kur tashmë kishte ardhur koha të ngjitej në Qiell, deshi t’i dërgonte dishepujt e tij në botë që ta përhapnin kudo veprën e Tij. E dishepujt, si të thuash, vazhduan të ishin për botën katëkistë, ashtu siç kishte qenë më parë Mësuesi i tyre Hyjnor. Pra, katekisti, vazhdon në botë veprën e Krishtit, prandaj Kisha s’mund të rrijë në heshtje, por dëshiron të mësojë, të dhurojë dije feje, të afrojë kah Hyji.
T’i kthehemi edhe një herë atij detajit që përmendëm në fillim, sepse mbart diçka shumë interesante. Shën Mateu na thotë se Jezusi tha edhe disa fjalë të tjera: «Bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar!».Ky është përkthimi që kemi në shqip dhe duket sikur Jezusi paska dhënë jo një urdhër, por tre: «Bëni nxënës të mi… Pagëzoni… Mësoni», sepse të tria këto folje këtu janë në formën urdhërore. Por biblistët thonë se, në origjinalin grek, fjalët e Jezusit nuk janë krejtësisht kështu. Sipas tyre është në formën urdhërore vetëm folja e parë, ndërsa dy të tjerat janë në formën përcjellore. Përkthimi i saktë i fjalëve të Jezusit, atëherë, do të duhej të ishte ky: «Bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Duke pagëzuar në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Duke mësuar të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar.». Pra urdhri i Jezusit për dishepujt e Tij është vetëm një: «Bëni nxënës të mi!». Për sa u përket fjalëve «duke pagëzuar» dhe «duke mësuar» (përkatësisht sakramentet dhe katekeza), ato janë mënyrat se si njerëzit mund t’ia arrijnë të jenë «nxënës të Jezusit». Pse, pra, Kisha katekizon dhe mbarështon sakramente? Dihet: Për t’i bërë njerëzit dishepuj të Krishtit. Prandaj edhe nuk e ndal kurrë predikimin e saj, katekezën e saj.
E këtu mund të bëjmë atë pyetjen që shpesh duket e pavlerë, por që nuk është: A ka nevojë bota për predikim, për katekezë? Po, ka. Edhe fort, madje. «Keni heshtur mjaft. Ka ardhur koha ta hapni gojën. Bërtisni në njëqindmijë gjuhë të ndryshme! Unë e shoh se, nga të qëndruarit në heshtje, bota është kalbur.», shkruante e madhja Shenjtja Katerinë e Sienës në shekullin XIV. E kjo urgjencë vlen në çdo shekull.
Dom Dritan Ndoci