Kampi veror është një traditë shumëvjeçare në famullinë tonë e çdo vit vjen me risi e ide të reja. Fëmijët, nga parashkollor deri në klasën e nëntë, mezi presin korrikun për t’u bashkuar me njëri-tjetrin në këtë aventurë që tashmë është kthyer më traditë.
Këtë vit kishte një ndryshim e ky ndryshim u vu re në pjesëmarrjen e madhe të fëmijëve, por edhe në entuziazmin e tyre, pasi lamë pas një periudhë të vështirë, atë të pandemisë, e cila u kthye në ankthin e të gjithë botës e sidomos për vogëlushët që disa gjëra e kanë më të vështirë t’i kuptojnë e, si pasojë, kufizimin dhe izolimin e kanë vuajtur më shumë se kushdo.
Duke qënë se fëmijët mezi prisnin që të fillonin, këtë vit zgjodhëm që të eksperimentojmë një formulë tjetër, duke e zgjatur kampin nga një javë në dy: 19 – 31 korrik. Ky ndryshim ishte sfidues për Dom Dritanin, por dhe për animatorët. Çdo vit formula ndryshon, por ajo që nuk ndryshon, është fryma në Zotin që na jep kurajo, forcë dhe durim për ta çuar para këtë projekt që në çdo copëz të tij është i ndërtuar me përkushtim e dashuri.
Fjala e Zotit, ashtu si në jetën tone, është edhe A-ja e kampit. Fëmijët e nisnin ditën me bekimin dhe Fjalën e Zotit. Pastaj ndiqnin video motivuese me mesazhe që japin këshilla jetësore se si duhet të jetë një njeri i mirë, por mbi të gjitha një i krishterë i mirë.
Fëmijët ndahen në katër grupe, ku secili ka animatorët përkatës të cilët kujdesen për ta. Në këto klasa flitet mbi Shkrimin Shenjt duke nxitur tek fëmijët shpirtin e grupit, por që kështu forcon dashurinë për Zotin. Tema që i bashkonte këto takime, ishte edhe motoja e kampit për këtë vit: “Shërbimi është arti i Hyjit”.
Por, kur bëhet fjalë për fëmijët, asnjëherë nuk mund të anashkalohen lojrat, sepse aty është beteja “për jetë a vdekje”, e ku grupet sfidojnë njëri-tjetrin duke dhënë shpirtin në fushë. Fëmijët në këto grupe mësojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe të fitojnë si grup. Me kalimin e ditëve vihet re se gjatë lojrave lindin miqësi të bukura, të cilat forcohen së bashku me “sfidat që ata kalojnë së bashku”.
Java e dytë e kampit i përket krijimtarisë. Fëmijët, të ndarë në klasa, për pesë ditë përgatitën përformanca të cilat i paraqitën në ditën e fundit të kampit përpara prindërve dhe animatorëve. Është për t’u befasuar se si fëmijë aq të vegjël të marrin seriozisht e të përkushtohen aq shumë në performancat e tyre. Në fund u shpall edhe skuadra fituese e cila u brohorit dhe u duartrokit nga publiku.
Në fakt, ajo duartrokitje i shkom prindërve që nxisin fëmijët çdo vit tek ne, i shkon Dom Dritanit që çdo vit gjen vullnetin ta çojë përpara këtë projekt, i shkon edhe animatorëve që çdo vit përkushtohen me seriozitet duke e kuptuar rëndësinëë dhe peshën e detyrës së tyre. Mbi të gjitha, falënderimi i takon Zotit që na jep forcë, durim dhe mundësinë që ta vëmë në jetë çdo vit këtë traditë.
Shihemi vitin tjetër!
Luçjana Hulej