Më 26 shtator kalendari kishtar përkujton shenjtërit martirë, Kozma e Damiani. Dy martirët me profesion mjekë, ishin binjakë, të lindur në Arabi. Sipas traditës, shkuan në Siri për të përfunduar studimet e mjekësisë dhe u vendosën në Egjera, në Cilici, për të ushtruar profesionin e tyre. Gjithë jetën ia kushtuan mjekimit të të sëmurëve. Shëronin më shumë me ndihmën e dhuntive mbinatyrore, si mrekullibërës të vërtetë, se sa si mjekë. Ose më mirë, e kthenin profesionin e tyre në një ushtrim dashurie dhe nuk kërkonin para për punën e tyre, kur i sëmuri nuk e kishte mundësinë. Veprimtarisë së tyre mjekësore i bashkuan edhe atë misionare, duke kthyer shumë të sëmurë në krishtërim. Pra e përdorën mjekimin e të sëmurëve si mjet të rëndësishëm të apostullimit të krishterë.
Por gjatë persekutimit të Dioklecianit, u arrestuan me urdhërin e qeveritarit të Cilicisë, Lisias, i cili, për t’i shtyrë ta mohonin fenë e tyre, nuk ngurroi t’i torturonte. Megjithatë, pavarsisht çdo torture të pamëshirshme , dy vëllezërit dhe familja e tyre i qëndruan besnikë fesë deri në fund. Ata adhuronin një Zot të vetëm në tre Persona Hyjnorë e nuk ligështoheshin përballë kërcënimeve që bota u bënte. Me besimin e tyre në Zotin, ishin në gjendje që ta kundërshtonin botën, edhe sikur kjo t’u kushtonte jetët e tyre . Nuk i druheshin vdekjes pasi besonin se vdekja ishte vetëm një kalim në përjetësi.
Pikërisht në vitin 303 u kapën, u torturuan dhe u martirizuan, së bashku me shumë të krishterë të tjerë. Sot shumë kisha në botë janë ngritur me emrin e këtyre vëllezërve mjekë e martirë. Një prej tyre është edhe kisha e Malit të Jushit.
Shën Kozma e Damiani donin t’i përngjisnin Jezusit, prandaj edhe u martirizuan e prandaj shëruan trupin dhe shpirtin e njerëzve që u drejtoheshin për ndërmjetësim, për t’u kthyer atyre dinjitetin e bijve të Hyjit.
Xhovana Suka