PËRGATITNI UDHËN E ZOTIT!

Categories HomeliPosted on

E DIELA II E ARDHJES – Viti C

Bar 5, 1-9; Ps 126 (125); Fil 1, 4-6.8-11; Lk 3, 1-6

Në këtë të dielë të dytë të kohës së Ardhjes, Shkrimi Shenjt duket sikur na fton që të kemi më shumë shpresë. E dimë se tri janë domethëniet që për ne të krishterët mbart kjo kohë e Ardhjes. Së pari, ajo na fton të përgatitemi për ardhjen e lavdishme të Jezusit në fundin e kohës, pastaj na fton që të meditojmë mbi faktin se Zoti gjithnjë është i pranishëm në jetën tonë të përditshme e, prandaj, duhet të dimë ta vëmë re dhe, së treti, na përgatit për kremtimin e Krishtli­ndjes, gjë të cilën e bën më së shumti nëntëshja e Krishtlindjes.

Të dielën e kaluar Shkrimi Shenjt na ka folur për ardhjen e la­vdishme të Jezusit që do të ndodhë në fundin e kohës, ndërsa sot dëshiron të flasë për ardhjen e Hyjit në përditshmërinë tonë. Prandaj në leximin e parë Baruku profet e fton popullin e Izraelit që të ketë shpresë. Izraeli aso kohe gjendej në një situatë historike që e bënte të druante se mos ndoshta Hyji ishte larguar prej tij. Por profeti i thotë hareshëm: «Hiqe, Jerusalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd e vishu me shkëlqim të lavdisë, të nderit të përhershëm që po të vjen prej Hyjit». Pastaj thotë se Hyji urdhëroi që, për ardhjen e Tij, «të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur, të mbushen luginat e të barazohen me tokë». E përfundon: «Sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit me dritën e lavdisë së vet, me mëshirë e me drejtësi që vijnë prej të lumit.» Janë shprehje që tregojnë nismën e Hyjit për t’i sjellë gëzim popullit të vet; janë fjalë shprese.

Sa bukur do të ishte sikur vërtet ta dinim se Zotin e kemi gjithnjë në jetën tonë, të gatshëm për të hyrë brenda saj e për të vënë aty gëzim! Hyji përpiqet, duke përfituar nga çdo situatë, që të na e bëjë ta kuptojmë se Atë e kemi pranë. Sa bukur do të ishte sikur ta besonte këtë edhe ai që ndihet i mbushur me mëkate! Po ashtu edhe ai që i duket sikur kontrolli i jetës po i rrëshqet nga duart apo ai që i duket se jeta e tij nuk ka më kuptim. Do të mjaftonte t’i sillnin sytë kah Zoti e gjërat do të ishin ndryshe. «Zoti u jep dritën e syve të verbërve», thotë psalmi i sotëm.

Ftesën që t’i hapemi ardhjes së Tij, Zoti e shpreh në leximin e parë me fjalët: «Të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur, të mbushen luginat e të barazohen me tokë». Pak a shumë me këto fjalë të fundit është shprehur edhe Isaia profet kur thoshte se një zë nga shkretëtira thërret: «Përgatisni udhën e Zotit!»

Këto shprehje të profetëve i gjejmë të gjitha të bashkuara edhe në personin e misionin e Gjon Pagëzuesit. Madje ungjilltarët e thonë shprehimisht se rreshtat e Isaisë profet flasin pikërisht për Gjonin. Janë rreshtat që dëgjuam sot në Ungjill: «Zëri i atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën e Zotit; rrafshoni shtigjet e tija! Çdo luginë le të mbushet, çdo mal e kodër le të ulet…!» Ta merr mendja se këto shprehje nuk duhet të merren fjalë për fjalë: kuptimi i tyre është simbolik. Luginat që duhet të mbushen janë të gjitha ato zbrazëti të cilat duket se e shoqërojnë jetën tonë për shkak të dëshpërimeve të ndryshme, apo nga përshtypja se jeta nuk ka një kuptim. Këto zbrazëti duhet të mbushen nga besimi ynë i vërtetë e i fortë në Fjalën e Zotit. Ndërsa «malet e kodrat» mund të simbolizojnë fryrjet e egoizmit njerëzor, të cilat, po nuk u rrafshuan, bëhen pengesë serioze për ecjen kah Zoti dhe për efektshmërinë e Hirit të Tij në ne. Si pasojë, pengojnë gjithnjë dukshëm edhe ndihmesën që secili prej nesh mund të japë në ndërtimin e paqes dhe drejtësisë në mes të njerëzve.

Ky është, pra, misioni i Gjon Pagëzuesit: t’i ftojë njerëzit për aktualizimin e këtij mesazhi, në mënyrë që Hyji i bërë njeri (tashmë i pranishëm nëpër rrugët e Izraelit) të mund të mirëpritej e të mund të vepronte në jetën e secilit.

Por, në Ungjillin e sotëm, ka edhe një detaj tjetër shumë domethënës në lidhje me personin e Gjon Pagëzuesit. Aty thuhet se Fjala e Zotit atij iu drejtua në shkreti, ku kishte shkuar për ta thelluar intimitetin e vet me Hyjin, nëpërmjet lutjes dhe pendesës. Ka shumë rëndësi ky detaj, sepse ne shpesh mund ta mashtrojmë veten duke shpresuar se Hyji do t’i japë ndonjë hov jetës sonë shpirtërore, por, nga ana tjetër, nuk lutemi e nuk bëjmë kurrfarë pendese. Nuk është për t’u besuar lehtë kur ndokush thotë se e gjithë dita e mbrëmja nuk i mjaftojnë për të gjetur ndonjë hapësirë për Hyjin e për t’u lutur. Si mundet të veprojë Hyji në ne, nëse nuk lutemi kurrë? Ai nuk mund të na e thyejë lirinë që vetë na e ka dhënë. Prandaj, derisa të mos lutemi, derisa të mos bëjmë ndonjë pendesë (të ekuilibruar, patjetër), më kot mund të shpresojmë se Hiri i Hyjit do të mund të veprojë vrullshëm në jetën tonë. Është e vërtetë se në Gjonin pati një periudhë vrulli në misionin e tij, por vetëm pasi ajo periudhë ishte paraprirë e shoqëruar në jetën e përditshme nga një intimitet i thellë me Hyjin, me uratë e me pendesë.

Është shumë domethënës, pastaj, fakti që Ungjilli, para se të tregojë se «fjala e Hyjit i qe drejtuar Gjonit», rreshton një seri emrash të njerëzve që sundonin në atë kohë aty. Nga kjo mësojmë dy gjëra. E para se Fjala e Zotit nuk është diçka abstrakte, jashtë historisë së botës, por hyn në botë në një periudhë të caktuar historike. E dyta, se Fjala e Hyjit, për të vepruar e për të ndryshuar botën për mirë, nuk përdorë të pushtetshmit e kësaj bote (ata që kujtojnë se kanë pushtet), por përdorë të thjeshtët, ata që bota i çmon si të paaftë e të dobët. Pikërisht këta e ndryshojnë rrjedhën e historisë për mirë, sepse lejojnë që Shpirti i Hyjit të nxisë në to gjeste mirësie.

Le të marrim një shembull të cilin e kemi para syve tanë çdo vit. Në këtë prag Krishtlindjet, të gjithë flasin për Plakun e Krishtlindjes, por pak kush e di se, figura historike që e shoqëron atë, është Shën Nikolla i Barit, i shekullit të katërt, ndaj të cilit populli ynë ka shumë devocion. Dëshmitë e kohës tregojnë se ai, si ipeshkëv, një herë pati ndihmuar fshehurazi tri vajza të dioqezës së tij, të cilat, të gjendura pa para për të siguruar pajën e tyre, patën vendosur të fillonin një jetë të shthurur. Falë një Hiri të veçantë, Shën Nikolla e kuptoi që­llimin e tyre dhe, për tri netë radhazi, shkonte e u linte para, fshehurazi, në pragun e dritares së tyre. Por natën e tretë vajzat bënë roje dhe e panë se kishte qenë pikërisht ipeshkvi i tyre ai që kishte vendosur t’u vinte në ndihmë. Qysh në shekullin XVIII disa familje në europë filluan t’u bëjnë dhurata fëmijëve të tyre fshehtas natën e gjashtë dhjetorit, kur bie përkujtimi liturgjik i Shën Nikollit. Pastaj, duke qenë afër e kremtja e Krishtlindjes, ky zakon u kalua për natën e kësaj së kremteje. Sot, ai gjest mirësie i bërë prej Shën Nikollës në shekullin e katërt fshehurazi, ka mbushur planetin.

Duke iu kthyer pjesë së Ungjillit të sotëm, pra, mund të shohim se si Shën Gjon Pagëzuesi bëhet jo vetëm zëri që bërtet në shkreti për të na bërë ta përgatisim udhën e Zotit, por na tregon edhe mënyrën se si ta realizojmë këtë: duke iu hapur përvujtërisht Atij. Zoti është i mirë e i përvujtë: edhe ne jemi të thirrur që t’ia lejojmë vetes të shndërrohemi prej Tij. Gjoni bëhet dhe shembull.

T’i kërkojmë Hyjit, pra, që të na ndihmojë ta vërejmë praninë e Tij në jetën tonë të përditshme dhe të lejojmë që të përshkohemi edhe ne nga kjo prani e dashur, e përvujtë dhe e mirë.

«Dhe, ja, për çka lutem: që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e kuptim të plotë […], plot fryt drejtësie që vjen nëpër Jezu Krishtin.» – u thoshte Shën Pali të krishterëve të Filipit e na thotë edhe neve.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *