AI VETË DO TË JETË PAQJA.

Categories HomeliPosted on

E DIELA IV E ARDHJES – Viti C

Mik 5, 1-4; Ps 80 (79); Heb 10, 5-10; Lk 1, 39-48

Këtë të dielë të fundit të kohës së Ardhjes kemi dëgjuar në leximin e parë një pjesë e cila do të bëhej shumë e famshme për Izraelin: «E ti, o Betlehem – Efratë, i vogël ndër bajraqet e Judesë, prej teje do të më dalë ai që do ta sundojë Izraelin». Fama e kësaj pjese u nxit nga fakti se ajo, jo vetëm që fliste për ardhjen e Mesisë së premtuar, por tregonte edhe vendin: Mesia do të dilte nga Betlehemi. Edhe kryepriftërinjtë e skribët e njihnin mirë këtë pjesë të Mikesë profet, prandaj, kur gjatë vizitës së tre dijetarëve, Herodi i pyeti ata për vendin se ku do të lindte Mesia, ata i cituan pikërisht këtë pjesë.

E Mikeja duke vazhduar të flasë për ardhjen e Mesisë, thotë: «Zanafilla e tij prej kohëve të hershme, prej ditëve të amshimit». Dhe përfundon: «[Atëherë] Do të banojnë në qetësi, sepse Ai do të jetë i madh skaj më skaj të vendit: e Ai – ai vetë do të jetë paqja!». Këto janë fjali shumë të rëndësishme, sepse na tregojnë se cili është objekti i pritjes së Izraelit: ishte dikush që e kishte zanafillën prej amshimit dhe se ai do të ishte paqja e popullit të vet. Izraeli nuk priste pak, sepse Hyji nuk kishte premtuar pak.

Pritja e Izraelit ishte gati-gati e ankthshme në lidhje me kohën kur Hyji do ta realizonte atë që kishte premtuar. Prandaj, sa herë që dilte nga mesi i tyre ndonjë njeri me aftësi të veçanta dhe mbi të cilin shihej se vepronte Hiri i Hyjit, shumëkush nuk vononte të mendonte se mos ndoshta ai duhej të ishte Mesia. Madje, në mes të shumë ëndrrave të çdo çifti të ri në Izrael, ishte edhe shpresa se mos ndoshta pikërisht ata do ta kishin fatin që Hyji t’i zgjedhte si prindërit e Mesisë së premtuar. Të gjithë këto detaje e bënin pritjen e Izraelit të ishte plot pasion.

Ndër të gjithë librat e Besëlidhjes së Vjetër, libri më poetik është ai i Këngës së Këngëve. Aty flitet për një dialog të ngrohtë në mes të të fejuarit dhe së fejuarës së tij. Ishte një prej librave që fillimisht shihej me shumë ngurrim nga tradita hebraike dhe pastaj ajo e krishterë, duke qenë se më fort ngjante si përshkrimi i historisë së dy të dashuruarve e jo edhe aq si një përvojë besimi në Hyjin. Por hezitimet u kapërcyen kur u kuptua se i fejuari simbolizonte Hyjin dhe e fejuara Izraelin. Disa rreshta të këtij libri tregojnë se si e fejuara plot ankth kishte dalë në kërkim të të fejuarit të vet, duke qenë kështu shëmbëllesë e Izraelit, i cili plot ankth e pasion ishte në kërkim të Hyjit dhe priste me padurim takimin e plotë me Të, i bindur se «Ai vetë do të jetë paqja».

E tani mund ta kuptojmë më lehtë Ungjillin e sotëm. Aty flitet për vizitën që Maria i bën kushërirës së saj Elizabetës. Detaji që patjetër na bën përshtypje janë fjalët që Elizabeta i thotë Marisë: «Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim.» Zëri i Marisë është zëri i asaj që mbart në kraharor vetë Hyjin e bërë njeri. Jo vetëm shpirti, por edhe mishi i Marisë është thellësisht i bashkuar me Personin e dytë të së Shenjtërueshmes Trini. Prandaj, kudo që ajo shkon, çon Hyjin. Edhe vetë trupi i saj përçon Hyjin.

Foshnja e Elizabetës, Gjon Pagëzuesi, do të jetë profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i fundit ndër ata që prisnin me afsh Mesinë. Prandaj ai gëzon e kërcen prej haresë. Gëzimi i Gjonit ende në kraharorin e së ëmës, kur dëgjon zërin e Marisë (të asaj, pra, që përçon praninë e Hyjit-Njeri) përfaqëson gëzimin e mbarë Izraelit kur merr vesh se Hyji është pranë tij. Këtu e fejuara gëzon se e gjeti të fejuarin të cilin e priste prej shekujsh. Gëzimi i Gjonit përfaqëson gëzimin e Izraelit, por gëzimi i Izraelit përfaqëson edhe gëzimin e mbarë njerëzimit. Njerëzimi mund të galdojë, sepse i erdhi pranë Hyji i vet, Drita që e shëndrit jetën e tij.

Deri këtu kuptuam gjestin e Elizabetës dhe të foshnjës së saj. Por për Marinë kemi ende për të thënë. Ajo përfaqëson Kishën, pjesë e së cilës është edhe ajo vetë. Kisha ka në vetvete Jezusin, të cilin vrapon për t’ia çuar botës që po e pret, sikurse Maria «me nxitim» shkoi tek Elizabeta dhe fëmija i saj. Ky është misioni i vetëm i Kishës: t’i japë botës Krishtin, të cilin e ka në jetën e vet, apo më saktë, me të cilin është thellësisht e bashkuar, si një trup i vetëm. Gjesti i Marisë, që shkon tek Elizabeta është shumë nxitës për secilin prej nesh. Ajo shkon të bashkëndajë gëzimin me të cilin ajo vetë është e mbushur. Kështu edhe ne, nëse jemi të mbushur me praninë e Hyjit në jetën tonë dhe nëse pohojmë se kjo prani është gëzimi i jetës sonë, nuk mund të rrimë pa “vrapuar” që këtë prani Hyjnore t’ia përçojmë edhe të tjerëve.

Bota pret Krishtin. Kisha duhet t’ia çojë Atë. Përse ka shumë njerëz që shkatërrojnë paqen, që janë vrasës, hajdutë, imoralë, idhujtarë, ateistë? Është e vërtetë se të tillë ka shumë edhe për faktin se nuk duan të dijnë për paqen, drejtësinë e kuptimin e jetës, por ka të tillë edhe për faktin se shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësinë ta njohin Krishtin, nga që nuk i ka folur askush për Të. «Keni heshtur mjaft. Ka ardhur koha ta hapni gojën. Bërtisni në njëqindmijë gjuhë të ndryshme! Unë e shoh se, nga të qëndruarit në heshtje, bota është kalbur. shkruante e madhja Shenjtja Katerinë e Sienës në shekullin XIV, për t’i nxitur të krishterët që të ungjillzonin sa më shumë.

Bota ka nevojë ta njohë Krishtin e, prandaj, ka nevojë edhe për të krishterë si Maria. Ka nevojë për njerëz plot me Hyjin e plot me zell për ta shpallur Atë kudo. Kush ka zellin që Krishtin t’ia çojë botës, i gjen edhe mënyrat për t’ia arritur këtij qëllimi, duke shfrytëzuar në maksimum ato mundësi që Provania Hyjnore i vë përpara.

Bota ka nevojë për Kishën, e cila nuk resht së shpalluri Krishtin, plotësimin e premtimeve që Hyji i kishte bërë Izraelit, por edhe gëzimin e gjithë njerëzimit. Kisha për botën është si kripa. Vetë Jezusi e ka krahasuar atë si të tillë. Ajo, duke i çuar Krishtin botës, i jep asaj shijen e duhur dhe e ruan nga prishja e mëkatit. 

Por të krishterët duhet të jenë vetë të bashkuar mirë me Krishtin, përndryshe e përçojnë Atë gabim. «Më ka ndihmuar Zoti dhe mora hak shumë shpejt», më ka rastisur të dëgjoja një herë një të krishterë që kishte vrarë dikë për hakmarrje. Nuk mund të mos e them se më befasoi jo pak kjo mungesë e plotë pendese për një krim të tillë, por edhe më bëri të shihja nga afër se si, edhe ato pak gjëra që ai njeri mund t’i kishte mësuar për krishterimin, ia kishin shpjeguar mbrapsht.

Prandaj nevojitet të kultivojmë gjithnjë e më shumë një intimitet real e të përditshëm me Krishtin, duke e lënë mënjanë egoizmin tonë.

Në kryerjen e vullnesës së Hyjit, duhet të mësojmë prej Krishtit, i cili i ofrohet krejtësisht Atit. Letra e drejtuar Hebrenjve, nga ku është shkëputur leximi i dytë sot, citon një psalm të cilin autori i kësaj Letre e sheh të realizuar krejtësisht në Krishtin. Fjalët e psalmit «Fli e kush ti nuk deshe, por ma bëre gati trupin» dhe «Ja, po vij për të kryer vullnetin tënd!» autori i Letrës i sheh si profeci të asaj që do të bënte Jezusi në këtë botë, kur, vullnetin e tij njerëzor, do t’ia nënshtronte plotësisht vullnetit të Atit të vet. E, autori i shenjtë, jep atëherë shpjegimin e vet solemn: «Në fuqi të këtij vullneti kemi qenë shenjtëruar me anë të trupit të Jezu Krishtit njëherë e përgjithmonë.»

Kur edhe ne t’i ofrohemi Hyjit kështu – si Jezusi – atëherë edhe ne do të jemi në rrugën e duhur drejt shenjtërisë dhe do të na lindë edhe neve etja e shenjtë që, këtë Jezus, t’ia çojmë botës. Atëherë Hyji do të na përdorë edhe ne si Marinë e, edhe zëri ynë do të jetë zëvendësues i zërit të Krishtit. Pastaj, ata që janë në kërkim të së vërtetës, do të galdojnë (si Gjoni ende i palindur) kur do të ndjejnë pranë tyre Jezusin, Atë që është «vetë Paqja jonë».

T’i kërkojmë Zojës së Bekuar që, edhe për ne, të na nxjerrë prej Hyjit Hirin që të bëhemi përçues të pranisë së Tij në mbarë botën.

Dom Dritan Ndoci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *