E DIELA IV GJATË VITIT C
Jer 1, 4-5. 17-19; Ps 71 (70); 1 Kor 12, 31 – 13, 13; Lk 4, 21-30
Nga pjesa e Ungjillit të sotëm besoj se mund të nxjerrim pa dyshim një mësim shumë të çmuar mbi mënyrën se si shpesh funksionon kjo botë. Mund të themi pa frikë se, sa më e madhe të jetë një diktaturë në cilindo vend të botës, aq më i madh është edhe patriotizmi që pushtetarët e atyre vendeve propagandojnë.
E themi këtë sepse, shkaku i vërtetë për të cilin në sinagogën e Narazetit atë ditë plasi sherri kundër Jezusit kur u tha: «Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit Shenjt që e dëgjuat me veshët tuaj.», ishin patjetër edhe ato fjalë në vetvete, por sidomos ishte edhe fakti se Jezusi po refuzonte të bënte aty mrekulli të shumta, siç kishin dëgjuar se kishte bërë edhe në vendet e tjera. Vetë Shën Luka e thekson se, fillimisht, të pranishmit e admironin Jezusin kur filloi të fliste, aq sa «u mrekullonin për fjalët e bukura që dilnin prej gojës së tij», por tregimit të tij ungjilltari i jep një kthesë të menjëhershme kur thekson se, në mes të të pranishëmve, filloi të pëshpëritej një pyetje në dukje e pafajshme: «Vallë, a nuk është ky biri i Jozefit?». Fakti që Jezusi menjëherë reagon me ato fjalë që duken sikur kërkojnë t’i shtojnë benzinë zjarrit, na lë të kuptojmë se pyetja që ata shtronin, kishte për qëllim ta nxiste Jezusin të bënte ndonjë mrekulli në favor të tyre, duke qenë se, me ta, pretendonin që Ai kishte lidhje gjaku. «Me siguri do të ma thonin atë fjalë: “Mjek, shëro veten! Gjithçka bëre, si dëgjuam, në Kafarnaum, bëj edhe këtu, në vendin tënd!», u thotë pa vonesë Jezusi. E pastaj u përmend dy shembuj nga Besëlidhja e Vjetër (shërimin e Naaminit sirian dhe praninë e bekuar të Elisë profet në shtëpinë e vejushës në Sareptë të Sidonisë), për t’u treguar se nuk e kishte ndërmend t’u rrinte aspak gati tekave të tyre e t’u bënte mrekulli sipas qefit të tyre. Donin t’ia mbushinin mendjen se patriotizmi të cilin Jezusi duhej ta kishte, duhej të dëshmohej faktikisht në dobi të tyre, pikësëpari, e pastaj në favor të popujve të tjerë përreth. Por Jezusi refuzon ta ushqejë atë lloj dashurie që dëshiron të jetë pushtuese e jo liruese. Prandaj refuzon të bëjë mrekulli, sepse atëherë do t’i bënte ta humbisnin mrekullinë që çdo mrekulli ka për qëllim të arrijë: bashkimin bijësor me Hyjin dhe dashurinë e pënjëmendtë në mes nesh.
Nëse nuk ishte pikërisht kjo gjëja që mendonin e që intuita e Jezusit e kishte përceptuar, përse atëherë fjalët e Jezusit «i mbushën me zemërim të gjithë ata që ishin në sinagogë» dhe deshën «t’ia thenin qafën në greminë»? Kur e panë se Jezusi nuk u nënshtrohej, dolën në përfundimin e shpejtë se Ai duhej eliminuar. Edhe Zoti duhej të hynte brenda kësaj rregulle të tyre. Patriotizmi ishte thjesht pretekst për të fshehur egoizmin e tyre të sëmurë. Prandaj thamë se, sa më e madhe të jetë një diktaturë, aq më i madh është patriotizmi që prej pushtetarëve të vendit propagandohet.
Hilteri e filloi ngjitjen e tij të shpejtë drejt pushtetit duke luajtur mbi ndjenjën patriotike të gjermanëve dhe duke u premtuar atyre se, shumë shpejt, do t’ia kthente Gjermanisë lavdinë që bota ia kishte hequr duarsh me Luftën e Parë Botërore. Pastaj, në forma të ndryshme, nazistët filluan përpjekjen për t’i maskuar qëllimet e tyre edhe me lartësimin e ideologjisë së tyre gati në një religjion të përnjëmendtë. Qe tepër vonë kur gjermanët e kuptuan se kjo propagandë mashtruese fshihte në vetvete qëllime tejet egoiste dhe vrastare, qëllime të cilat u kuptuan plotësisht vetëm kur Hitleri me shokë filloi t’i vinte flakën botës me fillimin e Luftës së Dytë Botërore.
Në Shqipërinë tonë e dimë shumë mirë se, meqë udhëheqësit fetarë nuk pranuan që veten dhe Zotin t’i vinin në shërbim të lidërve komunistë, u shpallën menjëherë armiq të popullit. Si ata, ashtu edhe Zoti, u dënuan me vdekje në emër të popullit e të atdheut. E paradoksi ishte se, pikërisht ata që e mbanin veten për etër të kombit, nuk e kishin për gjë të eliminonin bijtë e vet, nëse këta bij nuk u përshtateshin skemave të tyre mendore. Prandaj përndjekja kundër Kishës Katolike në Shqipëri do të ishte aq e rëndë, sepse ajo, e mësuar nga Mësuesi i saj Hyjnor, nuk pranonte të mbyllej brenda kufinjve të një vendi, por dëshironte të mbetej Universale, Katolike.
Mes shembujve të pafund që mund të marrim, po veçojmë këtu të Lumin Imzot Frano Gjinin, atë që më së shumti në atë kohë përfaqësonte Kishën Katolike në Shqipëri. Ai, përveç se ipeshkëv i Oroshit e më vonë edhe i Lezhës, qe caktuar nga Selia e Shenjtë si Delegat Apostolik i Vatikanit. Si i tillë, pra, Imzot Frano e priste se shumë shpejt komunistët do të sulmonin pikërisht atë të parin. E ashtu ndodhi në vitin 1946.
I kërkuan ta shkëpuste Kishën Katolike në Shqipëri nga autoriteti i Papës, por ai nuk pranoi. Arrestimi nuk vonoi të ndodhte, me akuzën kryesore se ishte «spiun i Vatikanit». Akuzë qesharake, patjetër, por për komunistët ishte akuzë e mjaftueshme për t’i hapur derën edhe dhjetra shpifjeve të tjera që çonin drejt dënimit me vdekje. E pikërisht me vdekje u dënua edhe ky ipeshkëv i pafajshëm nga gjyqi fals që iu bë.
Kur në sallën e gjyqit e pyetën se cilat ishin fjalët e fundit, ai tha: «E ndjej vedin të pastër për gjithçka akuzohem… Të gjitha dëshmitë që prutë, janë false. Unë po vdes, sepse u qendrova besnik ligjeve të Zotit dhe u kundërshtova ligjeve tueja, të cilat janë kundër Zotit dhe popullit tonë. Rrnoftë Shqipnia dhe Rrnoftë Krishti Mbret!». E, natën kur po e shoqëronin atë e 18 të pafajshëm të tjerë drejt varrezave të Rrmajit në Shkodër për t’i pushkatuar, ai përvujtërisht lutej dhe përpiqej t’u jepte zemër një nga një të gjithëve me fjalët: «Qëndro me guxim, se po vdes për Krishtin!».
«Aspak mos u tremb para tyre!», i kishte thënë Zoti Jeremisë profet kur po e dërgonte në një mision të caktuar e ai ashtu kishte bërë. Jezusi nuk u tremb aspak para dashurisë pushtuese që kishin dëgjuesit e Tij dhe refuzoi t’ua ushqente atë ego të sëmurë. I Lumi Imzot Frano Gjini u jepte kurajo vetes e shokëve të vet me fjalët «Qëndro me guxim», kur po refuzonte të vihej në shërbim të së keqes dhe po vdiste «për Krishtin», për Atë që i ka mësuar botës dashurinë e përnjëmendtë.
Këtu tani është vendi t’i hedhim pak sytë tanë mbi tekstin e mrekullueshëm të shkruar nga Shën Pali e që e dëgjuam në leximin e dytë, tekst në të cilin ai përshkruan dashurinë e përnjëmendtë: «Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme…, nuk krenohet…, nuk kërkon interesin e vet… Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria nuk mbaron kurrë.» Në këtë tekst të gjatë që dëgjuam sot, Shën Pali nuk e përmend askund emrin e Jezusit, por, në fakt, në secilën fjalë të tijën, ai po përshkruan vetë Jezusin, sepse Jezusi është vetë Dashuria.
Atë ditë në Nazaret deshën ta vrisnin Jezusin, sepse ishin të kapluar rëndë nga një egoizëm i sëmurë, i cili edhe Zotin kishte dëshirë ta pushtonte, ose përndryshe do ta zhdukte. Nuk ia dolën ta vrisnin, sepse ende nuk kishte ardhur koha kur Jezusi do ta lejonte këtë, por gjërat do të rëndoheshin gjithnjë e më shumë përreth Jezusit pikërisht nga njerëz të tillë, nga njerëz që kanë një egoizëm të sëmurë dhe që zgjedhin të përçojnë gjithnjë vetëm dashuri pushtuese. Por, e thotë Shën Pali, «dashuria është zemërgjerë… nuk kërkon interesin e vet».
Edhe ne shpeshherë, në lutjet tona, i kërkojmë Zotit që Ai të realizojë planet tona. Nga njëra anë kemi shumë të drejtë që t’i kërkojmë Jezusit mrekulli, sepse vetë Ai na e ka porositur këtë gjë në Ungjill, por të mos harrojmë se kemi edhe detyrën që t’i hapemi mrekullisë që, siç e thamë më sipër, çdo mrekulli dëshiron të realizojë: dashurinë bijësore ndaj Hyjit dhe dashurinë e përnjëmendtë në mes nesh.
Kuptuam shumë gjëra nga reagimi i atyre njerëzve të cilët atë ditë gati desh e vranë Jezusin. Duke analizuar atë reagim, ngjan sikur kemi punuar në laborator në nivel mikroskopik, por kemi zbuluar sëmundje që mund të marrin përmasa globale. Kjo sepse janë të shumtë diktatorët që e maskojnë me patriotizëm egoizmin e tyre të sëmurë dhe vazhdojnë të dhunojnë e të varfërojnë popuj. Patriotizmi është gjë e bukur dhe e shenjtë, sepse është një formë e zgjeruar e zbatimit të urdhërit «Ndero prindërit e tu!», por, kur në emër të patriotizmit prodhohet vetëm varfëri, dhunë dhe vdekje, do të thotë se ai ka filluar të përdoret thjesht si maskë për të mbuluar ligësi nga më të urryeshmet.
Jemi bërë vërtetë shumë diktatorë në këtë botë, sepse shumë prej nesh, shpesh, kërkojmë vetëm interesin tonë personal. Prandaj kemi nevojë për Jezusin, që të na e dhurojë Hirin e Tij e të na mësojë ç’është Dashuria. Përndryshe do të lëmë pas nesh shumë viktima.
Dom Dritan Ndoci