KTHIMI DHE THIRRJA SHËN PALIT

Categories FamulliaPosted on

Në kohën tonë, ku na duket sikur kemi arritur kulmin e dijes dhe, gjërave që nuk i kuptojmë gjithsesi u japim shpjegim, ndonjë studjues, duke parë ndikimin e fuqishëm të Shën Palit në Kishën e shekullit të parë, ka dalë në përfundimin e çuditshëm se përhapja e krishterimit ishte falë udhëtimeve të shumta misionare të Palit, pa të cilat Ungjilli i Krishtit nuk do t’i kapërcente dot kufinjtë e Izraelit. Me këto arsyetime qeshim ne sot e edhe vetë Shën Pali do të qeshte, sepse shihet qartë se duan t’ia zbehin fuqinë e takimit të tij me Krishtin e Ngjallur dhe me forcën që Shëlbuesi ynë i jepte vazhdimisht fjalës dhe veprës së tij.

Megjithatë këto arsyetime të shtrembëruara janë tregues të një të vërtete tjetër të madhe: se Shën Pali ka lënë gjurmë të thella në jetën e Kishës së viteve të para sidomos për faktin se ishte ai që i nxiti apostujt që ta realizojnë më me forcë misionin që Jezu Krishti u kishte besuar, domethënë që të shpallnin Ungjillin në mbarë botën, edhe jashtë Jerusalemit (krh. Mt 28, 20; Vap 1, 8).

Po kush ishte Shën Pali? Çfarë kishte ndodhur në jetën e tij që e kishte mbushur me kaq energji? E, pastaj, përse qysh nga fillimet e Kishës letrat e tij u pranuan si të frymëzuara hyjnisht?

Shumë studime janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen me qëllimin që t’i përgjigjen këtyre pyetjeve. Edhe këto rreshta modestisht kanë këtë qëllim. Por le të ndalemi vetëm tek një pjesë e caktuar e Shkrimit Shenjt e cila besojmë se do të na udhëheqë më së miri në këtë drejtim. Bëhet fjalë për Vap 9, 1-19, ku shën Luka, autori i Veprave të Apostujve, flet për kthimin e Saulit.

Është përvoja themelore e jetës së këtij hebreu. Gjithçka do të ndodhte më pas, do të ishte e lidhur ngusht me këtë ngjarje unike, të cilën disa autorë me të drejtë e quajnë si një lindje e dytë e tij. Madje në Kishë ka edhe një festë liturgjike (më 25 janar) që përkujton pikërisht çastin e kthimit të tij, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë shenjt tjetër në historinë e Kishës. Me sa duket, ai kthimi nuk kishte rëndësi vetëm për vazhdimësinë e jetës së tij, por për vazhdimësinë e jetës së krejt Kishës. Ndonjë studiues ka arritur të pohojë se «pas Ngjalljes së Zotit tonë, kthimi i Shën Palit është ngjarja më e rëndësishme në historinë e krishtërimit që po lindte»[1]. E për Shën Lukën kaq e madhe është rëndësia e kësaj ngjarje saqë ka dashur të na e sjellë atë edhe dy herë të tjera brenda Veprave të Apostujve (krh. Vap 22, 5-16; 26, 9-18).

Por le të kthehemi tek ajo ditë kur Sauli e Krishti i Ngjallur u takuan. Gjatë pjesës tjetër të jetës së tij ai shpesh do ta kujtonte atë përvojë (krh. Vap 22, 5-16; 26, 9-18; Gal 1. 12-17). Ato çaste e shënuan thellë në shpirt, aq sa i krijuan në mendje një si kufi të qartë mes “jetës së mëparshme” e “jetës së pastajme”.

Disa biblistë më fort se të flasin për «kthim» të Saulit, pëlqejnë të flasin për «thirrje» të tij, meqë ai nuk ishte vërsulur aq dhunshëm ndaj të krishterëve për shkak të ngurtësisë së zemrës së vet, por prej mosdijes. 

Disa studiues të tjerë kanë dashur ta vënë në dydhim vërtetësinë historike të kësaj mrekullie, pra takimin e Jezusit të Ngjallur me Saulin, duke qenë se përshkrimet e që i bëhen këtij takimi nga Shën Luka, nuk përputhen plotësisht me ato që i bën vetë Shën Pali në letrat e tij. Por këtu duhet pasur parasysh se, është e vërtetë se ato tekste nuk përputhen tërësisht në mes tyre, por, ato «përputhen në të gjitha pikat që kanë një farë rëndësie: rasti, vendi, ora e ngjarjes, drita verbuese nga e cila u mbështoll papritmas karvani, dialogu mes Saulit të shtrirë për tokë dhe zërit të mistershëm, verbëria e tij e përkohëshme, pagëzimi i tij, shërimi i tij, orjentimi krejt i ri në jetë që, nga një përndjekës, e bëri apostull»[2]. Nëse ka ndonjë mospërputhje të vogël, le të kujtohemi se qëllimet e Lukës nuk janë edhe aq historike por teologjike.

Tani ta shohim këtë pjesë në detajet e saj e, nëpërmjet tyre, të ngjitemi tek temat themelore të misionit dhe të shkrimeve të Palit.

Luka, në Vap 9, 1a, na e paraqet Saulin si përndjekës të të krishterëve, ashtu siç kishte bërë tashmë në Vap 8, 1-3. Duke u bazuar në këto tekste mund të themi se Sauli ishte një figurë autoritare në mesin e farisenjve. Ishte plot zemërim kundër atyre që e shpallnin Jezusin e Nazaretit si Birin e Hyjit të bërë njeri, që vdiq i kryqëzuar, por që pastaj u ngjall. Një blasfemi kjo e padurueshme për një hebre të zellshëm, aq më tepër për Saulin i cili i tejkalonte në judaizëm shumicën e moshatarëve të kombit të tij dhe që ishte tepër i dhënë për t’i mbrojtur traditat e të parve të vet (krh. Gal 1, 14). E sigurtë dhe pa hije dyshimi është fakti se Sauli nuk e ka takuar Jezusin parapashkëror. Me siguri Shën Luka, në shqyrtimet e tij të hollësishme (krh. Lk 1, 3), nuk do të kishte lejuar që t’i humbiste një detaj i tillë kaq i rëndësishëm, aq më tepër kur shohim tërë atë hapësirë që zë jeta e Palit në veprën e tij të dytë në Besëlidhjes së Re.

Gjatë kësaj lufte kundër atyre që më vonë do të quheshin të krishterë (krh. Vap 11, 26), pra, Sauli niset për Damask, qytet shumë i pasur i Sirisë, më shumë se 300 km larg Jerusalemit. Pikërisht aq larg kishin shkuar disa të krishterë pas përndjekjes që kishte shpërthyer ndaj tyre në Jerusalem (krh. Vap 8, 1). Dhe ndodhi që, papritmas, e shndriti një dritë prej qiellit e cila e bëri të paaftë të shikonte dhe rrëzoi për tokë. Zakonisht jemi mësuar ta imagjinojmë Saulin tek rrëzohet nga kali në këto çaste, por teksti biblik nuk e thotë. E thotë hamendësimi ynë i drejtë, duke parë udhëtimin e gjatë që Sauli me shokë kishte ndërmarrë drejt Damaskut, udhëtim të cilin me shumë gjasa duhej ta bënin me kuaj. Teksti thotë vetëm se Sauli u rrëzua dhe, ashtu, me shikimin që i kishte ikur, dëgjoi Dikë që i tha: «Saul, Saul, pse po më salvon?» (rr. 4). Përsëritja e emrit nga ana e Jezusit na sjellë ndër mend gjithë ato pjesë të Besëlidhjes së Vjetër ku thirrja e Hyjit mbart me vete vuajtjen e vënies në provë të atij që është i zgjedhur, por edhe shpëtimin që vetë Hyji premton (krh. Zan 22, 1. 11; 46, 2; Dal 3, 4).

«Dialogu vazhdon. Sauli pyet: “Kush je ti, Zotëri?”. Kjo pyetje na kujton atë të Jakobit në Jabok (krh. Zan 32, 28) dhe atë të Moisiut tek kaçuba e ndezur (krh. Dal 3, 13) […]. Përndjekësi i mbështjedhur nga drita gjendet përballë një të shfaquri personal dhe jo përballë ndonjë fenomeni rreligjoz të papërcaktueshëm, që do ta kishte shtyrë të pyeste: “Ç’është? (krh. Vap 10, 4)”»[3]. Sauli i drejtohet me titullin Қυριος – Zot: Sauli, i formuar në shkollën e Gamalielit dhe i edukuar sipas Ligjit të të vjetërve (krh. Vap 22, 3b) dhe që patjetër duhet ta ketë njohur përkthimin e të Shtatëdhjetëve (përkthimi grek i BV), s’ka mundësi të mos e dijë se aty, ky titull, përdoret për të përkthyer tetragramin e shenjtë JHËH (Unë jam Ai që jam). Pra Sauli e pranon se është mb ë shtjellë nga një Epifani (Dukje e Hyjit) dhe se gjendet i përfshirë në një dialog që ka Hyjin si bashkëbisedues.

Përgjigjja e të Ngjallurit «Unë jam Jezusi që ti e salvon!…» (rr. 5) mbartë në vetvete shumë domethënie, detaj i cili Saulit nuk do t’i kenë shpëtuar kollaj. Aq më tepër në të ardhmen, kur me kujtesën e tij do të jetë kthyer tek ai episod vendimtar. Sidomos kupton faktin se Jezusi iu shfaq me të njëjtën mënyrë siç ishte shfaqur Hyji në Dal 3, 14. Pra Sauli ftohet qartas të besojë se edhe Jezusi është Hyj. Por ky Jezus është edhe njeri, duke qenë se i shfaqet si po ai Jezus, mësimin e të cilit Sauli e urrente pa rezerva.

Një tjetër gjë është edhe më e habitshme për Saulin: zbulon se ai është duke salvuar pikërisht këtë Jezus. Shohim këtu një identifikim të mistershëm të Jezusit me ata që besojnë tek Ai[4]. Kemi shumë arsye të mendojmë se pikërisht këtu e ka zanafillën bindja e Shën Palit se Kisha është Trupi i Krishtit, mësim të cilën ai e kishte shumë për zemër dhe që e hasim në shumë prej letrave të tij (krh. 1 Kor 12, 12-27; Gal 2, 20; Ef 1, 22-23; 4, 11-16; Col 1, 18; 2, 9-15; etj.).

Por, në të dukurat Hyjnore, të cilat i cekëm pak më sipër, pason gjithnjë edhe një mision. Kështu ndodhë edhe në këtë tregim të Shën Lukës: Jezusi vazhdon duke i thënë Saulit: «[…] Ngrihu e hyr në qytet dhe atje do të tregohet se çka duhet të bësh!» (rr. 6).

Ata që ishin me të – që e kishin degjuar zërin e mistershëm, por nuk kishin parë askënd – e marrin Saulin dhe e çojnë në Damask, ku qëndroi tre ditë pa shikuar dhe pa u ushqyer. Në këta tri ditë agjërimi do të mund të vërehet një krahasim me tri ditët para Ngjalljes së Jezu Krishtit. Kjo do të thoshte se simbolizon agjërimin pendestar nga ana e popullit të Izraelit, të verbër dhe rebel[5].

 Tregimi vazhon duke përmendur një të krishterë me emrin Anani, i cili, i mësuar në vegim nga Zoti, shkon tek Sauli dhe i kthen atij dritën e syve. Ky është një personazh që shfaqet papritmas në skenë. Gjithsesi është interesante se si përmbysen gjërat: përndjekësi lëshohet në duart e një të përndjekuri, jo më për dhunë e për hakmarrje, por për të gjetur shërim dhe mëshirë . Ndërhyrja Hyjnore është në gjendje të realizojë atë që për njerëzit është e pamundur (krh. Lk 18, 27).

Në këtë pjesë mund të gjejmë shumë elementë që do të na nxirrnin në përfundime interesante. Ka prej atyre që kanë dashur të shohin këtu një krahasim me fillimin e jetës së krishterë në Kishën e viteve të para: vënia e duarve, pagëzimi dhe të ushqimi.

Na ngjall pak vështirësi fakti se flitet më parë për vënien e duarve – gjest të cilin jemi mësuar ta lidhim me dhuratën e Shpirtit Shenjtë, që sot e quajmë krezmim – e pastaj për pagëzimin. Por ka shumë mundësi që këtë vënie duarsh duhet ta kuptojmë si një gjest shërimi (krh. Lk 4, 40-41; 13, 13) dhe përzgjedhjeje nga ana e Zotit që iu shfaq gjatë udhës për në Damask[6]. Pastaj i jepet pagëzimi.

Me pagëzim tani Sauli «merr pjesë në hirin e kohërave të reja dhe hyn të bëjë pjesë në bashkësinë mesianike të shenjtërve të mbledhur tashmë rreth apostujve (krh. Vap 1, 8). I bien nga sytë ato që dukeshin si pare peshku, si në librin e Tobisë (3, 17; 11, 12) i ndodhi edhe plakut Tobi, shërimi i të cilit paralajmëron rindërtimin e Jerusalemit dhe shpëtimin e popujve (Tob 14, 5-7). Në ushqimin e marrë nga Sauli mund të shihet një simbol i Eukaristisë. Teksti nuk e ka këtë fjalë, por lejon të vërehet kuptimi. Dy pjesët e tjera të Veprave të Apostujve në të cilat flitet për ushqim janë të futura në fakt që të dyja në një kontekst të “ndarjes së bukës” (2, 46; krh. 20, 7. 11) dhe “falënderimit” (27, 33. 34. 36). Luka është shumë i përmbledhur kur bëhet fjalë për ritin eukaristik».[7]

Kështu Luka, na bën të shohim se si Sauli i drejtohet Kishës, e cila tani «bëhet rruga nëpërmjet së cilës ai e kupton çështjen e Jezusit»[8].

Por nga ana tjetër vetë Pali do të pohojë në letrat e veta se Ungjillin e ka marrë drejtpërpërdrejt nga Hyji, përmes Birit të Tij (krh Gal 1, 11-16; 1Kor 9, 1c; 15, 8-10; Fil 3, 6-8), «në mënyrë që të mund t’ia shpallte paganëve»[9]. Përse vallë ky ndryshim të dhënash? Arsyeja është e thjeshtë: Luka ka arsye teologjike edhe kur tregon historinë e thirrjes së Saulit dhe, këtu, dëshiron të vërë theksin tek rëndësia e bashkësisë kishtare. Kurse Pali dëshiron të argumentojë vërtetësinë e Ungjillit që po shpallte, si edhe të drejtën e tij që të quhet Apostull. Ka të drejtë të flasë kështu Shën Pali, në fakt, sepse nuk ka asnjë dyshim që gjatë jetës së tij në vazhdim, ai ka patur përjvoja të ndryshme mistike, gjatë së cilave do të ketë qenë mësuar drejtpërdrejt nga Jezu Krishti mbi përmbajtjen e predikimit të vet (krh. Vap 23, 11; Gal 1, 15-17).

Ja pra: atë ditë që takoi Jezusin e Ngjallur, filloi një epokë e re për këtë njeri. Shenjë e kësaj është edhe vetë fakti se aty e tutje ai zgjodhi të mos quhej më Saul, por Pal, që do të thotë “i vogël”.

Shpesh edhe ai do të flasë për jetën e tij “para” apo “pas” takimit me Zotin. Në mendjen e tij dallohet se është krijuar një si kufi i qartë mes jetës që bënte më parë, dhe jetë s së re që kishte filluar pas asaj ngjarjeje. Aty e tutje ai ao të jetë krejt i dhënë pas Krishtit Jezus. Zellin e pashoq q ë e karkterizonte, ta do ta shtyje deri në kokëfortësi, por të gjithin në shërbim të shpalljes së Krishtit, për shëlbimin e popujve.

Ai do të kuptojë se Hyji gjithnjë e ka dashur, deri në atë pikë sa që ka vdekur për të (krh. Gal 2, 20), nga ku rrjedh edhe këmbëngulja e tij se Hyji na shfajëson krejtësisht falas, temë për të cilën flet në mënyrë të qartë e të zgjeruar në letrën drejtuar Romakëve dhe atë të drejtuar Galatasve. Ai e di se Krishti nuk ndalet tek meritat e personit por, në trupin e vet, «e përmbysi murin ndarës, d.m.th. armiqësinë» (Ef 2, 14) mes hebrenjëve e paganëve dhe, për këtë, «nuk ka më: hebre – grek; nuk ka më skallav – të lirë; nuk ka më burrë – grua» sepse të gjithë janë «një në Krishtin» (Gal 3, 28).

Ai që dikur Jezusin e përndiqte pa kursim, kaq fort do të arrijë ta duajë Atë sa që do të arrijë të thojë «për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë» (Fil 1, 21) e do t’u mësojë edhe të tjerëve që të kenë ne vetvete «po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus» (Fil 2, 5) si edhe do të pohojë se rruga më e mirë dhe më e madhe për t’ia arritur një qëllimi të tillë është dashuria (krh. 1 Kor 13, 1-13), e cila «arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka» (1 Kor 13, 7).

Pali do të bëhet një “gjigant” në Kishën e Hyjit e kjo pikërisht sepse, në vogëlsinë e tij, i ka mjaftuar hiri i Zotit (krh. 2 Kor 12, 9) si edhe sepse është bërë gjithçka për të gjithë (1 Kor 9, 22). Tërë këtë, e bën i vetëdijshëm se e pret kurora e drejtësisë e prandaj nuk lodhet as kur i duhet të luftojë luftën e mirë të fesë (krh. 2 Tim 4, 6-8), as kur ua predikon të gjithë njerëzve Ungjillin e Krishtit të kryqëzuar (krh. 1 Kor 2, 1-2), duke i mbetur kështu besnik misionit që atë ditë, në rrugën për në Damask,  i besoi Biri i Hyjit, të cilin mësoi ta njihte e ta donte gjithnjë e më shumë, aq sa të jepte jetën për Të.

Për Kishën e për gjithë botën pastaj, Shën Pali u bë i famshëm, aq sa, siç e pamë në fillim, ndokush gabimisht e shpalli atë edhe më të rëndësishëm se Krishti. I madh ka qenë, vërtet, por ishte dashuria për Krishtin që i vlonte në shpirt ajo që e shtynte të shpalonte gjithë atë bagazh shpirtëror e intelektual që kishte. Prandaj përkufizimi më i bukur për të më duket sikur është ai që i bën një prift karmelitan: «Shën Pali ka qenë i pari, pas të Vetmit»[10]

Dom Dritan Ndoci


[1] A. BOUDOU, Atti degli Apostoli, Editrice Studium, Roma 1962, fq. 198.

[2] R. P. PRAT, La théologie de saint Paul, I, fq. 31.

[3] P. BOSSUYT, J. REDERMAKERS, Lettura pastorale degli atti degli apostoli, Grafiche Devoniane, Balogna 1997, fq. 357.

[4] A. BOUDOU, Atti degli apostoli, vep. cit. fq. 207.

[5] P. BOSSUYT, J. REDERMAKERS, Lettura pastorale degli atti degli apostoli, vep. cit. fq. 357-358.

[6] Po aty., fq. 360.

[7] Po aty.

[8] J. A. FITZMAYER, Gli Atti degli apostoli, Editrice Queriniana, Brescia 2003, fq. 428.

[9] Po aty..

[10] A. M. SICARI, Portrete Shenjtërish III, fq 108.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *